O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka

Poezi nga Naim Frashëri

O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka
Më je nënë, më je motër, më je vlla.
Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je,
Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhé.
Ty përditë të pat parë ime nënë,
Dheu yt në fund atë e pati ngrënë.
Nëmëruar t’i pat lulet syri i saj.
Te ti lindi, te ti vdiq ajo pastaj.
Ti i ke parë gjysh stërgjyshërit e mi,
Edhe eshtërat tretur ua ke po ti.
Nga ti, o shpirt-o kurrë s’qenë ndarë.
Pranë teje patën qeshur, patën qarë.
Nëna ime vdiq, ndaj ty të kam sot nënë,
Nënë që s’ke vdekje kurrë, faqehënë,
Numri prapë në vend mbetet kurdoherë.
Begatoje, o Zot, ti këtë vend!
Epu njerëzve të tij ti mbroth e shend!
Hi u bëfshin gjithmon’ armiqtë e tij!
Gas përjetë paçin zotërit e tij!
I begatë, i lulëzuar qoftë ai,
Një të ardhme pastë plot me lumturi!/KultPlus.com

Botohet vëllimi i IX i veprës se Mit’hat Frashërit, Stërmbesa: Ai e krahasonte gjuhën me një grua

Është botuar vëllimi i 9 i veprës së plotë të Mithant Frashëri, figurës polidrike te kulturës shqiptare dhe emrit kyç të Ballit kombëtar. Libraria, lufta, dashuria e emigracioni përfshihen në këtë vëllim. Duket se Frashëri e parashikoi atë që do të ndodhte:

“Unë edhe sikur të më përzini nga Shqipëria, do të punoj për Shqipërinë. Në përpjekje për bashkimin me lëvizjen nacionalçlirimtare është e njohur marrëveshja e Mukjes dhe përfshirjen e padëshiruar e të imponuar në luftën civile, të udhëhequr ng PK dhe Enver Hoxha që e provokoi, e nisi dhe e përfundoi luftën shkatërrimtare me vendosjen e regjimit komunist dhe ndarjen nga perëndimi demokratik”.

Stërmbesa e Mithat Frashërit, Lorena Frashëri rikujtoi mesazhin e tij për gjuhën shqipe.

“Mithati u bënte thirrje shqiptarë të shkruanin shqip, gjithnjë shqip.
Gjuhë, thoshte ai, është 100 herë më grua se gruaja më e stolisur. Po thërresin për të çelur shkolla, por librat ku i kemi. Po thërresin që të kemi bashkim, po një gjuhë të përbashkët ku e kemi. Duam qytetërim por themelet nuk kemi zënë t’i hedhim”, shkruante ai, tha stërmbesa.

Për një figurë poliedreke si ai, që jeta intelektuale e politike ka qenë më në vëmendje, por përtej saj, jeta e tij personale duket se e shpëtoi nga dëshpërimi

“Këtu botohen disa letra të shoqes së tij të dashur rumune, Anxhela Romano, me shkurtimin Mimi, e cila ankohen se vitet e fundit ai nuk po i shkruante rregullisht. Ajo jetonte me kujtimet e bukura me Mithatin në Rumani, Stamboll e Zvicër, dhe ëndërronte ta takonte në Gjenevë a gjetkë. Dashuria e mbajti gjallë Mithatin në jetën e tij të mundimshme si shërbëtor i përvuajtur i kombit”, tha Lorena Frashëri.
Vëllimi i 9-të nis në dokumente nga letra dhe koha e fundit të mbretërisë, përfshin luftën e dytë Botërore dhe mbërrin te vitet e emigracionit politik./balkanweb/KultPlus.com

‘Fjalët e Qiririt’, poezia madhështore e Naimit

Poezi nga Naim Frashëri

Në mes tuaj kam qëndruar
e jam duke përvëluar,
që t’u ap pakëzë dritë,
natënë t’ua bënj ditë.

do të tretem, të kullohem,
të digjem, të përvëlohem,
që t’u ndrinj mir’ e të shihni,
njëri-tjatërin të njihni.

për ju do të rri të tretem,
asnjë çikë të mos mbetem,
të digjem e të qanj me lot,
se dëshirën s’e duronj dot.

unë zjarrit nuk i druhem
dhe kurrë s’dua të shuhem,
po të digjem me dëshirë,
sa të munt t’u ndrinj më mirë.

kur më shihni se jam tretur,
mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall’ e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,

unë jam në shpirtin tuaj,
mos më kini për të huaj,
m’është falurë durimi,
andaj po digjem si trimi,

se ma k’ënda t’u bënj mirë,
të mos mbeti n’errësirë.
jakëni rreth meje rrini,
flisni, qeshni, hani, pini,

në shpirt kam dashurinë,
pa digjem për njerëzinë,
lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,

dua ta djek trupn’ e kretë
për atë zotn’ e vërtetë.
me zjarr ta djek mushkërinë
e të tretem për njerinë,

bashkë me gëzimt të tija
të vete te perëndia.
unë dua njerëzinë,
mirësin’ e urtësinë.

në bëhi shokë me mua,
në më doni si u dua,
njëri-tjetërin në doni,
të paudhë mos punoni.

o zëmëra fluturake,
qasju pakë kësaj flake!
mase krahët t’i përvëlon,
po dhe shpirtin ta shënjtëron.

unë duke përvëluar,
njerëzit i kam ndrituar.
kam qënë mik me njerinë,
andaj i di e më dinë.

gjithë tuajt’ i kam parë,
mëm’ e at’ e fis e farë,
si tani gjithë i kam ndër mënt,
që rrininë më këtë vënt.

edhe sot nër ju ata shoh,
se shpirtin e tyre ua njoh,
dhe unë si ju jam ndruar
e jam përzjer’ e ndryshuar,

pa jam bërë shumë herë
zjar e uj’ e balt’ e erë.
jam një shkëndijë pej qielli
dhe një drudhëzë pej dielli.

edhe ndër qiej fluturonj,
edhe brënda në det qëndronj,
shumë herë fle në baltë,
diku ndodhem dhe në mjaltë

bënem qëngj e kec i pirë,
lul’ e bar e gjeth i mbirë.
dua shumë fjalë t’u them,
po trëmbem mos i bënj ujem.
e ku shkruhenë në kartë
fjalët’ e gjuhësë zjarrtë? / KultPlus.com

‘Sa e dua gjithë jetën, se atje gjej të vërtetën’

Poezi nga Naim Frashëri

JETA

Sa e dua giithë jetën!
Se atje gienj të vërtetën,
Yjtë, hënën, hapësirën,
Te mugëtit, natën, ditën,
Mëngjeze, diellin, dritën,
Mbrëmjen dh’ atë errësirën;
Natën, kur ësht’ e qetuar
Edhe gjësendi s’dëgionet;
Qiellin kur ësht’ i edruar
E hapësira ndritonet,
A kur hapen herë-herë
Ret’ e zeza sten nd’ere;
Vapën, vjeshtën, dimrin, verën,
Retë, shinë dhe lumenjtë,
Gjëmim, mjergull, Përrenjtë,
Deoren,
bresherin’ e erën’
Malet, fushat edhe brigjet,
Grykat e gukat e shtigjet.
Oshetimën, Pyjet,
drurët’
Shkëmbenjtë, gërxhet’ e gurët,
Lulet, barërat qe mbijnë,
E shpestë që fluturojnë
Edhe këngëra këndojnë
E nëpër dega levrijnë.
Dhe njërin’ e bagëtinë
Dhe giithë E’është

jetë
I dua si Perëndinë,
Se ngado që kthenj sytë,
Shoh atje Zotn’ e vërtetë,
Q’është një e s’ka të dytë./ KultPlus.com

