Romani “Shitësi” i autorit Andrin Aliu promovohet në KultPlus Caffe Gallery

Romani “Shitësi” i autorit Andrin Aliu do të promovohet më datë 18 mars, ora 19:00 në KultPlus Caffe Gallery.

“Shitësi” është një roman psikologjik, për të cilin autori ka punuar mbi tri vite.

Gjatë promovimit në panel do të jetë autori Andrin Aliu dhe redaktori i librit Sabit Jaha.

Përshkrimi i ngjarjes në libër

Është vera e vitit 2012, në Prishtinë, kur jeta e Zgjimit, gjimnazist dhe bir i një dëshmori, do të ndryshojë përgjithmonë. Në të njëjtën ditë që ka filluar punën si shitës në një market, rrugës për në apartamentin e tij, ai  do të hasë një afishe ngjitur në murin e një pallati, ku shkruan: Kërkojmë mirëmbajtës të pallatit. Poshtë këtij shënimi është edhe një numër kontaktues. Zgjimit  i bën përshtypje kjo ofertë pune dhe e fotografon afishen, teksa pas disa ditësh ai telefonon në numrin e shkruar në afishe. Shumë shpejt ky djalosh do të takohet me zotërinë që kërkon një mirëmbajtës pallati, dhe do të pranojë ofertën për punë, pa e pasur idenë se punëdhënësi i tij i ri, dikur ka qenë shoku më i ngushtë i babait të tij deri në çastet e fundit të jetës, atëherë kur kishte ndodhur një prej masakrave më të llahtarshme në luftën e vitit 1999, në Kosovë.

Rreth autorit

Andrin Aliu ka lindur më 1 dhjetor 1995 në Podujevë, kurse aktualisht banon në Prishtinë. Ka përfunduar studimet në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Letërsia është pasioni i tij më i madh.

“Shitësi” shfaqet si një roman psikologjik dhe autori fton të gjithë ata që e duan letërsinë, ta lexojnë këtë libër, sepse sipas tij, nuk do t’iu duhet tepër kohë për t’u bindur se rrëfimi nuk është aspak i zakontë. / KultPlus.com

Palimpsestet e Historisë: Promovim libri dhe panel diskutimi në GKK

Galeria Kombëtare e Kosovës ka njoftuar se më datë 9 nëntor do të bëhet promovimi i librave “Belbëzimet e Universalitetit” dhe “Limitet e Reprezentimit”, me autorë Sezgin Boynik dhe Tevfik Rada, përcjell KultPlus.

Paneli i diskutimit në mes të autorëve dhe filozofit e teoricientit Shkëlzen Maliqi do të nisë në orën 18.00 – 19.00.

Ngjarja do të jetë e hapur për të gjithë pas diskutimit, në orën 19.00, ku në katin e dytë të galerisë do të mund të shihni të prezantuara një seri posterash silkscreen së bashku me shkëputje nga filmat që kryejnë funksionin e fotografive të çastit të historisë.

Palimpsestet e Historisë trajton reprezentimet filmike të Kosovës gjatë rënies së Jugosllavisë — të nacionalizmit, aparteidit, kryengritjeve, luftërave klasore dhe dhunës shtetërore. Projekti distilon rrëfimin e tij nga imazhet e viteve 1980-a, një kohë kur po lindnin kriza të shumta politike të ndërthurura me trazira sociale dhe po ndodhte komodifikimi i gjerë i formave kulturore. Qëllimi i projektit është ta përfytyrojë këtë histori përmes boshllëqeve të saj dhe t’i vë ato në lëvizje.

Ekspozita e trajton filmin si një mjet kërkimor me kapacitet për t’i zbuluar palimpsestet vizuale të kësaj periudhe historike. / KultPlus.com

Ag Apolloni ftohet në Hagë për ta promovuar romanin e tij

Botuesi holandez i romanit “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Holandë, me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, do të organizojnë promovimin e romanit dokumentar të Ag Apollonit në Hagë, ku pritet të marrin pjesë personalitete të rëndësishme shqiptare dhe të huaja.

