Fotografi e rrallë e Mbretit Zog kur bënte plazh në bregdetin e Durrësit

Në këtë foto, Mbreti Zog është në bregdetin e Durrësit, duke shijuar rrezet e diellit, në vitin 1925.

Imazhin e ka publikuar Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në rrjetet sociale.

Postimi i plotë i Drejtorisë së Arkivave

Duke të uruar një fundjavë të bukur në bregdet, bëje dhe ti një foto si Mbret!

Foto origjinale: Mbreti Zog në bregdetin e Durrësit, viti 1925.
( https://fototeka.arkiva.gov.al/…/17107-fotografi-te… )

(foto me ngjyra: përpunim nga Sektori i Promovimit dhe Komunikimit) / KultPlus.com

‘Hoqa nga gishti unazën që im shoq e kishte blerë te Cartier, kisha nevojë për para për varrin e Mbretit’

Kur u ktheva në Paris përjetova një prej përvojave më të dhimbshme të jetës sime.

Vendosa të lija peng unazën e fejesës me diamantin blu prej katërmbëdhjetë karatësh. Kisha nevojë për para për varrin e Mbretit. Në llogarinë bankare kishin mbetur vetëm treqind franga dhe doja të ngrija një monument mbi varrin e Mbretit, për të cilin të gjithë shqiptarët të ndiheshin krenarë.

Hoqa nga gishti unazën, që im shoq e kishte blerë te Cartier dhe u përpoqa të lija pas të gjitha kujtimet, teksa qëndroja ulur në zyrat e Mont de Pieté. Nuk ishte momenti për të derdhur lot. Me një shprehje dashamirësie në fytyrë, gruaja më këshilloi ta shisja unazën menjëherë dhe kështu bëra, madje, me një çmim të mirë.

Im bir pati mundësinë ta mbante nën vëzhgim për disa vite, pasi shpresonte se një ditë do ishte në gjendje të ma riblinte. Për cilindo që sot e mban në dorë, ajo është thjesht një unazë tepër e hijshme diamanti, por për mua përfaqëson kujtimet e një jete të tërë.”

(marre nga libri “Geraldina e shqiptarëve” i autores angleze Gwen Robyns.)

Në foto: Geraldina -Trendafili i Bardhe i Budapestit dhe Mbreteresha fatkeqe e Shqiptarëve. /KultPlus.com

Kur mbreti i shqiptarëve u shua në dhe të huaj

Pas një sëmundjeje të gjatë, më 9 prill 1961 ndërroi jetë në Paris, Ahmet Zogu, personaliteti i politikës shqiptare midis dy luftrave, së pari si kryeministër, më pas si president dhe pas vitit 1928 si mbret, deri sa u largua më 7 prill 1939, nga pushtimi fashist i vendit

Ishte data 8 tetor e vitit të largët 1895 kur lindi Ahmet Zogolli, i cili do të bëhet Mbreti i Parë i shqiptarëve.

Ai lindi në Burgajet nga prindërit Xhemal Pasha Zogu dhe Sadije Toptani. Pas 13 vjetëve Ahmet Zogu i ri bëhet shef i krahinës së Matit. Më pas ai dërgohet në liceun Francez dhe në Galatasarai të Turqisë për t’i kryer studimet.

Më vonë, në moshë të re Zogu do të marrë pjesë në ceremoninë e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912. Vite më vonë, Zogu i emëruar nga qeveria Delvina arrin të bëhet ministër i brendshëm.

Më 31 janar të vitit 1925 Zogu shpallet President i Republikës Shqiptare, kurse më 1 shtator të vitit 1928 ai e shpall Shqipërinë monarki dhe ai shpallet Mbret i Shqiptarëve.

Pas shpalljes së mbretërisë, më 5 shtator u krijua qeveria e parë e Mbretërisë Shqiptare. Gjatë viteve të monarkisë administrata shtetërore u forcua më tepër megjithëse jo me rrugë demokratike, por me mjete autoritare. Pluralizmi politik u asgjësua. Pati përndjekje politike, burgosje dhe internime. Vendi u shoqërua me trazira të brendshme.

Në vitin 1932 u shënua lëvizja e Vlorës, më 1935 Kryengritja e Fierit, më 1937 rebelimi i Delvinës.

Më 12 shkurt 1946, u nis në Egjipt mbasi merr një ftesë nga ambasadori egjiptian në Mbreti Faruk i Egjiptit. Gjatë qëndrimit nga shkurti i 1946 e deri në verën e 1955, organizoi Lëvizjen e Legalitetit dhe u përpoq të fitonte mbështetjen e shqiptarëve antikomunistë në mërgim.

Më 25 korrik 1951 udhëtoi për në New York, me Princ Tatin, me ftesë të shërbimeve sekrete amerikane, ku edhe bleu një pronë në “Long Island”, por iu pamundësua nga autoritetet e emigracionit në Amerikë, për shkak të shqiptarëve që donte të merrte me vete.

I sëmurë nga kanceri në mushkëri, donte të lëvizte nga Egjipti që kishte ardhur duke u bërë i paqëndrueshëm politikisht. Korrikun e 1955, oborri mbretëror i organizuar nga mbretëresha u zhvendos për në Francë, ku u vendosën në “Ville St Blaise” në Kanë, buzë Rivierës.