Shqipëri, të qofsha falë, të kam mëmë e më ke djalë…

Poezi nga Naim Frashëri

Shqipëri, o jetëgjatë,
ty të kemi mëmë e atë
dhe për ty do të luftojmë
gjersa të të trashëgojmë.
Për ty të gjithë, ditë dhe natë,
mendohemi gjerë e gjatë,
ti kurrë s’prishesh, s’shkretohesh,
as drobitesh, as rrëgjohesh,
më ke gjithë bukuritë
e tëtëra mirësitë,
ke fusha me lule shumë.
lumenj të mëdhenj pa gjumë,
male të lart’ e të veshura,
buzën e detit të qeshur,
Mëje dritëz në dritë
me të gjitha mirësitë.
……………………………..
Shqipëri, të qofsha falë,
të kam mëmë e më ke djalë./KultPlus.com

‘E ka nderuar Zoti gjithnjë Shqipërinë’

Poezi nga Naim Frashëri

Vëllezër shqipëtarë!
Të prekim urtësinë,
Të zëm’ udhën e mbarë,
Të ngjallim Shqipërinë.

Shqipëria ka qënë
Edhe po do të jetë,
Po sot në ditët tënë
Të metë të mos ketë.

E ka nderuar zoti
Gjithënjë Shqipërinë,
Ish fort mirë qëmoti,
Do bëhet dhe taninë.

Sa ishte trimëria
N’atë kohë të vjetrë,
Kish emrë Shqipëria,
Sa s’kish nonjë vënt tjetrë.

Sa burra kordhëtarë
Ka nxjerrë Shqipëria
Më pastaj e më parë,
Q’i shkruan istoria!

Ajo ish koh’ e zjarrtë
Dhe kish mundime tepër,
Po sot pëndë dhe kartë
Na duhet, nukë tjetër.

O burra, shqipëtarë,
Të marrim dituritë,
Se s’është koh’e parë,
Tani lipsetë dritë.

Të shkruajm’ gjuhën tënë,
Kombinë ta ndritojmë,
Gjithë ç’është e ç’ka qënë
Ngadalëzë ta msojmë.

pa shihni ç’gjuh’ e mirë!
Sa shije ka e hije,
ç’e bukur’edh’e lirë,
Si gjuhë perëndie.

Shum’e bardhë kjo ditë
Për gjithë shqipëtarët,
Do na sjellë një dritë,
Që s’e kishin të parët.

Kjo dritë do na bjerë
Të gjitha mirësitë
Dhe gjithë do t’i ngrerë
Dëmet e marrëzitë.

Si lum kush zë të mbjellë,
Lum kush vë këtë pemë!
Se kjo ka për të pjellë,
S’mbulohetë me remë./KultPlus.com

‘Kam shumë shpresë’

Poezi nga Naim Frashëri

Kam shumë shpresë
Te Perëndija.
Që të mos jesë
Kshu Shqipëria,
Po të ndritohet
Të lulëzohet.

Pa vjen një ditë
Që të na sjellë
Të madhe dritë
P’ajo të pjellë:
Qytetërinë,
Fatbardhësinë.

Vëllazërija
Edhe bashkimi
E njerëzija
Është shpëtimi,
Lum kush t’arrijnë!
Pa do të vijnë.

Që Shqipërija
Do të ndritohet
Dhe ligësija
Do të mërgohet.
Jak’ e vërtetë!
Pse rri e qetë?

Për Shqipërinë
Ditët e mira
Paskëtaj vinë
Shkoj errësira,
Lum kush të rronjë,
T’a shohë zonjë!

Se Shqipëtari
E gjuh’ e tija
Venë së mbari
Dhe Shqipërija,
Lum kush t’a shohë
Për pakë kohë.

Pa dituritë
Dhe mbrothësija
E mirësitë
Dhe njerëzija
Do të burojnë
Nukë mënojnë. /KultPlus.com

‘Bagëti e bujqësi’

Poezia nga Naim Frashëri

O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë!
Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë!
Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar!
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!
Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,
O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.

Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,
Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.

Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar,
Dashurinë tënde kurrë zemëra s’e ka harruar.

Kur dëgjon zëthin e s’ëmës qysh e le qengji kopenë,
Blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,
Edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë,
E ta trëmbin, ajy s’kthehet, po shkon në mes si shigjetë,
Ashtu dhe zëmëra ime më le këtu tek jam mua,
Vjen me vrap e me dëshirë aty nër viset e tua.
Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë,
Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukuri e m’erë,
Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija,
Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam ment e mija.
Atje lint diell’ i qeshur edhe hëna e gëzuar,
Fat’ i bardh’ e mirësija në atë vënt janë mbluar;
Nat’atje’shtë tjatrë natë edhe dita tjatër ditë,
Në pyjet’ e gjelbëruar, atje rrinë perënditë.

Mendje! merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti,
Nga brengat, nga thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti.

Tek këndon thëllëza me gas edhe zogu me dëshirë,
E qyqja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë,
Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të jem,
Bashkë me shpest edhe unë t’ia thërres këngës e t’ia them;
Të shoh kedhërit’ e shqerrat, deshtë, cjeptë, dhëntë, dhitë,
Qiellin’ e sbukuruar, dhenë me lul’e me dritë.

Vashë bukurosh’e bariut! që vjen me llërë përveshur,
Me zemërë të dëfryer e me buzëzë të qeshur,
Me dy shqerëza ndër duar, të bukura si dhe vetë,
Në sythit tënt e shoh gazë, që s’e kam gjetur ndë jetë.
Dashi sysk e me këmborë, q’e ke manar, po të vjen pas,
Dhe qeni me bes’ i larmë të ndjek me dëshir’ e me gas.
Dashç Perëndinë, pa më thua, a mos na pe bagëtinë?
– Pash’ atje pas më të gdhirë,… ja atje përtej tek vinë!

O! sa bukuri ka tufa! Sa gas bije bagëtija!
Vinë posi mblet’ e plotë! I bekoftë Perëndija!
Nëpër shesh’ e nër bregore janë përhapurë shqerrat,
E kecërit nëpër rripat dhe në gjethet e në ferrat;
Sa me vrap e me gas bredhin edhe lozin shok me shok,
Aty përhapenë me nxit aty mblidhenë prapë tok,
Edhe prapë tufë-tufë përhapenë duke bredhur,
Duke ikur me vrap shumë, duke lojtur, duke hedhur.
Nxitojn’ e s’lodhenë kurrë edhe, kur i merr urija,
Secili futet në tufë, suletë ne mëm’ e tija,
Posa gjen mëmën e dashur edhe me vrap i hyn në gji,
Rri më gjunjë dhe zë sisën e qumështin e ëmbël pi;
Pa e ëma me mall shumë, ndo dhi qoftë a ndo dele,
Bir’ e vetëm e merr në gji me gas e me përkëdhele.

