Kino Kosova, festivali që përmes filmit krijon përvoja transformuese

Festivali Kino është zhvilluar për herë të tretë këtë vit në Bernë. Tash më mund të themi se Kino Kosova krijon hapësira për filmat aktualë nga Kosova dhe diaspora, por jo vetëm.

Filmat e përzgjedhur me metrazh të shkurtër, dokumentarë dhe filma artistikë tregojnë një larmi këndvështrimesh nga Kosova. Festivali pesëditor thekson historitë, sfidat dhe shpresat e një larmie të gjerë njerëzish dhe u bë një platformë për shkëmbim. Ky festival ishte një mundësi për të takuar kineastë, autorë, muzikantë dhe dashamirës të filmit. Bisedat e moderuara pas filmave dhanë një pasqyrë të thellë mbi temat e trajtuara gjatë festivalit.

Pyetjet sociale dhe debatet publike që u shfaqen pes ditë rresht i dhanë një ton të veçantë festivalit. Transformimet ekonomike dhe sociale të krijuara nga paslufta arritën të reflektojnë mbi gjendjen e qytetarit të thjeshtë. Filmat, letërsia, shfaqjet, muzika sollën me sukses këto tema aktuale dhe kontribuan ndjeshëm në pasurimin e bisedave./albinfo.ch/ KultPlus.com

Drama “Burrnesha”, fascinon publikun zviceran në Bernë

Foto: Yoshiko Kusano

Një grua bëhet burrneshë duke u betuar me një betim të parevokueshëm, para dymbëdhjetë fshatrave ose pleqve fisnorë, për të praktikuar beqarinë.

Më pas ajo lejohet të jetojë si një burrë dhe mund të vishet me rroba mashkulli, të përdorë emrin mashkullor, të mbajë armë, të tymosë, të pijë alkool, të marrë punën e meshkujve, të veprojë si kreu i një familje (për shembull, të jetojë me një motër ose nënë), të luajë muzikë dhe të këndojë, të ulet dhe të flasë shoqërisht me burra, shkruan albinfo.ch.

Ky është njëri ndër definicionet për fenomenin e Virgjëreshave të Betuara – Burrneshave, e që si shfaqje teatrale pati premierën mbrëmë në “Schlachthaus Theater” të Bernës.

Me skenar të autorit dhe regjisorit kosovar, Jeton Neziraj, e me regji të Johannes Magger, në këtë shfaqje si kryeprotagoniste vjen edhe aktorja shqiptare që jeton në Zvicër, Albana Agaj, e cila paraqitet në rolin e Burrneshës Sose.

Duke qenë se në vitin 2016 ka takuar dhe ka zhvilluar një intervistë me një burrneshë të vërtetë, Albana, gjatë prezantimit të projektit producentëve dhe disa nga protagonistëve të kësaj shfaqjeje, ata kanë qenë të habitur e mjaft mosbesues me këtë fenomen, se si një femër vendos të bëhet mashkull vetëm për të trashëguar shtëpinë apo tokën e prindërve, në mungesë të meshkujve në shtëpi.

“Fascinuese dhe shumë ekzotike”, i konsideron Burrneshat dhe aktin e tyre regjisori i shfaqjes, Johannes Magger. Ai me këtë rast e cilëson si një rast shumë të rrallë, ku femrat nga të bërit një burrneshë heqin dorë nga individualiteti i tyre, thjesht të ndikuara nga rrethanat, të cilat i imponohen.
Ndërsa autori i shfaqjes, Jeton Neziraj, e kundërshton paksa atë qasjen ku Burrneshat cilësohen ende si ekzotike nga bota perëndimore, sepse sipas tij, ato shpeshherë janë quajtur me cinizëm si një fenomen i një bote të pacivilizuar e patriarkale. Pra eksploatimi i fenomenit të Burrneshave nga ana e studiuesve perëndimore më shumë iu ka shërbyer atyre se sa vetë Burrneshave, transmeton tutje albinfo.ch.

Ndërsa në një sallë të stërmbushur, e me publik me shumicë zvicerane, tek shikuesit shfaqja zgjoi një interesim mjaft të madh, ku nuk munguan reagimet e shumta e herë-herë edhe qeshjet nga situatat nganjëherë komike.

Me pak fjalë ky ishte subjekti i shfaqjes: Zonja Durham, një angleze blogiste me gjendje te mirë, ndodhet në një udhëtim eksplorues në Shqipëri, ku përpiqet të hulumtojë rolet e gjinive në sfondin e kushtëzimeve me bazë kulturore. Në këtë e sipër ajo takon një Burrneshë të re, e cila jeton në një fshat malor të Shqipërisë dhe në komunitetin e atjeshëm ushtron funksionin e një burri. Ndërkohë paraqitet Julian Wood, një burrë transvestit dhe regjisor ambicioz teatri. Ai është në kërkim të aktorëve të përshtatshëm të performancës së tij, me të cilën dëshiron të bëjë revolucion në skenat teatrore të Londrës. Ai është fascinuar nga ajo që ka parë në tekstet e zonjës Durham dhe dëshiron të angazhojë patjetër një burrneshë në shfaqjen e tij. Por ngjarja fatkeqësisht nuk rrjedh sipas skenarit të përgatitur nga ai…

Sworn Virgins:
Idee & Konzept: Forever Productions Stuecktext: Jeton Neziraj
Regie: Johannes Mager
Spiel: Albana Agaj, Gunther Kaindl, Johanna Dähler . (Yoshiko Kusano)

Pos premierës, më 3,4,5 dhe 8 maj, po në “Schlachthaus Theater” do të shfaqen edhe reprizat e radhës së kësaj shfaqjeje. Për të vazhduar më pas në fundin e vitit dhe vitin tjetër me reprizat e tjera në Luzern, Winterthur dhe Zürich.
Me idenë dhe konceptin e Forever Production, Burrnesha – Sworn Virgin, është një bashkëprodhim i kësaj të parës me “Schlachthaus Theater” Bern, “Theater Winkelwiese”, Zürich, “Kleintheater”, Luzern dhe “Kellertheater”, Winterthur./ KultPlus.com