Mbreti ndërroi jetë më 9 prill 1961 në spitalin “Foche në Suresnes”, pranë Parisit. U shti në dhé në varrezat në Thiais. I biri, Princ Leka, u shpall mbret i shqiptarëve në një ceremoni në mërgim në hotelin “Bristol” në Paris. / KultPlus.com

Kurorëzimi i Mbretëreshës Geraldinë me Mbretin Zog

Më 26 janar të vitit 1938, të gjitha gazetat e Budapestit njoftuan se Kontesha Geraldine Apponyi, pritet të fejohet me mbretin e shqiptarëve, Ahmet Zogu, 43-vjeç.

Të nesërmen, oborri mbretëror shqiptar e konfirmoi lajmin.

Kontesha 22-vjeçare, bija e kontit të ndjerë Gyula Apponyi, ish-oficer hungarez dhe e Virginia Stewart, bija e një diplomati amerikan, ishte katolike dhe punonte në Muzeun Kombëtar të Budapestit kundrejt një pagese të vogël.

Lajmi botohet pasi Zogu dhe Geraldina e kishin pëlqyer njëri-tjetrin.

Geraldina ishte takuar me mbretin Zog, në dhjetor 1937, me ndërmjetësimin e motrës së monarkut.

Geraldina shkoi në Shqipëri dhe brenda disa ditësh, çifti u fejua. E njohur si “Trëndafili i bardhë” i Hungarisë, në prag të martesës, Geraldina u ngrit në statusin mbretëror, si Princesha Geraldinë e Shqipërisë.

Ajo u bë mbretëreshë e shqiptarëve dhe deri në fund, ndau fatin me të shoqin, në ditë të mira e të vështira. Pas vdekjes së mbretit Zog, Geraldina preferoi të njihej si Nëna Mbretëreshë.

Në qershor 2002, ajo kthehet nga Afrika e Jugut për të jetuar në Shqipëri, ku edhe vdiq më 22 tetor 2002. /konica/ KultPlus.com

Kur Mbreti Zog riktheu eshtrat e Naim Frashërit në Shqipëri (FOTO)

Më 11 janar të vitit 1937, Ahmet Zogu, mbreti i atëhershëm i Shqipërisë dërgoi një komision në Stamboll për poetin kombëtar Naim Frashëri, pasi ky i fundit po pushonte në varrezat e Merdineveqoi (Stamboll), që nga viti 1900, shkruan KultPlus.

Arritja e eshtrave të Naim Frashërit dhe rivarrimi i tij në teqen bektashiane në periferi të Tiranës ishte një ceremoni e madhe, ku morën pjesë personalitetet më të larta të shtetit dhe shumë qytetarë të kryeqytetit. / KultPlus.com

‘’Jeta ime është një roman aventuresk, dua ta shkruaj para se të vdes’’, Mbreti Zog vdiq para se të mbaronte romanin e jetës

“Paris-presse” ka botuar, të martën e 11 prillit 1961, në faqen n°16, një shkrim në lidhje me ndarjen nga jeta të mbretit Zog në spitalin francez “Foch”, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

‘’I lindur në një pallat, vdiq në një spital.Zogu i Shqipërisë ndërroi jetë para se të mbaronte romanin e jetës së tij’’

“Princi Leka është sot për ne Mbreti i ri i Shqipërisë. Por le të vazhdojë t’i përkushtohet detyrave të tij birnore.”

Z. Messore, ministri i Mbretit Zog I, ish-sovranit të Shqipërisë i cili vdiq dje pasdite në spitalin Foch, në Suresnes, këtë mëngjes mbron hyrjen në derën e morgut në të cilin Mbretëresha Geraldinë dhe djali i saj, Princ Leka, 22 vjeç, një gjigant prej 2.07 m, vëzhgojnë trupin e mbretit pa kurorë, i cili vdiq në mërgim në moshën 65 vjeçare nga një sëmundje shumë e rëndë e mëlçisë.

Ata duhet të vendosin sot ditën dhe vendin e varrimit. Sepse, për ironi të fundit të një fati të jashtëzakonshëm, ne ende nuk e dimë se ku do të prehet ky njeri, i cili gjatë gjithë jetës së tij nuk arriti kurrë të vendosej diku.

Një oficer trim, kryeministër i urryer, monark absolut pastaj i shkurorëzuar, biznesmen i shkëlqyer dhe i përndjekur, Zogu i Shqipërisë shfaqet si një personazh i një romani të humbur në zhvillimet tepër reale të historisë bashkëkohore.

Kolonel austriak në 1914

Lindur në 1895, në një fshat të vogël në Ballkan, ai bëri një jetë me plot ngjarje teatrale, e cila e çoi atë nga një pallat i Tiranës në një spital në periferi të Parisit, duke kaluar nëpër kancelaritë e Evropës, oborri i Mbretit Faruk dhe pallatet (vilat) e Côte d’Azur.

I gjatë, bjond, me sy shumë blu, i cili luante tenis dhe poker me kaq zell, ky njeri me aktivitete të panumërta kishte shumë sharm dhe një elegancë imponuese.

