Botohet kompleti i veprave të poetit dhe studiuesit Sali Bashota

Këto ditë Shtëpia Botuese Logos-A në Shkup, botoi kompletin e veprave të zgjedhura të poetit dhe studiuesit, Sali Bashota, në gjashtë vëllime, përcjell KultPlus.

Në parathënien e studiuesit Milazim Krasniqi, ndër të tjera, thuhet se: “botimi nga Shtëpia Botuese “Logos – A” i kësaj kolane me veprat e zgjedhura të poetit e studiuesit Sali Bashotës, është një projekt që e legjitimon edhe më fort këtë botues si një vatër e vlerave dhe e afirmimit të tyre. Ndërsa lexuesit i mundëson ta vazhdojë e ta rivendos komunikimin me veprën poetike e studimore të një autori të njohur që tashmë është referencë në poezinë shqipe. Kur bëhen bashkë në një projekt të këtillë një shtëpi botuese serioze, sikundër është “Logos-A” dhe një autor serioz, sikundër është Sali Bashota, lexuesi është pala fituese”.

Në vëllimin e parë të kompletit përfshihen poezi të zgjedhura nga veprat poetike: “Albumi i grisur” (1986), “Zogu me profil vjeshte” (1989), “Plagomë” (1994), “Dalje nga trishtimi” (1999) dhe “Bukuri e nëmur” (2006).

Në vëllimin e dytë përfshihen poezi të zgjedhura nga veprat poetike: “Dorëshkrimi i ngjallur” (2011), “Në fillim ishte Drita” (2017) dhe “Asnjë zë tjetër” (2018).

Në vëllimin e tretë përfshihen poezi të zgjedhura nga veprat poetike: “Lutja e parë e shpirtit”, (2020), “Pëshpëritja e agonisë – libri i karantinës” (2020).

Në vëllimin e katërt përfshihet proza poetike, e zgjedhur nga veprat: “Ëndrra në parajsë” (2006), “Sytë e vetmisë” (2011), “Zemërimi i heshtjes” (2014), “Shkallët e natës” (2020), si dhe disa proza të tjera poetike nga librat me poezi.

Në vëllimin e pestë është përfshirë monografia letrare “Kuteli prozator, poet, kritik” (1999), ndërsa në vëllimin e gjashtë janë përfshirë ese, vështrime, trajtesa, studime letrare, të zgjedhura nga veprat: “Shqipshkrimi kritik” (1997),”Domethënia e ideve letrare” (2001), “Proza e filleve të modernitetit” (2006), “Enigma e shkrimit” (2018) dhe “Esenca e ligjërimit letrar” (2020).

Në mesin e tyre, dallohen studimet për shkrimtarët: Naim Frashëri, Sami Frashëri, Jeronim de Rada, Françesk Anton Santori, Gjergj Fishta, Faik Konica, Mid’hat Frashëri, Ernest Koliqi, Migjeni, Hafiz Ali Korça, Musine Kokalari etj., si dhe mjaft studime për vepra të shkrimtarëve të letërsisë bashkëkohore shqipe.

Gjithashtu, Bashota ka trajtuar dukuri dhe fenomene letrare dhe estetike që ndërlidhen me fatin e krijuesit, me individualitetet e kritikës letrare shqipe, ligjërimin romantik arbëresh, mitet për personalitetet letrare, letërsinë shqipe në diasporë, historinë e letërsisë shqipe, raportet e poezisë me shoqërinë etj.

Botimi i kolanës së veprave të zgjedhura të Sali Bashotës në gjashtë vëllime përfshin krijimtarinë e tij përbrenda periudhës dyzetvjeçare, në fushën e poezisë, prozës poetike dhe kritikës letrare.

Sali Bashota është njëri ndër poetët më të përkthyer të Kosovës në gjuhë të ndryshme të botës dhe i përfaqësuar në shumë antologji brenda dhe jashtë vendit, ndërsa për krijimtarinë e tij letrare dhe shkencore është nderuar me çmime të larta kombëtare dhe ndërkombëtare. / KultPlus.com

Dremitje

Sali Bashota

Shkuan edhe ata atje
Sa shpejt shkuan
Siç shkojnë ditët e netët
Kur i krehim flokët para pasqyrës
Malli na pikon nëpër faqe
Derisa e harrojmë frikën
Ta bartim menjëherë
Si dremitjen e fundit
Të ngujuar në shpirtra
Shkuan edhe këta afër nesh
Sa shpejt shkuan. / KultPlus.com

Ata sy janë sikur shiu

Sali Bashota

Ata sy janë sikur shiu
Sikur zjarri është dashuria
Secilën puthje çasti e përpiu
Kur zgjohet prapë nostalgjia

Ato buzë nuk i prek më shkrumbi
Sa herë pëshpërisin mallin e ri
Ditën tjetër pritja humbi
Me të njëjtën fantazi

Ato ëndrra nuk i duron më nata
Edhe kur loja merr fund
Fjalët prapë i merr shtrëngata
Fluturat e bardha s’janë askund