Sa të mirazë ke dhënë, Zot i math e i vërtetë!
E ç’nom të bekuar vure për çdo gjë q’është në jetë!

Sa më pëlqen blegërima, zër’i ëmbël’ i bagëtisë,
Qëngji edhe kec’i bukur, që rri më gjunj’ e pi sisë!
Përhapurë bagëtija nëpër sheshe, nëpër brinja,
Nër lajthi e nëpër dushnja, ndër murriza, në dëllinja;
Bijen zilet’ e këmborët e fyelli e xhuraja,
Dheu bleron e gjelbërojnë fusha, male, brigje, maja,
Edhe gjithë gjë e gjallë ndjen në zemër një dëshirë,
Një gas t’ëmbël’ e të shumë, o! sa bukur e sa mirë!
Pelën e ndjek mëz’i bukur, lopës i vete viçi pas,
Dellëndyshja punëtore bën folenë me të math gas,
Ogiçi ikën përpara, i bije tufës në ballë,
Me zemër të çelur shumë vete si trimi me pallë,
Zoqtë zënë këng’ e valle dhe po kërcejn’ e këndojnë,
E nëpër dega me lule si ëngjëllit fluturojnë,
Larashi ngrihet përpjetë, thua q’i shpie Perëndisë
Një lëvdatë të bekuar për gëzimt të gjithësisë,

Qielli sa ësht’ i kthiellt e sa është sbukuruar!
E dielli sa ndrin bukur mbi lulet të lulëzuar!
Gjithë këto lule ç’janë, që u ngjallë menjëherë?
Ngaha qielli ke xbritur? Ver’, o e bukura verë!
Çdo lulezë ka me vehte një emër e një fytyrë,
Një bukuri, një mirësi, një shtat, nj’erë e një ngjyrë,
Si dhe çdo dru e çdo pemë, edhe çdo bar e çdo fletë;
Sa është e bukur faq’ e dheut! S’të zë syri gjë të metë.

Gjithë kjo bukuri vallë nga dheu të ketë mbleruar,
A me të matht të ti’ Zoti pej parajs’e ka dërguar?

Veç një njeri shoh pa punë dhe të mjer’ e të brengosur,
Të këputur, të mjeruar, të grisur e të rreckosur;
Lipën i gjori pa shpresë, se atje e pru përtimi,
S’i ka mbetur gas në zemrë, se s’i la vënt idhërimi.
Eshtë njeri, si dhe neve, po epini, o të pasur,
E mos e lini të urët dhe të mjer’ e buzëplasur,
Se përtimn’ e zi, q’e pruri të gjorën më këtë ditë,
Nuk’ e dimë vet’ e zgjodhi, apo ia dhanë Perënditë.
Edhe për një mizë, kur heq, i vjen keq njeriut të mirë,
Zëmëra s’thuhetë zëmrë me mos pasurë mëshirë.

Ah! edh’ atje tej mbi udhë i duket i shkreti varri,
Rrethuar me lul’e me bar, një të gjori udhëtari,
Që ka vdekur i ri shumë e ka rarë lark shtëpisë,
Mërguar nga mëm’ e motrë dhe pej gjithë njerëzisë;
Një zok i helmuar mi varrt i rri si mëmëzë dh’e qan,
Ndarë nga të gjithë shokët edhe zi për të mjerë mban.

Tomor! o mal i bekuar, fron i lartë, që rrij Zoti,
Pas fesë vjetrë që kishinë shqipëtarëtë qëmoti,
Dhe ti Mali-Plak i lartë, që me syt’ e tu ke parë
Luftëra të mëdha shumë e punë që kanë ngjarë.
O malet’ e Shqipërisë, që mbani kryet përpjetë,
Tëmerr e frikë përhapni, përpini qiejt e retë!
Të patundurë përjetë jini, pa, kur oshëtini,
Udhëtarit në zemër frikë të madhe i vini;
Keni shkëmbënj, gërxhe, lisa, lumënj dhe dëborë ndë gji,
Përsiprë lulez’ e gjethe dhe brënda ergjënt e flori,
E ju fusha bukuroshe edhe të majm’e pëllore,
Ju sheshet e lulëzuar, ju bregore gjelbërore,
Q’u fali Zoti të mira, u mba me shumë pekule,
U dha bar e gjeth e veri, zoq e flutura e lule,
Zemërn’ e varfërë time aty ndër ju e kam mbluar,
Tek buron nga gjithi juaj uj’i ftoht’ e i kulluar;
Jam lark jush i dëshëruar edhe s’e duronj dot mallë,
Po s’e di si dua unë do t’u shoh një herë vallë?

Të paskësha vrapn’ e veriut, të kisha krahë pëllumbi,
Nxitimn’ e lumit me valë, q’ikën me vërtik si plumbi,
E të vija në gjit tuaj, nj’ ujë të ftohtë të pinja,
Edhe nëpër ato hije një copë herë të rrinja,
Syt’ e ballit t’i xbavitnja, zëmërënë ta dëfrenja,
Gazë, që paçë njëherë, prap’ aty ndër ju ta gjenja.
Opopo! Kshu pse më vini përpara syve pa pushim,
O ditët’ e djalërisë, o moj kohëz’ e të rit tim?

O flutura krahëshkruar, që fluturon nëpër erë,
As merr dhe zëmrënë time me vehtezë dhe ma shpjerë
Nër malet të Shqipërisë, tek kullosën bagëtija,
Tek i fryn bariu xhurasë, tek më rrinë mënt’ e mija,
Ku shkon me zile të madhe ogiçi përmes lajthisë,
Pa zjen e oshëtin mali ngaha zër’i bagëtisë;
Marrënë vrapn’ e nxitojnë, derdhen në gjollë për kripë,
Dhëntë ndër shesh’e ndër brigje, dhitë në shkëmb e në rripë.

Bariu plak krabën në dorë edhe urdhëron të rinjtë,
E ata gjithë punojnë, ngriturë më bres përqinjtë;
Ca bëjnë vathën e shtrungën, ca ngrehin tëndën e stanë,
Kush sjell gjeth e karthj’ e shkarpa, sicilido ndih më nj’anë;
Kush përvjel, kush qeth sheleknë, kush mjel dhitë, kush mjel dhëntë,
Njëri merr ushqen këlyshnë, jatëri përgëzon qëntë.
Stopani, bër’i zi sterrë, shikon bulmetn’ e bekuar,
Tunt, bën gjalpë, djathë, gjizë edhe punon pa përtuar;
Udhëtar’ e gjahëtorë, q’u bije udha ndër male,
U ep mish, qumësht, kos, dhallë, ajkë, djathë, bukëvale…
Kec’i mbeturë pa mëmë dhe i varfër’ e i shkretë
Mënt mëmënë, që ka mbetur pa bir e pa gas në jetë.
Dëgjohet nga mez’i pyllit krism’ e sëpatës s’druvarit,
E sharrësë që bën lëndë, edhe fyell’i shterparit.

