Arti dhe solidariteti bashkoi gratë në kohë pandemie, si rezultat sollën dy premiera në FemArt

Medina Pasoma

Gra të suksesshme të profileve të ndryshme i bashkoj krijimtaria artistike, të cilat i diskutuan në panelin ‘’Artivizmi-Arti dhe solidariteti në kohë pandemie’’. Eliza Hoxha, Valdete Idrizi, Rajmonda Ahmetaj dhe Zana Hoxha shpalosën frymëzimin që patën në kampin e artisteve dhe aktivisteve, e cila u kurorëzua me publikimin e shkrimeve të tyre në një broshurë në edicionin e 8-të të Festivalit FemArt, shkruan KultPlus.

Pandemia bllokoj aktivitet kulturore në rrafshin global mirëpo, frymëzimet individuale veçse u rritën më shumë, duke ia dëshmuar botës edhe njëherë fuqinë dhe nevojën për art. Një adresë e bashkimit të këtyre krijimeve u bë kampi i artisteve dhe aktivisteve i organizuar nga ‘’ArtPolis’’. Qëndrimi i përbashkët në Kukaj në datat 26-29 qershor duke mbajtur sesione pune grupore për ushtrime të lëvizjeve skenike, shkrim kreativ, meditim e çlirim shpirtëror, i bëri aktivistet dhe artistet të ndjehen tejet mirë dhe të mbetet ky organizim përherë në mendjet e tyre.

Ato folën, shkruan, u paraqitën me gjuhën e artit, duke e sfiduar veten në çdo fushë, e duke u vetëmjaftuar nga ndjesia estetike që ndjenin. Të ndara në 4 grupe pune, krijuan një lidhje inspiruese e kreative mes vete, duke sjellur si përfundim 4 performanca artistike, 2 prej të cilave u dhanë premierë në FemArt si dhe shkrimet e tyre që adresonin çështje sociale dhe qëllimet e tyre. Fjalët e vargjet të cilat pasqyruan shpirtrat e tyre, u kthyen në një broshurë, e cila përmban një laramani të pikëpamjeve dhe u promovua përpara publikut në panelin e diskutimit në ditën mbyllëse të Festivalit FemArt.

Njëra nga organizatoret, Jetbardha Selmani për KultPlus tregoj se bashkimi në një kamp i 20 grave  të cilat janë artiste e aktiviste do të mbetet një përvojë tejet e veçantë për to.

“Gjatë kohës sa kemi qenë në pandemi e kemi pa që është shumë e nevojshme t’i mbledhim artistet dhe aktivistet që ta realizojmë së bashku një kamp dhe për të mbledhur ide, që ato t’i kthejmë në krijime artistike, të performancave dhe paneleve”, shtoj tutje Selmani përgjatë promovimit të broshurës.

Nën moderimin e shkrimtarit Shpëtim Selmani, gratë ndanë përvojat individuale dhe kolektive artistike. Diskutimi filloj me fjalët e Selmanit, i cili fliste për dokumentimin e konteksteve sociale e politike dhe të kohës nga shkrimtarët e ndryshëm, teksa përmendi veprën ‘’Murtaja’’ të Albert Kamys, ndërkaq po të njëjtën kishin bërë edhe gratë, të cilat përmes artit kishin shpalosur edhe sfidat gjatë pandemisë.

‘’Ky kamp ka qenë shumë i rëndësishëm në shpërfaqjen e emocioneve, e reflektimeve që i kemi përjetuar secili në mënyrë individuale’’, tha Shpëtim Selmani.

Zana Hoxha, si themeluese e FemArt theksoj se iniciativa për këtë kamp kishte nisur me qëllim të arritjes së paqes e harmonisë, solidaritetit e inspirimit.

‘’Iniciativa për kampin e artisteve dhe aktivisteve  ka ardhur si nevojë në vitet e kaluara që të bëhemi bashkë, ku qëllimi ka qenë të gjejmë forma të të krijuarit pa pasur një agjendë strikte për dhe rezultatet të vijnë natyrshëm’’, u shpreh Hoxha.

E rëndësishme në organizimin e këtij kampi për Zanën ka qenë mbledhja e artisteve dhe aktivisteve të cilat janë të lidhura me artit në mënyrë që të sjellin ndryshim në shoqëri.

