“Jeta dhe vepra e Arbën Xhaferit”, eveniment kulturore për filozofin dhe politikanin shqiptar

Në nderim të filozofit dhe politikanit Arbën Xhaferi, më 15 gusht, do të mbahet një eveniment përkujtimor, përcjellë KultPlus.

Më 15 Gusht të 2012-tës i tërë opinioni në trojet shqiptare u njoftua se filozofi dhe politikani shqiptar Arbën Xhaferi ndërroi jetë. Një figurë e cila konsiderohej rilindas i fundit i shqiptarëve, që përmes gjuhës së tij dhe filozofisë politike të mprehtë ndërvepronin strategjitë dhe porositë për emancipim të shqiptarëve jo vetëm në Maqedoni, por në tërë rajonin. Emri i tij akoma lakohet dhe përmendet në tryezat ndërkombëtare si politikan pragmatik dhe i vendosur për të vazhduar përpara pavarësinë e Kosovës dhe ngadhënjimin e shqiptarëve.

Në nder dhe përkujtim të të ndjerit Arbën Xhaferit, organizohet eveniment përkujtimor “Jeta dhe Vepra ARBËN XHAFERI” ku do të marrin pjesë elita politike nga trojet shqiptare, ish bashkëpunëtorë të të ndjerit e familjarë. / KultPlus.com

Hermann Hesse, shkrimtari-filozof që krijimtarinë e tij e zhvilloi drejt njohjes së vetvetes

Hermann Hesse lindi më 2 korrik të vitit 1877 në një qytet pranë Calw dhe vdiq më 9 gusht 1962 në Lugano të Zvicrës. Hermann Hesse është njëri nga shkrimtarët më të shquar gjermanë të shekullit të njëzet. Përveç shkrimeve në prozë, Hermann Hesse shquhet si poet me më shumë se 680 poezi të përmbledhura në 12 vëllime.

Hermann Hesse ishte djali i një pastori [prifti] dhe nipi i një misionari kalvinist. Ky ambient familjar ndikoi në formimin e personalitetit të tij. U dërgua të studionte për teologji, por mësimet fetare i braktisi shpejt! Punoi si mekanik dhe librar në Tübingen. Në botëkuptimin e tij moral e filozofik ishte natyralist, mistik, buddhist, aktivist faustian, por gjithmonë intimërisht fetar. Lufta e Parë Botërore i shkaktoi një krizë të rëndë shpirtërore. Doli haptas publikisht kundër dallgës së barbarive që përshkoi Evropën dhe madje arriti ta ndiente veten fajtor për të këqijat e kohës. Edhe më vonë, nga vetë formimi i tij shpirtëror, ishte që në fillim kundër nazizmit dhe adhuronte kulturën angleze. 

Hermann Hesse është poet e prozator me prodhimtari me vlera artistike të larta e sasi të jashtëzakonshme. Librat e tij me romane, poezi, shkrime kritike e politike, kulturore dhe letrare, mesatarisht arrijnë në 80 milion ekzemplarë në të gjithë botën, duke e bërë kështu njërin nga shkrimtarët evropianë më të lexuar të shekullit të njëzetë. Më 1921 u bë qytetar zviceran dhe 1946 iu dha çmimi Nobel në letërsi.

Një ndër romanet më të njohura të Hesses është “Siddhartha”, botuar në vitin 1922, i cili rrëfen udhëtimin drejt njohjes së vetvetes të personazhit kryesor Siddhartës në periudhën kur jetonte Gautama Buddha. Shumica e romaneve të Heses kanë pikërisht fokusin këtu, tek njohja e vetvetes. Ndaj, Hese konsiderohet si shkrimtar-filozof që përkushtohet gjatë gjithë krijimtarisë së tij në këtë aspekt. / KultPlus.com

Me prozën letrare u bë i njohur në të gjithë botën, 6 vjet nga vdekja e Umberto Eco

*Photo: Getty Images*

Sot bëhen gjashtë vjet prej vdekjes së filozofit të njohur italian si dhe shkrimtarit të famshëm, Umberto Eco. Vepra e tij “Emri i Trëndafilit” e bëri të njohur në mbarë botën.

I lindur në 1932 në Alessandri, Itali, Eco arriti një vlerësim në mbarë botën për punën e tij në semiotikë – studimin e simboleve dhe mënyrën e përdorimit të tyre si dhe për veprat e tij të gjera të shkruara. Si akademik, ai shkroi për semiotikën, estetikën mesjetare, gjuhësinë dhe filozofinë.

“Unë gjithmonë e kam menduar veten time si një studiues, i cili, në një moment të caktuar, filloi të shkruaj romane në fundjavë … gjatë verës,”  tha Umberto Eco.

Por ishte proza letrare e tij që e bëri të njohur anë e mbanë botës.

Vepra “Emri i Trëndafilit”: , misteri i tij historik i vrasjes në 1980, ishte romani i tij më i popullarizuar, me të cilin bëri bujë duke shitur më shumë se 10 milion kopje. Kjo vepër u bë më vonë një film ku interpretonte Sean Connery. Ai shkroi edhe disa romane tjera. Puna e tij e fundit, Numri Zero, u botua në 2015. Eco gjithashtu ishte edhe autor i librave të disa fëmijëve.

Eco shërbeu si profesor i Nortonit në Universitetin e Harvardit nga 1992 deri në 1993, dhe dha mësim në semotikë në Universitetin e Bolonjës.

Ai vdiq në moshën 84 vjeçare në shtëpinë e tij. /KultPlus.com

Filozof i vetëm një feje, asaj të poetit!

160 vjet më parë, më 7 maj 1861, lindi poeti, filozofi, patrioti dhe mendimtari i famshëm Rabindranath Tagore, në Jorasanko Thakurbari në Kalkutë. Përvjetori i lindjes së humanistit, përkon me ditën e 25-të të muajit Bengali të Boishakh dhe quhet gjerësisht “Pachishe Boishakh”.

Tagore është një nga revolucionarët më të mëdhenj që ka nxjerrë India, kontributi i të cilit, nuk ka të çmuar në letërsinë bengaleze dhe angleze. Poeti, romancieri, eseisti, filozofi dhe muzikanti, është pjesë e jetës së përditshme të shoqërisë së mesme bengaleze, një nga ata mjeshtra të mëdhenj të letërsisë, veprat e të cilit vështirë se lënë emocion njerëzor të paprekur. Në hyrjen e “Gitanjali”, për të cilin, Rabindranath Tagore u laureua me çmimin “Nobel” në 1913, WB Yeats shkruan: “Ne shkruajmë libra të gjatë, ku mbase asnjë faqe nuk ka atë cilësinë që ta bëjë të shkruarin një kënaqësi, duke qenë të sigurt në një dizajn të përgjithshëm, njëlloj siç luftojmë, pasurohemi apo e lodhim kokën me broçkulla politike – të gjitha gjëra të mërzitshme, ndërsa Tagore, si vetë civilizimi indian, ka qenë i kënaqur të zbulojë shpirtin dhe t’i dorëzohet spontanitetit të tij”.

Rabindranath Tagore ka shkruar mbi 2,000 këngë, të njohura si “Rabindra Sangeet”; kirjimtaria e tij përfshin qindra romane, tregime të shkurtra, koreografi-drama, poezi, ese dhe kujtime udhëtimi. “Gora”, “Gitanjali”, “Rakta”, “Karabi”, “Ghare Baire”, “Shesher Kobita”, “Raja O Rani”, “Dena Paona”, “Shanchayita”, janë disa nga veprat më të mira, shumë prej të cilave përkthyer në gjuhë të ndryshme.

Po ashtu, Tagore kompozoi himnet kombëtare të tri kombeve: “Jana Gana Mana Adhinayaka Jaya He” për Indinë, “Amar Shonar Bangla” për Bangladeshin, si dhe himni kombëtar i Sri Lankës bazohet gjithashtu në poezinë e Tagores. Thuhet se, poema “Bangla” u përkthye në sinhalesisht dhe u miratua si himni kombëtar në 1951.

Tagore ishte i pari joevropian që fitoi çmimin “Nobel” në letërsi në 1913, romanet, tregimet, këngët dhe dramat e tij u vlerësuan, por edhe u kritikuan për lirizmin dhe ligjërimin e tyre bisedor. Njihet lidhja e veçantë që ndante Gandi dhe Tagore. Sidoqoftë, pak njerëz e dinë se ishte “Gurudev” ai që i dha titullin “Mahatma” Atit të Kombit.

Po ashtu, Tagore kishte miqësi me Ajnshtajnin. Ata jo vetëm e respektonin njëri-tjetrin, por ndanin interesin e përbashkët për muzikën dhe kureshtinë për botën në përgjithësi. Duke përshkruar Ajnshtajnin, Tagore shkruan: “Nuk kishte asgjë të ngurtë tek ai – nuk kishte asnjë largësi intelektuale. Ai më dukej një njeri që vlerësonte marrëdhëniet njerëzore dhe ndaj meje, tregoi një interes dhe mirëkuptim të vërtetë”. Tagore udhëtoi në mbi 30 vende në pesë kontinente, në pak më shumë se pesë dekada, në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të. Sa më shumë udhëtonte, aq më shumë dashurohej me konceptin e internacionalizmit./Konica.al

Mos e fshih
Sekretin e zemrës tënde
Miku im
Ma thuaj mua
Vetëm mua
Në besim
Ti që buzëqesh kaq me mirësjellje
Thuama ngadalë
Zemra ime, do ta dëgjojë
Jo veshët e mi
Nata është e thellë
Shtëpia e pazë,
Çerdhet e zogjve
Heshtin në gjumë
Tregoma mes lotësh ngurruar
Mes buzëqeshjesh drithëruar
Mes dhimbjesh e turpi të embël
Sekretin e zemrës tënde.

Laureati i parë “Nobel” i Indisë, s’do harrohet kurrë në Indi, ndërsa krijimtaria e tij poetike jehon në zemrat dhe shpirtrat e tyre në formën e himnit të tyre kombëtar. Poet, filozof, patriot dhe aktivist shoqëror, të gjitha në një, Tagore është një nga revolucionarët më të mëdhenj që ka prodhuar India. Ai ndjeu se natyra është një thesar i mençurisë, prandaj edukimi duhet të ndodhë në një mjedis natyror. Mbështeti idealet e natyralizmit, humanizmit, internacionalizmit dhe idealizmit, duke u dhënë frymë këtyre koncepteve në universitetin “Shanti Niketan”, shkollën që ai themeloi. I ati e quajti Rabindra, dielli, sepse: “Më vonë, si dielli, kur ai të kalojë nëpër botë, e gjithë bota do të ndriçohet prej tij”, – thoshte. Jeta dhe vepra e Tagore vërtetoi parashikimin e babit, pasi ai u bë ky i mençur, ky poet i njohur botërisht, “Gurudev” për bashkëkohësit, një udhërrëfyes. Gjatë gjithë jetës u lëkund midis ndrojtjes dhe veprimit. Kundërshtar i sistemit të kastave dhe tiranisë së zakoneve, i preokupuar për një evolucion të domosdoshëm shoqëror, nga fati i fshatarëve te situata e grave, Tagore mori pozicione të guximshme në lidhje me kohën kur jetoi. Në vitin 1913, atribuimi i çmimit “Nobel” i dha një audiencë ndërkombëtare. Partizani i Pavarësisë së Indisë, ai që Gandi e quante “Mbrojtësi i Madh” do ta refuzonte gjithmonë dhunën, sepse ideali i tij ishte harmonia – harmonia midis njeriut dhe natyrës, harmoni midis njerëzve, midis kombeve, midis arteve.

Humanisti me dhembshuri dhe tolerancë, Rabindranath Tagore shpreh bindjen se, mençuria më e lartë nuk vjen nga librat, megjithëse të shenjtë, por nga zemra. “Feja ime është feja e poetit. Gjithçka që ndiej, vjen nga vizioni im dhe jo nga njohuritë e mia”./Konica.al / KultPlus.com

Rabindranath Tagore, the 1913 recipient of the Nobel Prize in Literature, standing in a group. (Photo by Michael Nicholson/Corbis via Getty Images)

133 vite nga lindja e Anton Harapit, atdhetarit dhe shkrimtarit të shquar shqiptar

133 vite më parë lindi frati françeskan, filozofi, mësuesi, sociologu, mendimtari, shkrimtari dhe politikani shqiptar, Anton Harapi. Lindi në Shirokë të Shkodrës.

Shkollën fillore e kreu në kolegjin e jezuitëve.

Rezultatet e larta në shkollë i mundësuan të vijojë klasat e larta në Salzburg, e mandej në Shvaz të Tirolit të Austrisë. Studimet teologjike i kreu në Romë. Më 1910 kthehet në atdhe dhe shugurohet meshtar duke përmbushur kushtet e fundit të Urdhrit Françeskan. Gjatë tetorit të vitit 1912 deri në prill 1913 kur Shkodra qe e rrethuar nga trupat malazeze e serbe, i përkushtohet shërbesave fetare dhe njerëzore në kishën “Zoja Rruzare” në Arrën e Madhe në Shkodër, ku ishte edhe Kuvendi Françeskan.

Gjatë kohës së takimeve që i paraprinë pavarësisë së Shqipërisë kërkohet nga nëpunësit e Ministrisë së Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze si përkthyes gjatë bisedimeve që u zhvilluan mes kontit Berthold dhe Ismail Qemal bej Vlorës, në mungesë morën, David Pepën. Më 6 ose 8 qershor 1945 arrestohet dhe me vendim të datës 19 shkurt 1946 të Gjykatës speciale në Tiranë, Antoni Harapi është shpallur si kriminel lufte dhe armik i popullit. U dënua me pushkatim dhe u ekzekutua. Nuk dihet vendi ku iu varros trupi.

Atë Anton Harapi shkroi veprat “Andrra e Pretashit”, “Vlerë shpirtnore”, “Shqiptari dhe bota e tij” dhe “Valë mbi valë”. / KulPlus.com

139 vjet nga vdekja e astronomit, matematikantit e filozofit shqiptar Hoxhë Hasan Tahsini

Hoxhë Hasan Tahsini u lind në fshatin e Ninatit, pranë Konispolit. Studimet e para i ndoqi në Stamboll.

Kur ishte ende i ri u caktua si mësues pranë shkollës osmane në Paris, ku gjatë kësaj kohe ndoqi edhe studimet për matematikë dhe shkenca natyrore pranë Universitetit të Parisit.

Më 1870 u emërua rektori i parë i të porsathemeluarit Universitet të Stambollit ku dha leksione fizike, astronomie dhe psikologjie. Tahsini shkruajti të parin traktat psikologjie në osmanisht të titulluar Psikologjia ose Shkenca e Shpirtit, një vepër e frymëzuar nga modernizmi. Shkruajti gjithashtu të parin libër për astronominë moderne, duke qenë edhe libri i parë i shkencës popullore në osmanisht.

Përveç themelimit dhe emërimit në krye të Universitetit të Stambollit, themeloi edhe “Xhemijet-i Ilmijje-i Arnavudijjê” (Shoqëria e Dijetarëve Shqiptarë apo Kuvendi Shkencor Shqiptar). Së bashku me Sami Frashërin, ai hartoi edhe një alfabet të veçantë për gjuhën shqipe. Tahsini punoi për alfabetin shqip duke shpikur edhe një alfabet të vetin, si dhe punoi në Komitetin qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare. / KultPlus.com

“Një dhomë pa libra është si një trup pa shpirt”

Ciceroni, Mark Tul Ciceron, ishte historian dhe filozof i Romës antike i lindur pranë Aripinit. Studioi në Romë për drejtësinë dhe retorikën, ndërsa shquhet si një nga oratorët më të shquar, shkruan KultPlus.

Njohuritë e tija në artin e oratorisë (gojëtarisë) dhe të filozofisë ai i plotësoi veçanërisht pas një udhëtimi që kishte bërë në Greqi. Fjalimet e tija janë çmuar si fjalë bindëse, si të forcës tërheqëse të fjalës. Nga këto fjalime të Ciceronit mund të kuptohen dhe të njihen më mirë rrethanat dhe jeta e tij. Ciceroni shkroi disa vepra si: “De oratore” (Mbi oratorinë), “De republika” (Mbi shtetin), “De amicitia” (Mbi miqësinë), “De setnecutute” (Mbi pleqërinë).

Gjuha që përdor Ciceroni në veprat e tija është e zgjedhur dhe e përpunuar me stilin e tij të qartë dhe të bukur, ai mendimet i ilustron me figura tërheqëse gjuhësore. KultPlus sot ju sjellë një thënie të zgjedhur lidhur me rëndësinë e madhe të leximit dhe praninë e librave në jetën e njeriut.

“Një dhomë pa libra është si një trup pa shpirt”, kishte thënë historiani dhe filozofi i njohur Ciceroni./ KultPlus.com