Romani që dokumenton krimet gjatë luftës në Kosovë, “Një fije shprese, një fije shkrepëse” (2020), më 17 shkurt do të promovohet në Hagë. Botuesi holandez, në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Holandë, kanë ftuar në Hagë shkrimtarin Ag Apolloni për ta promovuar romanin e tij dokumentar të përkthyer holandisht nga Jan Jansen. Lajmin e ka bërë të ditur shtëpia botuese Bard Books, pasi ka marrë ftesën nga botuesi Richard van den Brink dhe ambasadori kosovar në Holandë, Dren Doli.

Haga njihet si kryeqyteti i drejtësisë në botë, dhe aty vite më parë është gjykuar edhe kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Promovimi i këtij romani në Ditën e Pavarësisë së Kosovës është domethënës, sepse ky është një roman dokumentar që me fakte dhe stil rrëfen krimet që ka bërë regjimi i Millosheviqit në Kosovë. Romani flet për tragjedinë e Ferdonije Qerkezit, e cila gjatë luftës ka humbur katër djemtë dhe burrin. Bashkë me këtë linjë, rrëfehet edhe historia e Pashkë Markut, e cila pak ditë pasi iu kthyen mbetjet e dy djemve, bëri vetëvrasje. Po ashtu, e bazuar krejtësisht në materiale arkivore, vihet edhe një paralele mes Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Kosovës, përkatësisht mes kampeve të përqendrimit dhe kampeve të shpërnguljes. Ky dokuroman (roman dokumentar) flet për dhunën e regjimit serb, për dëbimet dhe djegiet, për spastrimin etnik, për intervenimin ushtarak të NATO-s, për personat e pagjetur, për një dorëshkrim të humbur dhe një tragjedi të gjetur, për peshën e pritjes dhe rëndësinë e shpresës.

Romani “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, i botuar para tre vjetësh në gjuhën shqipe, tashmë është botuar edhe në holandisht, ndërsa është në proces botimi në anglisht dhe gjermanisht. Ag Apolloni (1982) është shkrimtar dhe profesor në Universitetin e Prishtinës. Gjatë viteve 2010-2012, ka qenë kryeredaktor në revistën letrare “Jeta e Re”, ndërsa nga viti 2013 është kryeredaktor i revistës për studime kulturore “Symbol” (anëtare e rrjetit të revistave evropiane Eurozine), ku ka realizuar intervista me personalitete të njohura letrare e kulturore, si: Linda Hutcheon, Jonathan Culler, Gottfried Helnwein, D. M. Thomas, Javier Cercas, Mieke Bal, Hans Bertens, Rita Dove, David Damrosch, Stanley Fish etj. Është autor i katër romaneve (Ulurima e Ujkut, Zazen, Një fije shprese, një fije shkrepëse dhe Kësulëkuqja, përrallë për të rritur), si dhe i disa librave me studime letrare, ese, drama dhe poezi. Krijimtaria e tij është vlerësuar nga kritika shqiptare dhe ajo e huaj. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë dhe janë shpërblyer me disa çmime. / KultPlus.com

Faton Kryeziu vjen me ekspozitë personale e cila përcjellët edhe me promovim libri

Artisti Faton Kryeziu, së shpejti do të hap ekspozitën e tij personale të titulluar ‘Tension&Emocion’, ku artisti do të prezantohet para publikut me gjithsej 42 punime, përcjellë KultPlus.

Përveç ekspozitës, në të njëjtën ditë, njëkohësisht do të bëhet edhe promovimi i librit me po të njëjtin titull, i punuar nga studiuesja e njohur, Suzana Varvarcia.

