Rikthehen misionet arkeologjike me zbulime të reja

Misionet arkeologjike janë rikthyer në Shqipëri me zbulime të reja pas ndërprerjeve prej pandemisë së koronavirusit. Në Parkun Arkeologjik të Finiqit arkeologët shqiptarë dhe italianë kanë zbuluar objekte të periudhave të ndryshme, përfshirë dhe një skulpturë të përmasave të mëdha. Në gërmimet e këtij viti në Finiq po marrin pjesë edhe studentë shqiptarë dhe italianë të arkeologjisë.

Arkeologët shqiptarë dhe italianë kanë rikthyer gërmimet në taracën jugore të Finiqit, një vendbanim i lashtë mes Sarandës dhe Delvinës, ku gërshetohen disa periudha historike. Gërmimet e misionit shqiptaro-italian, që në këtë vendbanim kanë nisur që në vitin 2000, këtë vit drejtohen nga Belisa Muka nga Instituti shqiptar i Arkeologjisë dhe Giusepe Lepore nga Universiteti i Bolonjës.

Gërmimet e këtij viti kanë sjellë gjetje të rëndësishme përfshirë edhe një skulpturë mermeri të përmasave të mëdha, thotë drejtuesja shqiptare e misionit Belisa Muka.

Është një hapësirë e cila është me karakter publik, me një mori ndërtesash dhe që këtë vit dha rezultate të jashtëzakonshme jo vetëm në plotësimin e të dhënave stratigrafike, të të kuptuarit më të mirë të funksionit të kësaj hapësire, por edhe të gjetjeve të cilat do të hedhin dritë mbi disa aspekte të tjera sic janë besimet e ndryshme. Këtë vit kemi gjetur një skulpturë mermeri të përmasave të mëdha”.

Ndërsa profesori italian Giusepe Lepore thotë se misioni i këtij viti flet shumë pasi shënon rikthimin e gërmimeve pas ndërprerjes prej Covid-it.

Është me të vërtetë i vecantë pasi shënon rikthimin pas periudhës së kovidit. Në vitin 2021 ne jemi rikthyer me impenjim dhe forcë të madhe dhe kemi sjellë edhe studentë shqiptarë dhe italianë duke e rinisur aktivitetin”.

Zonja Muka thotë se prania në gërmim e studentëve shqiptarë dhe italianë për ta është një shkollë e vërtetë.

Bashkëpunimi ynë është shqiptaro – italian mes Institutit te Arkeologjisë dhe Universitetit te Bolonjës. Studentët tanë vijnë nga Departamenti i Trashëgimisë dhe Arkeologjisë në Univerisitetin e Tiranës. Synimi ynë është natyrisht të gërmojmë dhe studiojmë, por edhe të formojmë brezin e ri të arkeologëve“.

Ndërsa professor Lepore thotë se Misoni arkeologjik po ecën shumë mirë pasi ka hyrë në vitin e 21.

Jemi duke gjetur, sic mund ta keni parë këtu rreth nesh, qytein romak. Më në fund po del në dritë në Finiq periudha romake nga Augusti tek Traiani e me tej në periudhën e antikitetit të vonë“.

Zonja Muka flet edhe për gjetjet e tjera të këtij viti në këtë vendbanim.

Kemi material qeramik pafund, kemi objekte të ndryshme bronzi, kemi monedha, kemi dhe afresk. Kjo është një zonë që është përdorur e ripërdorur në periudha të ndryshme ku sejcila prej tyre ka lënë gjurmën e saj”.

Në interesimin e mëtejshëm të arkeologëve është jo vetëm Finiqi por edhe më gjerë zona e Kaonisë bregdetare, thotë më tej zonja Muka.