Shterpari s’i qaset stanit, po nër pyje bij’e ngrihet,
Nëpër maja, nër bregore, rri, këndon a gdhënt, a shtrihet;
S’i trembetë syri kurrë, vetëm ajy dit’ e natë,
Nga ujku e nga kusari s’ka frik’, as nga lis’i gjatë,
As nga shkëmbënjt’ e nga pylli, as gogolëtë s’e hanë,
Armëtë ka shok e vëlla, mëm’ e motërë xhuranë;
Miqt’ e ti shqeratë janë, kecërit, dhitë, dhëntë,
Cjeptë, ziletë, këmborët, deshtë e më tepër qëntë,
Që s’flenë, po rrin’ e ruajn bagëtinë dhe barinë,
Kur e shohin, tundin bishtin dhe me gas të math i vinë;
S’e hanë njerin’ e mirë edhe mikun’ e udhëtarë,
Se i njohën; po të liknë, egërsirënë, kusarë.
Vjen nata, e lë në t’errët, del hëna, i përhap dritën,
Vjen mëngjesi, sbardhëllehet, lint’ dielli, i bije ditën.
Yjtë, hëna, dielli, shënja, lindin e prapë perëndojnë,
Gjithë ç’lëvrijnë nër qiej, përpara syvet i shkojnë.
Mblidhen ret’ e hapësira bënetë e zezë sterrë,
Vetëtimat e gjëmimet nisin e shiu zë të bjerë;
Bariu vë gunën në kokë, z’eshkën me herët të parë,
Ndes shkarpat sakaqëherë, e lisnë fyl, dhe bën zjarrë;
Fishëllen e thërret qentë sicilin me emër veçan,
Pa, kur derdhetë Baliku, ujkun’ e zë edh’e përlan,
Se bisha, që bije dëmnë, errësir’ e mjergull kërkon,
Papo bariu shum’ ahere vë re dhe mba vesh e dëgjon,
Dhe sokëllin me zë të madh, tunden malet e shkëmbenjtë,
Gumzhitin pyjet’ e veshur e oshëtijnë përrenjtë!

Esht’ e lehtë dhi e stanit, që kullot gjethen e malit,
Dhe bij’e fle majë shkëmbit e pi ujëthit e zallit;
Dhi e shtëpis’ ësht’ e plokshtë, fle në vath’ e nënë strehë
E pi ujët e rrëkesë edhe shtrihetë në plehë;
Esht’ e butëz’ edh’e qetë dhe e urtë si manare,
Nuk’ është si malësorja, andaj i thonë bravare.

Në pshat, posa sbardhëllehet, sheh një plakëzë të gjorë,
Ngrihet, hap derën ngadale, e del me kusi në dorë,
Rri në derëzët të shtrungës, dhe djali duke dremitur
I nget bagëtin’ e delen, i mjel plakëz’ e drobitur.
Plaku lë shkopnë mënjanë e bën gardhin a zë shteknë,
Bariu vë tufën përpara, vasha përkëdhel sheleknë,
Nusja pshi e ndreq shtëpinë edhe bën bukën e gjellën,
I shoqi sheh kanë, lopën, viçnë, demnë, kalën, pelën,
Mushkën, që ësht’ e harbuar edhe bashkë me gomarë
Rrahënë të hedhin murë, të hanë bimën a barë.
Një grua vete në krua, e jatëra zë të tuntnjë,
Një sheh pulat, miskat, rosat, dhe tjatëra bën çtë muntnjë.

Na hyjnë shumë në punë kafshëtë dhe bagëtija,
Na i dha në këtë jetë shok’ e ndihmës Perëndija.
Të mos ishte gjë e gjallë, njeriu s’rronte dot në jetë,
Do të vdiste nga uria, do t’ish lakuriq e shkretë;
Gjë e gjallë na vesh, na mbath dhe na ushqen e na xbavit,
Kur shtohet e vete mbarë; jetënë tën’ e përsërit.
Edhe dheu, që na ep drithë, sido ta kemi punuar,
Nukë pjell mirë si duam, po s’e patmë plehëruar.
O shokëtë e njeriut, Zoti u shtoftë e u bekoftë!
Dhe shpirti im mik përjetë, sindëkur ka qën’ u qoftë.
Kafshët, edhe bagëtinë, që u ka kaqë nevojë,
Njeriu duhetë t’i shohë, t’i ketë kujdes, t’i dojë.
Të mos t’i mundojmë kurrë, po si fëmijë t’i kemi,
Eshtë mëkat edhe fjalë të ligë për to të themi.

Dellëndyshe bukuroshe, që thua mijëra fjalë,
Dhe të k’ënda vahn’ e lumën, që vjen me vrap e me valë,
A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen pej Çamërie
Me këto milëra fjalë e me gluhë perëndie?
Apo vjen nga Labëria, pra më duke kaqë trime,
Edhe fjalëtë që thua më gëzojnë zëmrën time,
Q’është thier, bërë posi një pasqirë,
Duke këputur nga cmagu, që s’e kanë vartur mirë,
Apo vjen nga fush’e Korçës, nga vënd’i mir’ e i gjerë,
Pej zembrësë Shqipërisë, që del gjithë bot’ e ndjerë?
A më vjen pej Malësie, pej Skrapari, pej Dobreje,
Nga Vijosa, nga Devolli, pej Vlor’ e pej Myzeqeje?

Të munjam të fluturonja e të kishnjam krahë si ti,
Me gas të math do t’i vinjam Shqipërisë brënda në gji!
Për me marrë drejt Shkumbinë edh’ Elbasan’ e Tiranën,
E me ardh ke ti, o Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën,
Kostur, Përlep, Fëllërinë, Dibrë, Ipek e Jakovën,
Mat’ e Ysqyp e Prështinë dhe Mirëdit’ e Tetovën;
Krojënë e Skënderbegut, q’i ka pas dhan ner Shqypnisë,
Tue bam me trimni luftë, e m’e munt mren e Tyrqisë.

Durres, o qytet i bukur, që je kërthiz’ e mëmëdheut!
Edhe ti Lezhë me emrë, që ke eshtrat e Skënderbeut!
Burrat tuaj aq trima do ta lenë vall’ Ylqinë
Edhe gjithë shqipëtarët ta mbanjë armiku ynë?
Nukë më ngjan e s’e besonj, kam te zoti shumë shpresë,
Shqipëria këtej-tutje kshu po nukë do të mbesë.

Dua të dal majë malit, të shoh gjithë Arbërinë,
Vëllezërit shqipëtarë, që venë në pun’ e vinë,
Burrat trima me besë dhe shpirtmir’ e punëtorë,
Dhe fushatë gjithë lule e malet me dëborë.

O fushazëtë pëllore, që m’ushqeni Shqipërinë,
Do të këndoj bukurinë tuaj edhe bujqësinë.