Kjo ekspozitë dhe promovim i librit do të mbahen nesër, më datë 30 qershor në Hotel Sheraton në Prishtinë, duke filluar nga 18:00. / KultPlus.com

Promovohen dy librat e autorit Ragip Ballata, vlerësohen si të jashtëzakonshëm

“Mësuesit e Gjakovës pishtarë të Kosovës” dhe “Arsimi shqip në Gjakovë dhe rrethinë”, janë dy librat e autorit Ragip Ballata që u promovuan sot në Prishtinë, e për të cilët u tha se janë libra të jashtëzakonshëm që hedhin dritë mbi punën e shumë brezave të mësimdhënësve ndër vite.

Të dy librat përmbajnë mbi 100 dokumente arkivore, si dhe mbi 100 foto autentike, rrëfime veteranësh dhe ngjarje të periudhës së asaj kohë për të cilat flitet në libra.

Libri “Mësuesit e Gjakovës pishtarë të Kosovës”, fokusohet në jetën dhe veprimtarinë e 148 mësuesve. Ndërsa, libri “Arsimi në Gjakovë e rrethinë” trajton hapjen e disa shkollave fillore, të ulëta dhe të mesme, me theks të veçantë për punën e Normales, Gjimnazi i plotë dhe shkollat tjera të hapura deri në vitin 1968, si dhe përplasjet e personelit arsimor karshi përpjekjeve të regjimit serb për zhbërjen e arsimit shqip.

Autori i të dy librave, Ragip Ballata tha se përmes këtyre librave ka dashur që të hedh në dritë kontributin e shumë mësimdhënësve për arsimin shqip.

Ai tha se janë mbi 210 emra që përmenden në të dy librat, e që për secilin prej tyre ka komunikuar me 8 persona për të ndriçuar jetën e tyre.

“Janë pasardhësit e tyre që gjatë leximit të jetëshkrimeve dhe gjurmëve të tyre të lëna në shkolla gjatë punës së tyre do ta rikthejnë kujtesën për rrugëtimin arsimor të prindërve të tyre…Janë këta mësues që na bënë këmbë e dorë, janë këta mësues që janë ushqyer me bukë misri, djathë e turshi, këta mësues janë që bartën në krahë tulla e gurë për të ndërtuar e rindërtuar objektet e vjetra për shkollat dhe për të ndërtuar shkolla të reja. Punuan nënpresion të regjimit cep e më cep të Kosovës për t’i hedhur dritë në udhën e diturisë dhe për t’i hapur shtigjet e të ardhmes tonë”, tha ai.

Autori shtoi se shpreson që gjeneratat e ardhshme të frymëzohen nga puna e paraardhësve të tyre, derisa tha se shpreson që të ketë ngritje të cilësisë në arsim.

Recensenti i librit, Shefqet Canhasi tha se dy librat e autorit Ragip Ballata për shqiptarët, për punëtorët e arsimit dhe për dashamirët e kulturës dhe të letërsisë shqipe kanë një rëndësi të jashtëzakonshme.

“Kanë një rëndësi të jashtëzakonshme. Mendoj se është në nderin e Ministrisë së Arsimit, të Kulturës të kujdesën që këto dy vepra të shkojnë aty ku e kanë vendin në duart e mësuesve, arsimtarëve, profesorëve dhe dashamirëve të arsimit. Këto dy vepra përfaqësojnë një pjesë të përpjekjeve të z.Ragim Ballata dhe mbetet akoma një pjesë e madhe e asaj pune që të sistemohet e të shoh dritën në një të ardhme të afërt besoj”, tha ai.

Ai pati një porosi për gjeneratat e ardhshme që të shkruajnë për ngjarjet që ndodhin, pasi shtoi se e meta e tyre është që kanë qenë pjesë e shumë ngjarjeve, por që nuk i kanë hedhur në letër.

Edhe recensenti tjetër i librave të Ballatës, Arben Hoxha tha se janë libra të jashtëzakonshëm që ofrojnë detaje të shumta për veprimtarinë e mësimdhënësve të asaj kohe.

