Presidenti grek vlerëson punën e artistit shqiptar

Artisti shqiptar, Defrim Kristo Hasa është vlerësuar për punën e tij artistike dhe kontributin e dhënë në komunitetin e qytetit grek Amaliada, përcjellë KultPlus.

Pas mbarimit të liceut artistik “Jordan Misja”, Hasa u vendos në Greqi ku jeton prej 27 vitesh. Ai është angazhuar në fushën e mësimdhënies, ku prej 15 vitesh jep mësime pikture në këtë qytet.

Artisti shqiptar ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Së fundmi, ai ishte pjesë e ekspozitës në muzeun e Luvrit në Paris, ku morën pjesë 1108 piktorë nga e gjithë bota.

Hasa, gjithashtu, ka realizuar edhe një portret të presidentit grek. / KultPlus.com

Josef Kote, artisti shqiptar që mahnit publikun amerikan me pikturat shumëngjyrëshe

Jeta Zymberi

Artisti shqiptar Josef Kote është një ndër emrat më të shquar të artit në Amerikë, por ai gjithçka e nisi nga qyteti i Vlorës ku vazhdoi tutje udhëtimin e gjatë të eksplorimit, eksperimentimit dhe emocioneve artistike. Si fëmijë ai kishte dy pasione; pikturën dhe muzikën, natyrisht piktura ishte pasioni i tij më i fortë që më pas ju dedikua tërësisht, shkruan KultPlus.

“Fillimisht konkurrova në Vlorë, dhe më pas në Tiranë që të studioja në Liceun Artistik, Jordan Misja. I fitova të dyja konkurset dhe në moshën 14- vjeçare u largova nga shtëpia e prindërve të filloja rrugën time si artist”, nis të tregojë Kote për KultPlus.

“Mbas liceut, konkurrova përsëri dhe vazhdova studimet për katër vjet të tjera në Akademinë e Arteve. U diplomova për pikturë dhe skenografi. Në vitin e fundit të Akademisë punova në Kinostudion Shqiptare, dhe realizova një film të shkurtër vizatimor ‘’Lisi’’. Mbas shkollës, u emërova si skenograf në teatrin e Vlorës ku punova për një periudhë relativisht të shkurtër mbasi u largova në Greqi të vazhdoja karrierën si artist”.

Ka pothuajse tri dekada që është larguar nga Shqipëria dhe jeton në Amerikë. Udhëtimet nga zhvendosjet nga Greqia në Toronto, dhe më në fund në New York, kanë pasur një impakt të madh në krijimtarinë e tij artistike. “Rrugë e gjatë… gjithmonë në kërkim dhe eksperimentim që të gjeja veten time kudo që shkova”, thotë Kote.

New York është një nga qendrat më të rëndësishme në botë përsa i përket artit, me mijëra artistë nga gjithë bota shkojnë vazhdimisht në kërkim të realizimit të ëndrrës së tyre dhe si i tillë, është shumë e lehte të humbasësh nëse nuk je i veçantë. Por, Kote falë talentit dhe veçantisë së tij në punime arriti ta kalonte këtë pjesë pa problem.

“Gjatë periudhës që jetova dhe punova në Toronto, krijova një koleksion të madh pikturash dhe mund të them se ajo ishte faza paraprake që më përgatiti për në New York. Pra isha i ndërgjegjshëm që duhet të tregoja individualitet të veçantë në pikturë në mënyrë që të futesha në tregun e artit amerikan dhe menjëherë fillova punën për prezantimin e parë.”

Ekspozita e parë që e realizoi në New York, ishte momenti më vendimtar për karrierën e tij sepse aty mori kritika të mira nga ana profesionale.

“Nga aty, ndryshova natyrën e punës që bëja më parë dhe më në fund fillova të krijoja atë që kisha eksperimentuar për kohë të gjatë. Ky ndryshim ishte i domosdoshëm për mua që të mund të shpërtheja ndjenjat që kisha brenda vetes dhe që më kishin munduar për kohë të gjatë. Ekspozita ishte tepër e suksesshme. Shumë shpejtë mbas kësaj ekspozite, galeritë dhe publiku amerikan vlerësuan artin tim dhe më kanë mbështetur në një mënyrë të mrekullueshme.”

I pyetur nga KultPlus se si e definon artin e tij, Kote thotë se nuk dëshiron ta përkufizojë se çfarë lloj artisti është. Ai thotë se çdo artist bën artin që i përshtatet temperamentit të tij.

“Në shkollë u trajnova si akademik, por mund të them se qysh në vitet e shkollës kam pasur tendenca abstraksioniste. Realizmi nuk ishte një opsion për natyrën time; thjeshtë nuk më krijonte emocione të forta të cilat të më mbanin për periudhë të gjatë. Realizmi më përkufizonte të shprehja në mënyrë ekspresive ndjenjat e mia. Nuk dua të keqkuptohem, kam admirim të madh për piktorët që punojnë në mënyrë hyperealiste; sepse duhet të kesh mjeshtëri dhe durim të krijosh por arti është tepër personal dhe mendoj se çdo artist bën artin që i përshtatet temperamentit të tij.”

Duke qenë se ka ushtruar profesionin e pikturës për më shumë se 30- vite, në krijimtarinë e tij kanë ndodhur transformime të ndryshme të cilat kanë qenë të lidhura me vendin ku ka jetuar, me eksperienca dhe horizonte të ndryshme.

“Gjatë gjithë kohës, brenda vetes kam pasur shqetësim artistik të krijoja diçka që të më mbushte plotësisht, diçka që të ishte e imja; të krijoja një stil që të reflektonte personalitetin dhe ndjenjat e mia. Në mënyrë tepër organike dhe graduale fillova të inkorporoja brenda realizmit abstrakten duke ndjekur vizionin dhe ndjenjat e mia. Në këtë fazë të karrierës time e ndiej se kam arritur të kem individualitetin tim duke krijuar punë të cilat kanë balancë të mirë të realizmit me elemente abstrakte. Për mua si artist është e rëndësishme të mbajë realiste vetëm atë pjesë që më intereson duke e shkatërruar pjesën tjetër.”

Abstraktja ia jep lirinë të luaj me ngjyrat, format dhe materialin që përdorë duke thyer rregullat e realizmit në një lloj mënyre. Sipas artistit, është një balancë shumë sensitive, duhet të dish çfarë të lësh dhe çfarë të mbash që kompozimi të qëndrojë.

Për të arritur në pikën ku sot është, natyrisht nuk ka qenë e lehtë, ka punuar me mijëra orë duke eksperimentuar, një dedikim i plotë që të mund të krijonte stilin dhe teknikën që sot ka e të cilat vazhdojnë të evoluojnë në mënyrë tepër organike.

Pikturat e Josefit të rrëmbejnë qysh në shikim të parë e të fusin në një ëndërr të bukur. Por, i gjithë ky art buron nga shpirti i madh i artistit që mbushet çdo ditë plot inspirim nga bota që e rrethon.

“Puna ime është shprehje vizuale e vetës time, kush jam unë dhe çfarë unë mendoj për botën rreth meje e cila është burimi nga unë marrë emocionet që më pas i transferoj në pikturë. Ka kaq shumë gjëra në botë që më zgjojnë interes – natyra, arkitektura, njerëzit, muzika…”

Së sa ka ndikuar jeta e tij në Shqipëri për formimin artistik, Kote thotë se pikërisht ajo periudhë e ka formuar për artistin që është sot.

“Mendoj se katër vitet e para të liceut (periudhë në të cilën unë isha adoleshent) më ndihmuan të formohesha me një disiplinë akademike dhe të rritesha në një ambient mjaft konkurrues. Megjithëse isha i talentuar dhe kisha një dedikim të plotë në pikturë, mendoj se ato 8 vite studime më dhanë bazat për artistin që jam sot.”

Arti i Josef Kotës është përqafuar nga entuziastë të artit në gjithë botën. Koleksionistë dhe entuziastë të arriti e mbështesin gjatë gjithë kohës artistin shqiptar dhe gjejnë kënaqësi në atë se çfarë ai krijon dhe kjo padyshim që e frymëzon të krijojë punë gjithnjë e më të mira.

Josef, tashmë është edhe autor i shumë ekspozitave. Në Amerikë ka disa galeri që ekspozojnë punët e tij gjatë gjithë vitit. Zakonisht ai punon për 3- 4 ekspozita personale në vit.

“Është një punë tepër intensive, por siç thashë edhe më lartë, piktura është frymëmarrja ime dhe më jep satisfaksione të mëdha shpirtërore. Jam gjithmonë në kërkim se çfarë do të krijoj nga ekspozita në ekspozitë. Mendoj se rruga e artit në një lloj mënyre është një konkurs pambarim që kërkon dedikim dhe sakrificë.”

Artisti shqiptar tash është në përgatitje të dy ekspozitave personale. Më datë 8 gusht një e tillë do të prezantohet në New Jersey. “Kam punuar intensivisht për këtë ekspozitë të krijoja një koleksion pikturash me tematikë detin dhe art figurativ. Duke punuar për ekspozitën e quajtur ‘’Leeting Go’’ isha në një moment që doja të krijoja punë që transmetonin qetësi, paqe, dhe besoj se arrita të realizojë atë çfarë kërkova.”

Por, menjëherë pas këtij prezantimi, Koten e prej një tjetër ekspozitë. Në shtator ai hapë një të tillë në Atlanta për të cilën gjithashtu është duke punuar.

I pyetur nga ne, nëse një ekspozitë të tillë mendon ta hapë edhe në Shqipëri, ai përgjigjet: Pa dyshim, dëshiroj të bëjë një ekspozitë atje në mënyrë që edhe publiku shqiptar të ketë mundësi të shikojë punimet e mia dhe unë të kem mundësi të shikojë reagimin e tyre.”

Kote beson se për çdo artist suksesi më i madh është atëherë kur publiku dallon veprat e tij midis mijëra pikturave që qarkullojnë sot në internet, media sociale etj.

“Në rastin tim, mendoj se kjo ka qenë një arritje e madhe për mua. Përsa i përket vazhdimësisë time artistike – do vazhdojë të pikturojë dhe të eksperimentojë. Amullia është gjëja që më shqetëson si artist, atëherë dhe vetëm atëherë është vdekja e artistit nga pikëpamja artistike dhe shpirtërore (mendimi im)  prandaj gjithmonë jam në fazë eksperimentimi sepse dua të befasoj vetën, pastaj publikun”, thotë Kote duke përmbyllur kështu intervistën me KultPlus.

E ardhmja e ndritshme e artit të Kotes pritet të prekë dhe shumë e shumë vende të tjera të botës, por urojmë të vijë për një natë në vendin ku gjithçka nisi e të përqafohet me publikun shqiptar të cilët e presin me padurim botën shumëngjyrëshe të Kotes. / KultPlus.com