Kur lindi, ai quhej Ahmet Bej Zogu. Një ish-student i Akademisë Ushtarake të Kostandinopojës, ai ishte një kolonel austriak gjatë Luftës së Parë Botërore. Pas luftimeve, ai u kthye në vendin e tij dhe hyri në politikë.

Aftësitë e tij e bënë atë të zgjidhej kryeministër në 1923 dhe më pas ai vendosi ta çlironte Shqipërinë nga sundimi turk për ta bërë atë një shtet modern. U përpoqën ta vrisnin; Ai kërkoi përkohësisht sigurinë në Jugosllavi dhe u kthye vitin tjetër për të luftuar ata që e kishin dëbuar.

Ai më pas u martua me Geraldina Apponyi-n, një konteshë e re dhe e bukur hungareze, me të cilën kishte rënë në dashuri vetëm duke parë një foto dhe që ishte njëzet vjet më e re se ai.

I dëbuar nga Naseri

Për shkak të feve të tyre të ndryshme, ishte vetëm një ceremoni civile, por shkëlqimi i së cilës ishte verbues. Ishte viti 1938 dhe vitin tjetër, ditën pas lindjes së djalit të saj, trupat fashiste italiane pushtuan mbretërinë e tij. E gjithë familja e Zogut iku në Greqi, pastaj në Francë.

Por për t’i shpëtuar ardhjes së gjermanëve, ai shkoi në Angli, ku jetoi deri në vitin 1941, para se të arrinte në Egjipt. Në vitin 1955, ai erdhi të vendoset në Kanë, i dëbuar nga Naseri.

Sovranët e rënë jetonin në një vilë të madhe, “Les Pierres grises”, jo shumë larg nga ajo e Pablo Picasso-s. Jeta e tyre ishte e ngjashme me atë të borgjezisë së vogël.

Asnjëherë nuk i shihnim në mbrëmjet gala. Mbretëresha bënte pazarin, princi ishte student në Sandhurst, versioni anglez i Saint-Cyr, dhe kthehej vetëm për pushime. Mbreti shkruante “Kujtimet” e tij.

“Jeta ime, thoshte ai, është një roman aventuresk. Dua ta shkruaj para se të vdes.” Por vetëm dy nga katër vëllimet janë përfunduar./ KultPlus.com

Koka e Deas së Butrintit, dhurata e mbretit Zog për Musolinin

Kur Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë, do të çelej më 28 tetor 1981, koka e Deas së Butrintit ishte një nga gjetjet arkeologjike më të rëndësishme, për të cilën u fol shumë në shtypin e kohës.

Skulptura u zbulua nga arkeologu italian, Luigi Maria Ugolini. Qeveria fashiste e Benito Mussolinit, i dha mundësinë Ugolinit në vitin 1924, për të bërë gërmime në Shqipëri.

Zbulimi më i madh i jetës së arkeologut italian, është Butrinti, qyteti i themeluar nga djali i vogël i Priamit të Trojës, Enea (vëllai i Hektorit dhe Paridit). Pasi Troja u dogj nga grekët, Enea, trashëgimtari i Priamit, edhi në viset e Shqipërisë së sotme dhe ndërtoi Butrintin.

Sikurse vërtetojnë dokumentet, Ugolini gjeti në Butrint, shumë statuja dhe objekte arkeologjike që i dërgoj në Itali. Për të, zbulimi i Deas, duhet të ketë qenë dashuri me shikim të parë, aq sa menjëherë kërkoi ta merrte me vete në Itali.

Por, planet e arkeologut i prishi xhandarmëria shqiptare, kur Ugolini tentoi që ta trafikonte kokën e Deas së Butrintit, drejt Italisë.

Xhandarmëria ndaloi Ugolinin, duke e quajtur aktin si vjedhje. Për këtë ngjarje është njoftuar vetë mbreti, Ahmet Zogu. Historianë të ndryshëm, pohojnë se sapo është njoftuar për ngjarjen, mbreti është nisur drejt vendit ku ishte ndaluar Ugolini.

Pasi ka parë statujën, ai u tha xhandarëve se koka e Deas së Butrintit, ishte dhurata e tij për Benito Musolinin. Por, vjedhjet që Ugolini i bëri objekteve arkeologjike të Butrintit, u ndëshkuan nga drejtësia hyjnore. Thuhet se malarien, sëmundjen që u nda nga jeta, Ugolini e mori në Butrint.

Ngjarja sesi koka e Deas së Butrintit shkoi në Itali, ishte në kuadrin e thashethemeve. Por, në ditët e sotme gjithçka pranohet nga organet qeveritare.

Patrioti dhe publicisti Pjetër Logoreci, ka publikuar në rrjetin social “Facebook”, një fotografi të Ugolinit, ku shihet skulptura e kokës së Deas së Butrintit.

Në përshkrimin që i bën shteti ynë skulpturës, thuhet se “Perëndesha e Butrintit, kryevepër e artit klasik e dalë nga dora e Praksitelit (shek IV para Krishtit), gjetur në Butrint nga “Misioni Arkeologjik Italian” dhe dhuruar Mussolinit prej mbretit, Ahmet Zogu I.”

Mësohet se Musolini e pranoi dhuratën dhe për shumë vjet, koka e Deas së Butrintit ekspozohej në muzetë në Itali. Pas shumë kërkesave të shtetit shqiptar, për ta rikthyer veprën e vjedhur nga Ugolini, pavarësisht se u përdor ultimatumi i mbretit Zog që kryevepra të kalonte kufirin shqiptar, italianët pranuan ta kthenin.

