‘Me Zotin i ndreqi punët vetë…’

Át Anton Harapi

DIFTOJSI

Me Zotin i ndreqi punët vetë…
Fenat i ka dá Zoti!
Fenat i ka dá Zoti.
Kush lén me hýll…
Kush âsht nafakprém e kush nafakmadh…
Zoti i a ka dá rriskun setcillit…
Nevoja nuk ká gjýgj!
Erz e shpírt!
Po t’ishte Zot… s’pat m’e lânë bâkeqin.
Nuk ká ardhë kush prej asajë jetë…
Goja llap, e shpina dap…
Ne e paç t’a presin… në mos e paç t’a njesin.
Edhe besimi do mârrë si të vijë….
Nuk jemi mâ në kohë të mjesme….
Fé e ré
…per bashkimin kombtár!
…në perparim e siper!
N’ emen të lirís…
Shka don me thanë gjith aj kundershtim kundra besimit në botë?… more dán se dishka â në thes, se nierzt as nuk janë të gjith të marrë, as të gjith të kqí!…
Kúr më permendë kush punë feje më bân me qeshë!…
… besojn pá e diejtë as vetë pse besojn!
Kush flet per besim, nuk m’idhnon, por më terbon. Nji nieri i kohës s’ká si e bán ket dhûnë!
S’ká Zot!
Nuk ká Zot…
Nuk ká Zot…
Nuk ká Zot!
Nierí s’ká shpírt!
Shpirti i nierit… fjalë n’erë.
Me dekë maron gjithshka…
Si të desim na, maron gjithshka…
Zoti s’merret me punë t’ona.
Shka nuk shoh vetë, nuk e xâ të vertetë…
Shka nuk shoh vetë, nuk e xâ besë…
Pá pá vetë me sŷ, nuk besoj…
Shka nuk e marr vesht vetë, nuk e besoj të vertetë…!
Shka nuk kuptoj, nuk kam si t’a besoj…
Thue pernjimend âsht shka besojm?… Un, a dij gjâ me sugurí a jo?…
Un… jam liberal. Nuk besoj.
Un… jam liberal.
Un nuk besoj…. Pse nuk m’a thotë mendja!
Un nuk besoj… due të m’a thotë mendja, e jo të m’a thonë tjerët.
Para se të besoj… due të pves vetin.
Fenat i ka dá Zoti. Të gjitha besimet janë të mira barabar.
Fenat i ka dá Zoti. Mjafton të mahet nji besim, çëfaredo…
Shka na duhet besimi?…
S’na duhet gjâ besimi…
Sod s’na duhet gjâ besimi…
Së na duhet gjâ besimi…
Mund të bâjmë edhe pá besim…
Së na duhet gjâ besim…
Per kohë të sodit… besimi s’ká shka i duhet kuj.
Un nuk besoj… me gjithkta e çoj mâ së miri.
Besim, punë per priftet…
Besim, punë fmísh!
Besimi… punë per grá…
Besimin… t’u a lamë grave
Besimi âsht per popullin e ultë…
Besimin t’a mbajë kush ká ngae…
Un besoj… n’at mdnyren t’ême.
Un besoj… si m’a thotë mendja… jam i lirë!
Un… e lus Zotin vetë!
Besimit, tashmâ i ká kalue koha… â vjetrue e dekë!
Un nuk besoj… e prá së jam as nieri as i keq as i pandershem.
Un nuk besoj… as gjenë kush shka me thanë të keq per mue.
Edhe pá besim, mund të jemi sikush!
Edhe pá besim, mund të jemi të mirë e të ndershem.
Besimi i êm âsht m’u bâ mirë tjerve.
Sá per besim… un ndjeki religionin e natyrshem.
Nuk âsht nevoja të besojm… mjafton arsyja!
Un nuk besoj… Dro po jânë mâ të mirë ata qi besojn?…
Un nuk besoj… Dro po jânë mâ të mirë ata qi besojn?
Teper randsí i ep besimi asajë jete…
Besimi nuk don me dijtë gjâ per punë e nevojë të kësajë jete
Kurse fetarët bâjnë njimí të zeza… pse të besoj un? / KultPlus.com

Përkujtohet At Anton Harapi, pushkatuar nga diktatura

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi sot At Anton Harapin, pushkatuar nga regjimi komunist.

Ai lindi më 5 janar 1888 në Shkodër. Studioi për teologji dhe filozofi në Hungari e më pas filloi punë si meshtar në Grudë. Më 1910 jep mësim në Kolegjin e Fretënve, Shkodër. Më 1918-1919, shërben si famullitar në Malësinë e madhe. Gjatë viteve 1922-1924 ishte bashkëthemelues e drejtues i grupit atdhetar “Ora e Maleve”.

Punoi si mësues filozofie në gjimnazin “Illyricum” dhe më pas në vitin 1924 bëhet drejtor i tij. Në vitet 1930-1936 drejtoi revistën “Hylli i Dritës” dhe gjatë kësaj periudhe shkroi rreth 70 artikuj në revista të ndryshme, si dhe botoi disa libra.

Më 1940, u zgjodh anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Më 1943 u emërua anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës, ku qëndroi deri në fund të vitit 1944. U arrestua më 5 qershor 1945 e më pas më 20 shkurt 1946 u pushkatua. / KultPlus.com

Epidemia e kolerës së vitit 1916 në Grudë të Malsisë së Madhe në rrëfimin e Atë Anton Harapit

Tek libri ‘Andrra e Prêtashit’, i botuem në Romë në vitin 1959 prej sivllaut të tij Danjel Gjeçaj, me shtypajt që Ernest Koliqi kishte marrë me vete në vitin 1943 prej Institutit të Studimeve Shqiptare, frati shirokas rrëfen nji episod të përjetimit të epidemisë së kolerës së vitit 1916 në Grudë të Malsisë së Madhe.R.SH. – Vatikan.

Epidemia e kolerës së vitit 1916 në rrëfimin e Atë Anton Harapit, nga Ardian Ndreca:

Tek libri Andrra e Prêtashit, i botuem në Romë në vitin 1959 prej sivllaut të tij Danjel Gjeçaj, me shtypajt që Ernest Koliqi kishte marrë me vete në vitin 1943 prej Institutit të Studimeve Shqiptare, frati shirokas rrëfen nji episod të përjetimit të epidemisë së kolerës së vitit 1916 në Grudë të Malsisë së Madhe.

Rrëfimi i tij ka vlerë si për me kuptue psikologjinë e malsorit që kur përhapen epidemi të atilla, ngujohet dhe s’pranon kurrsesi me rrezikue të tjerët, por edhe për me kuptue sensin e detyrës meshtarake që e çon Atë Anton Harapin me rrezikue vetveten, tue mos ngurrue me i ndejtë pranë pjestarëve të bashkësisë që janë prekë prej sëmundjes. Shtëpia e Lulashit në Pikale të Grudës asht izolue krejtsisht, aq sa edhe ujin ia çojnë fqinjët e ia lanë tek dera, vorfnia e skajshme ban të vetën, mungesa e çfarëdolloj ndihme mjeksore e randon gjendjen. Thirrjes së fratit “a don miq” i zoti i shtëpisë i përgjegjet se duhet të largohet sa ma parë prej andej se mund t’i “prâhet” (ngjitet) lëngata. Atëherë Patër Antoni, që e njeh mirë psikologjinë e malsorit, e prekë në telat e krenisë: “- Po si kështu, i thom, me t’u dhimbtë nji kafe e nji cingare duhan për Fratin?” dhe malsori ia pret: “Manà t’ishem shëndosh me rob, nuk pat me m’u dhimbët grimë as dashi i kumbonës, por mbasi Zoti, me këtë lëngatë më dau me gjith rob prej robnís tjetër, nuk ke çë bâ as ti ndër né, por nisu e shko, more zotní”. Edhe pse i pashkollë e i pashetitun, Lulashi ka nji respekt të thellë për jetën e tjetrit, sa vepron kundër rregullave të mikpritjes tue ia mbyllë derën.

Kuarantina për të ka nji kuptim të qartë: nëse jeta jeme ka humbë të paktën mos të rrezikoj bashkësinë! Çmimi i nji sakrifice të tillë asht i naltë, pse nuk ekziston asnji strukturë mbështetëse. Vendi asht në luftë, trupat austriake, siç shkruen Dr. Kadri Kërçiku tek nji monografi i mirënjohun e vitit 1962 rreth gjendjes së shëndetësisë në zonën e Shkodrës kishin ndërmarrë disa masa profilaktike, por vullneti i tyne i mirë nuk mbërrinte deri në majet e maleve shqiptare. Mbas ngulmimit të meshtarit, ma në fund Lulashi ia hapë derën dhe e grishë buzë votrës. Përshkrimi që Atë Anton Harapi i ban odës malsore asht ai i nji paradhome të ferrit dantesk: “Oda e tmerrshme prej vetit ishte mbushë me tym, sa me të qitë lotët prej syvet; kalamajt, të sëmuet, vikatshin sa ku mujshin, e âma, shtrî sa gjanë gjatë, mbulue me nji rubë të madhe, qi s’ishte as çarçaf as bataní, gulfa-gulfa qitëte vnér prej goje me të këputë shpirtin; në nji tjetër skaj të odës, nji burrë kund 40 vjeç, hapë kambë e krahë, ra në kokërr të shpinës, kishte qitë sytë kokërdhok, kah dyndë vneri, donte me e qitë, e s’ishte punë me shpërthye; atje mâ përtej prap nji djaloç i lám në vnér, gjimonte; afër kishte të motrën, e cila, zbé në fëtyrë e bâ verdhë si çapini, veç se nuk kishte dhanë shpirtin, se kishte dekë e shkue”. Mbasi frati kryen shartet e fesë përshëndetet me të zotin e shtëpisë në derë, e ky i fundit plot miradije i thotë: “T’a dijtë Zoti, more zotni, se sot m’a ke vjeftë gjysën e Pogdoricës … se edhe me më dekë robt, tash s’po ko’ dert kurr’i grimë, kaq m’asht ba zemra kotec për ketë punë”.

Ndjesia e solidaritetit që dikush ia tregon përtej çdo “conatus sese conservandi”, atij tensionit të ligjshëm që na shtyn me ruejt vetveten, ngushëllimi i fjalës së mirë, besimi se Zoti s’i ka lëshue doret, bajnë që malsorit t’i këndellet shpresa e lmekun. Mbas disa ditësh, vijon rrëfimin Atë Anton Harapi, Lulashi i vjen në derë me nji tas me qumësht në shenjë mirënjohjet, tashma kuarantina ishte hjekë prej shtëpisë së tij. Lulashi dhe njerëzit e tij e kanë marrë veten dhe asht ai vetë që spjegon gjendjen e randë shpirtnore në të cilën ishte ndodhë: “Kurr mâ ngusht nuk kjeçë se atë ditë, kur m’erdhe ti, e kurr mâ mirë se sot nuk kam kenë. Un për veti i pata xanë të shkuem e të mbaruem, as s’isha ma ngusht për ta se për salikime të tyne; droja se po më jesin mbi dhé, as s’po gjindet kush me m’ua ba vajin as gjamën… Kemi kërçikun e vogël, moré zotní, a jo për ma tepër, por erdha sa me të pá e me t’u falë nderës me nji cirkë tambël”.
Mirënjohja ma e thellë shprehet me pak qumësht, as vorfnia ma ekstreme nuk pengon kend me e shprehë këtë ndjenjë fisnike që hijeshon shpirtin njerëzor. Rreziku ka kalue, ajo që ka mbetë asht konfirmimi i mirënjohjes ndaj françeskanëve që s’e kanë braktisë kurrë popullin e vuejtun e të izoluem të maleve tona. Tek malsori krenar asht e gjallë edhe vetëdija se njeriu asht i pafuqishëm ndaj forcave të natyrës. Nji përvujtni e pazakontë për nji mendësi që jetën e barazon me nderin dhe humbjen e këtij e cilëson si diçka ma të keqe se vetë humbjen e jetës. Ajo që na ban përshtypje ende sot kur lexojmë këto faqe asht bindja dhe urtia e malësorit për me e pranue kuarantinën si mënyra e vetme për me i shpëtue lëngatës ngjitëse, edhe tue e dijtë se izolimi kur nuk ekzistojnë mjetet ma elementare të mbijetesës asht heroizëm dhe vetëmohim i skajshëm. Historia e epidemive, tue nisë prej përshkrimeve të Tukididit në luftën e Peloponezit në vitin 430 p.K. e deri më sot, na mëson se këto evente të kobshme e riformatojnë shoqnín njerzore, jo vetëm tue krijue për nji farë kohe imunitet, por tue i dhanë mundësinë me kuptue ma mirë se kush jemi dhe sa vlejmë! Kur njeriu e njeh njeriun nëpërmjet prizmit të frikës së nji pandemie, gjithçka që vjen mbrapa ndriçohet ndryshe, disa gjana zhvleftësohen, të tjera marrin vlerën e vërtetë.

Marrë nga e pёrjavshmja letrare kulturore ‘Ex Libris’,  21 MARS 2020. NUMËR 71. /KultPlus.com

133 vite nga lindja e Anton Harapit, atdhetarit dhe shkrimtarit të shquar shqiptar

133 vite më parë lindi frati françeskan, filozofi, mësuesi, sociologu, mendimtari, shkrimtari dhe politikani shqiptar, Anton Harapi. Lindi në Shirokë të Shkodrës.

Shkollën fillore e kreu në kolegjin e jezuitëve.

Rezultatet e larta në shkollë i mundësuan të vijojë klasat e larta në Salzburg, e mandej në Shvaz të Tirolit të Austrisë. Studimet teologjike i kreu në Romë. Më 1910 kthehet në atdhe dhe shugurohet meshtar duke përmbushur kushtet e fundit të Urdhrit Françeskan. Gjatë tetorit të vitit 1912 deri në prill 1913 kur Shkodra qe e rrethuar nga trupat malazeze e serbe, i përkushtohet shërbesave fetare dhe njerëzore në kishën “Zoja Rruzare” në Arrën e Madhe në Shkodër, ku ishte edhe Kuvendi Françeskan.

Gjatë kohës së takimeve që i paraprinë pavarësisë së Shqipërisë kërkohet nga nëpunësit e Ministrisë së Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze si përkthyes gjatë bisedimeve që u zhvilluan mes kontit Berthold dhe Ismail Qemal bej Vlorës, në mungesë morën, David Pepën. Më 6 ose 8 qershor 1945 arrestohet dhe me vendim të datës 19 shkurt 1946 të Gjykatës speciale në Tiranë, Antoni Harapi është shpallur si kriminel lufte dhe armik i popullit. U dënua me pushkatim dhe u ekzekutua. Nuk dihet vendi ku iu varros trupi.

Atë Anton Harapi shkroi veprat “Andrra e Pretashit”, “Vlerë shpirtnore”, “Shqiptari dhe bota e tij” dhe “Valë mbi valë”. / KulPlus.com