Kouchner: Po të kishte Çmim ‘Nobel’ për Liri, atëherë ai do t’i takonte familjes Jashari (VIDEO)

Administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, Bernard Kouchner e kishte vizituar Kosovën, menjëherë pas luftës ku kishte shkuar edhe në odën e Familjes Jashari, shkruan KultPlus.

Atje ai ishte ulur këmbëkryq derisa po zhvillonte një bisedë më Rifat Jasharin, e burrat e tjerë në odë. Ai kishte thënë se e vlerëson lart kontributin dhe sakrificën e familjes Jashari ndërkohë kishte shtuar se nëse do të kishte Çmim ‘Nobel’ për sakrificë për liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij.

“Bota filloi lëvizjet pikërisht prej Prekazit. U bëmë të vetëdijshëm për një realitet të sakrificave dhe luftimeve që u bënë dhe sikur të ketë Çmim Nobel të Lirisë, ai i takon familjes tuaj”, kishte thënë Kouchner në Prekaz./KultPlus.com

“Këtu ka luftë, njerëzit po vriten, madje dhe fëmijët, askush s’po bën asgjë”, kështu raportoi BBC për sulmin ndaj familjes Jashari

Më 5, 6 dhe 7 mars shënohet 25-vjetori i sulmit të dytë të forcave të Serbisë ndaj familjes Jashari në Prekaz. 

Në sulmin ndaj familjes Jashari ranë 59 anëtarë të kësaj familjeje, duke u bërë shembulli më unik i sakrificës për liri që bota nuk e kishte parë deri atëherë.

Kulla e Jasharajve ishte rrethuar dhe sulmuar me të gjitha armët që kishte ushtria serbe.

Aty ra edhe komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari.

Kjo ngjarje mori jehonë të madhe edhe në mediat e rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë edhe BBC-në.

BBC raportonte se komandanti legjendar Adem Jashari u vra më 7 mars 1998, pas një sulmi brutal dhe një masakre nga forcat serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz.

BBC, më 7 mars 1998, raportoi për vrasjen e Adem Jasharit, duke thënë se brenga ndërkombëtare po shtohet në lidhje me luftimet e ashpra në Kosovë, ku forcat ushtarake dhe policore serbe po luftojnë kundër “separatistëve shqiptarë”.

Autoritetet serbe thonë të kenë goditur zemrën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kanë vrarë liderin e saj, Adem Jasharin, shkruan BBC në shkrimin e 7 marsit të vitit ‘98.

Por, gazetari i BBC-së, Paul Wood, në një raport ekskluziv nga Kosova, ka parë për së afërmi shtëpitë e pjesëtarëve të dyshuar të UÇK-së, duke u djegur apo duke u rrënuar nga automjetet ushtarake.

Ishte edhe ndëshkim, por edhe paralajmërim për pjesën tjetër të fshatit.

Serbët thonë se po e luftojnë terrorizmin, por Paul Wood thotë se nuk ka nevojë për operacione ushtarake të kësaj shkalle.

Shumë familje po ikin nga shtëpitë e tyre, po i kalojnë netët nëpër male, ndërsa partia kryesore politike shqiptare ka akuzuar serbët se kanë ndërmarrë një fushatë të re të spastrimit etnik.

“Duhet të ikim”, thotë një fshatare. “Këtu ka luftë. Njerëzit po vriten, madje dhe fëmijët. Dhe askush s’po bën asgjë”.

Ndërkaq më vonë, korrespodenti i BBC-së, Allan Little, më 12 mars të vitit 2000, pati shkruar se si marsin e vitit 1998, forcat serbe ishin futur në Prekaz dhe me tanke e automjete tjera të armatosura, rrafshuan shtëpinë e familjes Jashari. Beogradi, siç citon BBC, Adem Jesharin e quante “terrorist famëkeq”.

“Ishte një aksion normal policor kundër një krimineli të njohur”, citon BBC gjeneralin serb Nebojsha Pavkoviq. “Ishte i suksesshëm. Detajet tjera s’më kujtohen”.

Por, BBC thotë se detajet që Pavkoviq kishte vendosur të mos i kujtonte ishin brengosëse.

Pesëdhjetepesë anëtarë të familjes Jashari janë vrarë. Sipas BBC-së, “në Serbinë Millosheviqiane, natyrisht se ky është krejt një aksion normal policor”.

Por, sipas fjalëve të një gazetari të spikatur shqiptar, ishte gjithashtu një “favor i pamëshirshëm ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Masakra e Prekazit ishte një thirrje e mprehtë për ata mijëra burra shqiptarë që i ishin bashkëngjitur radhëve të një grupi të vogël e nën hije të luftëtarëve të njohur si UÇK.

Por, më qenësore ishte se Prekazi do të ndryshonte edhe opinionin publik ndërkombëtar.

“Sapo t’i marrim fotografitë e Prekazit, do t’i vendosim në internet”, citon BBC, Veton Surroin, një botues gazete.

Ndërkaq, BBC në vitin 2015, kishte realizuar edhe një dokumentar për familjen Jashari.

Filmimi, i cili zgjat katër minuta ka protagoniste Besartën, e cila është e mbijetuara e vetme e familjes së Adem Jasharit, që ishte vetëm 10 vjeçe atë kohë. Ajo flet për ditën e tmerrit, kur humbi familjen, shkruan ndër tjerash BBC. / Express / KultPlus.com

25 vjet nga sulmi i dytë në familjen Jashari

Pikërisht më 22 janar 1998 në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municioneve të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar kah Kulla e Jasharëve, për të sulmuar ata.

Atë natë të trishtë Adem Jashari nuk ishte në shtëpi, por rezistencë sulmit i bënë Hamza dhe Shabani, bashkë me anëtarët e tjerë.

Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998 ku pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin. / KultPlus.com

Ilaz Bylykbashi, shkrepjet e të cilit u bënë rrufeja që goditi botën me të vërtetën e Kosovës nën okupimin serb

Jeta Zymberi
Fotografia në ballinë: Nok Selmani

“Historinë kurrë nuk duhet harruar, por as nuk duhet që në bazë të historisë të kthehemi mbrapa”, nis kështu rrëfimin për KultPlus, një prej fotoreporterëve ikonë të kohës së luftës në Kosovë, dhe jo vetëm.

Ilaz Bylykbashi, është fotoreporteri që në kornizën e tij bardh e zi, ka fiksuar dramën shumëdimensionale të Kosovës e në këtë formë ka shpërfaq historinë e vendit tonë në formën më të qëndrueshme, atë të pamjes së vërtetës. Dimensioni real i dramës në Kosovë u përthekua në qindra e mijëra fotografi që Ilazi i shkrepi përgjatë viteve, e shumë prej tyre u botuan në gazeta e revista të njohura nëpër botë, duke u bërë pasqyrë e asaj se çfarë në të vërtetë po ndodhte në këtë vend që dukej se ishte harruar nga bota.

Pas këtyre fotografive, padyshim që qëndron një njeri i kërcënuar në vazhdimësi, i keqtrajtuar, i rënduar në mënyrë psikike e që edhe sot bart pasojat e asaj kohe. Fotoreporteri që nuk bindej dhe ndalej ndaj pengesave policore ia doli të fiksoj përmes aparatit ‘Praktika’ dhe “Nikon”, pamje që rrëfejnë pa zë rezistencën e shqiptarëve.

Kamera e Bylykbashit ishte kudo, por fotot e bëra gjatë masakrës së forcave policore dhe ushtarake jugosllave, veçmas ato ndaj masakrës së ushtruar ndaj familjes së Jasharajve në Prekaz dhe të tjerat në pranverën e vitit 1998, paraqesin dëshmitë më autentike të një krimi të madh ndaj njerëzimit, që nuk kurseu as fëmijët dhe të moshuarit. Madje, shpesh, imazhi i fundit i këtyre njerëzve ka depërtuar nëpërmjet fokusit të tij për tu shpërfaqë në një letër e për të mbetur si një vepër arti që flet më shumë se secila histori e shkruar.

Ndërsa sot, kur duket sikur pluhuri i harresës ka rënë mbi shumë ngjarje historike, këto fotografi kërkojnë një dorë që fuqishëm zhveshin kuptimin e plotë të okupimit serb përballë forcës së popullit kosovarë për liri dhe drejtësi.

Me një bagazh të madh të fotografive, Ilaz Bylykbashi viteve të fundit i është rikthyer këtij arsenali dhe bashkë me to edhe përjetimeve të asaj kohe. Nga qindra e mijëra filma që ka arritur t’i hulumtoj deri më tani, rezulton se me vlerë dokumentare janë afër dhjetë mijë foto që sipas Bylykbashit duhet të zënë vend në arkivat e shtetit.

Ilaz Bylykbashi në bashkëbisedim me gazetaren Jeta Zymberi
Fotografia: Nok Selmani

I lindur më 16 maj të vitit 1955 në fshatin Baicë të Lipjanit, Ilaz Bylykbashi, pasionin për fotografinë e kishte diku në qoshe të zemrës qysh kur ishte nxënës i gjimnazit në Gjilan, por jo edhe idenë që një ditë mund të bëhej fotoreporter. Erdhi nga Gjilani në Prishtinë për të studiuar, si shumica e studentëve kosovarë. Regjistroi studimet në degën Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, por shfaqja e disa problemeve shëndetësore ja prenë në gjysmë rrugën e studimeve për rreth 1 deri 2 vite.

Ilazi kishte edhe një tjetër dashuri, atë për gazetën “Rilindja”. Qysh nxënës ai ishte përcjellës i zjarrtë i “Rilindjes”, gazetës së parë në gjuhën shqipe në ish Jugosllavi. Duke qenë si dritarja e vetme e informimit për shqiptarët, ajo ishte padyshim gazeta më e shitur në trojet shqiptare, ku tirazhi maksimal ka arritur deri në 234.000 ekzemplarë.

