“Një jetë në tri botë” i Arben Braçe do të promovohet nesër në Tiranë

Nesër në librarinë “Tirana Times”, do të promovohet romani “Një jetë në tri botë”, i autorit Arben Brace, shkruan KultPlus.com

Lidhur me librin, në këtë promovim do të flasin botuesja e Toena-s, Irena Toçi- botuese e Toena-s, akademiku Artan Fuga, shkrimtarja Vera Bekteshi, shkrimtari Kleo Lati, kryetar i SHPP-së- Simon Miraka dhe autori i librit – Arben Braçe.

Ky libër u kushtohet të gjithë atyre që kanë vuajtur pasojat e një sistemi politik të papërshtatshëm dhe të një drejtësie të korruptuar. KultPlus ju sjellë një fragment të librit.

… gjithë jetën e vështirë që kishte kaluar, njerëzit kishin qenë makthi i tij. Ishte deri në kockë i zhgënjyer. Nga shtëpia nuk kishin mundur ta nxirrnin as në kohën e diktaturës. Tashmë s’ishte veçse një i moshuar. I kishte kaluar të tetëdhjetat. Nuk kishte kohë të priste drejtësinë e vonuar. Kishte jetuar në tri botë të ndryshme, shumë të ndryshme, tri botë që mund të çmendnin çdo gjeni, që nuk ngjasonin askund me njëra-tjetrën. Në trupin dhe në shpirtin e tij ishin zhvilluar eksperimentet më të çuditshme, sepse në vendin e tij eksperimentet sociale ishin krejtësisht të lejueshme. Jeta në botën ku ai kishte jetuar për dekada me radhë, përbënte truallin ku ushtroheshin “shkencëtarët e praktikës shoqërore”, të cilët i trajtonin si kavje në Laboratorin e Madh, pa u merakosur asnjë grimë për vuajtjet e tyre. Edhe atëherë kur ishte dukur sikur eksperimenti kishte përfunduar, duke pritur komunizmin që nuk do të vinte kurrë, mbi shpinën e tyre kishin hedhur “terapinë e shokut”, si një eksperiment tjetër në vazhdën e eksperimenteve të pafundme…

Libri do të promovohet nesër , më 7 maj duke filluar nga ora 18:30, në librarinë “Tirana Times”./ KultPlus.com