Njëra ndër pjesëmarrëset në kamp ka qenë edhe aktivistja politike, Valdete Idrizi e cila përgjatë diskutimit tregoj se aty kishte shkruar e aktruar për herë të parë.

‘’Siguria që e ka dhënë kampi, ka krijuar hapësirën për t’u ndjerë shumë rahat dhe të shpalos e reflektoj për atë çfarë ndjej’’, u shpreh Idrizi.

Si politikane e cila ka rol në vendimmarrje, ajo premtoj publikisht se do të bëj maksimumin e saj në mënyrë që kampi të jetoj për shumë edicione dhe shumë gra të tjera të frymëzohen nga një atmosferë kolektive artistike.

Për të ndarë përvojën e saj, prezente ishte edhe këngëtarja, tanimë politikania Eliza Hoxha. Rrugëtimin me shkrim ajo e ka nisur pas rikthimit nga studimet në Belgjikë, të cilën e ka nxitur mos dokumentimi i gjërave në Kosovë. Kështu ajo tregon se ia kishte lënë vetes synim që të shkruaj për çështjet sociale në kontekst urban, jetën kulturore por edhe ndjenjat personale, dikur për të filluar edhe me tekstet e këngëve të saj.

‘’Shkrimi u bë një platformë ku unë mund të them atë çka mendoj, më brengos dhe më preokupon në raport me qytetin, veten; plotë gjëra që i kam bërë e që s’kam ditë me i sjell bashkë: muzikën, ekspozitat, të shkruarit, mendimin konceptual brenda një hapësire të përbashkët’’, tha Hoxha, duke theksuar se tani përmes artit e ka këtë fuqi të bashkimit.

Ajo beson se gërshetimi i artit dhe aktivizmit sjell një magji në vete dhe shtoj se ndjehet e mahnitur nga rrëfimet, çiltërsia dhe aktivitetet e përbashkëta përgjatë kampit.

Rajmonda Ahmetaj ishte mësuar me artin skenik por, jo edhe me pikturën e shkrimin të cilat i provoj për herë të parë në kampin e organizuar nga ‘’ArtPolis’’.

‘’Eksperiencë shumë e mirë, veç ideja me u mbledh në një vend dhe me i fol gjërat që janë shumë më të mëdha sesa ai vend, ishte diçka shumë e mirë”, vlerëson aktorja Ahmetaj.

Rajmonda beson se ky tubim i grave ishte qelizë e shumë gjërave të bukura, të cilat kanë filluar të dalin në pah dhe do të vazhdojnë këtë rrugëtim edhe tutje.

Përtej panelisteve, edhe gratë pjesëmarrëse në publik nuk lanë pa i ndarë përvojat e tyre. Natyra Kallaba, pikërisht në atë ambient ka nisur idenë e saj për sjelljen e një dimensioni ndryshe të gjërave në formën e një shfaqje. Jeta private dhe profesionale e një mësuese është tematika që ajo ka trajtuar, duke e marrë pikërisht këtë profil për shkak të imponimit të vazhdueshëm që iu bëhet vajzave ndër gjenerata për të zgjedhur këtë drejtim jetësor.

‘’Unë kam dashtë me tregu që një mësuese mund të ketë gjithçka që çdo kush mund të ketë. Me pasë një jetë të shthurur, dëshpërime e zhgënjime. Jemi mësuar gjithmonë me pa një mësuese perfekte, andaj ideja ime ka qenë që të hy më thellë atij profesioni dhe ta shohim më ndryshe”, theksoj Kallaba.

Në anën tjetër periudha jo e lehtë e pandemisë nuk kishte si mos të bëhej frymëzim artistik për dikë. Regjisorja Arlinda Morina në këtë kamp kishte nisur performimin e idesë së komedisë së saj ‘’covidi për covidin’’ ashtu siç ajo e quan, në të cilën tregohet periudha e mbylljes, stresi, ngrënia e tepruar, qëndrimi i gjatë në telefon dhe shprehi të tjera të karantinimit.