“Rilindja” ishte bërthama intelektuale dhe një nxënës i ri, do të ndihej me fat nëse vetëm arrinte të jetë lexues i saj.

Si student i ri në Prishtinë, Ilazi kishte nevojë edhe për një punë. “Bota e Re” ishte një gazetë e studentëve dhe kjo i dha vetëbesim që aty mund të provonte fatin. Fillimisht, Ilazi u pranua si bashkëpunëtor gazetar. Por rrethanat e rikthyen në pasionin e tij, pa e ditur që po i afrohej dita të vihet në epiqendër të zemrës.

Vetëm dy muaj e ndanë Ilazin nga momenti kur jeta e tij do të merrte një kahje krejt tjetër. Pas dy muajve punë si bashkëpunëtor gazetar, fotoreporteri që ishte i punësuar aty, shkoi ushtar, duke qenë tashmë i brendshëm, Ilazi nuk i dha mundësi askujt të flas para tij dhe shprehi tashmë dëshirën që të vihet në pozitën e fotoreporterit të sapo larguar.

“Aty filloi e mbara e punës time me fotografinë. Por deri në vitin 1981-82 asnjëherë nuk ma ka marr mendja që do të më bëj aq shumë për vete ky art. Por kur e kam pa fuqinë e fotografisë se çka mund t’i ofrosh lexuesit përmes pamjeve, atëherë tingulli i shkrepjes së fotografisë ishte si rrahjet e zemrës për mua”, thotë Bylykbashi gjatë bashkëbisedimit tonë që qysh në fillim ishte i thelluar dhe mua më kishte përfshirë totalisht ky rrëfim që do ta shpalos edhe për ju dalë e ngadalë.

Të flasësh me Ilazin nuk është e lehtë, pashmangshëm të kthen te vitet 1981-1999. Vite këto të kthesave të mëdha historike. Ndërsa sot, fytyra e tij fliste më tepër se fjalët, aty ishin skalitur të gjitha dhimbjet, malli, dashuria, pasioni, vuajtjet, sakrificat e sfidat nëpër të cilat kaloi përgjatë viteve, e si për t’i vulosur të gjitha këto, lotët shpesh bëheshin pjesë e tavolinës ku ne po zhvillonim intervistën, heshtja mbizotëronte për disa qaste, e veç tingulli i shkrepëses dëgjohej teksa Ilazi ndizte një cigare, sepse i dukej që po i vinte në ndihmë të marr veten e të vazhdoj rrëfimin.

“Më fal Jeta”, më thoshte shpesh, sepse e kapi shpejt ndjeshmërinë time dhe ishte i vetëdijshëm që më kishte ngarkuar tej mase emocionalisht.

“Sot e kemi shumë të lehtë të flasim, por ajo kohë ka qenë shumë e vështirë. Në “Rilindje” kur janë publikuar shkrimet, nuk kemi guxuar t’i themi gjërat hapur, por mes rreshtave, ama populli ka qenë shumë vigjilent dhe i kuptueshëm, i kanë kapur gjërat”, flet Ilazi plot mall për kohën që përkundër vështirësive për të mbetet e artë.

“Në atë kohë nuk ke pasur mundësi ta thuash me shkrim atë që e ke parë, ndërsa me fotografi po. Shpesh edhe fotografinë nuk ta kanë lëshuar për botim, por prapë e ke gjetur një rrugë tjetër për ta dërguar deri te publiku. Unë kam bashkëpunuar edhe me gazetat jashtë Kosovës, e sidomos me gazetën më të shitur në Jugosllavi që me seli ka qenë në Split.”

Korriku i vitit 1982 e zhvendosi Ilaz Bylykbashin në pozitën e fotoreporterit në “Rilindje”, sa ishte një ëndërr e plotësuar aq edhe një sfidë e re e mbushur me përgjegjësi. Por shkrepjet e Ilazit ishin rrufeja që do të godisnin botën me të vërtetën, andaj sfidat u kthyen në forcë e vullnet.

Radhitja nga e djathta: Hlili, Ekremi, Ukshini dhe Mentor Kaqi.

Gjykimet në Prishtinë

Në vitet e ’80-ta, torturat dhe trajtimet çnjerëzore të shqiptarëve nga pushteti serb po rëndoheshin çdo ditë e më shumë, për t’i privuar nga liria por edhe për t’i burgosur idetë e veprimtarëve të atëhershëm politik shqiptarë, pushteti serb nisi gjykimet në Prishtinë.

Vetëm pas dhjetë ditësh punë si fotoreporter në “Rilindje”, Bylykbashi nisi t’i përcjellë këto gjykime që filluan më 10 korrik në Prishtinë. Përballja nga lufta për liri, i kushtoi me gjykim Ukshin Hotit, Ekrem Kryeziut, Halil Alidemës, e Nëntor Kaqit, grupit të parë që janë gjykuar e që Bylykbashit me këtë rast i erdhi kuptimplotë shprehja “një fotografi vlen sa një mijë fjalë”.

Pjesë e këtij grupi ishte edhe i zoti i shtëpisë ky Bylykbashi kishte qëndruar për pesë vite si student. Halil Alidema, ishte dhimbja e Ilazit, që duke e njohur thellësisht e kishte të vështirë të shihte që po gjykohej aq padrejtësisht.

“Kur kanë filluar gjykimet e shqiptarëve, aty e kam parë rëndësinë e fotografisë. Atë ditë që kam shkuar në gjykim, për asnjë moment nuk jam larguar nga salla, e kam përcjellë çdo lëvizje, isha si kujdestar i gjithë ngjarjes. Në sallë ishte edhe Edi Shukriu, në atë kohë bashkëshortja e Ukshin Hotit dhe Teuta, bashkëshortja e Halil Alidemes, çifti ku unë kisha banuar për pesë vite dhe në momentin kur e kam parë Halilin në sallë më kanë lëshuar këmbët. Halili më ka njohur shumë mirë shpirtërisht dhe në ato momente mu ka drejtuar: “Oo maju Bylykbash breh”. Në ato momente më kanë shpëtuar lotët”, tregon Bylkbashi plot dhimbje edhe sot. Këta lotë i kushtuan me përballje me pushtetin serb. Një nga pjesëtarët e ka vërejtur këtë ndjeshmëri dhe menjëherë e ka kapur nga krahu për ta dërguar në zyre ku ka vazhduar marrja në pyetje.

“Unë i kisha vetëm dhjetë ditë punë në “Rilindje” dhe aty thash mbaroi gjithçka. Kur hyra brenda, më thanë çka e ke Halilin, ju përgjigja se Halilin e kam “gazdë”, kam banuar te ai për pesë vite. Filluan me më bërtit, ju thashë që ndjeshmëria për Halilin është e veçantë, sepse Halil Alidema është i tillë, në dhomat që i lëshonte me qira kishte studentë që nuk kishin kushte dhe Halili kurrë nuk ju merrte pagesë, kjo më ka lidhur me të.”

Halili i kishte dy anë shpirtërore, intelektual dhe humanist.

Halil Alidema

Si përfundim, Bylykbashi atë ditë shpëtoi dhe mbrojtja nga Maksut Shehu, kryeredaktori i gazetës “Rilindja” i dha siguri dhe vullnet për më tutje.

Fotografitë e gjykimit të parë, ishin kthesa jetësore për fotoreporterin e “Rilindjes”

“Kur i ka pa baba fotografitë e gjykimit të parë, më ka thënë ‘Ruaj mirë këto fotografi djali jem se nuk ka me shku kohë e gjatë e kanë me pas rëndësi të madhe’. Kjo bisedë me babën më ka bërë të reflektoj dhe duke i parë zhvillimet në gjykim e kam kuptuar më thellësisht atë bisedë.”

Gjykimet ishin një periudhë e rëndë për shqiptarët, e sidomos për të pranishmit në sallë. Bylykbashi rrëfen se gjatë gjykimit, më rëndë e kanë përjetuar të pranishmit në sallë se sa të akuzuarit. Ai personalisht, tregon që gjatë gjykimit, tri herë i ka ndërruar këmishat nga djersët që e kaplonin.

Tutje, Bylykbashi na rrëfen edhe një moment ku Ukshin Hoti sy patrembur mbronte idetë e tij.

“Në gjykim ju thonin: po ju gjykojmë në emër të popullit. Ukshin Hoti ju pat thënë: Cilit popull, unë e di kush është populli. Me këto fjalë ai rrezikonte dënimin maksimal, por sy patrembur ai i përgjigjej që ne po mbrojmë të drejtën tonë dhe prapë njëjtë do të vepronin po të ishim të lirë.”

Roli i fotografisë prej gjykimeve

“Kur i kam realizuar fotografitë e të burgosurve, ka qenë e pamundur ta zësh një të burgosur me kokën poshtë.

Të gjithë ishin me kokën lartë. Secilin gjykim që e kam përcjellë, e që zgjaste 7-8 orë, asnjëherë nuk ke mund t’i zësh të akuzuarit me kokën poshtë. E këtë fakt nuk ke pas mundësi ta thuash me shkrim, por përmes fotografisë, këtë krenari e kanë parë të gjithë. Gjykimin e fundit e kam përcjellë në Pejë në vitin 1989.  Të gjithë ishin kureshtar për të ditur se çfarë po ndodhë në ato gjykime dhe kur fotografitë publikoheshin në gazetë, kishin jehonë të madhe. Familjarët kur i shikonin me kokën lart, ishte krenari për ta. Kishte rol të madh si për familjarët, ashtu edhe për masën e gjerë, nëse ai i burgosur nuk është dëshpëruar, nuk ka dalë jashtë edhe pse janë maltretuar në biruca, por po arrinte që me atë krenari të dilte në gjykim ballëhapur.”

