Petkoviq në Drenicë, Bekim Jashari u kërkon falje familjeve të dëshmorëve: Nuk e kam ditur

Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka folur në lidhje me vizitën e drejtorit të së ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq në manastirin e fshatit Bajë të Skënderajt.

“Pas interesimit të medieve dhe qytetarëve, në lidhje me vizitën e zyrtarit serb, drejtorit të ashtuquajturës zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në manastirin e Bajës, në Skenderaj, njoftoj opinionin e gjerë publik që si Kryetar i Komunës së Skenderajt, nuk kam qenë i njoftuar nga niveli qendror i qeverisjes, gjegjësisht Qeveria e Republikës së Kosovës për këtë vizitë. Në lidhje me këtë vizitë është dashur që Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Punëve të Jashtme të kenë koordinim të plotë me mua si Kryetar i Komunës së Skenderajt”, ka shkruar ai.

“Veprime të tilla fatkeqësisht japin shembull jo të mirë të qeverisjes dhe si të tilla nuk duhet të përseriten.  Qytetarë të nderuar, ky nuk është shteti për të cilin luftuan  e sakrifikuan dëshmorët e heronjtë tonë. Kjo nuk duhet të jetë menyra e qeverisjes sonë demokratike dhe në shërbim të qytetarëve. Një kërkim falje nga ana ime për familjet e dëshmorëve e martirëve, viktimat civile të luftës dhe gjithë qytetarët e vendit, për këtë vizitë të pa dëshiruar e për të cilën shteti ynë nuk me njoftojë paraprakisht.”, shtoi Jashari. /KultPlus.com

Bekim Jashari: Nuk do ta dekorojmë qytetin për festa, paratë shkojnë për familjet në nevojë

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka njoftuar se komuna që drejton nuk do të dekorohet për festat e fundvitit, shkruan KultPlus.

Jashari ka thënë marrë parasysh gjendjen ekonomike si pasojë e pandemisë, mjetet financiare të destinuara për dekorim do të shfrytëzohen për familjet në nevojë.

“Mjetet financiare të parapara për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit do të shfrytëzohen për menaxhimin e situatës pandemike, në përkrahje të familjeve në nevojë.Me këtë rast kërkoj mirëkuptim nga qytetarët e komunës sonë duke uruar që kjo pandemi të kaloj sa më shpejtë dhe së bashku të vazhdojmë projektet dhe vizionin tonë për një Skenderaj të zhvilluar”, ka thënë Jashari./ KultPlus.com

Jashari tregon kush ishte i pari që shtiu drejt forcave serbe

Shumë forca serbe kishin rrethuar lagjen e Jasharëve në Prekaz në mars të vitit 1998. Bekimi, nipi i heroit kombëtar, Adem Jashari, shpjegon në Rubikon të KTV-së se përveç rrethimit që i kishin bërë tërësisht lagjes, gjatë ditës, deri në orën 12, kishte pasur hapësirë që të dalin nga shtëpia.

Jasharët kishin vendosur, secili, i madh e i vogël të mos dilnin nga aty.

Ai tregon se ndonëse shumë të ri në moshë, vëllai i tij, Besimi dhe djali i dytë i Ademit, Fitimi, kishin qenë të parët që kishin hapur zjarrin në drejtim të serbëve.

“Nuk ka qenë e mundur të ndihmohet më shumë sepse sipas informacioneve, një natë më herët kanë ardhur mbi 15 mijë forca paramilitare dhe nga këta 15 mijë, 5 mijë e kishin rrethuar vetëm lagjen tonë, Jashari, kurse 10 mijë tjerë e kanë nxënë grykën e Llaushës dhe të gjitha pikat që të çojnë në Prekaz, luftë ka pas gjithandej por për të ardhur për t’i ndihmuar Adem Jasharit, për të ardhur për të vdekur po, por diçka më shumë jo… Kushërinjtë tregojnë se ditën e enjte, ditën e parë, deri në ora 12 ditës kanë mundur të dalin, i themi ne përpjetë lagjen, drejt Prekazit të Epërm por familja jonë nuk ka dashur të lëvizë askush. Bashkimi tregon që vëllai im, Besimi dhe djali Ademit i dyti, Fitimi, kanë qenë të parët që kanë shkrepur pushkën, kanë vënë zjarr”, ka treguar Bekim Jashari.

Bekim Jashari tregon çka kishte folur me Hamzën pak ditë para sulmit nga serbët

Bekim Jashari në vazhdim të rrëfimit të tij ka kujtuar edhe bisedën telefonike që pati me babanë e tij, Hamëz Jashari, pak ditë para sulmit të forcave serbe ndaj familjes së tyre, në fillim të marsit 1998.