Broshura e cila doli në dritën e publikut përgjatë diskutimit mund të gjendet në faqet dhe ëebin e ‘’ArtPolis’’ dhe ‘’FemArt’’, teksa për kampin e artisteve dhe aktivisteve, organizatoret u shprehën se synojnë vazhdimësinë e organizimit ndër vite.

Në broshurë morën pjesë me shkrimet e tyre: Arta Lahu, Arta Mucaj, Aurita Agushi, Eliza Hoxha, Fitore Jashari, Linda Hyseni, Molika Maxhuni, Natyra Kallaba, Qëndresa Kajtazi, Rajmonda Ahmetaj, Sheqerie Buqaj, Teuta Gashi, Uresa Ahmeti dhe Valdete Idrizi./KultPlus.com

Çdo grua që ka patur më pak se sa meritonte, ka parë veten në pasqyrë dhe i ka premtuar: Mos qaj kurrë më

Një fjalë e keqe. Në kohë nevoje, ti ke heshtur. Ke qarë dhe të është dashur të kërkosh falje. Një mesazh pa përgjigje. Mezi prisje për të bërë një projekt dhe mbete e zhgënjyer. Ke besuar në çdo gënjeshtër. Ke dhënë shumë më tepër, nga sa të tjerët meritonin në realitet. Shpresa do të kishte përshkuar jetën tënde, nëse do ishe ndjerë e dashur. Zgjodhe të shohësh më të mirën tek të tjerët, por nuk pe asnjë gjurmë të saj. Ke përjetuar dashuri dhe zhgënjime.

Gjithë premtimet që merrje një natë më herët, zhdukeshin sapo zgjoheshe. Ishin fjalë të nxjerra nga goja e një të dehuri, që harronte çfarë kish thënë. Ishe ti që qaje në fshehtësi, për të mos shfaqur dobësinë tënde, për t’u dukur gjithnjë e fortë në sytë e të tjerëve.

Ti jetoje çdo mbrëmje në shtrat heshtjen tënde. Loze sipas rregullave të tij, madje pa rregulla, në një lojë që më pas të lëndoi. Në situata kur kishe të drejtë të merrje shpjegime, në fund ishe ti që analizoje çfarë kishe bërë gabim.

Ishe gjithnjë e disponueshme. Edhe nëse të telefononte pas mesnate. Gjente gjithmonë justifikime. Tani ke pushuar së besuari në komplimentet që të bëjnë. Mendon se nuk janë të vërteta. Mendon se ti nuk je e bukur. Po, një herë e një kohë kur të fyenin, viheshin në dukje defektet e tua. Dhe kështu fiksoheshe në pasqyrë për të gjetur defektet.

Sa herë që ai ikte dhe largohej, ishe ti që e kërkoje. Pranoje gjithë justifikimet e tij. Nuk nxorre mësim. Nuk e respektove veten sa duhej. Tolerove gjithçka. Çdo vajzë e dobët që i përgjigjej atij mesazhi – dhe që nuk duhej ta bënte – rezultoi në fakt një vajzë e fortë.

Gjërat ndryshojnë.

Çdo vajzë që ka patur më pak se sa meritonte, ka pushuar së qari, ka fshirë lotët, ka parë veten në pasqyrë dhe i ka premtuar: “Mos qaj kurrë më”. Prej nga buron kjo forcë? E thjeshtë. Buron nga premtimi: “Kurrë më!”

Ku gjendet kaq shumë dinjitet? Si ka mundur ta menaxhojë situatën me kaq dinjitet? Gjithmonë nga premtimi: “Kurrë më!” Si mundet tani të jetë e qetë, edhe kur mendon për ishin e vet, dhe nuk ka më nevojë për askënd? “E thjeshtë: “Kurrë më!”

Ke rigjetur besimin tek vetja? Po, dhe si ia dole? Sepse kuptove që vlend he mësove të duahs veten. Je bërë si ajo vajza e brishtë, që tani e përballon gjithçka me një buzëqeshje. Dhe një premtim që i ka bërë vetes. Askush nuk e besonte. As ajo vetë.

Tani ajo vajzë, me të cilën mbase identifikohesh edhe ti, ka mësuar të mos nënshtrohet më para sfidave, as të mos lejojë më të vihet në lojë. Tani luan sipas rregullave të veta. I ka premtuar vetes të mos kënaqet më me pak. Meriton më shumë. Më mirë. Ka mësuar se i vetmi person ku mund të besojë është vetja.