Ata shpirtra janë të njëjtë
Asnjë dhimbje nuk i tret
Ngjajnë me ritualin e shenjtë
Sikur zogjtë në qiellin e vet. / KultPlus.com

Mëngjes marsi në Prishtinë

Shkruan: Sali Bashota

Liria bekohet kur e shikojmë njëri-tjetrin në sy
Sigurisht mirësia më nuk përmbyset
Çdo mars nuk e ka të njëjtën magji
Kur zgjohet fjala e dhimbja ngryset

Sikur të heshtim si shpirtra të druajtur
A do të ëndërrojmë pa bërë zë
Sigurisht disa kujtime tashmë janë ruajtur
“Shpejtoni ngadalë”- ka thënë Horaci- asgjë më

Në këtë ditë marsi në Prishtinë
Bora shkund dridhmat në pafundësi
Nëse prapë do ta bartim lirinë mbi shpinë
Si do ta pagëzohet kjo dashuri

Të gjithë s’e kuptojnë ftesën për flijim
Nëse kushtrimi shpërthen ashtu papritur
As shpirtrat s’e kanë më të njëjtin shëmbëllim./ KultPlus.com

Anët

Sali Bashota

Një ditë ajo anë
Do të bëhet si kjo anë
Kur largohet mjegulla
Përtej syve

Pastaj nga shpirti
Fshihet pluhuri i harresës
Dhe toka përmallohet
Për qiellin e vet

Edhe kjo anë
Do të bëhet si ana tjetër
Kur s’ua prejmë flatrat
Engjëjve të dashurisë

Të dy anët
Kurdisin orët e sakta
Në të njëjtën kohë
Si do Zoti. / KultPlus.com

Palimpsest

Sali Bashota


Bëhu si zjarri
Kur të vijnë tri netët e bardha
Ëndërroje prapë ishullin e vetmuar
Vetëm dy shpirtra afër njëri-tjetrit
Për një çast harroje mllefin e fantazisë
Mos thuaj e kemi njohur deri në fund
Rrugën e tundimeve të jetës
Si mallin për kohën e humbur
Një më pak se mbamendja e hidhërimit
Një më shumë se përfytyrimi i lumturisë

Bëhu si shiu
Kur të vijnë tri netët e bardha
Shko më larg përtej trazimit të iluzioneve
Aty ku numërohen mrekullitë e pritjeve
Kthehu prapë në vendin e bekuar
Imagjinoje pëshpëritjen e erërave
Pa i kapërcyer shkallët e zjarrit
Mbylli sytë derisa të shkurtohen hijet
Në perëndimin e vonuar të diellit
Ndonjëherë pajtohu me heshtjen
Pa asnjë shpërblim për durimin
Nëse kanë mbetur pa u lexuar
Legjendat e fundit të zilisë

Bëhu si qielli
Kur të vijnë tri netët e bardha
Mos i beso hutimit të shpendëve shtegtarë
As atyre që kanë gëzim e hidhërim përnjëherë
Në këtë botë jetojnë edhe mëkatarët
Një ditë do të fillojë mësimi i rregullt
Për të drejtën e dhimbjes njerëzore
Në orën e parë do të flitet për mirësinë
Temat e tjera sipas renditjes së ndjenjave
Edhe kur nuk lidhen fijet e këputura
Me përmasën e soditjes së zvogëluar

Bëhu si dashuria
Kur të vijnë tri netët e bardha
Të dielën pikturoje vetëm gjumin e shpirtrave
Mate lumturinë me hapa të vegjël
Ndonëse mund të hidhërohen sytë
Kur nuk shohin asgjë pos dritës
Ndonëse mund të pikëllohen buzët
Kur nuk e ndiejnë shijen e puthjes
Për një kohë harrohet vetmia e yjeve
Pa e imituar lojën midis gjumit dhe ëndrrave 

Bëhu si afshi
Kur të vijnë tri netët e bardha
Derisa të ikim nga vetvetja. / KultPlus.com

Lavd syve

Nga Sali Bashota

Në vitin 1959
Jorge Luis Borges humb shikimin
Asnjë çast
Nuk i ngjante udhëzimit për vetminë
Zogjtë e shpirtit i pushonin krahët e lodhur
Mbi lutjet e afshit
Shiu vazhdonte ritmin e vet
Poshtë shkallëve të dhimbjes
Vetëm sytë dashuronin
Parajsën me emrin e nëntë lumenjve
Aty ku shpërndahej drita
Në vitin 1959
Jorge Luis Borges humb shikimin
Vetëm një dritare ishte hapur
Vetëm një hije priste ngushëllim
Vetëm një fëmijë luante me lulediellin
Të gjitha ëndrrat ndillnin fat
Të gjitha buzëqeshjet protestonin 
Të gjitha kujtimet e duronin heshtjen
Në vitin 1959
Jorge Luis Borges humb shikimin
Asnjë çast
Nuk i ngjante udhëzimit për vdekjen. / KultPlus.com