Ti perndi e ligjërisë, që rri në malt të Tomorit,
Unju posht’ e më ndih pakë, o motra im’e të gjorit!
Më ke leshrat të florinjta e të ergjëndtë krahrorë,
Ball’ e gush’ e faq’e llërë dhe këmb’ e duar dëborë;
Sikundër do malësorët dhe pyjet e bagëtinë,
Duaj edhe fusharakët dhe arat’ e bujqësinë,

Edhe ti, o mëmëz’ e dheut, q’i fale dheut aq’ uratë,
Sa pjell mijëra të mira e kurrë s’mbetetë thatë,
I dhe lul’e bar e gjethe, bim’ e drith’ e pem’ e drurë,
Mlodhe gjithë bukuritë edhe kanisk ia ke prurë.

Të keqen, o symëshqerë, shikomë një herë në syt!
Si lulet’ e si bilbili edhe unë jam djali yt.

Gjithë këto farë lulesh e këtë të bukur erë,
Këtë mblerim, këto gjyrë vallë nga ç’vent’i kesh nxjerrë!
O sa e madhe bukuri! As më thua ku e more!
O bukuroshe, t’u bëfsha, ngaha gjiri yt e nxore?
Apo me dorët të bukur e more nga gjir’i Zotit,
Nga qielli, nga parajsa, nga prehër’ e plotë i motit?
Kudo shkel këmbëza jote, gëzohet vendi e mbleron,
Tekdo heth sythit e qeshur, bukuri’ atje lulëzon!

Ti zbukuron faqen’ e dheut, ti do e ushqen njerinë,
Më të gjallë, dhe pas vdekjes e pret duke hapur gjinë!
Vjen dimëri, t’i than lulet, ti me një frym’ i ngjall prapë,
Napënë q’u heth përsiprë, ua heq me ver’ e me vapë.

Bujkun e xgjuan me natë edhe vë përpara qetë,
Nisetë pa zbardhëllyer për punëzët të vërtetë;
Mer pluarin e parmëndën, zgjedhën, tevliknë, hostenë,
Kafshën, farën, shoknë, bukën, trajstënë, lakrorë, qenë…
Shërbëtor’i mëmës’ së dheut, q’e ka zëmrënë plot shpresë,
Del kur hapet trëndafili dhe bari ‘shtë gjithë vesë;
I falet Zotit t’vërtetë dhe zihet nga pun’ e mbarë,
Zëmërzën e ka të bardhë dhe të qruar e të larë.

Pa lodhur e pa këputur, pa djersë e pa mundime,
Njeriu i gjorë në jetë nukë gjen dot as thërrime,
Si të punosh dit’ e natë e të bësh ç’duhenë gjithë,
Ahere kërko nga Zoti të t’apë bukëz’ e drithë.

Njeri, puno, mos psho kurrë dhe lark nga makutërija,
Zëmërnë kije të gjerë, mos ki keq, pa t’ep Perndija.

Puna ka duk e uratë, Zot’i math e ka bekuar,
Njerinë mi faqet të dheut e dërgoi për të punuar.

Ver’ o e bukura verë, që na vjen nga i madhi Zot
Me mirësi, me bukuri, me gas të math, me duar plot,
Sindëkur çel trëndafilë, e i fal bilbilit zënë,
Ashtu na bije nga qielli një gas në zëmërt tënë.

Zot’i e i vërtetë për të ushqyer njerinë,
Për të zbukuruar dhenë, për të shtuar mirësinë,
I dha zjarr e flakë diellit, i fali dhe shinë resë,
Bëri dimërin e verën dhe zemrës san’ i dha shpresë.

Për të arriturë rrushnë ç’ka punuar Perëndija,
Qielli, dheu, dielli, shiu, njeriu, tërë gjithësija!
S’është çudi pse na dëfren ver’ e bukur zemrën tënë;
Ç’ka punuar Perëndija edhe njeriu, sa e bënë!
Ju shokë, kur pini verën, mos dehi, mos zëmërohi,
Mos u zihni, mos u shani, mos lëvdohi, mos qërtohi,
Se përçmoni Perëndinë, q’i ka falur hardhisë rrush,
Edhe kërkon dashurinë e ndodhet pshetazi ndaj jush;
Po gëzohi, prehi, qeshni, duhi, xbaviti, dëfreni,
Flisni fjalë të pëlqyer, loni, këndoni, kërceni,
Bëjeni zëmrën të gjerë edhe shtoni dashurinë,
Mirësinë, njerëzinë dhe besën e miqësinë,
Se në breng’ e në të keqe, në punë e në të pirë,
Mirretë vesh njeriu i lik, njihetë njeriu i mirë.

A e shihni gjithësinë, yjtë, Diellinë, Hënën,
Dhenë, erën, retë, kohën, Kashtën’ e Kumtërit, Shënjën,
Si janë përveshur gjithë edhe lëçijn’ e punojnë,
Njëri-tjatërit i ndihin, ashtu punën e mbarojnë.
Në mest të këti rrëmeti, të punëtorëve shumë,
Njeriu duhet të lëçinjë, apo të bjerë në gjumë?

Mundohetë punëtori, po në zemërzët të qetë
Sa gas të math ndjen, kur njëra që hoth, i pjell dymbëdhjetë!
Kur e sheh kallin’ e plotë të kërrusurë nga barra,
Dhe parajsën e vërtetë të tfaqurë nëpër ara,
Kur heth lëmën e mbleth toknë, ndan bykn’ e kashtën mënjanë,
U heth kuajve e qevet, që janë lodhur, të hanë,
Kur e përmbush plot shtëpinë me drith’ e me gjë të gjallë,
Shtrohet me uri në bukë e ha me djersë në ballë.

Sheh pjergullnë, manë, fiknë, thanënë, arrën, ullinë,
Mollën, dardhën, pjeshkën, shegën, vadhënë, ftuan, qershinë,
Kumbullatë, zerdelinë, ngarkuar me pemë gjithë,
Oborrë plot gjë të gjallë, shtëpinë mbushur me drithë,
Dhe zëmëra i gëzohet, pa i faletë Perëndisë,
Q’e çpërblen punën e djersën e mundimn’ e njerëzisë.

Qysh rroit mblet’ e uruar dhe ven’ e vin e lëçijnë,
Ca huallinë ndërtojnë, ca nëpër lule shëndijnë.
O ç’punë me mënt punojnë, sa bukur e bëjn’ e mirë!
N’apin dyllëtë, q’ep dritë, dhe mjaltë fjesht’ ëmbëlsirë.
Dhe punëtorët’ e mirë m’atë mëndyrë punojnë,
Edhe gjithë njerëzija me mundimt t’atyre shkojnë;
Njëri mih, jatëri lëron, njëri mbjell, jatëri prashit,
Kush t’harr, kush korr, kush mbledh duaj, kush shin, kush sharton, kush krasit,
Një bën pluar’ e sëpatën, një parmendën, një shtëpinë,
Një pret e qep, një merr e ep, një mbath, një shikon mullinë,
Çdo njeri një farë pune bën në mest të shoqërisë,
Kjo ësht’ udh’ e Perëndisë, ky ë nom i gjithësisë.
Edh’ ajo miza përdhese, ç’i duhetë për të ngrënë,
Eshtë rrahur e përpjekur e me kohëz’ e ka vënë.
Ka një punë të punonjë si çdo gjë q’është në jetë,
Kshu e ka thënë me kohë Zot’i math e i vërtetë.