Kurrë më si më parë.

Që sot kur të takosh një grua të fortë, dhe të pyesësh se ku e ka gjetur forcën, do e dish që vjen nga e kaluara e saj, një e kaluar kur ishte e dobët, dhe nuk do jetë kurrë më. Premtimin ia bëri vetes ndërkohë që ishte në lotë, lotët më të hidhur. Pikërisht në atë moment vendosi të mos shohë më pas. Nuk iu përgjigj më mesazheve. Nuk ishte më e dobët. “Fantazmat” e të kaluarës, kur i trokitën në derë, nuk e panë më të hapej. Tani të gjithë janë penduar. Tani e kërkojnë. Habiten. E kanë humbur përgjithmonë. Ajo vajza e dobët nuk është më. Tani është vetëm gruaja. Një grua e fortë. /bota.al/ KultPlus.com

‘Bukuria e një gruaje mund të jetë e rrezikshme, por inteligjenca e saj mund të jetë vdekjeprurëse’

KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të njohura dedikuar gruas.

“Asgjë nuk krahasohet me një bisedë të bukur me mendjen e bukur të një gruaje”

“Mos bëj sikur nuk është e vërtetë, edhe ti e pranon se inteligjenca është seksi dhe një grua inteligjente është pafundësisht tërheqëse”.

“Inteligjenca e një gruaje më duket tërheqëse. Sensi i saj i humorit më duket tërheqës. Ndjeshmëria e saj më duket tërheqëse”.

“Bukuria e një gruaje mund të jetë e rrezikshme, por inteligjenca e saj mund të jetë vdekjeprurëse”.

“Gjëja më e bukur në botë është të jesh e zgjuar, e matur dhe bujare. Çdo gjë tjetër është e kotë, më beso. Është e kotë që njerëzit të përpiqen të të bindin për gjëra pa vlerë. Mos i merr për bazë mendime të tilla. Ji e zgjuar, e matur dhe bujare”.

“Gra, asnjëherë mos e minimizoni inteligjencën tuaj. Budallallëku nuk është tërheqës. Integriteti, dinjiteti dhe urtësia janë treguesit e vërtetë të bukurisë”.

“Gjëja më tërheqëse tek çdo person është inteligjenca. Kjo vlen sidomos për gratë. Unë e respektoj këdo që ka tru dhe e di si ta përdorë atë, se sa dikë që ka një fytyrë apo një trup të bukur”.

“Koha zbeh çdo bukuri të fytyrës apo trupit, por ajo nuk e zbeh dot inteligjencën. Me kohën, një femër e bukur nuk mbetet më e bukur. Ndërsa një grua inteligjente, me kalimin e kohës bëhet edhe më inteligjente dhe tërheqëse”. / KultPlus.com

‘Gratë nuk do të jenë të barabarta jashtë shtëpisë, derisa burrat do të jenë të barabartë brenda shtëpisë’

Gloria Steinem është një feministe amerikane, gazetare dhe aktiviste politike shoqërore e cila u njoh kombëtarisht si një udhëheqëse dhe një zëdhënëse e lëvizjes feministe Amerikane në fund të viteve 1960 dhe në fillim të viteve 1970.

Në 2005, Steinem, Jane Fonda dhe Robin Morgan bashkëthemeluan Qendrën e Grave për Media, një organizatë që “punon për t’i bërë gratë të dukshme dhe të fuqishme në media”.

Sonte, KultPlus ju sjell një nga thëniet më të fuqishme të Steinem.

Gratë nuk do të jenë të barabarta jashtë shtëpisë, derisa burrat do të jenë të barabartë brenda shtëpisë. / KultPlus.com

Shoqnia jonë ia thyen krahët çikave qysh fëmijë, e mandej presin me fluturue pa u përplas dikah

Nga Amela Temja

Na i lindim bijat tona vik-tima. Mendoj që ka àrdh koha me hjek dorë prej t’krijuemit një shoqnie ku vajzat/bijat tuaja frikësohen e ruhen prej baballarëve, vllaznive e pranisë mashkullore që i rrethon.