Qielli i vendlindjes

Sali Bashota

Aty është hija e babait
Edhe një copë qiell
Nëse vjen zogu i bardhë
Afër dritares
Mos ia trembni fluturimin
Derisa të zgjohet dashuria
Aty janë shumë ëndrra
Me lot në sy
Aty janë shumë flutura
Që pushojnë mbi krahët e luleve
Krejt e ëmbël
Aty është lumturia
Edhe dhimbja është aty
Me emrin e vet
Aty është shkrumbi
I shpirtit tim /KultPlus.com

Matanë dashurisë është një lumë

Sali Bashota

Matanë dashurisë është një lumë
Asnjë ditë nuk i ngjan çastit
Kur shiu luan me heshtjen
Me mijëra herë
Asnjë natë nuk i ngjan dritës së hënës
Kur yjet i bëjnë rojë vetmisë
Me mijëra herë
Kur lumi del nga shtrati i vet
Belbëzojnë dy shpirtra
Dhe zgjohet një ëndërr
Në bregun e përqafimit
Matanë dashurisë është një lumë
Secili i shkruan kujtimet
Të stolisura me gjethe trëndafili
Me mijëra herë
Prapë koten valët
Si tufa e zogjve të mërzitur
Herët në mëngjesin e brengosur
Arratisen frymëzimet e etura
Me mijëra herë
Matanë dashurisë është një lumë

( Prishtinë, 18 tetor 2022) / KultPlus.com

Rituali i mërzitjes

Sali Bashota 

E mërzitur është nata
Kur gjërat e ndieshme grisen
Si fijet e holla të frikës
Në rrugën e ndjenjave të shkrumbuara
Nuk ka kush me ndez të shkretin zjarr
As në mëngjesin tjetër
Kur ikin të gjitha pulëbardhat
E mërzitur është heshtja
Derisa harresa e gishtërinjve
Nuk e prek më fundin e puthjes

E mërzitur është vetmia
Kur retë e pikëlluara në qiell

Prapë inatosen me ikjen e zogjve
E mërzitur është dhimbja
Përse nuk ka sy të tjerë që shohin
Afshin e ngujuar në shpirtra
E mërzitur është dashuria
Kur e harrojmë emrin e luleve
E mërzitur është ëndrra
Nëse parakalojnë të gjitha hijet  
Diku afër vdekjes

(Prishtinë, 11 tetor 2022) / KultPlus.com

Pantomima e një dite vjeshte

Poezi nga Sali Bashota

Fëmijë të shqetësuar
Me sy të bukur
Pa asnjë lule në duar
Adhurues të lojërave me drita
Një ditë mësojnë
Ç’është kuptimi i jetës
Duke ia krisur vajit
Mbledhin gjethe të vyshkura
Në rrugën me emrin e qiellit
Derisa i numërojnë shkronjat e alfabetit
Bashkë me mëkatet e të rriturve
Dalëngadalë vazhdojnë t’i braktisin lodrat
Kur çdo gjë bëhet e padurueshme
Secili pyet vetveten
Sa peshon liria e tjetrit
Nëse mungon dashuria e parë
Fëmijë të zakonshëm
Me sy të bukur
Presin në radhë për buzëqeshje
Kur zhduken hijet nga rruga 
Kur i numërojnë hapat e këputur
Kur i grumbullojnë të gjitha gjethet
Ndoshta edhe lumturinë që s’është
Si pantomima e një dite vjeshte
Vetëm një herë
Në fund të heshtjes
Fluturojnë zogjtë e mërzitur / KultPlus.com

Rituali i përmallimit

Sali Bashota

Sa herë vjen vjeshta më merr malli për dashurinë
Asnjë çast nuk ngjan si zemërimi
Vargjet nuk e përfillin më melankolinë
Ndoshta kështu fillon tundimi

Një ditë më mori malli për pritjen e braktisur
Kur gjethet e mërzitura u vyshkën dalngadalë
Askush nuk mbërrin cakun pa u nisur
Nëse shpirtrat hidhërohen nga e njëjta fjalë

Malli më mori edhe për vetminë
Sa herë e zinte nata duke pëshpëritur
Askush s’kuptonte më zilinë
Kur këputej përgjysmë pa u venitur

Sa herë vjen vjeshta më merr malli për dashurinë
Ëndrrat luajnë me gjumin e fëmijërisë
Nuk vdesin kujtimet pa shuar fantazinë
As kur përfundon akti i nostalgjisë

(Prishtinë, 19 shtator 2022) / KultPlus.com



Imazhi i pakryer

Poezi nga Sali Bashota

Nuk është më aty
Hija e Gruas së Mirë
Kur na prekte ballin e përflakur
Me gishtërinjtë e butë
Sikur zmadhohej lumturia
Plot buzagaz
Ishim fëmijë me brenga
Që nuk i harronim ëndrrat
Pa u shëruar nga frika
Trupi dridhej si balonë e fryrë
Deri në ditën tjetër
Nuk janë më aty
As qerpikët e zbukuruar
Që grinden çdo mëngjes
Me shikimin e përdalë
Sa çel e mbyll sytë
Për ta përpirë lotin
Si tamblin e ngrohtë
Nëse i shëron vetëm ata
Që i thurin lavde harresës
Kur i lidhin nyje kujtimet
Nuk është më aty
As ikja e natës
As zjarri i buzëve të shkrumbuara
As dashuria në shikim të parë
Nuk është më aty
As hatërmbetja e fundit

