Arben Ramadani & Armend Xhaferi mbrëmë erdhën “Pa kornizë”, sollën një koncert që doli përtej limiteve

Era Berisha

Një mprehtësi e thellë e tingullit jo të zakonshëm që buronte lehtësisht dhe sillte një emocion të pakrahasueshëm që vendosej pikërisht përbrenda qenies së njeriut, erdhi mbrëmë nëpërmjet mbizotërimit të dy instrumentistëve kosovar, pianistit Arben Ramadani dhe kitaristit Armend Xhaferi, të cilët mbrëmë pushtuan skenën me madhështinë e muzikës xhaz e cila për herë të parë shkeli me këmbë në festivalin “Chopin Piano Fest”, shkruan KultPlus.

Në edicionin e dymbëdhjetë të festivalit, kjo është hera e parë që muzika xhaz ka një hapësirë tejet të veçantë në programin e larmishëm të tyre. E kjo ndërhyrje dukshëm solli me vete edhe një publik krejt ndryshe mbrëmë në sallën e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare. Ndonëse ndriçimi ishte i njëjtë si në katër netët paraprake, përsëri ishin dritat e ngrohta përreth dhe sipër skenës ato të cilat dukshëm iu vinin në ndihmë publikut i cili shikonte me ëndje interpretimin e dy instrumentistëve në skenë. Me reflektorë me ngjyrë të bardhë që vinin në pah logon e dizajnit në prapaskenë dhe dritën natyrale e cila gjithmonë rri e vendosur sipër hapësirës në publik, të pranishmit mirëpritën me duartrokitje e buzëqeshje një mbrëmje e cila vulosi këtë edicion me kujtime të paharrueshme.

Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘Chopin Piano Fest’ e nisi drejtoresha organizative e festivalit, Besa Luzha e cila u shpreh se ndjehet mjaft e kënaqur që në mbrëmjen e pestë të këtij edicioni, është një natë krejtësisht ndryshe nga të tjerat, madje për të gjithë festivalin në përgjithësi.

Për të pranishmit të cilët nuk kishin dëgjuar akoma talentin e mirënjohur të dy instrumentistëve, ishte prezent dhe një libërth që përmbante fakte dhe informacione për pjesëmarrësit në edicionin e 12-të të Chopin Piano Fest. Ndërkaq, përpara se koncerti të shënonte fillimin e tij, skena ishte pushtuar nga tela të cilët janë të njohur për skenën e një koncerti xhaz. Të gërshetuar mes vete, ata ndihmonin për një audio më të mirë të kitarës që pas pak do të pushtohej nga kitaristi Armend Xhaferi.

Në skenë, doli kitaristi Armend Xhaferi i cili e nisi koncertin me një interpretim të dy pjesëve të xhazit dhe e përfundoi atë me një pjesë të vetë kompozimit të tij. Ky interpretim që u shoqërua gjithandej me një qetësi absolute nga ana e publikut, solli melodi të cilat i dhanë jetë skenës dhe e gjallëruan atë në një mënyrë tejet të çoroditur. Ishin tingujt ata të cilët këndshëm rrotulloheshin në atmosferë për të kapluar kështu gjithë vëmendjen e të pranishmëve ndaj vijës melodike sa të butë e të lehtë aq edhe intime.

Ndërkaq, kitara e cila ishte shndërruar në një trup të dytë në skenë krahas kitaristit, ishte ajo që mori vështrime ziliqare. E bukur në pamje, por madhështore në ndezjen e saj, ajo kaploi çdo shpirt të pranishëm nën vorbullën e saj magjike. E interpretimi mahnitës nga kitaristi Xhaferi bëri që pjesa e parë e kësaj mbrëmjeje të jehojë në plot katër muret e vendit dhe jo vetëm.

Gishtërinjtë mbi kitarë dukeshin se kishin marrë një elektrizim të tyrin i cili të jepte ndjenjën se nuk do të kishte fund. Që nga fillimi e deri në përfundim, ata nuk pushonin lëvizjet e tyre precize të kontrolluara nga vetë kitaristi. Ndërsa, ishin vetë shprehjet e fytyrës së tij dhe luhatjet e lehta trupore të cilat dëshmonin për një pasion të zjarrtë për muzikën xhaz. Përgjatë gjithë natës, ti nuk mund të definoje se kush kënd e kishte kapluar në një rënkim melodish. Kitara kitaristin apo e kundërta.

Gjithashtu, pjesa e dytë solli pianistin Arben Ramadani për një rikthim të fuqishëm në skenën shqiptare. Pas rreth shtatë vitesh, ai përsëri shkeli skenën shqiptare dhe e pushtoi atë me një interpretim të pashoq në piano. Prezenca e tij skenike dhe ndryshe nga të gjithë interpretuesit e tjerë, po tregonte për një talent që rrallëherë e gjejmë në mesin tonë. Pianoja përballë tij dhe ai përballë pianos, ishte një dyshe e mrekullueshme që qysh në sekondën e parë tërhoqi dëgjuesin e pranishëm pas vijës melodike.

Meloditë e pastra që vinin ëmbëlsisht nga instrumenti gjigand arrinin të hynin lehtazi përbrenda shpirtit të gjithsecilit. Me një kompleks tingullor, pianisti interpretoi vepra të cilat erdhën krejtësisht ndryshe nga që e prisnim. Introverte në thelb, por aq të fuqishme në atmosferë, veprat e performuara sollën një koncert pianistik që asnjëherë nuk është shfaqur më parë. Nata e mbrëmshme dukshëm la përshtypje të jashtëzakonshme tek publiku kosovar dhe kjo vërehej më së miri edhe atëherë kur të gjithë sytë e pranishëm nuk po largoheshin aspak nga skena e cila ishte e dekoruar me lule shumëngjyrëshe të cilat njëlloj portretizonin llojllojshmërinë e tingujve dhe melodive që buronin nga pianoja.

