Animatori i botës së pafundme të imagjinatës

Matt Taylor, i lindur në Ohio në vitin 1983, ishte rritur në Amerikën e kohës e cila për fëmijët e kësaj gjenerate njihet si epoka e filmave të animuar. Që atëherë ka qenë i dhënë pas vizatimeve dhe animacionit.

Sot vepron në Los Angeles, është në mesin e yjeve të botës së pafundme të animacionit, ka punuar në serialet me të njohura të filmit të animuar si “Rick and Morty Exquisite Corpse” e “King Star King” që ka fituar çmimin “Emmy”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Aktualisht bashkëpunon me rrjetin e njohur “Cartoon Network”. Lista e veprave të Taylorit – mysafir special i “Anibarit” të sivjetmë bashkë me Bryan Newtonin – është e gjatë. Ashtu sikurse edhe rrëfimi i tij.

Kur si fëmijë Taylor kishte parë për herë të parë “Lion King”, ishte mahnitur nga realizimi. Pasi që kishte shikuar filmin kishte marrë një letër të bardhë dhe në të kishte vizatuar “Timon” dhe kishte shkruar se sa shumë i kishte pëlqyer filmi. Të njëjtën ia kishte dërguar kompanisë “Disney”.

Për të, në atë moshë “Disney” ishte një ëndërr. Edhe pse nuk e kishte pritur që ata do t’i përgjigjeshin, Taylor kishte pranuar po ashtu një letër nga “Disney” në të cilën ishte shkruar: “Jemi të lumtur që je i interesuar për animacionin. Këtu keni disa rregulla të animacionit”.

Ishte një mesazh ky më shumë teknik që u dërgohet njerëzve të shumtë që në atë kohë dëshironin të kishin një kontakt me këtë kompani. “Disney” ishte një ëndërr sikurse edhe pranimi i një letre prej këtij gjiganti. Mirëpo, me kohë Taylor do ta kuptonte se animacioni është shumë më shumë sesa “Disney”.

Anibar në edicioni e 9-të kërkon përfshirjen e grave në animacion

Në edicionin e 9-të Anibar ka vendosur të nxjerrë në pah pabarazinë gjinore duke kërkuar reprezentim të grave në animacion, shkruan KultPlus.

Popullariteti i animacionit vazhdon të rritet si në Kosovë dhe në të gjithë botën. Mirëpo, pjesëmarrja e grave në studime për animacion, animatore por edhe shikuese është rritur, por gjithashtu ka ekspozuar shumë pabarazi.

Sipas organizatës Woman in Animation, “Gratë përbëjnë 60% të studentëve të animacionit, por vetëm 20% e animatoreve janë gra.” Kjo ka bërë që gratë të jenë të nënpërfaqësuara në industrinë e animacionit veçanërisht si skenariste, regjisore dhe producente.

Prandaj, Anibar përmes edicionit të nëntë të festivalit do të bëjë një ndryshim duke inspiruar gratë dhe burrat në botën e animacionit për ti adresuar çështjet gjinore. Një proces më gjithëpërfshirës, kreativ dhe teknik, do të përmirësojë punën e burrave dhe të grave duke krijuar mundësi për ta shpërndarë filmin e animuar në të gjithë botën.

Duke theksuar pabarazinë gjinore në festivalin e këtij viti, Anibar do të jetë në gjendje të arrijë një audiencë më të gjerë përmes vizitorëve të saj vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe anëtarëve të shumtë të medias që do të mbulojnë dhe ndjekin festivalin.

Anibar planifikon të përfshijë komunitetin në këtë proces duke inkurajuar njerëzit jashtë Anibar për të marrë rolin e tyre udhëheqës në promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave.

Anibar do të ti bashkohet lëvizjes së Women in Animation duke nënshkruar zotimin për reprezentim të grave në animacion për të arritur 50/50 deri në vitin 2025.

Ky mesazh inkurajimi do të kurohet nga një ekip kreativ që do të prodhojë art në hapësira publike, do të ndërtoj kinema të hapura, shfaqje filmash, organizim të koncerteve dhe instalim të kinemave të hapura në parqe dhe në qendra të qyteteve. /KultPlus.com