8 site të trashëgimisë kulturore me bileta online

Vizitorët e objekteve kulturore, vendas e të huaj, kanë edhe një alternativë tjetër, për blerjen e biletave. Për 8 site kulturore, biletat mund të blihen edhe online, madje çmimi i biletave online është më i lirë se në sportelet fizike.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti në një postim në rrjetet sociale, kujton se duke blerë biletat online, vizitorët do të mund të shmangin radhët e gjata, duke kursyer kohë dhe para.

Biletat janë të vlefshme online për Parkun Kombëtar të Butrintit, Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti” Krujë, Muzeun Kombëtar ikonografik “Onufri”, Kalanë e Gjirokastrës, Kalanë e Shkodrës, Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” dhe Parkun Arkeologjik Apoloni.

Biletat online mund të blihen ne myticket.al / atsh / KultPlus.com

Shërbim i ri i biletave online për muzetë dhe sitet e trashëgimisë kulturore

Vizitorët që zgjedhin Shqipërinë si destinacion turistik tashmë do të kenë mundësinë të vizitojnë dhjetë muze dhe site të trashëgimisë tonë kulturore duke rezervuar biletat online.

Shërbimi i ri i biletarisë on line u prezantua sot nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti së bashku me kreun e Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan Të Zhvillimit Michael Granoff.

“Një mundësi e re, një shërbim më shumë për të gjithë vizitorët, që kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacionin e radhës. Vizitat në dhjetë muze dhe site të trashëgimisë sonë kulturore janë vetëm një klik larg”, tha ministrja e Kulturës Elva Margariti.

“Së bashku me partnerin tonë, Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit prezantuam shërbimin e biletarisë on line. Kënaqësi të kryenim sot aktin simbolik të prerjes së një bilete on line me kreun e Bordit të AADF, Michael Granoff, një mbështetës i vizionit tonë për të ecur përpara. Me prekje të vogla, drejt projekteve më të mëdha”, u shpreh ministrja Margariti.  /atsh / KultPlus.com