(Prishtinë, 12 korrik 2022) / KultPlus.com

Askush nuk përmallohet më shumë se dhimbja

Sali Bashota

Lulzim Tafa më ka treguar
Se nëna i ka shkuar në parajsë
Kështu ndjesia e jetës shëmbëllen
Me një fëmijë të papërmbajtur
Që vrapon pas xixëllonjave
Deri në fund të ëndrrës
Dhe e humb lojën
Për dëshirën e paplotësuar
I mashtruar nga të mëdhenjtë
Dalëngadalë e zë gjumi
Si pëllumbin e bardhë
Lulzim Tafa më ka treguar
Se nëna i ka shkuar në parajsë
Asnjë fjalë nuk do t’ia them
Pa përfunduar ora letrare
Pastaj një nga një
Do t’i numërojmë të gjitha pikat e lotve
Si fijet e barit të Walt Whitman
Askush nuk përmallohet
Më shumë se dhimbja
Ndërsa vetëm fjala nënë
Bëhet e vërtetë absolute
Lulzim Tafa më ka treguar
A shkurtohet pagjumësia e shpirtit
Pa kapërcyer pragun e ëndrrave
Veshur me gjethe të bardha trëndafili
Posa hapen sytë
Me pa dashurinë a përgjigjet
Kjo është gjithë soditja
Deri te e padukshmja e realitetit
Sidoqoftë nuk bëhet fjalë për harrimin
Se në cilin krah të jetës
Është udha e pikëllimit
Si ngjallet fytyra e nënës
Sidomos buzëqeshja e saj e praruar
Midis qiellit dhe tokës
Është e vërtetë se më ka treguar
Në cilin çast nuk hesht lutja
Sa të jetë gjallë njeriu
Pse nuk ka zë tjetër
Më të ëmbël
Pse nuk ka të tjera duar
Më të bekuara
Pse nuk ka përqafim tjetër
Më të lumtur
Lulzim Tafa më ka treguar
Si nuk binden rrahjet e zemrës
Brenda kafazit të pikëllimit
Asnjëherë nuk mësohemi
Me fundin e mërzisë
As kur ndahet shpirti nga trupi
As kur bashkohen lumenjtë e vetmisë
Lulzim Tafa më ka treguar
Se nëna i ka shkuar në parajsë
Askush nuk përmallohet
Më shumë se dhimbja

( Prishtinë, 30 maj 2022) / KultPlus.com

Rituali i fundosjes

Sali Bashota

Ata nuk dinë ç’është dhimbja
As si fluturojnë zogjtë lart në qiell
Nëse i fusin në grusht
Do t’i rrjepin një nga një

Ata nuk dinë ç’është dashuria
Me fjalë e ndezin zjarrin
Nga fillimi deri në fund
Për një mëkat të pabërë

Ata janë të lumtur
Kur vrasin çdo ëndërr të tjetrit
Vetëm pak i hapin sytë
T’i numërojnë varret e të gjallëve

Ata janë njësoj krejt njësoj
Sikurse fundosja

(Prishtinë, 20 maj 2022) / KultPlus.com

Deti u hidhërua me mua

Poezi nga Sali Bashota

DETI U HIDHËRUA ME MUA

(Për arbëreshët e mi)

Pa asnjë fjalë
Me plot besim
Pa asnjë rrahje qepalle
Deti u hidhërua me mua
Sepse desha t’ia tregoja
Vetminë e vërtetë të arbëreshëve Bashkë me gjumin e pulëbardhave
Për t’i bartur me varkën e shpëtimit Shumicën e ëndrrave të Motit të Madh Pakon e legjendave të fshehura Misterin e kujtimeve të pashkruara
Që nuk i zbardhte dita
U pajtua edhe Zef Chiaramonte
Se vjershat e mallit kanë “vulë uji”
Atje e pata takuar Marën e Gavrilit
Rrinte në mesin e kopileve të katundit
Pasi lëshoi një ofshamë arbëreshe
Më shikoi drejt në sy
Më pyeti a hidhërohet ndonjëherë deti
Nuk kisha përgjigje
Pastaj bëmë një foto të shpejtë
Bashkë me poetin e Lumit
Ishte vjeshtë e vitit dymijë e tre
Mora vesh se Rina e De Radës
Ende vallëzonte në sheshin e Shën Adrianit
Dy mollët e kuqe i kishte lënë
Te kroi i ri i psherëtimave
Amanet për të dashuruarit
Ta kujtonin puthjen e parë
Pas pak Zef Serembe
Filloi shtegtimin në Sao Paulo
Me një çantë të zezë në dorë
Asnjë dorëshkrim nuk e kishte harruar në Strigari
Askush nuk besonte deri atëherë
Se për dashurinë vdesin vetëm poetët
U pajtuam pa asnjë dyshim
Gjysma e dhimbjes së shkrumbuar
Ishte përtej detit
Gjysma tjetër mbeti këndej
Se kur shkelim në tokë
Nuk do të këpusim më asnjë lule
Shpëtojmë nga uji njëherë e përgjithmonë
Nga zjarri shpëtojnë vetëm lotët
Prapë deti u hidhërua me mua
Nuk thashë asnjë fjalë
Sepse në ëndrrën e pambaruar
Tashmë kishte ikur edhe vetmia

