223 vite nga lindja e përpiluesit të abetares së parë shqipe, Naum Veqilharxhi

Sot janë bërë 223 vjet nga lindja e rilindasit kombëtar i cili punoi pa rreshtur për çështje atdhetare, Naum Veqilharxhi, shkruan KultPlus.

Ai ishte ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare, një mendimtar i shquar, iluminist dhe veprimtar i shkollës shqipe.

Veqilharxhi lindi në Vithkuq të Korçës, për të kaluar pastaj një pjesë të jetës në Moldavi. Më 1821 mori pjesë në kryengritjen e eteristëve në Rumani kundër pushtuesit osman, bashkë me shqiptarë të kolonisë së atjeshme.

Iu kushtua çështjes së Çlirimit të Shqipërisë, duke u udhëhequr nga ideja themelore iluministe se një popull mund të dalë nga prapambetja vetëm po të shkruajë gjuhën amtare dhe po të përhapen arsimi dhe kultura kombëtare.

Më 1824 nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes me 33 shkronja, të pranueshëm nga të gjithë, për të kapërcyer ndasitë që lidheshin me alfabetet e tjera. Synoi që sistemi shkrimor t’u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes.

Me këtë alfabet botoi më 1844 të parën abetare të shqipes, “Evëtarin”. Abetarja u prit me entuziazëm dhe u përhap në krahinat jugore të Shqipërisë. Për të plotësuar kërkesat e shumta që pati, e ribotoi më 1845 me titullin “Fare i ri Evëtar shqip”, të shoqëruar me një “E parathënme për djemtë e rinj shqiptarë”.

Përgatiti gjithashtu një gramatikë dhe libra e dorëshkrime të tjera që nuk janë ruajtur. Më 1846 hartoi një “Letër qarkore” (enciklikë) greqisht, drejtuar bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri.

Si intelektual i kohës, Veqilharxhi e kuptoi rëndësinë e shkollimit në gjuhën shqipe dhe rrezikun e humbjes identitare nga shkollat e puhtuesve, andaj punoi parreshtur për këtë mision.

Naum Veqilharxhi u përpoq gjithashtu të krijonte një shoqëri kulturore që të bashkonte atdhetarët e tjerë. Vdiq në Stamboll, i helmuar nga Patrikana. Me punën dhe përkushtimin e tij mbeti një figurë e shquar shqiptare, që përherë do të qëndroj tok me përpjekjen kombëtare në historinë e popullit tonë.  / KultPlus.com

Poeti dhe patrioti i Rilindjes Kombëtare, Murad Toptani

Murad bej Toptani ishte atdhetar, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet dhe skulptor shqiptar.

Zotëronte disa gjuhë të huaja si frëngjisht, turqisht, arabisht, gjermanisht dhe italisht.

“Do të ishte një gjë me interes t’i mblidhte njeriu vizatimet bërë prej Muradit dhe t’i botonte”, – shkroi Mid’hat Frashëri në 1924.

Kjo s’ka ndodhur as gati një shekull më vonë. Një bust të Skënderbeut e ka punuar në Napoli më 1898, një në Tiranë në 1917. Më vonë, bustin e Tiranës e riprodhoi në bronz mjeshtri i skulpturës monumentale Odhise Paskali.

Busti i gruas së tij, Asijes, është një nga punimet e tij më cilësore artistikisht, dhe ndër të paktat vepra të tij – figurative apo letrare, që nuk ishte politike.

Karikatura e Murad Toptanit, e titulluar “Premtimet e Anglisë”, është një krijimet e tij më të mprehta. Dy kalorës, me vështrimin përpara, shkojnë drejt fatalitetit shaluar mbi kuaj, kapistallët e të cilëve i tërheq një skelet njeriu nga thellësia e greminës.

Në Arkivin Qendror të Shtetit, në Tiranë, gjendet një fletë broshure, fleta 14, e cila lartëson veprën patriotike të Murad bej Toptanit.

Dokumenti është në gjuhën osmane, në shqip gjendet jo përkthimi, për një shpjegim për përmbajtjen: “Fleta ka një karakter poezije në prozë, ku naltëson veprat patriotike të Murad beut, tue i thanë se ti edhe me të vra me tradhti e me tortura, nuk do të vdesësh, ti me idealin e liris në zemër e me ndjenjat e sakrificës ashtu dhe me vullnetin patriotik do të mbetesh i pavdekshëm e të tjera”.

Përcaktimi i këtij teksti anonim duket se është i saktë, veprimtaria patriotike, më shumë se gjithçka tjetër, ka mundësi të rezultojë më jetëgjati në histori. Përpjekjet për çështjen e kombit shqiptar atij i kushtuan vuajtje e dhimbje, iu desh të kalonte prova të shumta e të bënte sakrifica me çmim të lartë, por, në fund, firma në dokumentin e pavarësisë, në 28 nëntor 1912, i hapi portat e përjetësisë.

