Ndrek Luca, malësori nga Dukagjini që e shndërroi në kult artin skenik

Sot bëhen 93 vjet nga lindja e Ndrek Lucës, Artistit të Popullit, shkruan KultPlus.

Në kinematografi roli i tij i parë do të jetë ai i Tomorrit në filmin “Detyrë e posaçme” në vitin 1963. Më tej do të vazhdonin më se 30 role ndër më të spikaturat këtu mund të përmendim rolin e Dom Palit në filmin “Komisari i Dritës”, rolin e Kapter Rahmiut në filmin “Duel i heshtur” , rolin e Gjinit në filmin “Plagë të vjetra”, rolin e Pjetër Mustaqekuqit në filmin “Operazioni Zjarri”, rolin e Ndrios në filmin televiziv “ Udha e shkronjave” etj.

Të shumta kanë qenë Medaljet dhe Çmimet që ai ka marrë gjatë karrierës së tij. Kështu për rolin e Gani Herrit në filmin e “Rrugicat që kërkonin diell” ai do të vlerësohej me Çmimin e I-rë dhe me Medaljonin e Festivalit në Festivalin e I-rë të Filmit Shqiptar të mbajtur nga data 5 deri në 11 prill të vitit 1976 në Tiranë.

Për rolin e Mark Sokolit në filmin televiziv “Flaka e Maleve” ai do të vlerësohet me Medaljonin e Festivalit në Festivalin e V-të të Filmit Shqiptar të mbajtur nga data 19 deri në datën 23 prill të vitit 1983 në Tiranë.

‘Nuk ishte malësori i ashpër që ecte me mentalitetin e kohës, por megjithatë Dukagjinin e kishte të ngulitur thellë në mendje dhe zemër. “Ndreka ka lindur në thelb të varfërisë materiale. Ka lindur në Dukagjin, e më pas ka zbritur në Shkodër”, thotë gruaja e tij, Mimika, duke shtuar se Ndreka gjithmonë ka ndier një detyrim shpirtëror ndaj prejardhjes së tij. “Njerëzit e veriut e kanë pasur derën të hapur dhe rrinin me ditë në shtëpinë tonë, aq sa edhe sot djali, Gjergji, thotë se është dukagjinas”, thuhet për aktorin në një shkrim të Albert Vatës. / KultPlus.com