198 vite nga lindja e poliglotit, shkrimtarit dhe publicistit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Pashko Vasës

Sot janë bërë 198 vite nga lindja e shkrimtarit, poetit, poliglotit dhe publicistit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Pashko Vasës, shkruan KultPlus.

Pashko Vasa u lind në Shkodër më 17 shtator 1825 dhe ishte i biri Mhill (Hilë) Gjokë Vasës dhe Drande Gjergjes.

Mësimet e para i kreu në vendlindje. Më pas shërbeu si sekretar i konsulatës britanike nga 1842 deri më 1847, ku pati mundësinë të përmirësojë dijet e tij dhe të zhvillohej si poliglot (njohës i shumë gjuhëve të huaja) në italisht, frëngjisht, turqisht dhe greqisht. Ai poashtu kishte njohuri në anglisht e serbisht dhe më vonë mësoi edhe arabishten.

Së bashku me figura të tjera kombëtare në Stamboll, si Hoxhë Hasan Tahsini, Jani Vreto dhe Sami Frashëri, ai luajti rol në krijimin e një alfabeti të shqipes dhe, lidhur me këtë, botoi një broshurë 16 faqesh me titull «L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise». Ishte anëtar i Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip.

Ai qe pjesë e parisë së bashkësisë shqiptare në Stamboll në mbështetje të Lidhjes së Prizrenit, më 20 qershor 1878 qe firma e parë në një memorandum dërguar ministrit të Punëve të Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze, kontit Andrassy. Në memorandum i luteshin që të kishin parasysh të drejtat shqiptare. Pjesë nga memorandumi ku kërkohej përparimi i synimeve kombëtare:

«[…] Populli shqiptar i frymzuem prej traditave dhe interesave të tij do dhe dëshiron, të jetojë në gjinin e perandorís nën skeptrin e Madhnis së Ti Sulltanit dhe nuk pranon në asnji mënyrë që të jetë i damë prej saj. Mbas vendimeve të Shin Stefanit, mënyra e administrimit të mbrendshëm do të ndryshojë e në kët rasë populli shqiptar pa i cënue të drejtat e përjetshme të sovranitetit të Madhnis së Tij Sulltanit kërkon që të formohet për kët qëllim nji komision i përbâmë prej Shqiptarësh, i cili nën mbrojtje e Ti të naltë dhe me pëlqimin e Portës së Naltë të studiojë formën e përshtatshme dhe të ndalojë institucionet e reja lokale duke u a përshtat karakterit, zakoneve dhe nevojave të vendit. […]»

Pashko Vasa vdiq në Bejrut, më 29 qershor 1892.

Më 1978, me rastin e një qind vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, eshtrat e tij u atdhesuan dhe tani prehen në varrezat e dëshmorëve të Shkodrës./KultPlus.com

184 vite nga lindja e ideologut të Rilindjes Kombëtare, Abdyl Frashërit

29 gushti, shënon 184 vjetorin e lindjes së atdhetarit shqiptar,Abdyl Frashërit, shkruan KultPlus.

Abdyl Frashëri ishte ideolog e atdhetar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare si dhe një nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lindi më 29 Gusht 1839 në fshatin Frashër të Përmetit. Gjatë Krizës Lindore të viteve ’70 të shekullit XIX u shqua si personalitet politik.

Ishte i biri i Halit beut dhe Emine hanëmit. Nga i ati ishin pasardhës timarlinjsh me prejardhje nga Berati që më vonë u njohën si Dulellarët, ndërsa familja e së ëmës qenë pinjoj të Iljaz bej Mirahori

Ai u shqua si personalitet politik qysh më 1877, sapo u duk se Kriza Lindore po rrezikonte trojet shqiptare.

Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës që u formua po atë vit, hartoi projektin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me anën e kryengritjes çlirimtare antiosmane.

Në fund të vitit 1877, Abdyl Frashëri u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll (Komiteti i Stambollit).

Sipas tij zgjidhja më e përshtatshme (ne përkohëshme) ishte krijimi i një shteti autonom shqiptar nën suzerenitetin e sulltanit ose, të paktën, krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane, i cili, po të realizohej, do të sanksiononte kufijtë etnikë të Shqipërisë dhe të drejtat kulturore të shqiptarëve.