“Jetën time ia kam falur Shqipërisë dhe vëllezërve shqiptarë. Sa të kem edhe një pikë gjak do ta derdhë për mëmëdheun e dashur, kudo që të jem, si do që të jetë” Murat Toptani – veprimtar i Rilindjes Kombëtare./KultPlus.com

152 vite nga lindja e Andon Zako Çajupit

Më 27 mars 1866, ka lindur poeti i shquar Andon Zako Çajupi. Ai njihej edhe si dramaturg dhe si një veprimtar i njohur i Rilindjes Kombëtare, shkruan KultPlus.

Çajupi njihet edhe veprimtar patriot dhe demokrat revolucionar shqiptar. Kryevepra e Çajupit “Baba Tomori” e botuar më 1902 është ndarë në katër pjesë: “Atëdheu”, “Dashuria”, “Përrall të vërteta e të rreme” dhe si shtojcë e ka komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër”.
Përveç një varg vjershash dhe fabulash që botoi në Baba Tomori, më 1921 nxori në dritë “Përralla të zgjedhura”: të vjershëtarit të madh La Fontenit, në të cilat, duke u nisur nga kërkesat ideore të shoqërisë shqiptare, rrahu me mjeshtëri çështjet politike, shoqërore, morale etj. të jetës së kohës, satirizoi veset njerëzore dhe shfaqjet negative të shoqërisë me klasa, si grabitjen, mashtrimin, dhunën etj. Më 1922 u botua Lulet e Hindit, përmbledhje me vjersha të poetëve indianë.

Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi zuri vend edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij: Përralle nga e kaluara dhe Pas vdekjes (shkruar më 1910, botuar më 1937), me të cilat solli një ndihmesë me vlerë në zhvillimin e këtij lloji në letërsi. Në komedinë e parë, autori vuri në lojë me një humor të lehtë mentalitetin dhe zakonet prapanike të fshatit shqiptar, të cilin e dha me ngjyra të gjalla e plotë imtësi të goditura jetësore dhe etnografike. Pas vdekjes është një komedi politike, ku me anë të situatave komike të gjetura bukur, përshkroi me sarkazëm dërrmuese portretin e politikanit që bënte lojën e xhonturqve në gjirin e lëvizjes patriotike shqiptare. Penës së Çajupi i përket edhe tragjedia Burri i dheut (botuar më 1937).
Çajupi u mor edhe me përkthime. Përveç një varg vjershash dhe fabulash që botoi në Baba Tomori, më 1921 nxori në dritë “Përralla të zgjedhura”: të vjershëtarit të madh La Fontenit, në të cilat, duke u nisur nga kërkesat ideore të shoqërisë shqiptare, rrahu me mjeshtëri çështjet politike, shoqërore, morale etj. të jetës së kohës, satirizoi veset njerëzore dhe shfaqjet negative të shoqërisë me klasa, si grabitjen, mashtrimin, dhunën etj. Më 1922 u botua Lulet e Hindit, përmbledhje me vjersha të poetëve indianë.

Çajupi është një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të letërsisë përparimtare shqiptare. Me veprat e tij, që shquhen nga patriotizmi luftarak, fryma e spikatur demokratike, karakteri Popullor, spontaniteti dhe realizmi në pasqyrimin e jetës, ai dha një ndihmesë të çmuar në përparimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të letërsisë kombëtare./ KultPlus.com

Personalitete të larta shqiptare në Liban në krye me Vasko Pashë Shkodranin (FOTO)

Pashko Vasa njohur gjithashtu si Vaso Pasha e Vaso Pashë Shkodrani, qe nëpunës i konsullatës britanike në Shkodër, oficer kalorësie në Bolonjë, revolucionar i Risorgimento-s, nëpunës i Perandorisë Osmane dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, shkruan KultPlus.

Së bashku me figura të tjera kombëtare në Stamboll, si Hoxhë Hasan Tahsini, Jani Vreto dhe Sami Frashëri, ai luajti rol në krijimin e një alfabeti të shqipes dhe, lidhur me këtë, botoi një broshurë 16 faqesh me titull «L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise». Ishte anëtar i Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip.

Pasi kreu mësimet e para në vendlindje, shërbeu si sekretar i konsullatës britanike nga 1842 deri më 1847, ku pati mundësinë të përmirësojë dijet e tij në gjuhët e huaja: Italishte, Frëngjishte, Turqishte dhe Greqishte. Gjithashtu kishte njohuri në Anglishte e Serbishte dhe më vonë mësoi edhe Arabishten.
KultPlus ju sjellë një fotografi ku shihet Pashko Vasaj, kjo figurë e shquar shqiptare, e rrethuar me personalitete të tjera të larta shqiptare. Fotografia është shkrepur në Liban./ KultPlus.com