Botimi i ri ‘Në emër të gjakut’ i Ahmet Prençit

 Ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, një emër i njohur gjerësisht si një profesionist dhe garant i zbatimit të ligjit, tashmë vjen edhe si botues.

Pas dy botimeve me dy romane e fundit “Anja” dhe “Prenga e Prokurorit”, nga sot autori vjen me një tjetër botim të tij.

Ka qenë fillimisht shtëpia botuese “Mediaprint” e cila ka njoftuar librin më të ri të Prençit e me pas autori në rrjetin social Facebook shkruan  se “sapo doli nga shtypi vëllimi im i ri me tregime e novela “Në emër të gjakut”.

Një falënderim zemre për Shtëpinë Botuese Mediaprint dhe Elda Vela, redaktoren Silvana Farruku dhe mjeshtrin e grafikës Elsi Kongo për punën e bukur me shumë përkushtim. Mirënjohje pa kufi  poetit, përkthyesit, studiuesit dhe shkrimtarit të dashur Rudolf Marku që lexoi në dorëshkrim librin dhe e përcolli atë drejt lexuesit me një parathënie brilante”./atsh/ KultPlus.com

Botohet vepra studimore, “Sali Bashota poet i shpirtit”

Libri me studime  me titullin “Sali Bashota-Poet i Shpirtit”, me gjithsej 378 faqe, i cili u botua këto ditë nga Shtëpia Botuese “Artini”, i ka dy shenja të veçanta: botohet me rastin e 60-vjetorit të lindjes së poetit, studiuesit, profesorit Sali Bashota, nga autori Xhemail Ali Peci, me redaktor  Qerim Kryeziun dhe recensentë: Fadil Grajçevci dhe Jahir Ahmeti, shkruan KultPlus.

Janë këta të katër studentët të gjeneratës së studimeve të vitit 1984,  kur Sali Bashota kishte filluar punën e asistentit në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, në Fakultetin Filozofik ( tani Fakulteti i Filologjisë).

Autori i librit, Xhemail Ali Peci, në fillim, në formë prologu, e paraqet parathënien, pastaj bio-bibliografinë e autorit, si dhe esenë me titullin “Prishtina në poezinë e Sali Bashotës”. Më tutje, libri sistemohet  në pesë kaptina kryesore dhe në disa nënkapituj të veçantë: poezia, proza poetike, studime e kritikë letrare dhe publicistika, ndërsa në fund trajtohet  në formë epilogu parathënia programatike në një studim të Bashotës që ka të bëjë me Shqipërinë Etnike, si dhe jepet biografia e autorit të librit.

Vepra studimore e Xhemail Ali  Pecit, është libri i katërt, i botuar deri më tani për krijimtarinë poetike e studimore të Bashotës.Më parë janë botuar librat: Grup autorësh, Sali Bashota preţuit de scriitorii români/Sali Bashota i vlerësuar nga shkrimtarët rumunë, Editura Limes, Bukuresht,  (2012) , pastaj  libri i Flamur Malokut, Polisemia e veprës (lexime empirike mbi poezinë e Sali Bashotës), Olymp, Prishtinë (2013) dhe nga  Gëzim Arifi, Palimpsesti i ideve, Parnas, Prishtinë, (2013). /KultPlus.com

Stefan Çapaliku promovon librin “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”

Biblioteka Kombëtare e Kosovës është nikoqire e promovimit të vëllimit të tretë të ciklit romanesk “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” të autorit Stefan Çapaliku.

Ky vëllim është botim i  Entit Botues “Gjergj Fishta”, përcjellë KultPlus.

Promovimi do të jetë në formën e bashkëbisedimit të gazetarit Agron Shala me autorin Stefan Çapalikun. Ndërsa aktori Enver Hyseni do të lexojë fragmente të shkurta nga libri.

Promovimi do të mbahet më datë 19 dhjetor në  ora 11:00, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës./KultPlus.com