80 vite më parë u vendos në Romë statuja e Skënderbeut

Më 27 tetor të vitit 1940, Benito Musolini, në praninë e autoriteteve më të larta zyrtare të qytetit inauguroi në Romë Monumentin e Skënderbeut. Monumenti u vendos në atë që dikur quhej sheshi “Raudusculana”, emri i një porte antike të mureve Serviane. Por në 4 korrik të 1940, për të kujtuar aneksimin e Shqipërisë nga Mbretëria italiane (më 16 prill 1939) vendoset që ky shesh të ndryshoi emër, dhe u quajt “Albania”, emër ky që figuron edhe sot me emërtimin origjinal : “Piazza Albania”.

Sipas të dhënave, Monumenti i Skënderbeut u realizua nga skulptori fiorentin Romano Romanelli mw 1938, i cili ishte oficer, pwrveccse skulptor e piktor. Vepra është realizuar mbi një grup bronzi i rëndë 35 kuintalë. Monumenti e paraqet heroin tonë kombëtar mbi kalin e tij të pandashëm, veshur nën armaturën e hekurt, me përkrenaren e shpatën gati për luftim.

Monumenti i Heroit tonë Kombëtar, ishte menduar të vihej në Tiranë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, por përfundoi në “Sheshin Albania” në Romë. Mbishkrimi në piedestalin e monumentit është vendosur me nismën e Arbëreshëve, më 1968, me rastin e 500-vjetori të vdekjes së heroit tonë kombëtar./ KultPlus.com

Koka e Deas së Butrintit, dhurata e mbretit Zog për Musolinin

Kur Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë, do të çelej më 28 tetor 1981, koka e Deas së Butrintit ishte një nga gjetjet arkeologjike më të rëndësishme, për të cilën u fol shumë në shtypin e kohës.

Skulptura u zbulua nga arkeologu italian, Luigi Maria Ugolini. Qeveria fashiste e Benito Mussolinit, i dha mundësinë Ugolinit në vitin 1924, për të bërë gërmime në Shqipëri.

Zbulimi më i madh i jetës së arkeologut italian, është Butrinti, qyteti i themeluar nga djali i vogël i Priamit të Trojës, Enea (vëllai i Hektorit dhe Paridit). Pasi Troja u dogj nga grekët, Enea, trashëgimtari i Priamit, edhi në viset e Shqipërisë së sotme dhe ndërtoi Butrintin.

Sikurse vërtetojnë dokumentet, Ugolini gjeti në Butrint, shumë statuja dhe objekte arkeologjike që i dërgoj në Itali. Për të, zbulimi i Deas, duhet të ketë qenë dashuri me shikim të parë, aq sa menjëherë kërkoi ta merrte me vete në Itali.

Por, planet e arkeologut i prishi xhandarmëria shqiptare, kur Ugolini tentoi që ta trafikonte kokën e Deas së Butrintit, drejt Italisë.

Xhandarmëria ndaloi Ugolinin, duke e quajtur aktin si vjedhje. Për këtë ngjarje është njoftuar vetë mbreti, Ahmet Zogu. Historianë të ndryshëm, pohojnë se sapo është njoftuar për ngjarjen, mbreti është nisur drejt vendit ku ishte ndaluar Ugolini.

Pasi ka parë statujën, ai u tha xhandarëve se koka e Deas së Butrintit, ishte dhurata e tij për Benito Musolinin. Por, vjedhjet që Ugolini i bëri objekteve arkeologjike të Butrintit, u ndëshkuan nga drejtësia hyjnore. Thuhet se malarien, sëmundjen që u nda nga jeta, Ugolini e mori në Butrint.

Ngjarja sesi koka e Deas së Butrintit shkoi në Itali, ishte në kuadrin e thashethemeve. Por, në ditët e sotme gjithçka pranohet nga organet qeveritare.

Patrioti dhe publicisti Pjetër Logoreci, ka publikuar në rrjetin social “Facebook”, një fotografi të Ugolinit, ku shihet skulptura e kokës së Deas së Butrintit.

Në përshkrimin që i bën shteti ynë skulpturës, thuhet se “Perëndesha e Butrintit, kryevepër e artit klasik e dalë nga dora e Praksitelit (shek IV para Krishtit), gjetur në Butrint nga “Misioni Arkeologjik Italian” dhe dhuruar Mussolinit prej mbretit, Ahmet Zogu I.”

Mësohet se Musolini e pranoi dhuratën dhe për shumë vjet, koka e Deas së Butrintit ekspozohej në muzetë në Itali. Pas shumë kërkesave të shtetit shqiptar, për ta rikthyer veprën e vjedhur nga Ugolini, pavarësisht se u përdor ultimatumi i mbretit Zog që kryevepra të kalonte kufirin shqiptar, italianët pranuan ta kthenin.

Sido që të ketë qenë e vërteta e vjedhjes së kokës së Deas së Butrintit, tashmë kemi një variant zyrtar.

Dea e Butrintit, është koka e një skulpture me tipare femërore që mund të përfaqësojë hyun Apollon. Bëhet fjalë për një kokë punuar në një mermer tejet të veçantë, për nga gjendja që është gjetur e ruajtur, duke mos pasur asnjë plasaritje. Mendohet se koka, do të ketë qenë pjesë e një skulpturë 2,5 metra të lartë.

Trupi i statujës duhet të ketë qenë mashkullor, duke paraqitur perëndinë Apollon të mbështjellë në tunikë, duke u mbështetur në një lyrë, apo trung të vogël druri.

Ndërsa, siç duket, koka ka tipare femërore, me flokët e lidhura në dy ndarje mbi kokë, ngjashmëri me statujat e Afërditës, me lëvizjen e kokës në njërën anë, duke e krahasuar tek sytë dhe buzët. Nga madhësia e statujës, mund të sugjerohet se ka qenë statujë tempullore, pra Butrinti, duhet të ketë pasur një tempull kushtuar Apollos dhe Dafinës./ KultPlus.com