Bujku mundohet në verë, po në dimër rri e prëhet,
Sheh shtëpizënë më kamje, edhe zëmëra i bëhet,
Gratë të gjitha punojnë n’avlëmënt e në të tjera,
Edhe jashtë fryn e bije, por kur na trokëllin dera:
Eshtë nj’udhëtar i gjorë, që ka mbetur në dëborë,
I kanë ngrirë të mjerit vesh’ e goj, e këmb’ e dorë;
Ngrihet i zot’i shtëpisë edhe të huajthin e merr,
E vë në kryet të vatrës me njerëzi, me të math nder,
Posa e shohënë që vjen, i ngrihen gjithë fëmija,
Se të huajnë më derë na e dërgon Perëndia,
Pa i bëjnë zjarr e ngrohet edh’e mbajnë me të mirë,
I sjellin shtresë të flerë edhe të ngrën’ e të pirë.

Kështu të huajt’ e miqtë njeriu q’është i uruar
I pret me krahëror hapur e i përcjell të gëzuar.

Në verë që çelen lulet, qielli ndrin si pasqyrë,
Sbukurohetë faq’e dheut e merr mijëra fytyrë;
Pa ngjallenë më çdo lule, më çdo bar e më çdo fletë
Gjëra të gjalla me mijë, rroitin nga dheu si mbletë.

Shpest’ e mizatë këndojnë e kuajtë hingëllijnë,
Lulet’ e bukura m’erë si ar e si flori ndrijnë,
Bujku nget pëndën e lëron, mbjell a bën gati ugarë,
Kalorësi i shkon njatë dhe i thotë — puna mbarë —
Papo merr anën e lumit me zëmërë të gëzuar,
Këndon, fishëllen e vete ngadalë, duke mejtuar;
Vë re lumën e kulluar, që ikën me ligjërime,
E ndër ment të ti i bije ca t’ëmbla shumë mejtime.
Vashazëtë bukuroshe, posi shqerratë manare,
Si kapërollet e malit, si thëllëzatë mitare,
Venë të lajnë në lumë gjithë tok duke kënduar,
Me gas në sy e në buzë e me lulezë nër duar;
Përveshin llërët’ e bardha dhe të majm’e të perndijta,
Pulpazëtë bukuroshe e këmbëzët’ e kërthijta.
Dellëndyshja që fluturon e ndehetë përmi lumë,
U afrohetë si mike e u thotë fjalë shumë,
Dhe mëshqer’ e përkëdhelur vjen në lumë të pij’ ujë,
A të prëhetë në hije, a të bënjë gjë rrëmujë.

Bari, bima vatur më bres e bujku shum’ i gëzuar,
Si bariu kur merr kërthinë edh’e përkëdhel ndër duar.

Bilbili ia thotë bukur, lumi vete gjithë valë,
Ep erën e Perëndisë trëndafili palë-palë.

Veç një vashëz’ e mjerë qan të motrënë, q’e ka lënë,
O! është mbuluar në dhe vashëza fytyrëhënë!
Mëma dhe motëra mbetur në zi e në vaj të shumë,
Dhe shqerra manarez’ e saj, e përzieshmez’ e për lumë!
Të këput shpirtinë plaka, kur zë dhe nëmëron e qan,
Ah, i ziu njeri në jetë sa heq e sa duron e mban!

Vashën vërtet e mbuluan, po shpirt’i saj në qiej shkoi,
Hapi krahëthit e lehtë, në hapësirat fluturoi;
Bukuri e saj u përzje me bukurizët të prillit,
Me fjalëzët të bilbilit, me erët të trëndafilit,
Gjësendi s’humbetë kurrë e gjë s’vdes me të vërtetë,
Mase ndryshohenë pakë, po janë në këtë jetë;
As shtohet, as pakësohet, as prishetë gjithësija,
Vdesën e ngjallenë prapë si gjith’ edhe njerëzija.
Këtu janë gjithë ç’janë e gjithë ç’gjë munt të jetë,
Engjëllitë, Perënditë dhe ajy Zot’i vërtetë!
Se një trup e një shpirt është gjithësia, që s’ka anë,
Të gjallë edhe të vdekur gjithë brënda në të janë.

Perëndija njerin’ e parë e mori prej dore vetë,
E zbriti mi faqet e dheut, q’ish me lulez’ e fletë,
Më të drejtënë të themi, mbi faqet të dheut e ngriti,
E bëri të zotthin’ e dheut edhe kështu e porsiti:

Nga kjo baltë të kam bërë, rri këtu, më paç uratë,
Mos u loth e mos psho kurrë, po përpiqu dit’ e natë,
Sheh si punon gjithësija? Ashtu të punosh edhe ti,
Të mos rrish kurrë pa punë e të vësh duartë në gji.
Mos u bëj i lik e i keq, i paudh’ e i pabesë,
I rrem, i ndyrë, i dëmshim, i rënduar e pa shpresë,
Mërgohu nga të këqijat, pej çdo farë ligësije,
Pej nakari, pej lakmimi, pej vjedhjeje, pej marrëzije,
Mos vra, mos merr tek s’ke vënë, edhe ki nom dashurinë,
Bes’ e fe ki urtësinë, të drejtënë, mirësinë.
Në bëfsh mirë, liksht s’gjen kurrë, po, në bëfsh liksht, mos prit mirë,
Ki dëshirë për të mirë dhe në zemërë mëshirë,
Ji i but’, i urt’, i vyer e mos u bëj kurrë makut,
I egër e i mërzitur dh’i mahnitur si madut,
Mos ju afro dhelpërisë, po së drejtësë iu nis pas;
Në dëgjofsh fjalët’ e mija, do të jesh gjithënjë në gas.

Nga gjithë ç’pat gjithësia, të kam dhënë dhe ty pjesë,
Në u bëfsh si them, i mirë, emr’i math do të të mbesë.
Të kam dhënë mënt të mësosh, të vërtetën me të ta shohç,
Dhe zëmër’ e vetëdijë, të mir’ e të drejtën ta njohç,
Do të të lë dhe nevojën, udhën të të tregonjë,
Të të ndihnjë më çdo punë, të të psonj’ e të të zgjonjë.
Gjithë të mirat që janë, këtu në dhet i kam mbuluar,
Po gjësendi në shesh s’nxjerr dot pa dirsur e pa munduar;
I gjen të gjitha me kohë, po rrëmo thell’ e më thellë,
C’do gjë që të duhet, kërkoje, barku i ti do ta pjellë.
Sa gjërërazë të vlera do të gjesh ti këtu brenda,
Edhe përsipërë soje, e sa do të t’i ket ënda!

Me fuqit që të kam dhënë, them që të vinjë një ditë
Të marrç udhën e së mirës e të gjesh të madhe dritë,
Të marrç vesh dalengadalë sa punëra që kam bërë,
Diell, hënë, yj, dhe, qiej e gjithësinë të tërë!

Po që u bëre i urtë, mua më ke afër teje,
Ndryshe, qofsh i mallëkuar edhe mërguar prej meje!