(Prishtinë, 10 maj 2022)./ KultPlus.com

Asgjë nuk krahasohet me vdekjen

Nga Sali Bashota

Asgjë nuk krahasohet me vdekjen
Nëse e marrim gjithmonë me vete
Ta shëtisim në kopshtin e parajsës
Buzë lumenjve të amshimit
Nëpër shtatë palë qiej me yje
Kur çdo gjë pendohet përnjëherë
Fytyra e ndërlikuar e vetmisë
Epilogu pa fitues i mëshirës
Butësia e tharjes së fjalëve
Zbutja e frikës me ujë të ftohtë
Dëshmia e pritjes së tradhtuar
Zbulimi i dashurive të fshehta
Legjenda për gjarpërinjtë e shtëpisë
Asgjë nuk krahasohet me vdekjen
Ku ajo çdo ditë luan me piano
Pa e pyetur askush traumën e zemrës
As kur i mbyllim sytë
As kur i hapim plagët
Asgjë nuk krahasohet me vdekjen
Edhe kur vjen befas
Pas përqafimit të njerëzve të dashur
Edhe kur largohet
Pas shpërthimit të ndjenjave të fundit
Edhe kur çdo gjë përsëritet
Në heshtje nga fillimi
Edhe kur kthehet prapë
Me protestën e lotve
Edhe kur bëhet shpallja e dashurisë
Me shikim të parë
Edhe kur vyshket
Koleksioni i ëndrrave të bukura
Edhe kur lidhet me pranga
Vetëm për një çast
Në të njëjtën udhëkryq të harruar 

Trembëdhjetë minuta larg dhimbjes
Sipas orarit të ri të kujtimeve
Sipas grindjes së dy shpirtrave
Sipas pak gjërave të pathëna
Vdekja vjen
Edhe me zjarrin e shikimeve
Të ndezura një nga një në pasqyrë
Edhe me adhurimin e çmendur
Të ngjyrave të bardha
Edhe me fluturimin e mijëra zogjve
Edhe me prekjen e gishtërinjve të lëmuar
Kur dalëngadalë shkrihet
Largësia e buzëve
Ndonëse një mbrëmje e harrojmë
Në rrugën pa emër
Deri në ditën tjetër
Kur i del afati
Të gjitha mëkateve të shpirtit
Asgjë nuk krahasohet me vdekjen

(Prishtinë, 4 maj 2022) / KultPlus.com

Nesër nuk do të shkruaj poezi për luftën

Nga Sali Bashota

(Në Ditën e të Pagjeturve)

Nesër nuk do të shkruaj poezi për luftën
Të gjitha fjalët i ka marrë era
Nëse për luftën thuhet se fiton më i forti
Këtu nuk vdiset si dikur
As për dorëshkrimet e djegura nuk do të shkruaj
Nuk mjafton vetëm ndjesia e përkujtimit
Sot poetët nuk veshen me të bardha
Sot gratë e Dukagjinit veshen me të zeza
Në secilën shtëpi jeton nga një dhimbje
Nesër nuk do të shkruaj poezi për luftën
Ndoshta më askush nuk i dëgjon engjëjt
As kur fillon as kur përfundon pikëllimi
Ëndrra qenka më e dashur se sytë e ballit
Kur çdo ditë pika i bie trishtimit
Të pagjumët nuk e duan më natën
As hëna nuk i duron më yjet në qiell
Nuk ka vend për zogjtë e përmallimit
As për fluturat e lumtura
Këtu nuk vdiset si dikur
Mbas shtegtimit vjen një zjarr tjetër
Derisa protestojnë edhe epitafet për mungesën e varreve
Kur i hapim sytë i mbyllim portat e frikës
Secili i kujton etjet për një pikë ujë
Si dridhjet e klithmave të rrëzuara
Pa e njohur kurrë fundin e ikjes
Në udhëtimin e hijeve të nëmura
Ekspozohen fotografitë e tmerrit
Këtu nuk vdiset si dikur
Nesër nuk do të shkruaj poezi për eksodin
Ofshama e nënave shndërrohet në shpirtra të gjallë
Më lehtë është të vdesësh se t’i harrosh të pagjeturit
Për jetën luftojnë të gjitha gjallesat
Edhe gjarpërinjtë nën gurë
Nesër nuk do të shkruaj poezi për luftën