“Libri i Ragip Ballatës “Arsimi shqip në Gjakovë dhe rrethinë” është një ftesë për ngritjen e aftësive gjykuese e vlerësuese për identitetin tonë etik e historik. Çka kemi synuar, cili është orientimi historik që ne kemi marrë kah më e mira e njerëzores tonë, cilat ishin mundësitë tona historike për të marr orientim drejt zgjedhjeve të caktuara. Prej librit “Arsimi shqip në Gjakovë dhe rrethinë”, me autor Ragip Ballata, mund të kuptojmë se doktrina e misionarizmit në arsimin shqip jo vetëm gjatë periudhës 45-66 por edhe para saj e deri në fillim të mileniumit të III do të jetë humanizmi, iluminizmi dhe kombëtarizmi me bazë metodologjinë kolektiviste”, tha ai.

Librat “Mësuesit e Gjakovës pishtarë të Kosovës” dhe “Arsimi shqip në Gjakovë dhe rrethinë”, ditë më parë janë promovuar edhe në qytetin e Gjakovës. / rtv21.tv / KultPlus.com

Promovohet ‘Rreshtat e bardhë’ nga grup autorësh të verbër

Era Berisha

Dilemat, sfidat, pengesat, problemet, brengat, vështirësitë fizike dhe shpirtërore, emocionet e ndjenjat e ndryshme, përjetimet personale dhe jo vetëm, u shpalosën në formën e prozës poetike dhe rrëfimeve nga gjithsej 11 persona të verbër në librin e titulluar ‘Rreshtat e bardhë’, që sot u promovua në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Libri ‘Rreshtat e bardhë’ vjen për herë të parë në Kosovë si rendiment i projektit ‘Vargu i bardhë’, i cili është duke u realizuar nga ‘Iniciativa e Pavarur e të Verbërve të Kosovës’ dhe njëkohësisht konsiderohet një vazhdimësi e projekteve të ndryshme në fusha të ndryshme të jetës së këtij komuniteti dhe shoqërisë në përgjithësi.

Në ambientin e ngrohtë të KultPlus Caffe Gallery, të pranishmit patën rastin të dëgjojnë nga afër disa nga rrëfimet e këtyre autorëve e po ashtu të takohen e të bisedojnë me ta rreth rrëfimeve dhe krijimeve të tyre.

Kurse, për të folur rreth librit, i pranishëm ishte edhe recensenti i librit Pajazit Krasniqi, i cili fjalimin e tij e ka titulluar me emrin ‘Në çdo varg nga një rrëfim’.

“Të shkruash një autobiografi, jo rrallëherë je në dilemë se çfarë të vendosësh në fillim e çka në fund të librit sepse jeta nuk të lejon të zgjedhësh më të mirën për vetën tënde pavarësisht sfidave. Andaj, pikërisht ky libër portretizon motivin e autorëve për të tejkaluar çdo sfidë pavarësisht vështirësive që ata i hasin çdo ditë”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, është hera e parë që ai ka lexuar rrëfime të tilla të shprehura në një origjinalitet të rrallë ku përmes tregimeve autorët tregojnë se me zemrat e tyre të bardha shohin përtej asaj që ndonjëherë shihet me sy, prandaj edhe ai e titulloi kështu recensionin e librit.

“Një libër i mbushur me histori interesante ku autorët janë personazhe në shtjellimin e ngjarjeve të paraqitura ku gërshetohet dashuria për jetën dhe elementet që ndërlidhen me përditshmërinë e këtyre autorëve. Shprehja e tyre e ngrit më shumë emocionin e leximit duke na futur në përjetimin e situatave të tyre që japin porosinë se çdo gjë është e mundur”, përfundon Krasniqi.

Tutje, pas vlerësimit të librit nga Krasniqi, fjalën e morri edhe redaktorja e librit, Vera Pelaj e cila foli rreth përmbajtjes së librit dhe specifikat e rrëfimeve të autorëve.