Të parit tënë perndia këto fjalë vetëm i tha,
I fali gjithë të mirat, i dha uratën dhe e la.
Det i p’an’i mirësisë, q’emrin tënd s’e zë dot ngoje,
Qysh e ngrehe gjithësinë pa lënë farë nevoje!
Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë,
Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë;
Epu sheshevet lul’ e bar dhe pyjevet gjeth e fletë,
Resë shi, aravet bimë e mos lerë gjë të metë,
Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit,
Kalliut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënie, zë bilbilit,
E drurëvet epu pemë dhe uratë bagëtisë,
Dërgo dhëmbj’ e kujdes për to në zëmërt të njerëzisë;
Epi pjergulls’ e vështit rrush dhe vozësë fali verë,
Mos e lerë pa të kurrë, kurrë thatë mos e lerë;
Fali diellit flak e zjarr dhe hënës e yjet dritë,
Edhe detit uj’ e kripë, gjithësisë jet e ditë.
Yjtë le të vinë rrotull dhe njerëzit të punojnë,
Të dëfrejn’ e të gëzohen dhe si vëllezër të shkojnë.

Tregomu dhe shqipëtaret udhën e punës së mbarë,
Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë,
Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh’ e lirisë,
Udhën e vëllazërisë, vahn’ e gjithë mirësisë.

Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë,
Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë./KultPlus.com

184 vite nga lindja e ideologut të Rilindjes Kombëtare, Abdyl Frashërit

29 gushti, shënon 184 vjetorin e lindjes së atdhetarit shqiptar,Abdyl Frashërit, shkruan KultPlus.

Abdyl Frashëri ishte ideolog e atdhetar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare si dhe një nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lindi më 29 Gusht 1839 në fshatin Frashër të Përmetit. Gjatë Krizës Lindore të viteve ’70 të shekullit XIX u shqua si personalitet politik.

Ishte i biri i Halit beut dhe Emine hanëmit. Nga i ati ishin pasardhës timarlinjsh me prejardhje nga Berati që më vonë u njohën si Dulellarët, ndërsa familja e së ëmës qenë pinjoj të Iljaz bej Mirahori

Ai u shqua si personalitet politik qysh më 1877, sapo u duk se Kriza Lindore po rrezikonte trojet shqiptare.

Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës që u formua po atë vit, hartoi projektin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me anën e kryengritjes çlirimtare antiosmane.

Në fund të vitit 1877, Abdyl Frashëri u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll (Komiteti i Stambollit).

Sipas tij zgjidhja më e përshtatshme (ne përkohëshme) ishte krijimi i një shteti autonom shqiptar nën suzerenitetin e sulltanit ose, të paktën, krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane, i cili, po të realizohej, do të sanksiononte kufijtë etnikë të Shqipërisë dhe të drejtat kulturore të shqiptarëve.

Abdyl Frashëri ishte një nga aktivistët kryesorë për mbajtjen e Kuvendit të Prizrenit në vitin 1878. Ai u ngarkua nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për të mbrojtur çështjen shqiptare pranë qeverive të Fuqive të Mëdha. A. Frashëri mori pjesë në kuvendet e Dibrës, Prevezës dhe Gjirokastrës. Në janar të vitit 1881, u zgjodh anëtar i qeverisë së përkohshme të drejtuar nga Ymer Prizreni.

Autoritetet osmane e arrestuan dhe e dënuan me vdekje, dënim që u kthye më pas në burgim të përjetshëm. 

Vdiq në Stamboll më 23 Tetor 1892. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë në vitin 1978, me rastin e 100 vjetorit të formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. / KultPlus.com

184 vite nga lindja e ideologut të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Abdyl Frashërit

Sot, janë bërë 184 vite nga lindja e patriotit të madh shqiptar dhe njërit nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashërit, shkruan Kult Plus.

Abdyl Frashëri (1839-1892) ishte ideolog e atdhetar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare si dhe një nga drejtuesit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lindi më 29 Gusht 1839 në fshatin Frashër të Përmetit. Gjatë Krizës Lindore të viteve ’70 të shekullit XIX u shqua si personalitet politik.

Në vitin 1877, Abdyl Frashëri u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare që u formua në Stamboll si dhe ishte kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës. Pas thyerjes së ushtrisë osmane nga ushtria ruse në vitin 1878 dhe nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit, A. Frashëri shtroi tezën se në kushtet e krijuara për shqiptarët, zgjidhja më e drejtë për interesat e tyre kombëtare ishte krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadër të Perandorisë Osmane.

Abdyl Frashëri ishte një nga aktivistët kryesorë për mbajtjen e Kuvendit të Prizrenit në vitin 1878. Ai u ngarkua nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për të mbrojtur çështjen shqiptare pranë qeverive të Fuqive të Mëdha. A. Frashëri mori pjesë në kuvendet e Dibrës, Prevezës dhe Gjirokastrës. Në janar të vitit 1881, u zgjodh anëtar i qeverisë së përkohshme të drejtuar nga Ymer Prizreni.

Autoritetet osmane e arrestuan dhe e dënuan me vdekje, dënim që u kthye më pas në burgim të përjetshëm. 

Vdiq në Stamboll më 23 Tetor 1892. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë në vitin 1978, me rastin e 100 vjetorit të formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. / KultPlus.com

‘Kur më shihni se jam tretur, mos pandehni se kam vdekur’

Poezia “Fjalët e Qiririt” nga Naim Frashëri

Në mes tuaj kam qëndruar
e jam duke përvëluar,
që t’u ap pakëzë dritë,
natënë t’ua bënj ditë.

do të tretem, të kullohem,
të digjem, të përvëlohem,
që t’u ndrinj mir’ e të shihni,
njëri-tjatërin të njihni.

për ju do të rri të tretem,
asnjë çikë të mos mbetem,
të digjem e të qanj me lot,
se dëshirën s’e duronj dot.

unë zjarrit nuk i druhem
dhe kurrë s’dua të shuhem,
po të digjem me dëshirë,
sa të munt t’u ndrinj më mirë.

kur më shihni se jam tretur,
mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall’ e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,

unë jam në shpirtin tuaj,
mos më kini për të huaj,
m’është falurë durimi,
andaj po digjem si trimi,

se ma k’ënda t’u bënj mirë,
të mos mbeti n’errësirë.
jakëni rreth meje rrini,
flisni, qeshni, hani, pini,

në shpirt kam dashurinë,
pa digjem për njerëzinë,
lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,

dua ta djek trupn’ e kretë
për atë zotn’ e vërtetë.
me zjarr ta djek mushkërinë
e të tretem për njerinë,

bashkë me gëzimt të tija
të vete te perëndia.
unë dua njerëzinë,
mirësin’ e urtësinë.

në bëhi shokë me mua,
në më doni si u dua,
njëri-tjetërin në doni,
të paudhë mos punoni.

o zëmëra fluturake,
qasju pakë kësaj flake!
mase krahët t’i përvëlon,
po dhe shpirtin ta shënjtëron.

unë duke përvëluar,
njerëzit i kam ndrituar.
kam qënë mik me njerinë,
andaj i di e më dinë.

gjithë tuajt’ i kam parë,
mëm’ e at’ e fis e farë,
si tani gjithë i kam ndër mënt,
që rrininë më këtë vënt.

edhe sot nër ju ata shoh,
se shpirtin e tyre ua njoh,
dhe unë si ju jam ndruar
e jam përzjer’ e ndryshuar,

pa jam bërë shumë herë
zjar e uj’ e balt’ e erë.
jam një shkëndijë pej qielli
dhe një drudhëzë pej dielli.

edhe ndër qiej fluturonj,
edhe brënda në det qëndronj,
shumë herë fle në baltë,
diku ndodhem dhe në mjaltë

bënem qëngj e kec i pirë,
lul’ e bar e gjeth i mbirë.
dua shumë fjalë t’u them,
po trëmbem mos i bënj ujem.
e ku shkruhenë në kartë
fjalët’ e gjuhësë zjarrtë? / KultPlus.com

Fyelli

Nga Naim Frashëri

Pa dëgjo fyellin ç’thotë
Tregon mërgimet e shkreta,
Qahet nga e zeza botë
Me fjalë të vërteta.