Ai ka treguar se kishin biseduar pak ditë pas sulmeve në Likoshan e Qirez, në fund të muajit shkurt. Në Rubikon të KTV-së, Bekim Jashari ka thënë se babai i tij, Hamza i kishte thënë se lufta e tyre s’ka kthim prapa dhe e gjithë bota do të marrë vesh për ta.

“Kur ka ndodh sulmi në Likoshan dhe Qirez, dy ditë pas atij sulmi kam folur me babën tim, Hamzën në telefon gjysmë ore, ishte mërzitur shumë, kishte parë masakër të madhe. E pyeta se çka i keni hallet bre babush, babush i kam thënë, gjyshit i kemi thënë babë, e atij babush, secili fëmijë. I thashë çka i keni hallet bre babë, më tha, tutna shpejt ka me ndodh. Më tha ‘a të kujtohet kur tregonim çka ka thënë Tahir Meha… që kur të vdes unë, kanë për të shkruar shtatë gazeta. Eh, tha kur të ndodh te na, ka me marrë vesh krejt bota, kthim prapa nuk ka’”, ka rrëfyer Bekim Jashari.

“Dhimbja ishte shumë e madhe po ata kanë shkuar me vetëdije, nuk ka ndodhur rastësisht, me një fjalë, kanë ra kurban për këtë vend, apo siç është ajo thënia, dikush duhet të nis vallen që të bashkëngjiten tjerët”, ka shtuar ai.

Rrëfimi i Bekim Jasharit: Gjyshi i kishte lutur gratë e fëmijët të largoheshin nga shtëpia

Për Adem Jasharin, luftën dhe flijimin që ai bëri, kishte ndër vite opinione nga më të ndryshme. Madje pati kritika pse fëmijët dhe gratë nuk ishin larguar nga shtëpia në Prekaz, që të shpëtonin nga sulmet e Serbisë.

Në ditëlindjen e tij, nipi i Adem Jasharit, Bekimi, tash kryetar i Skenderajt, shpalosi rrëfimin ekskluziv në Rubikon të KTV-së.

Duke kujtuar ditët kur në atë zonë veçse shpërtheu lufta, Jashari përmend faktin se pse të paktën asnjë nga fëmijët nuk u larguan përkohësisht.

“Nuk ka dashur asnjë fëmijë që të largohet nga shtëpia. Ka fakte e njerëz të gjallë, disa vdiqën pas luftës, që ishin shokë të gjyshit Shaban, nga Llapi, Dukagjini, Anamorava, që kanë shkuar me gjyshin. Ata vetë kanë treguar se si ato ditë, pas 22 janarit, që kanë shkuar te fëmijët e te gratë, dhe u kanë thënë të largohen. Gjyshi vetë ka shkuar me ta dhe është munduar që t’ua bëjë sa më joshëse duke u thënë se atje ka lodra e është më mirë”, ka thënë Bekim Jashari./KultPlus.com

Bekim Jashari e quan psikopat Nexhmedin Spahiun, thotë se do të bëjë padi kundër tij

Debati për ditëlindjen e Adem Jasharit u nis nga analisti politik Nexhmedin Spahiu, i cili shprehi bindjen e tij se heroi i kombit, Adem Jashari nuk ka lindur më 28 nëntor, por më datën 10 tetor të vitit 1955.

Spahiut i reagoi nipi i Adem Jasharit, Bekim Jashari duke e postuar certifikatën e vdekjes të Adem Jasharit, ku data e lindjes figuronte 28.11.1955.

Jashari në një prononcim për Indeksonline ka thënë se do ta ndjekë penalisht Spahiun, për tu përgjigjur për të gjitha këto trillime.

Jashari thotë se për këtë debat ai po paguhet nga ndokush.

“Çka me i thonë atij njeri të krisur, psikopat. Është duke më bërë përshtypje se kush e ka pagu për të bërë gjithë këtë debat . Unë e kam në plan të bëjë padi, do të dalë para Gjykatës për këto trillime. Do ta ndjekë penalisht”, ka thënë Jashari për Indeksonline.

Nga ana e tij, nipi i Ademit në njëfarë mënyre u detyrua të publikojë certifikatën e lindjes.

Por, kjo duket se nuk i mjaftoi Spahiut për ta bindur. Sipas tij, punonjësit e komunës thjeshtë e kanë vënë kot si datë.

Ndërkohë, Në librin amëz të ish-Jugosllavisë bëhet e ditur data e lindjes së komandantit Adem Jashari. Aty figuron se Adem Jashari ka lindur më 28 nëntor 1955, edhe pse kjo së fundmi po kontestohej, e ky kontestim hapi debat rreth datës së lindjes së komandantit./ KultPlus.com