Përcjellja e gjykimeve i ka dhënë orientimin që me patjetër duhet të vazhdoj punën e fotoreporterit dhe vullnetin që të dokumentoj ngjarjet e asaj kohe, sepse është i pavlerë rrëfimi kur nuk e ke edhe të dokumentuar me fotografi.

Rikthimi i këtyre fiksimeve sot para publikut nëpër rrjete sociale e që Ilazi e ka bërë obligim të përditshëm, po ka jehonë shumë të madhe sepse njerëzit që kanë jetuar në atë kohë e i kanë përjetuar këto ngjarje historike për vendin tonë, përmes tyre po kthehen në kohë. Por qëllimi i Bylykbashit është përtej kësaj, ai dëshiron që edhe gjeneratat e reja të njihen më mirë me historinë dhe të dinë që ishte një rrugë aspak e lehtë për të ardhur këtu ku jemi sot.

Pa fotografë të guximshëm si Bylykbashi, shumë çështje mund të mos kishin dalë kurrë në dritë

Fotografia dokumentare të merr gjithë kohën sepse je në pritje të asaj se çka po ndodhë, por Bylykbashi tashmë e kishte kthyer në qëllim jetësor.

Në mesin e viteve të 80-ta, fillon edhe shkatërrimi i shtëpive të shqiptarëve me arsyetimin që nuk kanë dokumentacion edhe kjo periudhë për Bylykbashin ishte tejet e vështirë dhe shkrepjet e tij ishin të rralla.

Një shkrepje teksa babai kap kokën me duar kur sheh shtëpinë e rrëzuar dhe pamja e djalit të vogël afër tij teksa e ngushëllon të atin, është fotografia ikonike e Bylykbashit që e përjetëson më mirë se secila fjalë gjithë atë dramë që po ndodhte pa arsye nga pushteti serb.

Ngjarjet dramatike të këtyre viteve kalonin nga njëra tek tjetra, dukej sikur skenari po ecte rrjedhshëm dhe populli shqiptarë kishte në dorë vetëm një gjë, rezistencën!

Në vitet 1988-89 Bylykbashi ishte në vlugun e ngjarjeve. Secila ngjarja kishte rëndësinë e saj, por ato që vinin të përcjella me reagimin e minatorëve, ishin të një rëndësie krejt tjetër. Protestat e minatorëve të Trepçës kundër suprimimit të autonomisë, ishte një prej ngjarjeve që Bylykbashi e kujton si historike.

“Kur janë ‘kull’ minatorët, Jugosllavia u dridh.”

“Këtë e kam vërtetuar atë ditë kur minatorët janë nisur për në Prishtinë, kanë udhëtuar 47 kilometra në këmbë, unë i kam zënë diku rrugës dhe i kam përcjell deri në sallën e Boro Ramizit (sot, Pallati i Rinisë dhe Sporteve), aty ka qenë një ngjarje historike për mua sepse i gjithë populli i Kosovës u bënë bashkë dhe vinin në Prishtinë për të treguar që e kanë përkrahjen e tyre për mos bërjen e suprimimit të autonomisë. Protesta këto që zgjatën 5 deri 6 ditë.”

Kostoja e të qenit fotoreporter në zonë lufte

Shkrepjet nga zonat e luftës luajnë një rol kritik në informimin e publikut, por ato vijnë me kosto të jashtëzakonshme. Fotoreporterët duhet të përballen me pamje rrëqethëse, të përballen me kërcënime rrëmbimi dhe të rrezikojnë jetën e tyre. Ja pa të drejtë, puna e fotoreporterit të luftës, është quajtur më e rrezikshmja në botë. Ai ka si armë vetëm aparatin e tij fotografik dhe disa filma, praktikisht i pambrojtur në luftë.

Roli i fotoreporterit si dëshmitar në luftë, ndikon tek opinioni publik më shumë se të gjitha fjalët që shkruhen për luftën, kjo është fuqia që si duket nuk i lejon të dorëzohen.

Bylykbashi u përballë me dhjetëra herë me forcat serbe, por një prej ditëve të kësaj periudhe, Ilazi bashkë me ekipin e “Rilindjes” i përbërë nga, Behar Zogjani, Avdi Podrimqaku dhe vozitësi i makinës, Jahë Ferizi, u rrahën për vdekje.

“Në vitin 1992 ishim në rrezik për jetë. Na kanë rrahur për vdekje ekipin e “Rilindjes” në Kliqinë afër Pejës. Ishim katër veta që shkuam për të raportuar për një rast, por rrugës na kanë ndalë, na kanë zbrit nga makina dhe kur e panë që jemi të “Rilindjes”, na thanë “Juve po ju presim si zogjtë” dhe aty afër ishte stacioni policor ku e kishin bo kordonin e neve na futen me kalu mes tyre dhe ata secili na kanë goditë në mënyrat më brutale. Kur na kanë fut brenda na kanë rrahur dy orë pa u ndalë fare. Kur kemi dal nga stacioni kemi hip në makinë për tu kthyer për Prishtinë, dhe secili kemi qenë në gjendje më të keqe se tjetri. Dhe na thanë “nëse veç kryt e ktheni, kemi me ju vra.” Pas 3 muajve jam mësuar të ec për së dyti. Kemi qenë në aq gjendje të keqe sa që na kanë sjell lesh të dhenve për tu pështjellë e për tu shëruar. Ai lesh i dhenve na ka shpëtu”.

Ditë të vështira për popullin kosovar, por ende nuk kishte filluar të zinte vend pjesa më brutale e skenarit serb.

Ishin vitet e ’90-ta që kosovarëve do të ju sillnin tmerrin para syve. Një ndodhi krejt e rastësishme, ka qenë pikënisje që ka dërguar deri te drama e familjes Jashari.

Përvjetori i minatorëve të Trepçës – Kulla e Jasharëve, 22 janar 1991

Bylykbashi na rrëfen tutje se në vitin 1991 erdhi koha për tu mbajtur përvjetori i protestave të minatorëve dhe është vendos që ky përvjetor të mbahet në Kullën e Jasharëve në Prekaz. Në atë mbledhje ishin Shaban Jashari, Ademi, Hamza e të gjithë të tjerët, por sipas Bylykbashit ata kanë qëndruar në prapavijë sepse thjesht kishin hapur dyert e odës së tyre për një mbledhje.

“Shaban Jashari ishte njeri largpamës”, vlerëson Bylykbashi duke na treguar se vetëm një muaj pas kësaj mbledhje, në muajin dhjetor është bërë sulmi i parë në familjen Jashari. Ky sulm ishte bërë me dy pretekste. Kinse kjo familja po mbajnë armë dhe pse është mbajtur mbledhja e minatorëve atje. Por ky sulm u pasua me maltretime të vazhdueshme për familjen Jashari. “Këto nuk kanë ndodhur vetëm te familja e Jasharëve, por edhe te Lushtakët dhe Kodralit, tek këto tri lagje ka ndodhë e njëjta gjë.”

Gjatë kësaj periudhe maltretimesh, Bylykbashi duke qenë në vazhdimësi dëshmitar i ndodhive përmes aparatit të tij, ai kishte vërejtur edhe një detaj, pasi i kishte shikuar fotografitë. Në mbledhjen e minatorëve, Shaban Jasharin e kishte fotografuar dhe i kishte të dy sytë të shëndoshë, por kur e fotografon më 2 janar të vitit tjetër, më 1992, vëren se Shabani e ka njërin sy të qorruar, për të vërtetuar mirë, Bylykbashi drejtohet për në redaksi që t’i krahasoj fotot, dhe aty e sheh që më mbledhjen e minatorëve, baca Shaban, siç e quan edhe sot Bylykbashi, e kishte pasur syrin në rregull.

“Kur e takova pastaj bacën Shaban, e pyeta çka ka ndodhë, më tha që kur e kanë marr policia e kanë rrah aq keq saqë ja kanë dëmtuar nervin e syrit dhe i është qorruar syri.”

Shaban Jashari më 22 nentor 1991 (foto e parë) dhe më 3 janar 1992 me sy të qorruar.

Shteti policor serb nuk ka zgjedhë mjete, ka maltretuar edhe fëmijët e të moshuarit

Këto dy foto të bacës Shaban, me dhe pa sy, Bylykbashi i kishte botuar pas shumë vitesh, më saktësisht në vitin 1996 në librin e tij, e rreth kësaj na zbulon edhe fjalët e bacës Shaban kur shkoi për t’i kërkuar të drejtën e botimit.

“Botoje, por emrin mos ma përmend, se si t’ma qet emrin mu, vijnë të marrin policia e ta bojn ma zi se mu”, i kishte thënë plaku.

Kur flasim për familjen Jashari, Bylykbashi nuk harron të përmend edhe shumë familje të tjera që kanë përjetuar të njëjtat maltretime. Familja e Xhafer Jasharit që ishte e përbërë nga gjashtë vëllezër, kishte përjetuar në asht mënyrat më brutale të maltretimit nga forcat serbe.

Më 22 janar të vitit 1998, kishte ndodhur sulmi tjetër te familja Jashari, por fotografitë e kësaj ngjarje, Bylykbashi i ka gjetur tek tash dhe ka arritur të shpëtojë një pjesë të madhe të tyre.

Por, më 5 mars 1998, familja Jashari për të tretën herë u përballë me forca të mëdha policore dhe ushtarake nga shteti i Serbisë. Kaq seriozisht e kishte marrë Serbia luftën me Jasharët legjendar. Por ky sulm përfundoi në mënyrë fatale për familjen Jashari.