(Prishtinë, më 27 prill 2022) / KultPlus.com

Zërat e paharruar të Bashotëve

Nga Sali Bashota

Çdo ditë më merr malli
Për zërat e paharruar të Bashotëve
Më kujtohet si pagëzohej dashuria
Me ninullat më të bukura të fëmijërisë
Si i lidhnim kujtimet duke i numëruar hapat e dremitur
Pastaj iknin kukuvajkat nga kulmi i shtëpisë
Ndërsa shpirtrat bënin gjumë të ëmbël
Më vonë i palonim në heshtje të gjitha dallgët e jetës
Për t’i gëzuar buzëqeshjet pa brenga
Çdo ditë më merr malli
Për zërat e paharruar të Bashotëve
Si thurej nostalgjia me pëshpëritjet e mëngjesit
Nëpër thellësitë e përndritura të kujtesës
Kur i gdhendnim gurët e durimit
Për të ndërtuar shtëpi me pamje kah dielli
Pastaj vraponim fushave të blerta
Bashkë me aromën e zambakëve të lulëzuar
Ashtu vinte e lumtur buzëmbrëmja
Sepse aty kurrë nuk trembeshin shqiponjat
As fjala s’e humbte besimin e vet
Edhe pse qielli mbulohej me re të zeza
Edhe pse toka gjëmonte në të katër anët
Edhe pse zjarri përpinte të gjitha legjendat
Çdo ditë më merr malli
Për zërat e paharruar të Bashotëve
Aty nuk mungonte asnjë pjesë e dhimbjes
Secila përshëndetje ishte më e ngrohtë se tjetra
Ndërsa rrudhat e ballit ngjanin me vrullin e stuhisë
Secili plis i bardhë kishte krenarinë e vet
Dhe vdekja ikte nga hija e gjarpërinjve
Çdo ditë më merr malli
Për zërat e paharruar të Bashotëve
Pikërisht aty bekohej çasti i lumturisë
Dhe zgjohej ofshama e zemrës
Në formën e krahëve të dallëndyshes
Ndërsa imazhi më i përmallshëm
Mbështillej me lotët e mërgimtarëve
Nëpër librat e historisë së patreguar
Sa herë në lisin e gjakut skalitej liria
Çdo ditë më merr malli
Për zërat e paharruar të Bashotëve

(Prishtinë, 26 prill 2022) / KultPlus.com






Parashikimi i frikës

Nga Sali Bashota

Mos e hap derën
Brenda është frika
Gjithçka mund të ndodh
Për një fije floku
Me një fije shkrepëse
Pas pak digjet
Xhelozia e ëndrrave të bukura
Ndonjë pëshpëritje zilie
Në veshin e djathtë
Për çudi mahnitemi
Nga ai zjarr i madh
Pa filluar ende mrekullia
Për më shumë fantazi
Mos e hap derën
Asnjë shenjë tjetër
Nuk krahasohet me heshtjen
Si zakonisht fjala e parë
Thuhet në vend të fjalës së fundit
Në çdo mëngjes të pazakonshëm
Sa herë nis rrëfimi për vetveten
Pse në këtë botë ekzistojnë ngjyrat
Për ta pikturuar amshimin
E bardha si këmisha e lotve
E zeza si mëkati
E kuqja si buzët e lumtura
E verdha si trëndafilat e tharë
E kaltra si sytë e mi
Mjaftojnë vetëm këto
Dhe thellësia e admirimit
Ndoshta prapë mahnitemi
Deri në çastet e fundit
Pa mbaruar kurrë pendimi

(Prishtinë, 21 prill 2022) / KultPlus.com

Fundi i harrimit

Poezi nga Sali Bashota

Një ditë do ta harroj afshin
Si shiun e fundit të verës
S’do ta kujtoj më çastin
Kur më prisje në prag të derës

Një ditë do ta harroj shikimin
Bashkë me lamtumirën e shuar
Rrudhat e ballit e ndiejnë trishtimin
Si disa zogj të pikëlluar                                                 

Ndoshta do ta harroj hidhërimin
Derisa nuk bëhet shumë vonë
Dikush s’e kupton kurrë trazimin
Por është i çuditshëm gjithmonë

Një ditë do ta harroj heshtjen
Duke u përpëlitur mbi valë
Ndoshta s’është fjala për buzëqeshjen
Por për secilën ëndërr për secilën fjalë

Nëse e harroj edhe dashurinë
Asgjë nuk do të jetë si dikur
Kush do ta shkruajë librin për vetminë
Kur ndjenjat ngulen si gozhda në mur

(Prishtinë, 14 prill 2022)./ KultPlus.com

Hutimi

Nga Sali Bashota

Në tavolinën afër xhamit të thyer
Të dy ulen me buzë në gaz
Ajo shikon akrepat e orës
Ai tund kokën
Çdo hollësi tjetër është e tepërt

Në tavolinën përballë
Dy të dashuruar cakërrojnë gotat
Dhe ia ngulin sytë njëri-tjetrit
Derisa mbaron rituali
I shtrydhjes së buzëve

Diku afër banakut
Një poet reciton poezi për kafshët
Në dorën e djathtë mban çelësin
Trëndafilin e kaltër në dorën e majtë
Çdo krahasim tjetër është si nata

Imazhet luajnë me vetveten
Asgjë më nuk është e dehur
Pas pak këputet filli i ëndrrës
Nga hutimi i syve
Merr fund akti i zilisë