Eleganca e pianistit Arben Ramadani nuk erdhi vetëm nëpërmjet qëndrimit të tij skenik, ajo u shfaq dhe në lojën e tij pianistike. Vija e tij melodike që posedonte një qartësi të paparë po e fuste publikun në një drithërimë sa të lehtë aq edhe frymëzuese. Karakteristik në lëvizjet e tij, pianisti zotëronte një teknikë autentike të vetën, gjë kjo që të gjithë sallën e shndërroi në pronësinë e tij muzikale. Me sy e vesh drejt skenës, të pranishmit u magjepsën pas jo vetëm instrumentit bardh e zi, por edhe pas pianistit që këtë instrument e bënte të dukej i vogël në krahasim me talentin e tij.

“Chopin Piano Fest” po vazhdon që edhe në natën e pestë të tij të dëshmoj një kapacitet të lartë të profesionistëve kosovarë në muzikë, për të cilët publiku dukej se ishte i etur për t’i parë e dëgjuar.

Kështu, krejt në fund, vepra e cila përmbylli natën në mënyrë fenomenale ishte kënga “Martesa jonë”. Kjo këngë e dëgjuar sa e sa herë përmes zërave më të njohur shqiptarë, mbrëmë erdhi nga dueti unik i pianistit Ramadani dhe kitaristit Xhaferi. Interpretimi i tyre aq i afërt me njëri-tjetrin erdhi në një nivel që se kishim dëgjuar e parë më herët. Një emocion i rrallë në skenë u ngjall nga kjo dyshe e cila gërshetoi pianon dhe kitarën në një këngë shqipe që shënoi fundin e kësaj mbrëmje madhështore.

Ky koncert në thelb përmbante disa vepra popullore dhe “Nokturna” të kompozitorit Frédéric Chopin, në fakt nuk kishte një përmbajtje të saktë të programit, për arsye se dyshja me dëshirën e tyre sollën improvizime në vepra të ndryshme të xhazit. Kjo ndodhi me qëllim që gjithçka të ishte spontane jo vetëm në skenë por edhe në muzikë. Kjo padyshim që solli një koncert tejet unik, duke filluar nga vetë programi që ishte i titulluar “The story of Arben” dhe “The story of Armend”. Ndërsa vetë koncerti erdhi në emërtimin “Pa kornizë”, një emërtim ky i saktë për këtë mbrëmje që me të vërtetë doli përtej limitit dhe solli një interpretim shpirtëror dhe tejet personal të vetë instrumentistëve.

Pas këtyre perfomancave të shumta ku secila erdhi në një frymë ndryshe, ishin duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta ato të cilat u bënë pjesë kyçe në hapësirën e publikut i cili u ngrit në këmbë dhe vazhdonte të falënderonte të dy instrumentistët.

Për të treguar më shumë rreth natës së mbrëmshme, për KultPlus foli dirigjenti Edon Ramadani i cili e vlerësoi lartë këtë dyshe.

“Kjo është diçka e re përbrenda festivalit. Është diçka shumë e bukur sepse edhe unë shpesh kam eksperimentuar dhe jam adhurues i të dy zhanreve, klasikes dhe xhazit. Arbeni është një pianist shumë i veçantë duke marrë parasysh se në interpretimin e tij ka edhe shumë ngjyrime të impresionizmit dhe klasicizmit. Ai është edhe një njohës shumë i mirë i polifonisë së barokut dhe të gjitha këto ai i shfrytëzon shumë bukur dhe krijon një stil unik të vetes si xhaz pianist”, thotë Ramadani.

Sipas tij, publiku kosovar e mirëpret shumë mirë muzikën xhaz dhe natyrisht është shumë i etur për të dëgjuar këtë zhanër në mungesë të koncerteve dhe festivaleve xhaz.

Ndërkaq pianisti Arben Ramadani për KultPlus tregoi emocionet e tij për një rikthim në vendin e tij si dhe bashkëpunimin me kitaristin.

“Është shumë emocionues rikthimi pas shumë viteve në një vend ku unë kam lind dhe kam performuar në prani të audiencës shqiptare. Unë ende e ndjej veten këtu dhe jam i lidhur në njëfarë mënyre mistike me këtë vend. Andaj, ky ka qenë rast shumë i qëlluar. Ne me Armendin kemi ushtruar dje dhe menjëherë kishim një interaksion të paparë me të në muzikë”, thotë ai.

Arbeni tregoi tutje se programi ka qenë jo i planifikuar por një improvizim i hapur, gjithmonë duke u bazuar në disa shtylla.

Po ashtu, kitaristi Armend Xhaferi për KultPlus shpalosi përshtypjet e tij pas një koncerti të tillë.

“Kjo është hera e parë që po marr pjesë në një festival të muzikës klasike. Ishte një kënaqësi e madhe për të performuar me Arbenin sepse kemi pasur dëshirë qysh herët që të performojmë së bashku. Kryesisht ideja ishte që të mos shkojmë me muzikë të përgatitur që në njëfarë mënyre të nxjerrim muzikën që na është mbledhur në shpirt tash e sa vite. Donim që muzika të dilte spontanisht”, thotë Xhaferi i cili tutje tregoi se kjo është hera e parë që ata të dy interpretojnë së bashku në një koncert.

Chopin Piano Fest’ gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 10 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e gjashtë e këtij festivali vjen më datë 20 maj ku do të interpretojë pianisti gjerman, Florian Uhlig në një mbrëmje “Piano Recital” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com