Një ndër përballjet më të rënda të kohës së luftës, Bylykbashi e kishte pikërisht dokumentimin e të vrarëve në Prekaz.

Teksa nis të rrëfejë për këtë ditë, Bylykbashi fillimisht tenton të marr pak forcë, lotët i fshin shpejtë, heshtja mbërthen tavolinën ku ne po bashkëbisedonim dhe heshtjen e thyen përsëri shkrepësja që ndezi cigaren e radhës për Bylykbashin. Ai ishte i bindur që tymosja e ndihmonte të kthehej në rrëfim.

“Atë ditë kur është bërë fotografimi i të vrarëve në Prekaz, Serbia doli me propagandë që këta janë terroristë. Mandej flitej se po shkonte një delegacion nga LDK-ja për të parë atë që kishte ndodhur në Prekaz, ishin përgatitur tri makina, unë ju afrova Basri Musmuratit që ishte në krye të delegacionit, i thash a mund të vij me juve, më refuzoi, por unë vazhdova të këmbëngulja, i thash si po shkoni kur nuk keni as një aparat apo kamerë me vete, si doni të dëshmoni për atë që do të shihni atje. Si përfundim më morën dhe fatbardhësisht atë ditë isha furnizuar me filma më shumë se asnjëherë tjetër.”

Teksa po vazhdonin rrugën, në Komoran u ndaluan për kontrolle, por fatbardhësisht makina ku ishte Bylykbashi ishte e fundit dhe pas kontrollit të dy të parave e treta u lejua të kalonte pa kontrolle.

“Po të më kishin parë mua, aty do të përfundonte gjithçka.”

Forcat serbe i përcollën deri në hyrje të fshatit. Në një ndërtesë të materialit ndërtimor ishin vendosur të gjithë trupat e vrarë. 58 të vrarë nga familja Jashari. Përkundër që skaj rrugës kishin qenë mbi një mijë forca policore që e kishin rrethuar vendin, Bylykbashi la dhimbjen anash, nxori aparatin dhe nisi të bëjë shkrepjet e para.

“Kur kemi hyrë aty, ka qenë tmerr. Mos të kishte qenë Abdyl Rrahmani, unë atë ditë aty do të kisha vdekë, se kam hipur lart për të fotografuar më mirë edhe për tu parë numri i të vrarëve, e në këtë mënyrë u ekspozova shumë. Kam filluar fotografimin nga të gjitha këndet që të kishim dëshmi sa më shumë. Sot nuk e di si kam arrit me i fiksu ato pamje. Ka qenë shumë e rëndë. Atë ditë, në atë tmerr, kam arrit t’i fotografoj shtatë pamje nga kënde të ndryshme të figurës së Adem Jasharit, bacës Shaban e të Hamzës. Gjithë ajo forcë policore aty, vetëm 10 metra larg neve dhe unë kam arrit me i bë dikur rreth 370 shkrepje. Ata kanë pritur që kur të përfundojmë punën, të mi marrin të gjithë filmat. Por si kam shpëtuar unë atë ditë, vetëm një Zot e di”, ka thënë Bylykbashi, i cili më pas tregon edhe për këshillën që ia dha Xhafer Murtezaj i cili ishte pjesë e delegacionit.  

Të vrarët e familjes Jashari, 10 mars 1998

“Ilaz fotografoj dhe aparatet lëshoj në atë vend mos e kap çantën e aparatit më, unë do t’i sjell nesër në Prishtinë se vetëm kështu e shpëton veten.”

Këto fjalë, i hapën sytë Bylykbashit dhe ashtu veproi. Madje për të mos rënë në sy, ai zhveshi edhe pallton.

“Aparatet i kam lëshuar aty, e i kam marr vetëm filmat dhe ia kam dorëzuar Nekibe Kelmendit, Edi Shukriut dhe Mevlude Saraqit që ishin aty. Kur i kam largu filmat, jam çliruar edhe thash me vete, tash edhe nëse më vrasin më nuk ka rëndësi se i sigurova dëshmitë. Pastaj e kam larguar edhe pallton nga trupi që mos me më identifiku lehtë forcat serbe, edhe kështu duke qenë edhe pa çantën e aparatit, nuk ju kam rënë në sy edhe kam kaluar pa më vërejt, nuk e di a ju ka ik si rast apo fati i madh më ka shpëtuar atë ditë.”

Sakrifica e Bylykbashit në Prekaz, kishte zënë vend tashmë në redaksinë e “Rilindjes”. Kur ai u kthye, aty ishte bërë kaos sepse laborantët kishin filluar t’i zhvillojnë filmat, por kur e kanë parë tmerrin me sy, ju kishte rënë të fikët.

Gazetarët ndërkombëtarë kishin arritur në redaksi dhe po pyesnin se çka po ndodhte.

Bylykbashi na tregon se kryeredaktori i gazetës “Rilindja”, Avni Spahiu ju kishte thënë se fotoreporteri jonë i ka sjell filmat ku i ka fotografuar “terroristët”, këtë shprehje ai e kishte përdorur qëllimisht që t’i mobilizonte gazetarët që të vinin sa më shumë dhe të shihnin çfarë ka ndodhur në Prekaz.

“Në ora 8:30 mblidhen rreth 50-60 gazetarë ndërkombëtarë me i pa pamjet ku rreth pesëqind fotografi ishin shpërndanë në tavolina të redaksisë. Gazetarët mbetën të habitur dhe thanë ku janë terroristët këtu. Avniu ju thotë këta janë vrarë në emër të terroristëve. Ja ky fëmija 3 vjeçar është terrorist sipas tyre e deri te kjo gruaja e moshuar, duke iu referuar nënës së Adem Jasharit.”

Pasi panë tmerrin që forcat serbe kishin bërë në Prekaz, gazetarët u interesuan t’i blejnë këto fotografi dhe kërkuan numrin e  xhirollogarisë së Bylykbashit, por ata morën një përgjigje të prerë nga ai.

“Numri i xhirollogarisë sime është me dal e vërteta dhe me pa bota çka po ndodhë këtu.”

Kështu, shkrepjet e Bylykbashit morën jehonë e i treguan botës se Serbia po bënte gjenocid në Kosovë.

Kur i hedhim sytë tek shkrepjet e Ilazit, vërejmë që pjesa më e madhe e personazheve të fotografive të tij janë fëmijët dhe pleqtë. Secila fytyrë është dramë më vete! “Gjatë punës jam munduar gjithmonë t’i realizoj fotografitë pa më vërejtur”, thotë Bylykbashi.

Në vitet e ’90, Bylykbashi, realitetin kosovar të fiksuar në fotografi e dërgoi për ta shpalosur edhe në Shqipëri, dhe kjo shënoi njëkohësisht vizitën e parë të Bylykbashit atje.

“Kur e kam realizuar ekspozitën me fotografi në Tiranë, duke u kthyer nga atje me autobus më kanë ndal forcat serbe më kanë zhvesh tërësisht për kontrolle edhe më kanë thënë: Ekspozita e radhës ka me qenë e familjes tënde.”

Në vitin 1996, Ilaz Bylykbashi fotografitë e tij i jetësoi edhe në librin “555 …: kronikë (1981 – 1995)”. “Pasi e kam botuar librin, kur kam takuar njerëz më kanë thënë që shkaku i librit tim ia kanë djegur shtëpinë. Librin që e kam botuar atëherë ka qenë një letërnjoftim për atë kohë.”

Bylykbashi, jo vetëm që i përjetësoi ndodhitë, por ai në vazhdimësi u kujdes që të arrinte të informonte sa më shumë njerëz me të vërtetën, duke zhveshur në totalitet kuptimin e okupimit serbë përballë forcës morale dhe të së drejtës së popullit tonë për liri. 

Punën e fotoreporterit e zhvilloi në një kohë tejet të vështirë, andaj Bylykbashi sfidën më të madhe e kishte ruajtjen e filmave sepse ai e kishte kuptuar se ato fotografi ishin forma më e rëndësishme e tregimit të asaj kohe.

Gjatë punës së tij në dokumentimin e ngjarjeve historike për vendin tonë, policia serbe rreth dymbëdhjetë herë ia kishte marr mjetet e punës. Filmat e sulmit të parë në Prekaz edhe sot i ka peng.

“I kisha metodat e  mija qysh mi shpëtu filmat. Gjithmonë tek mënga e bluzës e maja një film të thatë, edhe kur me thoshin policia nxjerre filmin, unë e merrja atë të thatin tek mënga dhe e dorëzoja e kështu e shpëtoja filmin me foto.”

Gjithë ata filma që fshihnin krimet serbe kundër shqiptarëve, duke qenë kohë lufte në rrethana të paparashikueshme, Ilazi duhej kujdesej që t’i linte në vende të sigurta.

“Filmat i kam pas të shpërndarë në shumë vende, disa i kam pas te miqtë, në një vend shumë të sigurt, por aty ka qenë vetëm një pjesë. Pjesa dërmuese ka qenë në redaksi të “Rilindjes” dhe Safete Berisha që ka punuar në administratë, duke e ditur rëndësinë e tyre i ka fshehur në një vend të sigurt.”

Wolverine CAMERA

Në muajin maj të vitit 1999, fotoreporteri i “Rilindjes”, pas rreth 15 viteve punë të pandalshme, ktheu sytë nga familja që ishin më të rrezikuar se asnjëherë.

Insistimi i familjarëve që të largohen nga Kosova, tek Ilazi nuk zinte vend. Të gjithë morën rrugë, por ai rezistoi deri në momentin kur fjala e vajzës i theu zemrën. “Bab a po don me na qu posht krejtve a?”, pas këtyre fjalëve, në muajin janar, Ilazi, gruan bashkë me fëmijët i dërgoi në Shkup. Teksa, vet ju bashkua tek në muajin maj, ku prej aty shkuan në Australi, vend që jetojnë edhe sot.