(Akti i frymëzimit: San Diego, korrik 2005. Shkruar më 8 prill 2022) / KultPlus.com



Eshka

Poezi nga Sali Bashota

ESHKA

Bënim shtëpiza
Si thnegla përgjakeshim
Duke i zbardhur drunjtë
Nuk kishim thikë Kosove
Për t’i prerë kujtimet
Për të bërë pak jetë në halucinacione
As eshkë për ta ndezur shpirtin
Po ajo ish vetë Lugina e Vdekjes
Gjaku dhe mishi i trupit kundërmonin
Në skenën e vuajtjes
Kur nuk udhëhiqeshim më nga instinktet
Ëndërronim tokën e varrit
A do të na mbulonte bari
Për ta ndriçuar të vërtetën
Kobin se thika shkëlqente në fyt
Lamtumira e atdheut
Zhveshte rrobën e zezë të pikëllimit
Dhe kur vinte çastndarja
Fushë e shkretë ulërinte
Po ajo ish vetë Lugina e Vdekjes
Nuk kishim thikë Kosove
Për t’i prerë kujtimet
As eshkë për ta ndezur shpirtin
As kohë për të vdekur

( Bllacë, 4 prill 1999)

Mbi portretin krijues të poetit dhe intelektualit utilitar të shekullit XX

Veprimtaria e shkrimtarit vështruar në disa domene, realizimi formal-përmbajtësor shpesh konsistent me përbrendësimin e aktualitetit, shkrimtari midis angazhimit nacional e human dhe vetëdija krijuese progresive janë aspekte kruciale që përbëjnë objektin e “Orës së shkrimtarit 2”, përmbledhje e shkrimeve të rastit të plejadës së studiuesve të decenieve të fundit.

Duke pasur për kriter kryesisht kronologjinë e shfaqjeve të autorëve si: Latif Berisha, Enver Gjerqeku, Azem Shkreli e Din Mehmeti qoftë në domenin poetik, publicistik apo edhe intelektual, vepra shpalos portretin që ata tashmë kanë formuar si identitete të pakapërcyeshme në letërsinë shqipe. Subjektet folëse në të vërtetë ndërtojnë kushtimisht një relacion më përmbledhës me objektet që trajtojnë kuptuar krejt natyrshëm kur dihet vetë kufizimi që ofron ideja e shkrimit të rastit. Të kuptuarit në esencë i aspektit aksiologjik të veprës e qenësisë së shkrimtarëve në kohën kur shkruajnë dhe vetë predestinimi i tyre për t’u bërë eminentë në fushën e kulturës dhe letërsisë shqipe bëhen pikat themelore ku takohen qasjet e studiuesve.

1.Aspekte të produksionit poetik dhe stilistik te vepra e Berishës, Gjerqekut dhe Shkrelit

(Sali Bashota, Milazim Krasniqi dhe Naime Beqiraj)

Në vështrimet e këtyre studiuesve bie në sy një planimetri e pasur metodash që kanë shfrytëzuar në qasjen e tyre, por është i pashmangshëm edhe fakti se ekziston një metodë dominuese të cilës ata i kanë dhënë a priorësi karshi tjerave. Njohja nga afër e figurës së Latif Berishës ka bërë që Sali Bashota të interferojë në qasjen e tij dromca të metodës pozitiviste me realizimin e një portreti më të plotë të tij duke nisur me një vështrim nga afër të asaj çka reflekton ai si karakter njerëzor, për ta nxjerrë kështu poezinë e Berishës si produkt të një shpirti të pastër, si diçka fisnike që lind po nga fisnikja.

Kjo hyrje e tij del si dytësore krahas rëndësisë që i jep Bashota vështrimit të stilit të Berishës në veprën poetike “Tufa”, diversitetit të produksionit të tij poetik me trajtimin tematik, të bukurën e universalen. Bashota shquhet me një stil detajizues e analitik në qasjen e tij çka i jep shkrimit të tij kritik një natyrë argumentuese dhe koncize.  Ai e sheh poezinë e Berishës si një poezi që asocon me kujtimin që bart në vete dhembjen dhe dashurinë si dy paralele sa përjashtuese aq edhe të njënjëshme. Tematika e vendlindjes, kënga e atdhedashurisë, natyrshmëria e vargut, kërkimi i së bukurës si sublime në lartësimin e shpirtit dhe ngritja e poezisë së Berishës  në nivel të përkushtimit dhe idealit njerëzor të cilat Bashota i specifikon si dominante në poezinë e tij dëshmojnë se ai e sheh atë si poet që frymëzimin nga lokalja arrin ta shndërrojë në përfytyrime poetike universale të fatit njerëzor.