Abdyl Frashëri ishte një nga aktivistët kryesorë për mbajtjen e Kuvendit të Prizrenit në vitin 1878. Ai u ngarkua nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për të mbrojtur çështjen shqiptare pranë qeverive të Fuqive të Mëdha. A. Frashëri mori pjesë në kuvendet e Dibrës, Prevezës dhe Gjirokastrës. Në janar të vitit 1881, u zgjodh anëtar i qeverisë së përkohshme të drejtuar nga Ymer Prizreni.

Autoritetet osmane e arrestuan dhe e dënuan me vdekje, dënim që u kthye më pas në burgim të përjetshëm. 

Vdiq në Stamboll më 23 Tetor 1892. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë në vitin 1978, me rastin e 100 vjetorit të formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. / KultPlus.com

184 vite nga lindja e ideologut të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Abdyl Frashërit

Sot, janë bërë 184 vite nga lindja e patriotit të madh shqiptar dhe njërit nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashërit, shkruan Kult Plus.

Abdyl Frashëri (1839-1892) ishte ideolog e atdhetar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare si dhe një nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lindi më 29 Gusht 1839 në fshatin Frashër të Përmetit. Gjatë Krizës Lindore të viteve ’70 të shekullit XIX u shqua si personalitet politik.

Në vitin 1877, Abdyl Frashëri u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare që u formua në Stamboll si dhe ishte kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës. Pas thyerjes së ushtrisë osmane nga ushtria ruse në vitin 1878 dhe nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit, A. Frashëri shtroi tezën se në kushtet e krijuara për shqiptarët, zgjidhja më e drejtë për interesat e tyre kombëtare ishte krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadër të Perandorisë Osmane.

Abdyl Frashëri ishte një nga aktivistët kryesorë për mbajtjen e Kuvendit të Prizrenit në vitin 1878. Ai u ngarkua nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për të mbrojtur çështjen shqiptare pranë qeverive të Fuqive të Mëdha. A. Frashëri mori pjesë në kuvendet e Dibrës, Prevezës dhe Gjirokastrës. Në janar të vitit 1881, u zgjodh anëtar i qeverisë së përkohshme të drejtuar nga Ymer Prizreni.

Autoritetet osmane e arrestuan dhe e dënuan me vdekje, dënim që u kthye më pas në burgim të përjetshëm. 

Vdiq në Stamboll më 23 Tetor 1892. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë në vitin 1978, me rastin e 100 vjetorit të formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. / KultPlus.com

106 vjetori i vdekjes së Çerçiz Topulli, atdhetarit e luftëtarit të shquar

Atdhetar e veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare, udhëheqës i luftës së armatosur të çetave për çlirimin kombëtar të vendit, Hero i Popullit. Çerçiz Topulli lindi në Gjirokastër në vitin 1880, ku rol të madh në formimin e tij luajti vëllai i tij më i madh Bajo Topulli.

Mori pjesë në veprimtarinë e Komitetit “Për lirinë e Shqipërisë” në Gjirokastër. Në thirrjen “Nga malet e Shqipërisë” drejtuar bashkatdhetarëve të tij, botuar në janar 1907 në gazetën “Shpresa e Shqipërisë” Çerçiz Topulli kërkonte që Shqipëria të shkëputej nga Perandoria Osmane dhe të bëhej e pavarur.

Në prill 1907 komandoi çetën e armatosur që vepronte në Shqipërinë e Jugut, e sidomos në krahinat e Gjirokastrës dhe të Korçës. Me vendim të Komitetit të Gjirokastrës, anëtarë të çetës së tij vranë në fillim të marsit 1908 në Gjirokastër komandantin turk të xhandarmërisë.

Çerçiz Topulli drejtoi Luftën e Mashkullorës më 18 mars 1908, si dhe punoi për formimin e klubeve shqiptare dhe për çeljen e shkollave shqipe në viset e ndryshme të vendit. Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 u vu në shërbim të qeverisë së Ismail Qemalit, si dhe luftoi për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut në disa kryengritje të armatosura.

U vra më 15 korrik 1915 në Fushën e Shtoit, në Shkodër, nga forcat e pushtuesve malazeze. / KultPlus.com