“Në këtë libër me prozë poetike autorët kanë shprehur ëndrrat, shpresat dhe kërkesat e tyre siç i kemi edhe ne. Përveç që shprehin dashuri, vullnet dhe forcë, ata në rrëfimet e tyre përdorin edhe figura stilistike të cilat i shtojnë vlera rrëfimeve. Po ashtu, përdorin figurën krahasuese, metaforën, alegorinë e shumë figura të tjera. Secili rrëfim ka specifikat e veta por të gjitha të dërgojnë në një pikë, në motivim”, thotë Pelaj.

Sipas saj, ti lexosh rrëfimet e përmbledhjes ‘Rreshtat e bardhë’, vërehet se tek lexuesi përcillet bardhësia, dashuria dhe mesazhi për të mos u dorëzuar. Ndërkohë, të gjitha rrëfimet janë personale përmes të cilave rrëfehen peripecitë për të arritur atë se çfarë kërkohet, pavarësisht sakrificave.

Kështu krejt në fund, të pranishmit patën rastin ti dëgjojnë rrëfimet si: ‘’Ëndrra e përjetshme’’ nga Adelina Hajdinaj, ‘’Pritja e autobusit’’ nga Betim Bregovina, ‘’Pallati i zemrës’’ nga Fjolla Muhaxhiri-Agusholli, ‘’Punësimi dhe sprovat’’ nga Halil Kurmehaj, ‘’Sfida, kur djali i mbushi dy vjet’’ nga Hasime Ajdini-Pajaziti, ‘’Përdorimi i telefonave të mencur’’ nga Hashim Llumnica, ‘’Qoftë vetëm edhe një ditë’’ nga Mevlude Emini, ‘’Të punosh në dritën e shpirtit’’ nga Naim Lezi, ‘’Fjalët e syve të shprehura me zemër’’ nga Rinesa Azizi, ‘’Ndërrimi i figurave’’ nga Shkurta Bregovina si dhe ‘’Jeta është shkollë’’ nga Yllka Berisha.

Ky libër është sponsorizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport. / KultPlus.com

Nesër do të promovohet libri “Qytetet e Ilirisë” i Gani Mehmetajt

Nesër me 30 janar 2020, në orën 12.00 në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, do të promovohet libri “Qytetet e Ilirisë” i Gani Mehmetajt. Për librin do të flasin Shaban Arifaj, ish- redaktor i njohur RTK-së, i cili do të jetë udhëheqës i promovimit dhe Dr. Femi Cakolli, studius letrar e pastor, shkruan KultPlus.com

“Qytetet e Ilirisë” prezanton 23 qytete shqiptare me një të kaluar të lavdishme nga Nishi, Shkupi, Prizreni, Ulpiana, Artana, Gjakova. Shkodra, Ulqini, Lezha, Kruja, Preza, Kanina, Gjirokastra, Pogradeci deri në Korçë.

Shumica e këtyre qyteteve kanë vazhdimësi nga parahistoria, antika, mesjeta e deri në ditët e sotme, disa të tjera pas periudhave të lavdishme në parahistori e në antikë u shuan në mesjetë. Qytete ilire shquheshin për organizim shtetëror, për objektet monumentale, kështjellat e sigurta, amfiteatrot, faltoret pagane, kishat paleokristiane etj.


Autori qytetet e Ilirisë i sheh nga prizmi i sotëm, e shpalon të kaluarën, duke bërë njëkohësisht edhe krahasimet në mes të asaj që ishin dikur, peshën që e kishin për ilirët e Ilirinë, peshën që e kishin për arbërorët dhe rëndësinë që e kanë sot për shqiptarët.


Libri i tipit të udhë përshkrimit, meqë autori ka shtegtuar gjatë nëpër këto qytete e krahina ka ilustrime me fotografi, rrëfime të vendasve, kronika të para dymijë vjetësh etj. ër disa nga këto vende e kështjella është ditur pak ose aspak: Kështjella e Jerinës,

Kështjella e Lekës, Kështjella e Mbretit, Suka e Cermjanit, që ishin fortifikata malore me garnizone ushtarake dardane.
Libri “Qytetet e Ilirisë” e botoi shtëpia botuese “Titanic”, ilustrimet janë me ngjyra, ndërsa mund ta gjeni në libraritë e qytetit “Dukagjini”, “Artini” “Buzuku dhe në kioskat e Sheshit “Nëna Terezë”. /KultPlus.com

Promovohet libri “Ibush Jonuzi dhe minatorët grevistë të Trepçës 1988-1989”

Sot në Vushtrri u promovua libri “Ibush Jonuzi dhe minatorët grevistë të Trepçës (1988-1989)” të autorit Hilmi Saraçi, transmeton Koha Ditore.