Sido që të ketë qenë e vërteta e vjedhjes së kokës së Deas së Butrintit, tashmë kemi një variant zyrtar.

Dea e Butrintit, është koka e një skulpture me tipare femërore që mund të përfaqësojë hyun Apollon. Bëhet fjalë për një kokë punuar në një mermer tejet të veçantë, për nga gjendja që është gjetur e ruajtur, duke mos pasur asnjë plasaritje. Mendohet se koka, do të ketë qenë pjesë e një skulpturë 2,5 metra të lartë.

Trupi i statujës duhet të ketë qenë mashkullor, duke paraqitur perëndinë Apollon të mbështjellë në tunikë, duke u mbështetur në një lyrë, apo trung të vogël druri.

Ndërsa, siç duket, koka ka tipare femërore, me flokët e lidhura në dy ndarje mbi kokë, ngjashmëri me statujat e Afërditës, me lëvizjen e kokës në njërën anë, duke e krahasuar tek sytë dhe buzët. Nga madhësia e statujës, mund të sugjerohet se ka qenë statujë tempullore, pra Butrinti, duhet të ketë pasur një tempull kushtuar Apollos dhe Dafinës./ KultPlus.com

Fotografitë ekskluzive të shpalljes mbret të Ahmet Zogut

Nga Aurenc Bebja

“Excelsior” ka botuar, të enjten e 6 shtatorit dhe të premten e 7 shtatorit 1928, në faqet n°6, fotografitë e ceremonisë së shpalljes mbret të Ahmet Zogut, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

Shpallja e Ahmet Zogu, mbret i Shqipërisë, si Zog I – Excelsior 6 shtator

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Pasi priti delegacionin e Asamblesë Kushtetuese, i cili i komunikoi lartësimin e tij në fronin e Shqipërisë, Ahmet Zogu, i shoqëruar nga oficerë dhe një skuadron kalorësish, shkoi në Asamblenë Kushtetuese, ku u betua për detyrën e re duke lexuar formulën e shenjtë, të cilën më pas e nënshkroi.

Foto : Në Tiranë, në dalje të Parlamentit shqiptar pas shpalljes së mbretërsië – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Foto : Në Tiranë, në dalje të Parlamentit shqiptar pas shpalljes së mbretërsië – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Anëtarët e trupit diplomatik me rroba civile dhe personalitetet shtetërore morën pjesë në takim. 

Foto : Ahmet Zogu – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Foto : Ahmet Zogu – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Pati njëqind e një të shtëna me top me rastin e  ngjitjes së tij në fron.

Foto : Rezidenca e mbretit të ri të Shqipërisë në Shkodër – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Foto : Rezidenca e mbretit të ri të Shqipërisë në Shkodër – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Festimet që shoqëruan, në Tiranë, kurorëzimin e mbretit të Shqipërisë, Zogu I – Excelsior, 7 shtator

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ne bëmë një përmbledhje të detajuar të ceremonive që u zhvilluan në Tiranë për kurorëzimin e Ahmet Zogut si mbret i Shqipërisë.

Foto : Mbreti në mes të ministrave të tij pas shpalljes. – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Foto : Mbreti në mes të ministrave të tij pas shpalljes. – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Foto : Parada e ushtarëve para shtëpive të zbukuruara. – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Foto : Parada e ushtarëve para shtëpive të zbukuruara. – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Foto : Studentët demonstrojnë në favor të Zogut I – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Foto : Studentët demonstrojnë në favor të Zogut I – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Sot morëm fotografitë që botojmë më lart, të cilat ilustrojnë këto ngjarje dhe tregojnë shkëlqimin dhe entuziazmin me të cilët u festua shpallja e sovranit të ri.

Zogu I, i cili ka bërë betimin për detyrën e re duke lexuar formulën e së cilës ai ka nënshkruar tekstin, do të jetë një sovran kushtetues.

Ai njoftoi kombet e ndryshme me rastin e ngjitjes së tij në fron

Çfarë i propozoi mbreti Zog Fan Nolit që të kthehej në Shqipëri?

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Maj 2020

“L’Express de Mulhouse” ka botuar, të shtunën e 2 prillit 1938, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me qëllimin kryesor të udhëtimit të motrave të mbretit Zog në Amerikë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Qëllimi i vërtetë i udhëtimit të motrave të mbretit Zog në Amerikë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Londër, 1 prill. – Mësojmë se qëllimi i vërtetë i udhëtimit të motrave të mbretit Zog në Amerikë nuk ishte vetëm dëshira për të studiuar jetën në Shtetet e Bashkuara apo për të bërë disa blerje, por për të gjetur mënyrën se si të lehtësohej pajtimi i mbretit të Shqipërisë me peshkopin Fan Stilian Noli, i cili ishte kreu i Kishës së Krishterë në Shqipëri dhe Kryeministër para kryengritjes së mbretit të ri, i cili detyroi prelatin të largohej dhe të nisej në Amerikë ku ai u bë shpejt udhëheqësi i të krishterëve shqiptarë që janë mjaft të shumtë në zonën e Bostonit.