Kur flet për largimin nga Kosova, sytë i mbushen me lot e dukej sikur edhe zemra i dridhej. Një cigare tjetër e nxori krejt ngadalë nga kutia, dhe filloi të tymoste.

“Largimin nga Kosova asnjëherë nuk e kam menduar. Kur familja insistonte, unë ju thoja, të gjithë shkoni, unë jo. Nëse më kish zënë 10 qershori 1999 në Kosovë, asnjëherë nuk kisha marr rrugë për një vend tjetër.”

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, kthimi i parë i Bylykbashit, ndodhi në vitin 2001 dhe kjo ishte një tentativë që të vazhdonte punën dhe qëndrimin prapë në Kosovë.

Por një takim më ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, i dha tjetër rrjedhë kësaj pune. “Kur jam takuar me Ibrahim Rugovën më tha: Ilaz, çka po bën këtu, ti e ke kryer misionin tënd, kthehu tash le të njeh familja se as ata nuk të njohin mirë.”

“Të them të drejtën në fillim u mërzita nga këto fjalë, por më vonë e kuptova rëndësinë e tyre.”

Por, puna rrodhi si rrodhi, lufta përshkallëzoi dhe Ilazi duke qenë larg Kosovës, deri shumë vite pas luftës, nuk ka pasur idenë për fatin e këtyre filmave. Safetja i ka dorëzuar këta filma tek Ilazi tek në vitin 2019, e deri në atë kohë ai se kishte idenë që filmat kishin mbijetuar.

“Kur i kam marr filmat në atë kohë, i kam kontrolluar sipërfaqësisht, nuk kam besuar që ka aq shumë material. Që nga viti 2019 deri më tani kam investuar mbi 40 mijë euro për digjitalizim dhe hulumtim të secilit film që të shoh se çfarë ka shpëtuar.”

Qysh nga dita që Ilazi i riktheu në duart e tij këta filma, i është rikthyer edhe njëherë gjithë atyre përjetimeve dhe çdo ditë po punon në zbulimin e fotografive të reja.

Ilazi, edhe sot shprehet se asnjëherë nuk e kishte besuar që mund të kishte një bagazh të tillë të fotografive, duke e pasur parasysh se në çfarë etapa ka kaluar. Por ai falënderon Safete Berishën që u bë urë lidhëse që këto dëshmi sot të jenë gjallë.

Wolverine CAMERA

Fuqia e informimit

Jeta e një fotoreporteri të luftës ka ndryshuar në mënyrë dramatike gjatë shekujve. Fotoreporterët e sotëm të luftës kanë më shumë teknologji se gjeneratat e mëparshme, por Bylykbashi mendon se edhe pse mundësitë janë shumë më të mëdha sot, fuqia e informimit atëherë ishte më e madhe.

“Atëherë gjithë ne që jemi marr me fotografi kemi qenë pesë persona, sot secila familje i ka rreth katër aparate. Ne kemi arritur që përmes “Rilindjes”, që më vonë u bë “Bujku”, të bëjmë më shumë se që bëjnë sot mediat edhe pse mundësitë i kanë të jashtëzakonshme e teknologjia e bënë të veten.”

Neglizhenca e Institucioneve të Kosovës karshi dokumentimit të krimeve serbe

Ilazin, sot, pas më shumë se 20 viteve, e mundon një gjë. Ai është i befasuar për të keq se si gjithë kjo pasuri dokumentuese e krimeve serbe, nuk ju intereson aspak institucioneve në Kosovë.

“Askush nga institucionet nuk më ka ftuar asnjëherë e të shprehin interesim për këto dëshmi. Është formuar edhe Burgu Muze në Prishtinë, e unë i kam diku rreth 150 pamje të të burgosurve në atë burg. Grupin e Fehmi Lladrovcit, dhe secilën figurë të tyre, janë fotografi që e kanë vendin në atë muze, që vizitorët kur të shkojnë për vizitë t’i shohin edhe fotografitë e jo veç muret, por askush nuk interesohet për këtë pjesë që nesër gjeneratat e reja t’i shohin njerëzit që kanë kaluar nëpër ato vështirësi.”

Ai tutje tregon se edhe në atë kohë, përkundër se ishte gjendje lufte, ishin bërë pazare të mëdha, por ai ndihet krenar që asnjëherë nuk kishte punuar për përfitime por me qëllimin e vetëm se si të dokumentohet e vërteta.

“Këta 4-5 muajt e fundit po ndihem edhe më krenar dhe i përmbushur për punën që e kam bërë ndër vite, por edhe jam i zhgënjyer se si nuk ka aspak interesim që të ruhet ky dokumentacion kaq i rëndësishëm, sepse këto fotografi janë sot të gjalla, e në momentin që vdes unë vdesin edhe këto fotografi sepse vdes rrëfimi e kujdesi për to.”

Dhimbja e tij është edhe në faktin se si Serbia edhe sot vazhdon të bëjë montazhe e skenarë që gjithë fajin të ja lërë shqiptarëve e të na paraqesin si njerëz të egër e që i maltretojmë serbët. Ndërsa ne i kemi faktet edhe askush nuk merret me to.

“Nuk e di këto institucione tona si do të japin arsye nesër që nuk janë marr me të vërtetën.”

Gjithë kjo periudhë ka lënë mjaft pasoja tek Bylykbashi dhe familja e tij. Por edhe sikur të kthehej koha pas, ai pohon se pa asnjë mëdyshje do e bënte punën e njëjtë.

“Puna e fotoreporterit në ato rrethana ka qenë tejet e vështirë. Unë sa herë kam dal nga shtëpia, asnjëherë se kam ditë nëse do të kthehem. Por nëse do të kthehej koha prapë njëjtë do të veproja”, përfundon Ilazi, duke na treguar se është duke i dhënë dorën e fundit monografisë, libër ky që me anë të fotografive do të dokumentojë ngjarjet që lanë shenjë në përpjekje për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe do të shërbejnë edhe si dëshmi e faktimit të krimeve që regjimi i Beogradit i bëri në Kosovë e që u ndërprenë me ndërhyrjen e NATO-s në pranverën e vitit 1999. / KultPlus.com

(Më poshtë po ju sjellim edhe disa fotografi të realizuara nga Ilaz Bylykbashi e që paraqesin disa prej ndodhive të Kosovës së asaj kohe.)

Krerët e shtetit me pasardhësit e familjes Jashari, Osmani: Jeta triumfoi mbi vdekjen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, janë takuar së fundmi me pasardhësit e familjes Jashari, shkruan KultPlus.

Në kuadër të shënimit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krerët e shtetit kanë takuar edhe pasardhësit e familjes Jashari.

Në një fotografi të postuar nga Osmani shihen Rifat Jashari së bashku me Bekim Jashari dhe fëmijët e tjerë të familjes.

“Liria triumfoi mbi robërinë! Çlirimtarët triumfuan mbi pushtuesit! E mira triumfoi mbi ligësinë! Jeta triumfoi mbi vdekjen!”, ishte mbishkrimi i Osmanit në “Facebook”.

Ky vit shënon 24 vjetorin e rënies heroike të familjes Jashari në luftën e fundit në Kosovë. /KultPlus.com

Çeku: Rezistenca dhe trimëria e Jasharajve është frymëzim për ne dhe brezat që do të vijnë pas nesh

Në shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krerët shtetëror kanë bërë homazhe te Kulla e Jasharajve, shkruan KultPlus.

Një vizitë të tillë e ka bërë edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili ka thënë se ngjarja në Prekaz ndryshoi historinë e Kosovës.

“24 vite nga sakrifica dhe heroizmi i jashtëzakonshëm i familjes Jashari në Prekaz që ndryshoi historinë e Kosovës, rrugën tonë të gjatë që u kurorëzua me liri dhe pavarësi të vendit. Rezistenca dhe trimëria e tyre është frymëzim për ne dhe breza të tërë që do të vijnë pas nesh. Lavdi Adem Jasharit dhe gjithë familjes Jashari! Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të Kosovës!”, shkroi Çeku.

Epopeja e UÇK-së shënohet çdo vit nga 5, 6 dhe 7 marsi, atëherë kur edhe ndodhen sulmet në familjen Jashari. /KultPlus.com

Osmani: Çmimi i lirisë është më i shtrenjti, por edhe më i çmuari

Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancë solemne për të shënuar Epopenë e UÇK-së, shkruan KultPlus.

Fjalimi i plotë i presidentës Vjosa Osmani në këtë seancë.

“Sot jemi mbledhur në këtë seancë të veçantë për të përkujtuar sakrificën e familjes Jashari, peshën historike të ngjarjeve 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998 por dhe ndikimin e të gjithë atyre grave, burrave dhe të rejave dhe të rinjëve pati në historinë tonë më të re.Marsi i vitit 1998 shënon kthesën e madhe në historinë shekullore të përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri.Në këtë ditë, fryma e lirisë që nisi në Prekaz në familjen Jashari u bart gjithandej nëpërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë ditë, që është vetëm njëra prej disave të tilla, por do të mbesë në historinë tonë edhe për shekuj të tërë, Familja Jashari në Prekaz u ndodh nën rrethimin e forcave të regjimit gjenocidal serb”.

