‘Rasti i Blert/a Morinës, sulm në Familjen si institucion, vlerë për të cilën karakterizohet populli ynë’

Kanë nisur debatet dhe mendimet rreth rastit të Blert Morinës, djalit i cili e fitoi betejën me shtetin duke e ndërruar emrin dhe gjininë e tij.

Reagim i fortë ka ardhur sot nga Armend Ibrahimi, një aktivist i ri dhe i angazhuar edhe në jetën politike, për disa vite pjesë e LDK-së. Ai e ka quajtur rastin si goditje ndaj institucionit familje.

Ky është postimi i tij i plotë huazuar, pa lejen e Ibrahimit, nga Facebook i tij zyrtar.

Armend Ibrahimi (marrë nga Facebook)

Rasti i Blert/a Morina dhe përdhosja e identiteteve gjinore të Qytetarëve të Kosovës

Më 11 dhjetor 2019 është bërë i plotfuqishëm aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, me të cilin iu dha të drejtë Blerta Morinës ta ndërrojë shënuesin e gjinisë dhe emrin në dokumente të identifikimit në shpërputhje me identitetin e saj gjinor. Pra, emrin nga Blerta ne Blert, dhe identifikuesin e gjinisë, nga F (Femër) në M (Mashkull).

Nuk besoj dikush prej nesh të ketë problem me atë se si dikush ndihet për veten, synojmë ta lëmë të lirë secilin që të ndihet si të dojë për veten e tij, madje edhe për të tjerët, nuk është kjo çështje ndjenjash!

Nëse dëshiron ajo, Shteti mund ta thërras apo ta regjistroj si Ganimete, apo Gani, apo Blert, sido që të dojë. Nuk është problemi se çfarë emri ta kane zgjedhur, apo e zgjedh për veten.

Papajtueshmëria qëndron te fakti se e vërteta natyrore është më e rëndësishme se ndjenjat e dikujt për fenomenin. Njoh qytetarë të Kosovës që do të donin të ishin më të gjatë, njoh të tjerë që do të donin të ishin më të shkurtë. Nuk duhet tash ta pyesim secilin se sa CM dëshiron të ta shkruajmë se je i gjatë në dokumentet e identifikimit (apo se cfarë ngjyre i ke sytë). Ne rastin e gjinisë, kur të lindesh, mjekët të identifikojnë dhe të regjistrojnë.

Pra, secili ka të drejtë ta ketë opinionin e vet personal, por nuk mundet që secili të ketë faktet e veta personale, sepse natyra e fakteve kërkon që të mund të verifikohen edhe nga burime të tjera. Imagjinojeni një situatë kur Meshkujt e ndërrojnë gjininë dhe bëhen Femra për t’u futur në ligën e femrave të Futbollit apo Basketbollit (me demek për tu integruar). Është diskriminim i të dy palëve!

Kur flasim për vlerat, me këtë dhe shumë veprime të tjera Republika e Kosovës ka bërë dhe vazhdon të bëjë sulme të vazhdueshme në Familjen si institucion, vlerë për të cilën karakterizohet Populli ynë.

Madje Gjykata duke i ‘bërë’ të pavërtetat – të vërteta natyrore (pra, duke thënë se Femra mund të bëhet Mashkull dhe Mashkulli – Femër), bënë sulm në të drejtat e njeriut, madje edhe atyre që ende nuk janë, njeriut që do të vjen në jetë, apo atyre që sapo kanë ardhur.

Nga fillimi rasti është dashur të trajtohet si kërkesë për ndryshimin e emrit, gjinia nuk ndryshohet, gjinia nuk prodhohet, është kategori natyrore, është fenomen i matshëm biologjik. Madje edhe Darvini i kishte identifikuar dy gjini, edhe tek Njeriu edhe tek Majmunet.

Teknikisht, ky është një rast me të cilin lejohet falsifikimi i dokumentit identifikues. Faktikisht është cenim i identitetit të më shumë se Milion qytetarëve të Kosovës.

Problemi qëndron se ata që duhet ta kryejnë punën e tyre nuk e kryejnë, e ata që duhet ta ngritin zërin në këto raste, nuk flasin.

Tash duhet të jap përgjegjësi Avokati i Popullit, duhet të flas Myftiu i nderuar Naim Ternava, i nderuari Ipeshkvi ynë Dodë Gjergji. Apo nëse doni ua sjellë një Rabin të nderuar nga Jerusalemi, madje edhe një liberal të shquar nga bota perëndimore.

Shpresoj në mirëkuptimin e kujtdo qe mendimi im apo faktet qe ua solla, ua lëndojnë ndjenjat (pavarësisht gjendjes së tyre mentale). Unë besoj se secili individ i gjallë duhet të trajtohet me dinjitet, pra nuk është kjo çështje e Blertit apo Blertës, por e të vërtetës, veçanërisht kur personalja behet politike!

Blert Morina fiton rastin historik të Kosovës për ndërrim të gjinisë dhe emrit

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dhënë të drejtë Blert Morinës dhe e ka detyruar Agjencinë e Regjistrimit Civil t’ia ndërrojë atij shënuesin e gjinisë dhe emrin në dokumentet e identifikimit

Më 11 dhjetor 2019 është bërë i plotfuqishëm Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, me të cilin iu dha të drejtë Blert Morinës ta ndërrojë shënuesin e gjinisë dhe emrin në dokumente të identifikimit në përputhje me identitetin e tij gjinor.

Morina kishte kërkuar nga Zyra e Gjendjes Civile në Gjakovë në prill 2018, që t’i ndërrohet emri nga «Blerta» në «Blert» dhe shënuesi i gjinisë nga gjinia femërore «F», në shënuesin e gjinisë mashkullore «M». Pas përgjigjes refuzuese të Zyrës së Gjendjes Civile dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC), Morina bëri padi pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë duke kërkuar që t’i njihet ligjërisht identiteti i tij gjinor.

Paralelisht me padinë e parashtruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Morina kishte ngritur edhe një kërkesë për shqyrtim të kushtetushmërisë të vendimit refuzues të ARC-së në Gjykatën Kushtetuese. Sidoqoftë, kushtetuesja ia kishte hedhur poshtë kërkesën si të parakohshme, me arsyetimin se duhet shterrë mjetet e rregullta juridike para se t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Ky rast morri vëmendje të madhe nga publiku si rasti i parë publik i një personi transgjinor që kërkon nga shteti i Kosovës t’i njihet ligjerisht identiteti i tij gjinor.

ARC, e përfaqësuar nga Avokatura Shtetërore kishte dërguar përgjigje në padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sidoqoftë nuk është paraqitur në asnjërën nga dy seancat gjyqësore të mbajtura në këtë gjykatë.

Komuniteti transgjinor është një ndër grupet shoqërore më të cënuara që jetojnë në Kosovë. Rasti i Blert Morinës ka nxitur zhvillimin e diskursit publik për pranimin shoqëror të personave transgjinor në Kosovë dhe për garantimin e të drejtave të njeriut të mbrojtura me Kushtetutën e Kosovës. / Insajderi.

Blert Morina dhe grupi Haveit fitojnë çmimin për Demokraci 2018

Aktivistit Blert Morina dhe grupit Haveit iu janë ndarë sonte çmimet për Demokraci nga KCSF, për kontributin e tyre në promovimin e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore në Kosovë.

Blert Morina tha se gjatë rrugëtimit të tij si aktivist i komunitetit LGBTI është përballur me shumë sfida, por gjithashtu ka pasur edhe përkrahje. Njëherësh, ai tha se ky çmim përçon mesazhin se iniciativave të tilla që po përkrahen, pavarësisht orientimit seksual.

Përndryshe, Morinës së fundmi iu refuzua kërkesa për të ndërruar emrin dhe gjininë në dokumente, për çka edhe ka nisur një “betejë” ndaj institucioneve.

“Më duhet ta falënderoj KCSF-në, jo për çmimin që ma kanë besuar, por për mesazhin që ky çmim përçon për çdo person LGBTI. Të gjithë ata që e kanë pas ndjenjën e mospranimit dhe refuzimit, ky çmim dëshmon se iniciativat për të ndërruar jetën e njerëzve vlerësohen dhe përkrahen pa marrë parasysh orientimin seksual apo identitetit gjinor”, ka thënë Morina.

Kurse nga grupi Haveit foli Alketa Sylaj, e cila tha se demokracia është luftë e përditshme. Ajo tha se për ato ka rëndësi të madhe ka që angazhimi i tyre po shpërblehet dhe premtoi se do të vazhdojnë me punën e aktivitetet e tyre, përmes grupit që kanë themeluar tetë vite më parë.

“Ky çmim është krah i fortë për ne, është motivim për të na siguruar se nuk jemi vetëm në betejën e përditshme për më shumë demokraci, andaj duke iu falënderuar, iu sigurojmë se do të vazhdojmë të flasim dhe të jemi krah tjerëve në betejë deri sa të bëhemi ndryshimi që duam ta shohim tek të tjerët”, ka thënë Sylaj.

Drejtori ekzekutiv i KCSF-së, Taulant Hoxha tha se ky çmim vë në pah punën, guximin dhe vetëmohimin e qytetarëve të Kosovës për demokratizimin e vendit. Ai tha se përmes këtij çmimi, ata po frymëzohen nga njerëzit që dalin nga zona e rehatisë dhe angazhohen për çështje që e prekin shoqërinë, transmeton KP.

“Kuptimi i çmimit tonë që shpresojmë që nuk do të jetë i fundit është që t’i frymëzojmë edhe të tjerët që të dalin nga zona e komfortit të tyre dhe t’i sfidojnë institucionet, ta sfidojnë shoqërinë, ta sfidojnë secilin individualisht, sepse nëse secili nuk i bëjmë disa hapa përtej asaj të përditshmes së asaj që jemi mësuar, atëherë ky vend do ta ketë shumë të vështirë që të bëhet”, ka thënë Hoxha.

Kurse nga SDC, foli Patrick Etienne, i cili vlerësoi kurajën e fituesve të këtij çmimi, për të cilët tha se ka admirim të madh.

“Unë vërtetë kam një admirim të madh për ata njerëz që patën guximin të luftojnë përjashtimin, të jenë të guximshëm, të jenë me të vërtetë guximtarë dhe jam vërtetë i lumtur që sonte disa prej tyre mund të shpërblehen dhe më pëlqejnë sidomos ata që do të shpërblehen sonte, kështu që ju falënderoj dhe mendoj se ju me të vërtetë jeni duke kontribuar për të bërë një vend më të mirë për sa më shumë njerëz që është e mundur. Faleminderit”, ka thënë Etienne.

Ndërsa në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Danimarkës (DANIDA), foli Anders Kragh Bingen, i cili i ndau çmimin Blert Morinës bëri thirrje që ky çmim të shërbejë si inkurajim për të vazhduar përpjekjet për respektimin e të drejtave gjinore në Kosovë.

Ky çmim filloi të ndahej në vitin 2015, kur edhe iu nda Fondacionit Lumbardhi.

Çmimi për Demokraci iu ndahet individëve apo organizatave që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e demokracisë në Kosovë. Ky çmim ndahet në kuadër të projektit “Promovimi i Shoqërisë Demokratike”, projekt ky i bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe DANIDA, ndërsa është zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). /KultPlus.com