Peshkopi Fan Stilian Noli, i diplomuar në Universitetin e Harvardit, i cili ka studiuar në Londër dhe Paris, është një njeri i shquar, me të cilin mbreti Zog synon të bashkëpunojë.

Duhet të besojmë se diplomacia e tri princeshave ka qenë e efektshme, sepse tashmë është njoftuar se prelati synon të kthehet në vendin e tij, ku ai do të marrë drejtimin e universitetit të ri të Tiranës, i cili aktualisht është në ndërtim e sipër. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/gazeta-franceze-1938-fan-stilian-noli-qellimi-i-vertete-i-udhetimit-te-motrave-te-mbretit-zog-ne-amerike-cfare-i-propozoi-mbreti-zog-qe-te-kthehej-ne-shqiperi/?fbclid=IwAR2jhiOgfr_4JcKDO1sagzJfbNxCvqpyyv8nRlX_Ne5fa33yZ6kvc0btqlc

Sot 59 vjet nga vdekja e Ahmet Zogut

Më 9 prill 1961, në Paris vdiq Ahmet Zogu, i lindur Ahmet Muhtar Zogolli.

Ishte data 8 tetor e vitit të largët 1895 kur lindi Ahmet Zogolli, i cili do të bëhet Mbreti i Parë i shqiptarëve, dhe do ta marr kështu emrin Mbreti Zog.

Ai lindi në Burgajet nga prindërit Xhemal Pasha Zogu dhe Sadije Toptani. Pas 13 vjetëve Ahmet Zogu i ri bëhet shef i krahinës së Matit. Më pas ai dërgohet në liceun Francez dhe në Galatasarai të Turqisë për t’i kryer studimet.

Më vonë, në moshë të re Zogu do të marrë pjesë në ceremoninë e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912.

Tutje, vite më vonë, Zogu i emëruar nga qeveria Delvina arrin të bëhet ministër i brendshëm si 25-vjecare.

Më 31 janar të vitit 1925 Zogu shpallet President i Republikës Shqiptare, kurse më 1 shtator të vitit 1928 ai e shpall Shqipërinë monarki, dhe ai shpallet Mbret i Shqiptarëve.

Pas shpalljes së mbretërisë, më 5 shtator u krijua qeveria e parë e Mbretërisë Shqiptare. Gjatë viteve të monarkisë administrata shtetërore u forcua më tepër megjithëse jo me rrugë demokratike, por me mjete autoritare. Pluralizmi politik u asgjësua. Pati përndjekje politike, burgosje dhe internime. Vendi u shoqërua me trazira të brendshme. Në vitin 1932 ndodhi lëvizja e Vlorës, më 1935 Kryengritja e Fierit, më 1937 rebelimi i Delvinës.

Më 12 shkurt 1946, u nis në Egjipt mbasi merr një ftesë nga ambasadori egjiptian në Mbreti Faruk i Egjiptit. Në qëndrimin e tij nga shkurti i 1946 e deri në verën e 1955, organizoi Lëvizjen e Legalitetit dhe u përpoq të fitonte mbështetjen e shqiptarëve antikomunistë në mërgim.

Në këtë hulli më 25 korrik 1951 udhëtoi për në New York me Princ Tatin me ftesë të shërbimeve sekrete amerikane, me çrast edhe bleu një pronë në Long Island, por iu pamundësua nga autoritetet e emigracionit në Amerikë për shkak të shqiptarëve që donte të merrte me vete. Asokohe, i sëmurë nga kanceri në mushkëri, donte të lëvizte nga Egjipti që kishte ardhur duke u bërë i paqëndrueshëm politikisht. Korrikun e 1955 oborri mbretëror i organizuar nga mbretëresha u zhvendos për në Francë, ku u vendosën në Ville St Blaise në Kanë, buzë Rivierës.

Mbreti ndërroi jetë më 9 prill 1961 në spitalin Foche në Suresnes, pranë Parisit. U shti në dhé në varrezat në Thiais. I biri, Princ Leka, u shpall mbret i shqiptarëve në një ceremoni në mërgim në hotelin Bristol në Paris. /KultPlus.com

85 vite më parë u nda nga jeta nëna e Ahmet Zogut, shkrimet dhe fotografitë ekskluzive të varrimit të saj në gazetat franceze

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 25 Nëntor 2019

Sadije Toptani, nëna e Ahmet Zogut, e njohur ndryshe si nëna mbretëreshë e Shqipërisë, u nda nga jeta të dielën e 25 nëntorit 1934. Shtypi francez i kohës i ka kushtuar vëmendje kësaj ngjarje të dhimbshme.

“Le Matin”, në ballinën e saj, dhe “Le Journal”, në faqen n°3, i kanë dedikuar një shkrim, të hënën e 26 nëntorit, ku mësojmë kështu edhe shkakun e vdekjes, ndërsa “Excelsior”, të dielën e 2 dhjetorit 1934, në faqen n°6, ka përcjellë ceremoninë mortore nëpërmjet fotografive.

Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, ka sjellë këto informacione për publikun shqiptar :

Londër, 25 nëntor. – Mësuam sonte vdekjen, në Tiranë, të mbretëreshës Sadije, nënës mbretëreshë të Shqipërisë.