Rrethime të tilla kjo familje kishte përjetuar edhe më 30 dhjetor 1991, më 22 janar 1998 dhe së fundi edhe më 5, 6 e 7 mars 1998.Në të tri rrethimet, rezistenca e familjes Jashari në krye me bacën Shaban, Hamzën dhe komandantin legjendar Adem Jasharin, nuk ishte përpjekje thjesht për mbrojtjen e pragut të shtëpisë së tyre.Ata, bashkë u vunë në mbrojtje të pragut të Kosovës,  shtëpisë sonë të përbashkët për të cilën u flijuan. Në tri ditët e Epopesë, ata u heroizuan dhe të tillë, pra si heronj të kombit do të mbeten për sa të jetë Kosova.Ata u vunë në mbrojtje të dinjitetit, të lirisë dhe të së drejtës për shtet, prandaj sot në këtë ditë, përulemi para veprës së tyre heroike. Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 98, rezistenca e familjes Jashari ishte thirrje për mobilizim të të gjithë popullit për t`i dhënë fund robërisë, për ta kthyer dinjitetin në vend dhe për ta dërguar mesazhin se liria nuk ka çmim.

Duke refuzuar nënshtrimin, Komandanti Legjendar, Adem Jashari bashkë me shumë anëtarë të familjes e bashkëfshatarë ranë heroikisht, në mbrojtje të atdheut. Ky sakrifikim epik i familjes Jashari me bashkëfshatarë e bashkëluftëtarë u bë guri themeltar i lirisë dhe shtetit tonë. Kjo familje është portreti i lirisë sonë, e cila ishte e zorshme për t’u arritur, për të cilën u desh shumë mund, për të cilën ranë edhe 3 mijë dëshmorë të UÇK-së,  13 mijë civilë, u dhunuan afro 20 mijë gra e burra, dhe të zhdukur me dhunë janë ende mbi 1600 persona. Por, ende nuk ka drejtësi për asnjërin nga ta.

Prandaj, duhet të vendoset drejtësia edhe për të pasur kuptim liria jonë, edhe për të nxjerrë mësime nga historia. Ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë se drejtësi, sepse këtë e kemi obligim për një të ardhme më të mirë. Rezistenca dhe sakrifica sublime e familjes Jashari ishin dhe janë idealet për ta mbrojtur lirinë dhe të drejtën për të jetuar në shtet sovran. Këtë e bëri familja Jashari nën guximin, jo vetëm të familjarit, por edhe të komandantit të ushtrisë sonë, legjendarit Adem Jashari. Faleminderit komandant! Faleminderit familje Jashari! Faleminderit Ushtrisë sonë çlirimtare, të cilët vulosën fatin tonë si popull dhe si shtet. Sot jemi këtu në këtë ditë përkujtimore, në kazermën që me krenari mbanë emrin e komandantit legjendar, prandaj si krenaria ashtu edhe përgjegjësia jonë janë bërë bashkë.

Përveç frymëzimit që jep ky emër për secilin ushtar të Republikës së Kosovës, i ngarkon ata edhe me përgjegjësi për atdheun në kohën kur paqja po bëhet gjithnjë e më sfiduese. Sikurse dikur ne, bota sot është në përpjekje për mbrojtjen e lirisë si një e drejtë universale. Sot, mbi ushtarët tanë bie barra e sigurisë për popullin dhe për shtetin tonë. Unë besoj fuqishëm se ju jeni gardianët tanë dhe gardianët e çdo cepi të territorit të Kosovës. Lufta jonë çlirimtare bashkë me aleatët tanë e bëri lirinë tonë, e ju të nderuar ushtarë do ta mirëmbani lirinë tonë. Kërcënimet ndaj lirisë, tashmë janë realitet, të cilin ne akoma po e përjetojmë. Hegjemonia po shihet akoma në kontinentin tonë, pra në Evropë. Ne i njohim edhe sot vuajtjet e tyre dhe i njohim gjithnjë e më shumë ata që synojnë hegjemoninë.

Kjo situatë e bën të domosdoshme nevojën për unitet dhe për vigjilencë, sepse siç nuk ka luftë të përhershme, nuk ka as paqe të përhershme! Ne nuk duhet të heqim dorë asnjëherë nga përpjekja jonë që shtetin ta mbajmë stabil, e t`i dalim zot kudo, e kurdo. Si komandante supreme e ushtrisë sonë, jam e bindur se ju të dhashur ushtar do ta bëni këtë dhe jeni të gatshëm për secilën situatë. Megjithëse ushtria jonë është në fazën e transformimit, ju tashmë keni dhënë prova të mjaftueshme se krahas partnerëve ndërkombëtarë mund të shërbeni në çdo mision, të jeni jo vetëm garantues te paqes në shtetin tonë, por edhe importues të saj, kudo ku e kërkon nevoja.

Sot, sikurse asnjëherë më parë, ne duhet ta rrisim përkushtimin për ushtrinë tonë. Prandaj, themelimi i Fondit të Sigurisë nga ana e Qeverisë është dëshmi se ne duam ta forcojmë ushtrinë tonë në të gjitha mënyrat dhe me kontributin e gjithsecilit. Kjo është ushtria jonë e ndërtuar me shumë sakrifica, ndaj të gjithë ne duhet ta ndjejmë përkatësinë ndaj saj, jo vetëm nga shërbimet që i ofron ajo, por edhe duke e mbështetur konkretisht, sepse sa më shumë e mbështesim ushtrinë tonë, më të sigurt e kemi të ardhmen tonë. Prandaj, besoj fuqishëm se do ta arrijmë këtë me përkushtimin, kurajën dhe guximin e vajzave dhe djemve të Forcës, e cila po rritet çdo ditë e më shumë së bashku me kapacitet tona.   

Ushtria jonë në këtë proces po zhvillohet edhe më tej si forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s. Prandaj, e them sërish siç e kemi thënë në këto 14 vite, anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i shtetit tonë, ndaj anëtarësimi në Aleancën Veri-Atlantike tani është më i domosdoshëm se kurrë dhe është parakusht për paqe në rajon. Prandaj, të nderuar ushtarë të Forcës, të nderuar pjesëmarrës, shumë e nderuar familje Jashari, luftëtarë të lirisë, aleatë tanë, heronjtë që ranë për lirinë tonë së bashku me viktimat civile e bën lirinë të mundshme, ne na mbetet që ta mirëmbajmë atë, ta forcojmë shtetin dhe ta sigurojmë atë duke e bërë pjesë të NATO-s, duke e bërë pjesë të Bashkimit Evropian, e të Kombeve të Bashkuara

Ky është mesazhi të cilin, ne përfaqësuesit e republikës së lirë të cilët e kanë përjetuar dhunën hegjemonike, duhet që edhe sot në këto ditë të errta të hegjemonisë së Evropës, të ua dërgojmë të gjithë njerëzve e popujve liri-dashës. Ne sonte na ka mbledhur në këtë seanca krenaria për heroin tonë”, thotë mes tjerash presidentja Osmani. /KultPlus.com

Një fotografi e rrallë e varrit të Adem Jasharit në vitin 2000

Sot bëhen 24 vjet nga rënia e komandantit legjendar, Adem Jasharit dhe gjithë familjes së Jasharëve.

Kjo familje heroike sot u kujtua nga shumë shokë, bashkëluftëtarë të Adem Jasharit e edhe nga shumë qytetarë të vendit.

Një foto e rrallë e varrit të Adem Jasharit, ku shihet varri i tij në vitin 2000 kur ishin bërë homazhe nga një grup i grave të Mitrovicës.

“Homazhet e grave të Mitrovicës, te varri i Komandantit Legjendar Adem Jashari, në vitin 2000. Nëna ime me shoqe”, ka shkruar Drita Kadriu e cila realizoi këtë foto në të kaluarën. / KultPlus.com

Rrëfimi i Hamëz Jasharit pas sulmit të 22 janarit 1998: Edhe Evropa t’i hap dyert për ne, ne nuk do ta lëshojmë Kosovën (VIDEO)

Më 22 janar 1998 në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municioneve të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar kah Kulla e Jasharëve, për të sulmuar ata.

Për këtë ngjarje, Hamëz Jashari kishte bërë në atë kohë një rrëfim për dy mediume, njërin shqiptar dhe tjetrin nga Gjermania dhe Kroacia në bashkëpunim.

”…ata [serbët] filluan të qëllonin në drejtim tonin, kështu që edhe ne filluam të gjuanim mbi ta”, tha ai.

”Serbia nuk do paqe. Ata çdo ditë rrahin, vrasin dhe rrisin dhunën ndaj shqiptarëve”.

”Ata hynë nëpër shtëpitë tona dhe na poshtërojnë. Dekani i Universitetit Shqiptar poshtërohet nga një polic i thjeshtë serb”, ishte shprehur atëbotë, Hamzë Jashari.

Në rrëfimin e dytë, Hamëz Jashari ishte i bindur se nuk do të largoheshin nga Kosova me asnjë kusht, edhe nëse Evropa u hap dyert atyre.

”S’kemi ku me shku na, këtu do ta bëjmë vdekjen, këtu ku të parët tanë kanë jetuar me shekuj, prej ilirëve e pëllazgëve, këtu edhe ne do ta bëjmë vdekjen, kurrë nuk do ta lëshojmë këtu. Do t’i përgjigjemi me aq sa kemi mundësi. S’kemi ku shkojmë, i shihni sa fëmijët i kemi këtu. Edhe Europa t’i hap dyert për ne, ne nuk do ta lëshojmë”, kishte thënë Hamëz Jashari.

Bekim Jashari, deklaron se nga shtëpia ishte babushi Hamëza bashkë me gratë, vajzat dhe femijët tjerë, ku pas 45 minuta luftimesh, arritën që të zbrapsnin pushtuesin serb duke lënë të plagosur shumë polic serb. /KultPlus.com

Mehaj: Restaurimi i Kullave të Jasharajve mbetet projekti nacional në top prioritet

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë homazhe gjatë ditës së sotme te varrezat e Jasharajve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, shkruan KultPlus.

Mehaj ka thënë se se restaurimi i Kullave të Jasharajve mbetet projekti nacional në top prioritet.

“Sot së bashku me kryeministrin Kurti dhe bashkëpunëtorët tjerë, ministra e deputetë, bëmë vizitë dhe homazhe para varreve të Jasharajve Legjendar, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në përkujtim dhe nderim të 24-vjetorit të rezistencës dhe fitores së Familjes Jashari, ndaj sulmit të dytë të forcave pushtuese kriminale të Serbisë.Atë ditë Komandanti Adem Jashari nuk ishte në shtëpi, e sulmit tinzar në orët e hershme të mëngjesit , i ishin përgjigjur me zjarr Baca Shaban e Hamza bashkë me nipa e mbesa, ku kishin marrë plagë disa anëtarë të familjes Jashari, ndërsa forcat e armikut ishin detyruar të tërhiqen”, shkroi ai në “Facebook”.

Ministri tutje ka thënë se restaurimi në këtë vend bartë peshë të madhe të nërdgjegjies kombëtare.

“Restaurimi i Kullave të Jasharajve, që bartin peshën më të madhe të ndërgjegjies sonë kombëtare, do të jetë projekti ynë nacional në top-prioritet , sepse këtë ia kemi borxh, jo Familjes Jashari sepse atë dhanë gjithçka për Lirinë tonë, por ia kemi borxh historisë sonë të lavdishme dhe brezave të ardhshëm të kombit”, ka shkruar ai tutje.

Në këto homazhe ishin të pranishëm edhe Kryeministri Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku anëtarë tjetër të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe drejtues të institucioneve tjera shtetërore. /KultPlus.com

24 vjet nga sulmi i dytë në familjen Jashari

Pikërisht më 22 janar 1998 në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municioneve të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar kah Kulla e Jasharëve, për të sulmuar ata.

Atë natë të trishtë Adem Jashari nuk ishte në shtëpi, por rezistencë sulmit i bënë Hamza dhe Shabani, bashkë me anëtarët e tjerë.

Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998 ku pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin. /KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Trashëgimia e bacës Shaban, është e përjetshme dhe e pavdekshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një dedikim për Jasharët në Prekaz, me rastin e 30 vjetorit të sulmit të parë serb ndaj kësaj familjeje.

Duke shkruar për veprën e kryefamiljarit të Jasharajve, Shabanit, kryeministri Kurti thotë se trashëgimia e tij si bujk, mësues dhe prind i shkëlqyer është e përjetshme dhe e pavdekshme.

Ky është shkrimi i plotë i tij:

Në 30 vjetorin e sulmit të parë të Serbisë mbi Jasharajt në Prekaz

Kultivon tokën, ai njeri që e di se do të jetoj gjatë në marrëdhënie me tokën. Ai i dha tokës, toka i dha atij. Mes tokës dhe njeriut vendoset një besim afatgjatë

Kultivon nxënësin, ai njeri që e di se dija do t’i duhet njeriut, për të gjitha mundësitë dhe pamundësitë që i duhet jeta. Mes mësuesit dhe nxënësit vendoset lidhja e një populli me dijen.

Kultivon fëmijën e vet, ai njeri që e di se çka ka marrë prej së shkuarës duhet ta mbrujë në të ardhmen e vet. Një prind që e njeh të shkuarën e vet si dheun e një njerëzie dhe të vërtete, e përçon mandej në dejet e së ardhmes bashkë me gjakun.

Ky është Shaban Jashari. Baca Shaban, bashkë me djemtë e tij, me nxënësit e tij më të përditshëm, me bujqit e tij më të ngushtë, më 30 dhjetor të vitit 1991, 30 vite më parë, shprehte vetëdijen më të lartë për tokën dhe të shkuarën e tyre, për popullin dhe të ardhmen e tij. Trashëgimia e këtij bujku, mësuesi dhe prindi të shkëlqyer është e përjetshme, e pavdekshme. / KultPlus.com

Kurti nga Prekazi kujton bombardimet e NATO’s: Drejtësia nuk është vënë në vend për familjen Jashari

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me kabinetin qeveritar ka nisur ditën e dytë të punës në krye të Qeverisë duke bërë homazhe në Prekaz.

Kurti nga Prekazi ka thënë se ka shkuar me kabinetin që ai udhëheq në vendin e flijimit dhe të bashkimit, ku është bërë edhe ngritja heroike e kombit shqiptar.

“Dje pranuam detyrën si Qeveri e re që u votua në Kuvendin e Kosovës të hënën mbrëma. Sot në ditën e parë të punës me zëvendëskryeministrat dhe ministrat erdhëm herët në mëngjes në Prekaz në këtë vend të flijimit dhe të bashkimit, ku tre breza të familjes Jashari u vranë nga forcat serbe, mirëpo, rënia e tyre heroike e ngriti në këmbë popullin shqiptar, i dha hov ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare që me 24 mars dërgoi aleancën më të fuqishme në historinë e njerëzimit kundër një shteti gjeneciodal siç ishte Serbia e Millosheviqit”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar tutje se drejtësia ende nuk është vënë në vend për familjen Jashari e për shumë familje tjera.

“I kujtojmë me shumë dhëmbie e mall, Shaban, Hamëz e Adem Jasharin e të gjithë pjesëtarët e kësaj familje, gjysma e të cilëve ishin gra e fëmijëve, drejtësia nuk është vënë në vend ashtu si për shumë dëshmorë e martir të tjerë. Gjaku i tyre nuk humbet kurrë, emri i tyre nuk harrohet kurrë, ne kthehemi në Prekaz për të kuptuar nga vijmë e për të ditur se nga duhet të shkojmë”, ka thënë Kurti./GazetaExpress/ KultPlus.com

Ambasada e Italisë kujton veprën e familjes Jashari përmes një videoje të veçantë (VIDEO)

Në Kosovë po shënohet sot dita e dytë e Epopesë së UÇK-së, në nderim të veprës së komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij të cilët u vranë nga forcat serbe 23 vjet më parë.

Përmes një videoje, veprën e familjes Jashari dhe rolin e tyre në lirinë e vendit e ka kujtuar edhe ambasada italiane.

“59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë fëmijë ranë për lirinë e Kosovës. Rezistenca e tyre inspiroi popullin e Kosovës për t’iu konfrontuar agresionit serb”, thuhet në video. / KultPlus.com

Ish-polici serb dëshmon për masakrën e Prekazit: Ishte çmenduri serbe

Më 2009 e 2010 ishte dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë së Serbisë për krime lufte.

Atëherë në dëshminë e tij, Jovan Goluboviq asgjë s’kishte fshehur nga ngjarjet që ky thotë se i pa me sytë e tij në tre luftëra që i ndezi Serbia në Kosovë, Bosnjë e Kroaci.

55 vjeçari, polic në pension, rrëfen për pjesëmarrjen e tij në sulmin e shtetit serb në tre ditë marsi të 1998 mbi familjen Jashari në Prekaz të Skenderajt.

”Ajo çka më së shumti më ka mbetur në kujtesë është se ai aksion në Prekaz të poshtëm në Lagjen Jashari, jo që ka qenë mbi përdorim i forcës por ishte çmenduri serbe”.

”Aty ishte gjoja një terrorist me emrin Adem Jashari i cili posedon armatim të madh dhe njësia jonë duhej të bastiste shtëpinë e tij dhe të procedohet nëse zbulohen armë”, thotë ai.

”Unë çuditesha edhe atëherë pse gjithë ky aksion ku bëhet fjalë për një person. Por ne e kuptuam qysh në fillim se gjërat nuk janë të thjeshta dhe aksioni u urdhërua nga kreu i shtetit direkt nga Sllobodan Millosheviq nëpërmjet Jovica Stanishiqit, shef i Shërbimit sekret të shtetit”.

Urdhrin nga Beogradi për masakrën mbi Jasharët, Goluboviq thotë se e ka zbatuar Goran Radosavljeviq- Guri, shef i xhandarmërisë serbe, që është anëtar i Partisë Përparimtare serbe në krye me Aleksandar Vuçiq.

Goluboviq, kujton se policia vet e provokoi nisjen e sulmit me armë të kalibrave të ndryshme.

”Një makinë policore me megafon nga i cili në gjuhën shqipe është thirrur ‘’Adem Jashari të del dhe të mos bëjë rezistencë’’ sepse kanë ardhur kinse për bastisje. Në një moment dikush nis krismat. Më vonë e kuptuam se dikush nga ana jonë shtiu për të provokuar situatën. Nuk kishte të shtëna nga shtëpitë e Adem Jasharit.”

Në luftimet e Drenicës, Golubovic thotë se mori pjesë personalisht dhe Milorad Ulemek-Legija, kreu i Beretave të Kuqe që ndodhet në burg për vrasjen e Kryeministrit serb Zoran Gjingjiq.

”Adem Jashari është ekzekutuar me plumba pas shpine. Ai e ka përdorur njëfarë lloj strehe që e kishte në bodrumin e shtëpisë së tij dhe nga aty është vetëmbrojtur. Ai ka qenë pjesë e Ushtrisë së Jugosllavisë në Slloveni dhe posedonte njohuri për luftime. Opinioni serb nuk e di por disa me siguri kanë dijeni dhe unë me sytë e mi e kam parë që Adem Jashari është prerë në fyt”, deklaron ai.

Goluboviq, flet për skenat lemeritëse pas masakrës.

”I kemi  mbledhur trupat e të vrarëve aty kishte gra, fëmijë e pleq në një kamion për të cilin i kam treguar Prokurorisë saktë se për çfarë mjeti bëhet fjalë, kush e drejtoi, e çfarë tabela kishte. Me atë kamion është lëvizur nëpër lagje dhe trupat e të vrarëve janë mbledhur”.

