‘Nderi i Kombit’ dhe ‘Artisti i Popullit’ Kadri Roshi, do të ishte sot 96 vjeç

Lindi në në 4 janar 1924 në Ballsh. Pas fëmijërie të vështirë (humbi nënën në moshën 4-vjeçare dhe babain kur ishte 12) duke punuar në qytete të ndryshme të Shqipërisë, kontaktin e parë me artin skenik e pati në vitin 1945, kur u pranua në shkollën e sapo-hapur të arteve në Tiranë.

Vijoi 2 vjet studime në Jugosllavi dhe 2 të tjera në Çekosllovaki.

Pas shkollës u kthye në Tiranë dhe filloi punën në Teatrin Kombëtar, skenë ku do t’i dhuronte art publikut shqiptar përgjatë gjithë jetës së tij.

Me mbi 30 role në ekran dhe mbi 100 në skenën e teatrit, kujtojmë gjigandin e skenës dhe ekranit shqiptar, që la në memorien kolektive të shqiptarëve personazhe të jashtëzakonshëm, nga skllavi Ezop te kujdestari i pashpirtë i jetimëve, luftëtari për gjuhën shqipe në Rilindje te spekulanti i grurit dhe plaku Mere, dashnori i refuzuar nga Tana dhe Parandili i varfër apo babai i drejtë në Rrethimin e vogël.

Ai la pas artin e mrekullueshëm të fjalës dhe mbeti i pavdekshëm.

I martuar me aktoren gjakovare Drita Taho, Kadri Roshi ka lënë pas 2 fëmijët Ermirën dhe Klitin./ KultPlus.com

Sot 94 vjetori i lindjes së Kadri Roshit (FOTO)

Më 4 janar të vitit 1924, kishte lindur aktori i madh shqiptar Kadri Roshi, shkruan KultPlus.

Sot, Roshi ka 94 vjetorin e lindjes ndërsa Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, zgjodhi që ta përkujtoj me disa fjalë e disa fotografi.

Kadri Roshi vdiq më 6 shkurt të vitit 2007.

Po sjellim të plotë shkrimin nga Ministria e Kulturës:

“Përkujtojmë sot me respekt dhe nderim 94-vjetorin e lindjes së aktorit Kadri Roshi, “Artist i Popullit”, Ezopi shqiptar, apo “Patriarku i fjalës së kënduar shqipe” si e ka cilësuar poeti Dritëro Agolli-Fjala në gojën e tij sjell tingullin e zileve të këmboreve të Malit të Nemërçkës, Malit të Gjerë, të kengës polifonike, apo rrjedhës se lumenjve.

Jo vetëm aktor brilant, por edhe një njohës i shkëlqyer i historisë, politikës, gjeografisë, apo ekonomisë botërore. Këto njohuri i konsideronte të domosdoshme në interpretimin e roleve të veta. Pasionant i duhanit dhe peshkimit. Besonte se për të qenë i suksesshëm duhej më shumë punë dhe pak talent. U nda nga jeta me dëshirën dhe ëndrrën për të jetuar me skenën.

“Të gjitha rolet që nuk i kam luajtur i kam pengje. Kështu e ka jeta e aktorit”.

Jetoi me skenën dhe kinemanë dhe na solli një portret që mbeti i dashur në celuloid, me qindra role dhe personazhe duke na dhuruar Artin e bukur të fjalës. Dhe mbeti i dashuruar me vendin e tij: “Unë jam shqiptar. Jam aktor shqiptar nga koka tek këmbët, nga këmbët tek koka dhe për këtë krenohem””, thuhet në shkrimin nga Ministria e Kulturës./ KultPlus.com