Ky projekt është ideuar nga dy arkeologë të rëndësishëm, për palën shqiptare Shpresa Gjongecaj dhe për palën italine Sandro De maria. Ne jemi pjesë e një tradite që vijon por jo vetëm në Finiq por edhe në territor. Interesi ynë është në zonën e Kaonisë bregdetare dhe kërkimet janë paralelisht ne Finiq dhe në Butrint

Qyteti antik i Foinikes u kthye në Park Arkeologjik Kombëtar në vitin 2005 dhe përbën një nga qendrat arkeologjike më të rëndësishme të Shqipërisë. Lindur si qytet në fund të shekullit të V Para Krishtit, Foinike njihet si kryeqendra e kaonëve dhe më pas kryeqyteti i lidhjes së tre fiseve më të rëndësishme Kaonëve, Thesprotëve dhe Molosëve. Qyteti jetoi pas pushtimit të Romës dhe njohu faza të rëndësishme zhvillimi edhe më pas në periudhën bizantine dhe të antikitetit të vonë duke e humbur rëndësinë me fillimin e sundimit Osman. / VOA / KultPlus.com

Përkujtohet Hasan Ceka, intelektuali që vuri themelet e arkeologjisë shqiptare

Si sot, më 25 gusht 1900, lindi Prof. Hasan Ceka, njeriu që vuri themelet e arkeologjisë shqiptare.

“Nëntoka jonë mban kushedi edhe sa e sa dëshmi të tjera për paraardhësit tanë, e ajo që është zbuluar deri më tani është falë punës së palodhur e plot përkushtim të arkeologëve tanë. Andaj në ditën e tij të lindjes, kujtojmë njeriun që për më shumë se gjysmë shekulli ju kushtua tërësisht kërkimeve e studimeve për arkeologjinë shqiptare”, ka theksuar sot Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, transmeton KultPlus.

Hasan Ceka studioi në Vjenë ku u dallua si student i shkëlqyer. Pas kthimit në Shqipëri, në vitin 1930, punoi në Bibliotekën Kombëtare, krijoi një koleksion arkeologjik, të cilin edhe sot e trashëgon Biblioteka e Institutit të Arkeologjisë, ndërsa ka përfaqësuar Shqipërinë pranë misioneve të huaja arkeologjike në Apolloni e Butrint.

Në vitin 1947 drejtoi ekspeditën e parë arkeologjike në Apolloni si dhe punën për krijimin e Muzeut Arkeologjik Etnografik në Tiranë. Në 1956-të kthehet në Apolloni për t’ia kushtuar qytetit antik tërë veprimtarinë e tij kërkimore e studimore. Cekës i takon merita e zbulimit të një kompleksi arkitektonik në afërsi të ndërtesës së Agonoteteve, e nimfeut të qytetit dhe e shumë veprave të tjera.

Prof. Ceka u nda nga jeta më 2 nëntor 1998.

DPA ka publikuar edhe një fotografi nga Prof. Hasan Ceka si dhe promemoria mbi ndërtimin dhe formimin e Muzeut Kombëtar nga arkeologu, Hasan Ceka, e cila ruhet në AQSH. / KultPlus.com

Zbulim arkeologjik në Tepelenë

Puna bujqësore e një të riu, në tokën e tij në fshatin Turan të Tepelenës, ka nxjerrë në dritë krejt rastësisht, disa gjetje arkeologjike të cilat mund të ndryshojnë rrjedhën historike të asaj zone rreth ekzistencës së jetës në periudha shumë të hershme.

Pasi ka hasur diçka të çuditshme gjatë punës, i riu ka vazhduar të gërmojë më tej ku ka zbuluar brendinë e një varri të lashtë që zë sipërfaqe rreth dy metra katrorë. Bëhet fjalë për mbetje skeletore-njerëzore, monedha, disa enë prej metali si dhe mbetje qeramike.

Ky zbulim sinjalizon se zbulime të tjera mund të pasojnë në të gjithë perimetrin e kësaj zone, 3.5 kilometra nga qyteti i Tepelenës, midis fshatrave Veliqot dhe Turan. /tema/ KultPlus.com

Francezët dhe italianët “zbërthejnë” arkeologjinë shqiptare

Arkeologjia shqiptare është vënë në “lupën” e francezëve dhe italianëve. Prej disa ditësh misione arkeologjike nga Franca dhe Italia kanë nisur gërmimet në Apoloni dhe Rubik për të ndihmuar në zbulimet e reja që do të hedhin dritë në studimin e qytetit antik.