Që kur se më kanë ndarë
Nga shok’ e nga miqësija,
Gra e burra kanë qarë
Nga ngashërimet e mija!

Krahërore e kam çpuar
E kam bëre vrima vrima,
Dhe kam qar’ e kam rënkuar
Me mijëra psherëtima!

Dhe me botën e gëzuar
Bëhem shok edhe marr pjesë,
Dhe me njerës të helmuar
Bënem mik me besa-besë.

Puna si do që të bjerë
Unë qanj me mallëngjime,
Më çdo vënt e kur-do-herë
Psherëtin zëmëra ime!

Gjithë bota më dëgjojnë
Po së jashtëmi më shohin,
Dëshirën s’m’a kupëtojnë
Zjar’ e brendëshmë s’m’a njohim.

Njerëzit me mua rrinë,
Unë qanj’ e mallëngjehem,
Po dufn’ e pshehtë s’m’a dinë
Andaj kurrë s’përdëllehem.

Gjith’ ata që janë ndarë
Fyellit shokë ju bënë,
Shkallët’ e tij disa farë,
Na shkalluan mëndjen tënë.

Rrëmet i njerëzisë!
Zër’ i fyellit s’ësht’ erë,
Ky ësht’ zjarr’ i dashurisë
Që i ra kallamit mjerë!

I ra qiellit e ndriti,
I ra zëmrësë e nxehu,
I ra verës e buçiti,
I ra shpirtit, dhe e dehu.

I dha erë trëndafilit
I dha dritë bukurisë,
I dha këngëtë bilbilit,
I dha shije gjithësisë.

Ay zjar i ra në qiej,
Edhe duke përvëluar,
U bënë kaq yj e diej,
Që i mba Zoti ndër duar,

Nga ky zjar Zot’ i vërtetë,
Që ka ngehur gjithësinë,
Hoth një shkëndijë në jetë,
Dhe bëri soje njerinë.

More zjar i bekuar!
Unë me ty jam përzjerë,
Pa jam tretur e kulluar,
Po të kam shpirt, mos më lerë. / KultPlus.com

Sami Frashëri: Njeriun e bëjnë të përhershëm veprat e tij

Thënie nga Sami Frashëri

Njerëzit janë të njëjtë para natyrës, edukata i bën të dallohen.

Njerëzit e mirë janë të gjykuar të bëhen skllevër të të këqijve.

Çdo mizori e ka ditën e vet të gjykimit.

Zbavitja më e bukur për njerinë është leximi; shoku më i mirë libri.

Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes. Aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë.

Njeriun e bëjnë të përhershëm veprat e tij.

Në vend që të shesësh dituri dhe zotësi, përpiqu t’i fitosh ato.

S’ka gjë më të keqe se të përqeshurit, sepse më shumë prek të mirët se të këqijtë.

Shoku më i pavlefshëm është ai, i cili, për një fjalë që ka dëgjuar për shokun e tij, nuk e do më atë.

Ai që pëlqen veten e tij, nuk pëlqehet nga askush.

Duhen shumë mend që të mund shoqërohesh me njerëz pa mend.

Shpagimi më i ëmbël është të bësh mirë kundër të keqes që të është bërë.

Po të përdoret mirë koha, do të mjaftojë për të kryer çdo punë.

Bukuria e njeriut përbëhet nga bukuria e fjalës që flet.

Njeriu duhet të përpiqet të mësojë çdo gjë, jo të tregojë veten e tij.

Më i forti i njerëzve është ai që është i zoti të përmbajë vetveten.

Thjeshtësia e një gruaje është më e vlefshme se stolitë e të gjitha grave të botës.

Shpata e grave është gjuha e tyre, prandaj nuk e lënë të ndryshket.

Gruaja duhet të ketë në dorën e djathtë gjilpërën e në të majtën librin.

Çdo gabim i gruas së ndershme është i falur nga burri i saj.

Shumica e njerëzve, sidomos gratë, nuk i donë ata që i donë por ata që i përbuzin.

Vjehrra nuk e kujton asnjëherë kohën e nusërisë.

Për dashurin s’ka gjë më të ëmbël se lotët e syve që fshihen me dorën e së dashurës.

Fytyra e qeshur është kripa e bukurisë.

Personi që do ti, s’ka asnjë të metë, fillo të mos e duash, pa shih sa të meta ka.

S’ka lumturi më të madhe në botë se dashuria dhe harmonia.

Kush i shtrohet gjithkujt është kokëdele.

Më i poshtri njeri është ai i cili kërkon mirësi nga një i poshtër.

Qesja nuk zbrazet duke dhënë lëmoshë.

Delen që ndahet nga tufa e ha ujku. / KultPlus.com

Frashëri, fshati i rilindësve shqiptarë që e braktisën të gjithë

Pa shtëpi në një natyrë madhështore. Pa banorë dhe pa vizitorë. Ky është Frashëri i ditëve të sotme.

Ç’na bëri Frashëri për ta braktisur kështu? A nuk duhet të ndjehemi pak në faj se ku gjendet tani fshati që bëri Shqipërinë? A e dini se krenaria e Frashërllinjëve është tërësisht i braktisur dhe i gjymtuar? Keni shkuar ta shihni?

Ilnisa Agolli na pasqyron përmes këtij episodi gjithë jehonën e dikurshme dhe tablonë e sotme.

Pse askush nuk flet sot për fshatin që na dha famë? Si është rruga deri aty? Falë Baba Hekuranit ne sot kemi një Teqe madhështore në majën e kodrës së Ali Postivanit, një nga kanionet më të bukura dhe parkun kombëtar “Bredhi i Hotovës”. Perla të Shqipërisë. Të gjitha para se të mbërrish në Frashër e të vizitosh Teqen Bektashiane dhe shtëpinë-muze ku lindën Abdyl, Sami dhe Naim Frashëri.

Por sot, trualli ku lindën vëllezërit e përndritur po mbetet bosh. A do i kthejmë nderin atdheut, apo do e lëmë kështu; si një jehonë historie të largët e pakthim që ka mbetur në harresë?

Shihni “Fshatrat e Shqipërisë” më poshtë: