Përkujtohet në ditën e lindjes “Artisti i Popullit” Kadri Roshi

Përkujtohet sot në ditën e lindjes, aktori i dashur për publikun, Kadri Roshi. Më 4 janar 1924 lindi figura e mirënjohur e kinematografisë dhe e skenës shqiptare, Kadri Roshi.

Roshi lindi në Ballsh të Mallakastrës në një familje me prejardhje nga Libohova. Aktori përjetoi një vogëli të trazuar, pasi humbi të ëmën në moshën 2-vjeçare dhe mbeti jetim dhjetë vjet më vonë, kur vdiq edhe i ati.

Karriera e tij si aktor nisi në moshën 21-vjeçare në skenën e Teatrit Popullor. Në vitin 1951 përfundoi edukimin universitar në Pragë. Me t’u kthyer në atdhe, Roshi interpretoi rolet e para në Teatrin Kombëtar.

Përllogaritet se aktori ka luajtur rreth 180 role në skenë dhe në kinematografi, duke lënë në kujtesën e teleshikuesve dhe të spektatorëve një portret të pashlyeshëm. Rolet e tij variojnë nga skllavi Ezop tek kujdestari i “Lulëkuqe mbi mure”, si edhe nga mbrojtësi i thekshëm i gjuhës shqipe në Rilindje deri tek plaku Mere.

Disa prodhime të tjera filmike ku Roshi ka mishëruar role protagoniste, janë: “Vdekja e burrit” (1991), “Apasionata” (1983), “Partizani i vogël Velo” (1980), “Ballë për ballë” (1979), “Gjeneral gramafoni” (1978), “Njeriu me top” (1977), “Fije që priten” (1976), “Përballimi” (1976), “Malet me blerim mbuluar” (1971) dhe “I teti në bronz” (1970).

Për kontributin e dhënë në artin e fjalës dhe të interpretimit, Kadri Roshi u nderua me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik të vitit 1995, me Çmimin e Madh të Nderit në vitin 1997 dhe iu akordua vlerësimi “Nderi i Kombit” në vitin 1999. /atsh / KultPlus.com

Përkujtohet “Artisti i Popullit” Loro Kovaçi

Sot arti dramatik përkujton një ndër figurat më të rëndësishme të tij, Loro Kovaçi.

Ai ishte njëri prej aktorëve që krijuan institucionet artistike shqiptare, ndaj figura dhe emri i tij kanë për tu kujtuar përherë për shkak se bërën historinë e artit dramatik. Ai lindi më 30 gusht të vitit 1903 në Shkodër.

Pasi përfundoj arsimin bazë në vendlindje ai shkon në Austri për të studiuar zanatin e rrobaqepësit çka I erdhi në ndihmë edhe më vonë në profesionin e aktorit. Karrierën e tij e nisi si aktor amator me trupat “Rozava”,”Vllaznia” Ku do të inter[pretonte mbi 100 rrole. Roli me të cilin ai spikati dhe u bë shumë I dashur për publikun ishte ai I Skënderbeut në shfaqen “Kthimi I Gjergj Kastriot Skënderbeut në Krujë”

Pas çlirimit të vendit nga lufta e dytë botërore Loro Kovaçi bëhet pjesë e trupës profesioniste e Teatrit Popullor dhe karriera e tij do të vinte në ngritje e sipër për shkak të interpretimeve të shumë rroleve që do të kryente. Me trupën profesioniste të teatrit aika interpretuar mbi 70 rrole të rëndësishme.

Disa nga interpretimet e tij më të mira janë në vepra si “Vajza me flokë të thinjura”, “Besa”, “Zëri i Amerikës”, “Në tufan”, “Revizori”, “Otello”, “Intrigë e Dashuri” e shumë të tjera. Në kinematografi gjithashtu ka dhënë një kontribut të madh në filmat, “Fëmijët e saj”, “Debatik”, “Furtuna”, “Detyrë e posaçme” etj.

Për shkak të cilësive si aktor dhe kontributit të tij të madh ai u vlerësua edhe me titullin “Artist i Popullit”. Loro Kovaçi u nda nga jeta më 16 korrik të vitit 1966 në Tiranë. /atsh/KultPlus.com

Ndrek Luca, malësori nga Dukagjini që e shndërroi në kult artin skenik

Sot bëhen 93 vjet nga lindja e Ndrek Lucës, Artistit të Popullit, shkruan KultPlus.

Në kinematografi roli i tij i parë do të jetë ai i Tomorrit në filmin “Detyrë e posaçme” në vitin 1963. Më tej do të vazhdonin më se 30 role ndër më të spikaturat këtu mund të përmendim rolin e Dom Palit në filmin “Komisari i Dritës”, rolin e Kapter Rahmiut në filmin “Duel i heshtur” , rolin e Gjinit në filmin “Plagë të vjetra”, rolin e Pjetër Mustaqekuqit në filmin “Operazioni Zjarri”, rolin e Ndrios në filmin televiziv “ Udha e shkronjave” etj.

Të shumta kanë qenë Medaljet dhe Çmimet që ai ka marrë gjatë karrierës së tij. Kështu për rolin e Gani Herrit në filmin e “Rrugicat që kërkonin diell” ai do të vlerësohej me Çmimin e I-rë dhe me Medaljonin e Festivalit në Festivalin e I-rë të Filmit Shqiptar të mbajtur nga data 5 deri në 11 prill të vitit 1976 në Tiranë.

Për rolin e Mark Sokolit në filmin televiziv “Flaka e Maleve” ai do të vlerësohet me Medaljonin e Festivalit në Festivalin e V-të të Filmit Shqiptar të mbajtur nga data 19 deri në datën 23 prill të vitit 1983 në Tiranë.

‘Nuk ishte malësori i ashpër që ecte me mentalitetin e kohës, por megjithatë Dukagjinin e kishte të ngulitur thellë në mendje dhe zemër. “Ndreka ka lindur në thelb të varfërisë materiale. Ka lindur në Dukagjin, e më pas ka zbritur në Shkodër”, thotë gruaja e tij, Mimika, duke shtuar se Ndreka gjithmonë ka ndier një detyrim shpirtëror ndaj prejardhjes së tij. “Njerëzit e veriut e kanë pasur derën të hapur dhe rrinin me ditë në shtëpinë tonë, aq sa edhe sot djali, Gjergji, thotë se është dukagjinas”, thuhet për aktorin në një shkrim të Albert Vatës. / KultPlus.com