E lindur 58 vjet më parë, tek Toptanët në Tiranë, ajo u martua me Xhemal Pashë Zogun në moshën 15 vjeçare. Lindi dhjetë fëmijë, shtatë prej të cilëve jetuan, gjashtë vajza dhe një djalë. Djali, i lindur në 1895, u shpall mbret i Shqipërisë, në vitin 1928, nën emrin e Zogut I.

Menjëherë pas kurorëzimit të Zogut, Asambleja Kushtetuese i dha mbretëreshës Sadije titullin e Nënës Mbretëreshë. — (Journal).

Në të djathtë, mbreti Zog, motrat e tij dhe anëtarët e qeverisë duke shoqëruar nënën mbretëreshë Sadije në shtëpinë e saj të fundit.

https://www.darsiani.com/la-gazette/85-vite-me-pare-u-nda-nga-jeta-mbreteresha-sadije-nena-e-ahmet-zogut-shkrimet-dhe-fotografite-ekskluzive-te-varrimit-te-saj-ne-gazetat-franceze/

KultPlus.com

Gazeta franceze: Mbreti Zog ka marrë me vete një qese me tokë shqiptare

Nga Aurenc Bebja, Francë – 23 Nëntor 2019

“La Voix du combattant et de la jeunesse” ka botuar, të shtunën e 5 gushtit 1939, në faqen n°2, një shkrim ku ka zbuluar asokohe një fakt të rëndësishëm dhe të panjohur për mbretin Zog, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Mbreti në mërgim

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldinë erdhën nga Riga në Suedi.

Ata i përshtaten mërgimit, por qëndrojnë të denjë në fatkeqësinë e tyre mbretërore.

Mbreti ka fituar të gjitha simpatitë falë dinjitetit të tij dhe mbretëresha falë buzëqeshjes së saj, ndërsa princi trashgimtar është një buçko ngjyrë rozë.

Njëqind e një valixhe ndjekin udhëtarët mbretërorë, dhe disa prej tyre tërhoqën vëmendjen e policisë veçanërisht, ato që përmbanin ar dhe bizhuteri : pasurinë mbretërore shqiptare në udhëtim.

Patriot dhe i ndjeshëm, mbreti Zog ka gjithashtu një qese me tokë shqiptare, të cilën e shtrëngon me trishtim pranë zemrës së tij dhe kurrë nuk e largon prej aty. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/gazeta-franceze-1939-mbreti-zog-i-cili-gjendet-ne-suedi-ka-me-vete-nje-qese-me-toke-shqiptare-te-cilen-e-shtrengon-me-trishtim-prane-zemres-se-tij-dhe-kurre-nuk-e-largon-prej-aty/?fbclid=IwAR25eyXsEJk5A7_m2FxSJi4Ee7m63v5UJAACZcrQJaC_WZy7mhfrN6HeVVM

Kur Mbreti Zog nxori në shitje Mercedesin që ia kishte dhuruar Hitleri

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Nëntor 2019

Gazeta “Les Etoiles” ka botuar, të martën e 3 dhjetorit 1946, në faqen n°2, një lajm të marrë asokohe në gazetën britanike “The Autocar” në lidhje me vënien në shitje të mercedezit të mbretit Zog, një dhuratë e Adolf Hitlerit kur ai u martua.

Pavarësisht opinionit të gazetës franceze për mbretin Zog, shkrimi, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar, jep detaje mbi llojin (serinë) e makinës dhe çmimin e saj :

Tradhëtia në qendër të vëmendjes

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Në gazetën britanike “The Autocar”, lexojmë këtë njoftim shumë sugjerues : “Në shitje Mercedez i 1938, tip 540 K, makinë e shkëlqyer e prodhuar pa probleme financiare, e ofruar nga Adolf Hitleri për mbretin Zog të Shqipërisë. Çmimi : 3,250 sterlina…”.

1.623.000 franga, nuk është ndonjë shumë aq e madhe për fatin që do të ketë blerësi i ardhshëm të drejtojë makinën e një mbretëruci tradhtar, mbështetës i kriminelit më të madh të historisë.

Dhe aq më tepër, po me të njëjtën makinë, ai pati guximin të paraqitej, në qershor të 1940, para popullit anglez, ndërsa ky i fundit po luante fatin e tij duke luftuar ndaj Hitlerit dhe po me këtë automjet, në shkurt të 1946, ai u paraqit në oborrin e mbretit Faruk të Egjiptit.

Hitleri u dhuroi bashkëpunëtorëve të tij vetëm një duzinë makinash të këtij lloji, prandaj është nder mjaft i rrallë të kesh një të tillë ! Dhe kjo gjë, natyrisht, paguhet… / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/the-autocar-1946-mercedezi-i-mbretit-zog-dhurate-e-adolf-hitlerit-eshte-vene-ne-shitje-ekzistojne-vetem-12-te-tille-dhe-ja-sa-kushton/

Marubi i dërgonte letër Zogut: Kryeministër, m’i kthe lekët që më ke borxh

Në vitin 1928, Kel Marubi, një ndër më të famshmit e dinastisë Marubi, ishte edhe fotograf zyrtar i Oborrit Mbretëror.

Kel Marubi ka fiksuar momentet të rëndësishme historike për Shqipërinë e asaj kohe e drejtuar nga Ahmet Zogolli, si kryeministër i vendit.