Ky libër është një monografi për jetën dhe veprimtarinë e Ibush Jonuzit dhe minatorët grevistë të Trepçës (1988-1989), i cili është shkruar pikërisht me rastin e 30-vjetorit të grevës së urisë të minatorëve të Trepçës.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se libri do të shërbejë si një dëshmi për rrugën e gjatë dhe të mundimshme që ka pasur populli i Kosovës për liri dhe për pavarësi si dhe rolin e minatorëve si një dëshmi e sakrificës së madhe.

“Nëse shohim historinë e lirisë së popujve të ndryshëm do të gjejmë se historia e lirisë së popullit të Kosovës dhe e pavarësisë tonë është një histori tepër unike dhe aspiruese dhe është detyrë e neve gjeneratës së re ta dokumentojmë gjithë përpjekjen mbinjerëzore e sidomos nga vitet 1989, 1990 kur edhe është bërë themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe krijimi i idesë së shtetit të Kosovës”, u shpreh Tahiri.

Ndërsa protagonisti kryesor i librit, Ibush Jonuzi i falënderoi të gjithë ata të cilët kontribuuan në botimin e librit. /KultPlus.com

“Një jetë në tri botë” i Arben Braçe do të promovohet nesër në Tiranë

Nesër në librarinë “Tirana Times”, do të promovohet romani “Një jetë në tri botë”, i autorit Arben Brace, shkruan KultPlus.com

Lidhur me librin, në këtë promovim do të flasin botuesja e Toena-s, Irena Toçi- botuese e Toena-s, akademiku Artan Fuga, shkrimtarja Vera Bekteshi, shkrimtari Kleo Lati, kryetar i SHPP-së- Simon Miraka dhe autori i librit – Arben Braçe.

Ky libër u kushtohet të gjithë atyre që kanë vuajtur pasojat e një sistemi politik të papërshtatshëm dhe të një drejtësie të korruptuar. KultPlus ju sjellë një fragment të librit.

… gjithë jetën e vështirë që kishte kaluar, njerëzit kishin qenë makthi i tij. Ishte deri në kockë i zhgënjyer. Nga shtëpia nuk kishin mundur ta nxirrnin as në kohën e diktaturës. Tashmë s’ishte veçse një i moshuar. I kishte kaluar të tetëdhjetat. Nuk kishte kohë të priste drejtësinë e vonuar. Kishte jetuar në tri botë të ndryshme, shumë të ndryshme, tri botë që mund të çmendnin çdo gjeni, që nuk ngjasonin askund me njëra-tjetrën. Në trupin dhe në shpirtin e tij ishin zhvilluar eksperimentet më të çuditshme, sepse në vendin e tij eksperimentet sociale ishin krejtësisht të lejueshme. Jeta në botën ku ai kishte jetuar për dekada me radhë, përbënte truallin ku ushtroheshin “shkencëtarët e praktikës shoqërore”, të cilët i trajtonin si kavje në Laboratorin e Madh, pa u merakosur asnjë grimë për vuajtjet e tyre. Edhe atëherë kur ishte dukur sikur eksperimenti kishte përfunduar, duke pritur komunizmin që nuk do të vinte kurrë, mbi shpinën e tyre kishin hedhur “terapinë e shokut”, si një eksperiment tjetër në vazhdën e eksperimenteve të pafundme…

Libri do të promovohet nesër , më 7 maj duke filluar nga ora 18:30, në librarinë “Tirana Times”./ KultPlus.com