Në fakt, që nga viti 1992 ekspeditat janë një bashkëpunim shqiptaro-francez, të cilat kanë në fokus zonën e Akropolit dhe pjesën e sipërme të agorasë së qytetit të Apolonisë. Lidhur me këto misione gërmimi ka reaguar edhe ambasada e Italisë ditën e djeshme.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada italiane ka shpërndarë foto nga puna e ekspertëve që po japin kontributin e tyre. Sipas ambasadës, grupi i ekspertëve italianë është i përqendruar tek zona e Rubikut për të nxjerrë në pah pasuritë minerare të asaj zone. “Projekti “Të dhëna arkeologjike dhe të teledetektuara për studimin e peizazheve minerare në Shqipëri”, financuar nga Ministria e Jashtme Italiane do të përqendrohet veçanërisht në zonën e Rubikut me qëllim njohjen e pasurisë minerare shqiptare dhe stimulimin e interesit kundrejt pikave më të rëndësishme.

Grupi i punës përbëhet nga arkeologë, topografë dhe gjeologë me përvojë, të koordinuar nga Dr. Pasquale Merola, drejtues i misionit dhe aero-topograf i CNR. Udhëtimi i parë i punës drejt Shqipërisë parashikohet në data 1-5 tetor 2019”, thuhet në reagimin e ambasadës italiane. Pak ditë më parë gërmimet në parkun arkeologjik të Apolonisë nxorën në sipërfaqe një granatë dore që mendohet se i përket Luftës së Parë Botërore. I gjithë territori u rrethua me perimetër sigurie dhe pranë vendit ku është gjetur granata shkuan edhe forcat policor. Në vendin e ngjarjes ishte edhe ekspedita franceze e cila po gërmonte në atë zonë.

Gërmimet e para

Gërmimet e para në Apoloni filluan nga arkeologu austriak Camilo Praschniker në vitin 1916-1918. Arkeologu francez Leon Rey, i filloi gërmimet në vitin 1924 deri më 1938 në qendrën monumentale të Apolonisë. Gërmimet sistematike filluan nga shqiptarët në 1947 nga arkeologu Hasan Ceka, pjesë e Institutit të Arkeologjisë në Tiranë. Gërmimet u realizuan dhe vazhduan me një bashkëpunim shqiptaro-rusë nga 1958-1960, me arkeologët Selim Islami, Hasan Ceka dhe V. Blavatski.

Pas vitit 1961 gërmimet u realizuan nga Instituti i Arkeologjisë në Tiranë me një sërë arkeologësh si: Hasan Ceka, Aleksandra Mano, Burhan Dauti,Vangjel Dimo, Bashkim Vrekaj, Lami Koco etj.. Që nga viti 1992 ekspeditat janë një bashkëpunim shqiptaro-francezë të cilat kanë në fokus zonën e Akropolit dhe pjesën e sipërme të agorasë së qytetit të Apolonisë.

Më herët në parkun arkeologjik të Apolonisë, në Fir nisi ekspedita arkeologjike shqiptaro-franceze, e cila i përqendroi gërmimet tek banesat romake të shekullit të III pas Krishtit, ku është zbuluar busti i një atleti dhe busti në bronz i një femre. Arkeologu shqiptar, Lami Koçi u shpreh pak kohë më parë se në parkun arkeologjik të Apolonisë ka ende për të gërmuar, pasi pjesa më e madhe e saj është ende e pazbuluar. Po arkeologu ngriti si shqetësim faktin se për të kryer të tilla gërmimesh nevojitet një buxhet i lartë. “Por për të kryer gërmime të shumta kërkohen investime dhe mbështetje financiare më të mëdha”, u shpreh arkeologu Lami Koçi. /sot.com/KultPlus.com