Ushqyerja e vazhdueshme ndaj tyne se nëse një ditë duen me prek suksesin e lirinë me dorë nuk ásht te përgatitja e tynve se iu duhet me luf-tue me gjininë e kundërt. Nuk ke pse luf-ton me marr diçka që veçse e ke.

E hájrit, ásht me e pa vajzën/çikën tuj çysh n’momentin që e mbani n’krahë si bekim që t’ka prue Perëndia e jo me u frikësu se çka ka me të than familja e burrit. E kur ajo t’fillojnë “me nxan mend” mos me ndejt tuj i than se “t’ka kap rrez-iku me lind n’familje shqiptare e çikat kur lindin s’i duen maj nánë.”

Me dásht e me ta dásht çikën s’ke nevojë me e lind as n’Europë e as n’Amerikë. Shoqnia jonë i rrit vetë çikat që me pas frikë babën e vllaun. E llogjikisht s’kena ça me kundërshtu se nëse i mbani çikat n’kafaze tilla ku s’guxojnë me u hap, me fol, me bisedue, me kërku ndihmë e këshille prej babe e vllau, ata normal kanë me u ba pre e dhu-nës, e keq-trajtimit, e uljes edhe poshtërimit.

Prej kujt? Pikërisht prej njasaj gjinie që ju po ia bani gogol! Jo bre s’keni nevojë me i msue me u ruejt, por me u vetërespektue. Shoqnia jonë ia thyen krahët çikave qysh fëmijë, qysh në shpi. E mandej presin që ata me fluturue pa u përplas dikah. Na i lindim çikat vik-tima, e djemtë “mon-stra” me potencial për me iu ba keq. Msoni djemve se nánat, motrat, gratë e bijat e tynve s’kanë nevojë me i pas nën kontroll se s’janë tuj kontrollu një biznes. Mësoni se shpullat, t’rrahmet çdo lloj forme e ngritjes së dorës karshi tynve nuk tregon forcë po veç vlera t’ulta që s’i kanë hije asnjë njeriu e jo veç atynve si burra. Mësoni aman, se nderi shpisë janë të dy si evlatë e jo veç çika.

E nëse ty ta ban djali t’keqen karshi një femre ásht njëlloj si me ia ba vajzës tande djali i dikujt tjetër. S’ishit ndje mirë apo? Qashtu shkon me vijë kjo punë. Mos e zg’átni vijën. Priteni çysh n’shpija tuaja, gëzohuni kur iu lind vajzë po ashtu sikur djalë. Rritini bashkë e jo në oda të burrave e t’grave, se ata “odat e burrnisë” ku iu msoni autoritetin djemve tuj e ata “odat e turpit” ku ua msoni heshtjen bijave tuaja janë hapat e parë që i hidhni n’vra-sjen e tynve për së gjalli. Mos i lindni çikat vik-tima. / KultPlus.com

‘Nëse dëshironi të dini se sa e civilizuar është një shoqëri, shikoni se si i trajtojnë gratë’

Dhuna ndaj gruas ka qenë pothuajse gjithmonë e pranishme, ndërkaq shkaktarët që e nxisin këtë sjellje janë të shumtë, e që zakonisht nuk lidhen direkt me viktimën.

Rasti i fundit që tronditi vendin tonë, ishte rasti i Qëndresa Baranit, e cila u therr 11 herë me thikë nga bashkëshorti i saj. Fatmirësisht, Qëndresa është jashtë rrezikur për jetë. Mirëpo, Qëndresa nuk është as e para as e fundit viktimë e dhunës fizike e psiqike. Shumë gra në Kosovë e jo vetëm ballafaqohen çdo ditë me dhunë fizike duke mos pasur mundësi apo mbështetjen e duhur nga institucionet përkatëse, e shpesh herë edhe nga familja..

Më poshtë, KultPlus ju sjell një thënie shumë të njohur nga Bacha Khan që i dedikohet gruas dhe kulturës së një shoqërie. Ku sipas tij, këto dyja nuk funksionojnë dot pa njëra tjetrën.

-Nëse dëshironi të dini se sa e civilizuar është një shoqëri, shikoni se si i trajtojnë gratë. / KultPlus.com