Eljan Tanini, drejtori i ri i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri me dije sot se në krye të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit është emëruar Eljan Tanini.

Ministri Gonxhja tha se, Tanini është një artist pamor, gazetar dhe autor projektesh që ndërthurin artin me memorien kolektive.

“Eljan Tanini vjen në krye të AQSHF me një profil të veçantë dhe një angazhim të hershëm në rrëfimin e Shqipërisë përmes historisë, nostalgjisë dhe arkivës vizuale. Nga krijimet murale e instalacionet publike, te kontributet në media dhe ekspozitat brenda e jashtë vendit, Tanini sjell një vizion artistik dhe narrativ që pasuron më tej rolin e këtij institucioni të rëndësishëm kulturor”, u shpreh Gonxhja.

Eljan Tani zëvendëson në këtë detyrë Marinela Ndrian, ndërsa ministri Gonxhja shpreh falënderimet për Ndrian, për kontributin dhe drejtimin e saj gjatë këtyre viteve./atsh/ KultPlus.com

Ekspozitë për gratë që ndryshuan mentalitetin e kinematografisë shqiptare

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në bashkëpunim me Idromeno Independent Film Festival dhe organizatën Gruaja tek Gruaja, është duke përgatitur ekspozitën Idromeno Uncovering.

Bëhet fjalë për një ekspozitë fotografike të titulluar “Gruaja në imazhin fotografik shqiptar-Një udhëtim fotografik” e cila shpërfaq shoqërinë e epokave të ndryshme në imazh.

Ekspozita Idromeno Uncovering sjell vajzat e gratë që ndryshuan mentalitetin e kinematografisë shqiptare: të talentuara, të guximshme dhe frymëzuese.

Gjatë kësaj kohe komplekse të historisë së kulturës shqiptare, shumë aktore shkëlqyen dhe arritën popullaritetin e tyre pavarësisht kontrollit të diktaturës së kohës. Duke përdorur teknologjinë më të fundit fotografike, kjo ekspozitë i dedikohet arritjeve të interpretimit të disa aktoreve më të dashura të ekranit shqiptar si: Roza Anagnosti, Elvira Diamanti, Anisa Markarian dhe Luiza Xhuvani.

Këto fotografi të digjitalizuara nga negativët origjinalë janë vetëm një pjesë e vogël e një koleksioni të jashtëzakonshëm të Fototekës së AQSHF-së që po digjitalizohet e po ruhet për brezat e ardhshëm të regjisorëve, studiuesve të filmit, studentëve të fotografisë dhe të apasionuarve pas filmit artistik.

Kuratorë të ekspozitës janë Erjon Tusha dhe AQSHF. / atsh / KultPlus.com

Restaurim digjital i filmit “Koncert në vitin 1936”

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit bën të ditur se është duke u restauruar filmi “Koncert në vitin 1936”.

“Një pasuri e shtuar dhe e shpëtuar për trashëgiminë audiovizive shqiptare”, shkruan në një postim në rrjetet sociale Arkivi i Filmit, sipas të cilit po bëhet një punë e mrekullueshme nga ekipi i specialistëve të restaurimit digjital Koushik Bhattacharya dhe Ritajit Raychaudhuri në Mumbai Indi, për rikthimin e ngjyrave të dekoloruara të filmit “Koncert në vitin 1936”.

Arkivi sjell edhe foto që dëshmojnë për punën e bërë. Në kuadrin majtas shihet imazhi i përftuar nga skanimi i negativit të dekoloruar ku mungon ngjyra e kuqe në kanalet RGB; në kuadrin e mesit shihet rikthimi i kanalit të ngjyrës së kuqe R; dhe në kuadrin djathtas shihet një TEST për color grading të imazhit.

Filmi “Koncert në vitin 1936” është prodhim i vitit 1978, me regji të Saimir Kumbaros dhe skenar të shkruar nga Kiço Blushi, bazuar mbi tregimet e novelës së Dhimitër Shuteriqit. / atsh / KultPlus.com