Një dokument nga Arkiva e Shtetit, sjell detaje mjaft interesante të raporteve të tij me kryeministrin Ahmet Zogu, në momentet kur Marubi po përpiqej të garantonte shkollimin e birit të tij, Geg Marubi.

Vinte nga një udhëtim në Paris, atje ku po shkollohej djali i tij dhe vendos menjëherë t’i shkruaj kryeministrit.

Ministria e Arsimit nuk kishte dërguar të hollat për studentët shqiptarë në Paris dhe Kel Marubi ishte detyruar të garantonte vetë të ardhurat për të birin, Gegën.

Me t’u kthyer nga Parisi, ai kërkoi nga kryeministri pagën që i takonte si fotograf, pasi siç shkruan ai, kishte mbetur “keq e më keq”, pasi të gjithë të ardhurat i kishte lënë te djali në Paris.

Letra e Marubit drejtuar Ahmet Zogut

Shkoder 11-XII-1923

Shkëlqesi!

Me ket shkres po vi me Ju lypë të falun për guzim qi po marrë me ju dërgue kët shkres, por nevoja madhe me ban qi të Ju besdisi Zotnin t’Uej.

Udha Parigjit më bani të harxhoj shum të holla tuj lanë djalit disa pare për me mujtë me jetue, shkaku se Ministria Aresimit s’i kishte pasë dergue borset për xansa të Parigjit në mos tjeter kështu me tha me goj të vetë Z. Dhemil Dino. Kështu Ju lutemi Zotnis t’Uej të keni mirësinë, por në kjoft qi Ju vjen për kollaj mem dërgue llogarinë e fotografive, e cilla përbahet prej Korona 686.

Më fal Zoti Kryeministër për besdi qi jam tu Ju dhanun, por besa Zotit gjindemi gushtë e gushtë fort. Rri përherë shërbtori i Zotnis t’Uej.

Kel Marubi

Fotograf. /konica.al/KultPlus.com

Fjalimi i parë i Ahmet Zogut si Mbret i Shqiptarëve

Ahmet Zogu mbetet figurë historike me rëndësi në drejtimin e shtetit shqiptar. Gjenialiteti i tij politik lidhet me aftësitë personale dhe jo me emërtesën e postit të tij apo formën e regjimit.

Mbretëria e shqiptare u rrëzua nga i pari agresion fashist në Europë më 7 prill 1939. Ajo iu rikthye popullit shqiptar në tetor 1943, ndërsa formalisht ekzistoi deri më 11 janar 1946.

Fjala e parë e Ahmet Zogut si mbret

Zotërinj!

Në mesazhin që iu drejtova para disa ditësh, ju përshëndeta duke ju uruar suksese juve etërve të kombit. Sot po ju drejtohem si shok bashkëpunëtorë të idealit të përbashkët. Nëse në fjalimin tim nuk do të gjeni fjalët e larta të krerëve të ndershëm të stolisur me kurorë, të mos çuditeni. Se unë shoh në kryesinë e shtetit shqiptar, në të cilin titull qoftë, shëmbëlltyrën besnike të popullit dhe shërbyesin e palodhur të atdheut.

Sot, në çastin që ngarkohem me detyrën e rëndë të shtetit, prej vullnetit e dëshirës së popullit, të shfaqur me vendimin e ndërgjegjes suaj, do të veproj duke marrë parasysh, përgjegjësinë morale të cilën herët a vonë, di ta çmojë populli shqiptar me një energji të pakufishme për lartësimin e vendit.

Bota e ka marrë vesh se po të lihen të qetë, edhe bijtë e shqipes mund të krijojnë një shtet. Që nesër detyrën e kemi dhe më të rëndë se duhet t’i tregojmë botës se edhe shqiptari si çdo popull i qytetëruar mund ta marrë kulturën, e cila është pasuria e të gjithëve, ideali i botës mbarë. Vetëm në këtë mënyrë, duke i siguruar vendit tonë një të ardhme të mirë, mund të kryejmë një detyrë historike.

Në regjimin e re, Shqipëria do të jetë një faktor paqtues në Ballkan. Relacionet që ekzistojnë sot me shtetet fqinj e dashamirë, shpresojmë se do t’i forcojmë edhe më tepër.

Zogu me shokët e vet, jo vetëm që do të mbrojë të drejtat kombëtare, por edhe ku do të jetë nevoja, me dorën e tyre të padridhur do ta shtyjë popullin trim shqiptar për arritjen e qëllimit të lartë, atij ideali që na ka falur natyra dhe ka shënuar historia, duke lartësuar edhe vendin në sheshin e qytetërimit.

Si të mbaroni detyrën e shenjtë, të ktheheni në vendet tuaja, t’i thoni popullit sovran se prijësi i tij e sheh veten si çdo shqiptar edhe me sa shpejtësi dhe entuziazëm e keni vënë në fronin e Gjergj Kastriotit, aq me shpejtësi e kënaqësi keni për ta gjetur gjithmonë gati për t’i sakrifikuar të gjitha, nëse është nevoja edhe jetën, sipas dëshirës së tij dhe për të mirën e vendit.

Zotërinj, dalshim faqebardhë përpara historisë.