Për të mos i parë trupat e të ekzekutuarve nga ekipet e gazetarëve, dëshmitari atëherë i uniformuar thotë se u urdhërua varrimi.

”Urdhri ishte i qartë qysh para nisjes në Prekaz na thanë askush nuk guxon të dal i gjallë nga fshati. I kemi  mbledhur trupat  e të vrarëve aty kishte gra, fëmijë e pleq në një kamion për të cilin i kam treguar Prokurorisë saktë se për çfarë mjeti bëhet fjalë , kush voziti , e çfarë tabelat kishte. Me atë kamion është lëvizur nëpër lagje dhe trupat e të vrarëve janë mbledhur. Na u dha urdhri që në një livadh të fshatit ti varrosim. Kemi hapur varret dhe i kemi varrosur 32 trupa. Shteti i Serbisë i ka dhënë arkivolet”.

Goluboviq , mbeti pjesë e njësisë speciale policore deri në fund të luftës së Kosovës dhe pa shumë vrasje e tortura ndaj civilëve.

Burri nga Vlastotinci pohon se e di vendndodhjen e një varreze masive në Jug të Serbisë.

”Një kamion –frigorifer i mbushur me mbi 40 trupa të të vrarëve kryesisht civilë nga 2 deri në 72 vjeç është sjellur për t’u djegur në jug të Serbisë në Komunën e Surdulicës. Djegia nuk u bë dhe u dërgua në një vend tjetër që kufomat të fundosen. Unë dhe disa njerëz saktë e dimë ku është ajo varrezë masive”.

”Kur e kam përmendur këtë në Prokurori më thanë mos flisni për këtë rast, me të do të merremi më vonë. Unë nuk mund të vdes pa e thënë këtë”.

Ai i akuzon udhëheqësit e sotëm në Serbi, presidentin Aleksandar Vuçiq, e kryetarin e Kuvendit Ivica Daçiq se heshtin pranë krimeve që janë bërë sepse sipas Goluboviq, ata janë pjesë e kastës që solli gjithë tragjedinë në ish-Jugosllavi./Klankosova / KultPlus.com

23 vjet nga sulmi i dytë në familjen Jashari

Pikërisht më 22 janar 1998 në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municioneve të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar kah Kulla e Jasharëve, për të sulmuar ata.

Atë natë të trishtë Adem Jashari nuk ishte në shtëpi, por rezistencë sulmit i bënë Hamza dhe Shabani, bashkë me anëtarët e tjerë.

Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998 ku pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin.

Me këtë rast Komuna e Skenderajt së bashku me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, do të bëjnë̈ homazhe në shenjë nderimi për heroizmin e jashtëzakonshëm të familjes Jashari. (Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, ora, 10:00. / KultPlus.com

29 vjet nga sulmi i parë i forcave serbe ndaj familjes Jashari

Sot mbushen 29 vjet nga sulmi i parë i forcave të armikut kundër familjes së komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz.

29 vjet më parë, forca të shumta serbe fillojnë një sulm të armatosur ndaj familjes Jashari në Prekaz, por pas një rezistence të fuqishme të kësaj familje, ato u detyruan të tërhiqen.

Adem Jashari lindi në rajonin e Prekazit të Drenicës në Kosovë, më 28 nëntor 1955. Ai ishte një nga arkitektët kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke qenë gjithashtu edhe kryekomandanti i saj.

Së bashku me të vëllain e tij Hamzën, Ademi ka marrë pjesë në sulmet kundër forcave policore-ushtarake serbe.

Në orët e hershme të mëngjesit të 5 mars 1998, në Prekaz u sulmua sërish familja Jashari nga Ushtria Jugosllave dhe forcat policore. Forcat sulmuese përbëheshin nga transportues të blinduar dhe pjesëtarë të policisë, të mbështetura nga artileria nga një fabrikë municioni në afërsi. Lagjen Jashari e kishin rrethuar diku me rreth 7-8 mije trupa. Sulmi zgjati tre ditë dhe dy netë.

Forcat policore filluan sulmin pa asnje paralajmërim. Pas kësaj kanë filluar të shtënat. Nga një shtëpi, policia qëllonte me mortaja, pasuar nga gazi lotësjellës. Shumica e familjes së gjerë e Jasharajve u mblodhën në një dhomë të vetme, e cila ishte e murosur me tulla. Një predhë pastaj ra përmes çatisë, duke vrarë një numër të anëtarëve të familjes. Granatimet e vazhdueshme për nja tridhjetë e gjashtë orë ia mundësuan policisë më në fund të hyjë në shtëpi.

Organizata “Amnesty International”, në një raport të bërë për rastin, tha se sulmi kishte për qëllim eliminimin e të gjithë dëshmitarëve. Adem Jashari së bashku me pesëdhjetë e gjashtë anëtarët e familjes së tij u vranë. Gjithsej pesëdhjetë e tetë persona janë vrarë, në mesin e tyre tetëmbëdhjetë ishin gra dhe dhjetë fëmijë nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Këtij sulmi i mbijetoi Besarta Jashari (asokohe 11 vjeç).

Nga ana tjetër televizioni serb “B-92” lajmëronte për 69 pjesëtarë të vrarë të policisë dhe ushtrisë. / KultPlus.com

Pamje të rralla të familjes së Adem Jasharit, vetëm 3 javë para së të sulmohej nga Serbia

“27 janar 1998, këto janë pamjet e sulmit të parë të serbëve ndaj Familjes Jashari. Në çdo vend shihen vrima të mbetura të plumbave por e gjithë Familja Jashari, shpëtuan nga sulmi”, kështu e fillon rrëfimin televizioni zviceran SRF.

Në video shihen Hamza Jashari, i cili flet për represionin e Serbisë, ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Shaban Jashari, babai i heroit Adem Jasari, në odën e tij flet pa frikë dhe i vendosur për të luftuar.

Në video shihet nëna e Adem Jsharit, dhe pjesëtar të tjerë të familjes që sot nuk jetojnë më.

I vetmi personalitet në odën e Jasharajëve, shihet profesori i shquar Zekeria Cana, i cili në atë kohë ishte zyrtar i LDK-së.

Në kullën e Jasharajve, shihen armatim i i madh që posedonte familja legjendare, shkruan FMimages.net. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/plugins/video.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FFMimagesAlbania%2Fvideos%2F2452042515076232%2F&show_text=0&width=560

Prekazi 22 vjet më parë, kur televizioni gjerman ZDF gjen familjen Jashari të vdekur

Sot janë bërë 22 vjet nga rënia heroike e familjes Jashari në Prekaz.

Në një video të mëposhtme nga televizioni gjerman ZDF, shihet momenti kur familja Jashari ishte sulmuar nga forcat kriminale serbe dhe gati se e tërë familja kishte mbetur e vdekur.

Alban Bujari në një dokumentarë të ZDF, gjatë varrimit të familjes Jashari në Prekaz, në mars 1998

Kujdes, pamjet janë shqetësuese.//gazetametro.net / KultPlus.com

Vjosa Osmani kujton familjen Jashari në 22-vjetorin e rënies

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar familjen Jashari në 22-vjetorin e rënies së tyre.

Osmani ka thënë se kujtimi për familjen Jashari do të jetë i përhershëm.

“Në kujtim të përhershëm për të gjithë anëtarët e familjes Jashari që ranë për lirinë që ne e gëzojmë sot”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Kryetarja e Kuvendit ka thënë se sakrifica e tyre është dritë udhërrëfyese për brezin tonë dhe brezat që vijnë pas nesh.

Në 22-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Po ashtu, Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë solemne me rastin e 22-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, me të vetmen pikë të rendit të ditës për shënimin e këtij përvjetori. / KultPlus.com


28 vjet nga sulmi i parë i forcave serbe ndaj familjes Jashari

Sot mbushen 28 vjet nga sulmi i parë i forcave të armikut kundër familjes së komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz.

28 vjet më parë, forca të shumta serbe fillojnë një sulm të armatosur ndaj familjes Jashari në Prekaz, por pas një rezistence të fuqishme të kësaj familje, ato u detyruan të tërhiqen.

Për të shënuar këtë ditë, nga ora 11.00 do të bëhen homazhe te varrezat e dëshmorëve në Kompleksin Memorial në Prekaz./ KultPlus.com

Pamje të rralla nga varrimi i familjes Jashari, më shumë të vrarë se pjesëmarrës (VIDEO)

Më shumë të vrarë se sa pjesëmarrës në varrim, kishte në ditën kur u varrosen 55 anëtarët e familjes Jashari.

Pas rënjes së familjes Jashari më 5,6 dhe 7 mars 1998, një grup i banorëve të fshatit Prekaz ishin mbledhur për ta kryer ceremoninë e varrimit, shkruan Gazeta Intro

Në pamje që shihen të para 20 viteve, vërehet se në ceremoninë e varrimit kishte më shumë të vrarë se sa pjesëmarrës në varrim, kjo për shkak të gjendjes së rëndë ku forcat serbe kishin luftuar për tri ditë në Prekaz me Jasharajt.
Për më shumë ju sjellim pamjet e rralla:

Me kërkove një varg për varr Drenice

Poezi e shkruar nga Jehona Hyseni.

Më kërkove një varg për varr Drenice,
U bënë njëzet e tetë
Unë vetëm lot te dhashë
E lotët s’mjaftojnë për ty
Me kërkove një varg për varr
Drenice
U bënë pesëdhjete
Mos qofsha kurrë më poet!
Me kërkove një varg për varr
Drenice
U bene njëqind
Mjaft
Ndal
Me këpute vargun Drenicë
Me këpute shpirtin
…Unë nuk kam poezi për ty
Se më vjen turp
Unë me pendë e ti me pushkë

Maj, 1998