(Shënim: Fjalimi botohet i redaktuar me gjuhën e sotme letrare)v /syri.net/KultPlus.com

Ahmet Zogu i shkruan Koço Kotës: Të zëvendësohen zyrtarët e paaftë! Universiteti të merret me arsimimin e grave

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të dielën e 20 janarit 1929, një shkrim në lidhje me udhëzimet e mbretit Zog për zbatimin e programit të ri qeveritar, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar
Tiranë, 29 Janar.

Zyra e shtypit shqiptar publikon informacionin e mëposhtëm :

“Në transmetimin e dekretit që emëron ministrat e rinj tek Presidenti i Këshillit (Koço Kota), Mbreti dërgoi një letër në të cilën përcakton udhëzimet e përgjithshme për zbatimin e programit qeveritar. Pikat kryesore të programit të mëparshëm të kabinetit mbeten në përmbajtjen e programit të ri. Zyrtarët e paaftë do të zëvendësohen me ata kompetentë. Këta duhet të jenë shërbëtorët e popullit sovran. Kompanitë e huaja që dëshirojnë të punojnë në Shqipëri do të gjejnë lehtësitë e nevojshme.

Kodi Civil së shpejti do të hyjë në zbatim. Një kod tregtar (komercial) është në përgatitje e sipër. Ministria e Arsimit Publik do të dërgojë studentë jashtë vendit. Universiteti do të duhet të merret me arsimimin e grave.
Në një vend aq pjellor sa Shqipëria, nuk duhet të jetë e nevojshme të blihet bukë jashtë vendit, kështu që reforma agrare nuk mund të vonohet. Do të ndërtohen kanalet e ujitjes. Taksa doganore për makineri do të ulet.

Populli që paguan taksat pret nga ekzekutimi i punëve publike një shpërblim për sakrificat e tij. Të gjithë shqiptarët do të kuptojnë se interesi i kombit vjen së pari. (Havas).”/darsiani.com/ KultPlus.com

Gazeta franceze: Ahmet Zogu amniston 371 të dënuar politikë

Nga Aurenc Bebja

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të enjten e 29 shtatorit 1927, në faqen n°6, një shkrim në lidhje me amnistinë e 371 dërnuarve politikë nga Ahmet Zogu, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Legata e Shqipërisë na komunikon shkresën në vijim :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ahmet Zogu, nënshkroi, kohët e fundit, një dekret që akordon faljen e 371 të dënuarve politikë, të cilët u janë nënshtruar ligjeve dhe statuteve të Republikës.

Në bazë të këtij dekreti, shumica e të dënuarve që kishin gjetur strehim jashtë vendit tani mund të kthehen lirisht në Shqipëri.

 https://www.darsiani.com/la-gazette/journal-des-debats-politiques-et-litteraires-1927-ahmet-zogu-amniston-371-te-denuar-politike/.

‘Ahmet Zogu e mori përkrenaren e Skënderbeut në duar, u përkul dhe e përqafoi me respektin më të madh’

Nga Aurenc Bebja

“Le Temps” ka botuar, të premten e 31 gushtit 1928, në faqen n°2, rrëfimin e vizitës së përkrenares së Skënderbeut nga Ahmet Zogu në Muzeun e Arteve Historike në Vjenë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Përkrenarja e Skënderbeut

Korrespondenti ynë i veçantë në Vjenë shkruan :

“Një zyrtar i Muzeut të Arteve Historike në Vjenë raporton se Ahmet Zogu dhe dy persona të tjerë shqiptarë që ishin, disa vjet më parë, në kryeqytetin austriak, shkuan të shihnin përkrenaren e Skënderbeut që ruhet në koleksionin e mrekullueshëm të armëve të vjetra nga ky muze.

Ahmet Zogu kërkoi që t’i hapnin vitrinën dhe t’i lejonin të prekë përkrenaren e heroit kombëtar të vendit të tij. Ai e mori reliken në duart e tij dhe, duke u përkulur me respekt, e afroi pranë buzëve të tij me një gjest të madh nderimi.

Muzeu i Arteve Historike ka gjithashtu shpatën e Skënderbeut. Besohet se këto objekte vijnë nga një trashëgimi, sepse gjatë shekullit të shtatëmbëdhjetë dhe tetëmbëdhjetë, Habsburgët kryen dy martesa me anëtarët e familjes së Skënderbeut.”

https://www.darsiani.com/la-gazette/zyrtari-i-muzeut-te-arteve-historike-ne-vjene-per-le-temps-1928-ahmet-zogu-e-mori-perkrenaren-e-skenderbeut-ne-duart-e-tij-u-perkul-dhe-e-perqafoi-me-respektin-me-te-madh/.

Sot 57 vite nga vdekja e Ahmet Zogut

Më 9 prill 1961, në Paris vdiq Ahmet Zogu, i lindur Ahmet Muhtar Zogolli.

Ai shërbeu si Kryeministër i Shqipërisë (1922-1924), pastaj si President (1925-1928), dhe më në fund si Mbret (1928-1939)./ KultPlus.com

Më 9 prill 1961, në Paris vdiq Ahmet Zogu, i lindur Ahmet Muhtar Zogolli. Ai shërbeu si Kryeministër i Shqipërisë…

Gepostet von Micky Haxhiislami am Sonntag, 8. April 2018