Një qasje e ngjashme e Bashotës, pra fokusimi i tij në nivelin e realizimit formal-përmbajtësor të stilit të poetit derivohet edhe në shkrimin e tij kritik: “Lirika e Enver Gjerqekut”. Nga ky prizëm ai flet për tematikën e poezisë së Gjerqekut që tërhiqet midis dy binomeve: sociale-intime dhe histori-aktualitet. Në larushinë e poezisë së Gjerqekut, Bashota veçon poezinë përshkushtuese si tip poetik që i kontribuon vetëdijes krijuese të ngritet drejt përfytyrimeve sublime në rrafshin progresiv. Soneti si kod ligjërimor fundamental në poetikën e Gjerqekut në njërën anë dhe kontributi i Gjerqekut në kultivimin e vargut poetik shqip me gjuhën e zgjedhur figurative që ndërtojnë metaforat e avancuara poetike bëhen determinuese në përcaktimin aksiologjik që i bën Bashota vendit që zë vepra e tij në lirikën bashkëkohore shqipe.

Poezia e Gjerqekut bëhet objekt studimi edhe në fushën e rileximeve dhe rivlerësimeve të Milazim Krasniqit. Ky kritik e determinon leximin e tij aktual të Gjerqekut të ngjizur me kontaktin e parë me poezinë e tij si fëmijë, që vjen tashmë si reminishencë në përfytyrimet e tij për poetin. Çka e karakterizon kritikën e tij ndaj Gjerqekut është aplikimi konsistent i metodës formaliste gjë që del në a priorin që i jep formës në poezinë e poetit duke e cilësuar  si përmbajtje në vete dhe në përdorimin e një qasjeje që nuk e imponon mendimin, pra duke mos e dhënë si finalitet, por thjesht si një aspekt të mundshëm në vështrimin e poezisë së Gjerqekut.  Krasniqi potencon se te poetika e Gjerqekut vihet theksi në aspekte “si gjatësia e vargut, llojet e rimave, invencioni gjatë krijimi të magjistralit,etj., e më pak te informimi substancial për portretin njerëzor, moral të një figure që është tematizuar në vepër.”

Studimi i Naime Beqirajt që merret me stilin sui generis të poezisë së Azem Shkrelit, gjuhën plot finesa e stërhollime poetike të rafinuara që e ka ngritur poezinë e tij si art sipror divergjon me dy të parët, pra Bashotën dhe Krasniqin si ithtarë të një stili detajizues e argumentativ, meqë shquhet aty-këtu me reagime eseistike e konstatime në superlativen, p.sh: “e heshtura e tij nuk mbërthehet as zbërthehet, “poezia kjo mbretërishë mbretërore për të cilën ai nuk shfaqte epitete, ta zëmë princeshë, mbetet eter i tij.”

Si dominancë e stilit poetik të Shkrelit theksohet pasurimi i leksikut të vargut shqip duke përdorur si rekuizitë leksikun popullor që i shërben për konstruktimin e përfytyrimeve moderne poetike që nuk lakmon modelet e oralitetit. Beqiraj e sheh famën dhe influencën e Azem Shkrelit si tregues aksiologjik që i ka siguruar eternitetin veprës së tij duke e mbajtur gjallë në “Olimpin e ngritur, bashkë më poetët e rrallë të letërsisë shqipe.”

2.Impakti i kontekstit në formimin e personalitetit krijues të Berishës dhe Shkrelit

(Ibrahim Berisha, Avni Spahiu)

Kritika e gërshetuar me dromca eseistike e pozitiviste që dominon në qasjen e Ibrahim Berishës ndaj personalitetit krijues e intelektual të Latif Berishës shpalos lapidaritetin e kësaj figure si fenomen në një periudhë që me nevojat e angazhimit dhe çështjen kombëtare të rrezikuar vjen si reminishencë e modelit romantik. Figura e poetit Berisha reprezentohet si qenësi krijuese që nën impaktin e kontekstit sociopolitik destruktiv për njeriun dhe artin përgjithësisht, flijon nga frymëzimet personale për të gjeneruar kështu figurën e poetit intelektual të angazhuar në aktualitetin. Qasja eseistike në një anë dhe ky shtrëngim i poetit kuptohet më së miri përmes parabolës së studiuesit Berisha: “(poezia e poetit Berisha) Edhe kur shtrinë në dukje lirshëm konstruktet poetike të ndërtuara në pastërti të natyrës lokale, aty duket sikur era e shqetësimit dhe vetëkufizimit, e shtrëngon në shpirt dhe e bjen në zgripin e marrjes së frymës.” Portretin fizik kolorit të poetit e sheh si të atillë që reflekton dy tensione psikologjike të poezisë së tij: optimizmin si stimulim e besim shpirtëror dhe pesimizmin si dëshpërim introvert e ekstravert.

Studiuesi Berisha shquhet me një ton të butë dhe sugjerues në kritikën e tij spikatur përmes përdorimit të shpeshtë të vetës së dytë që e afron me audiencën të cilës i drejtohet si dhe përmes shtrimit të pyetjeve që qartësojnë objektin dhe e ftojnë lexuesin që të mbajë vëmendjen në ligjërimin e tij. Arsimimi, Kundërshtimi, Pajtimi dhe Liria të cilat studiuesi i quan preokupime tematike, nuk janë tjetër veçse aribute dhe angazhime të personalitetit të Berishës në mirëqenien e asaj çka është autentike dhe e dobishme për kombin. Çka bie në sy në këtë pjesë është toni lavdërues ndaj kontributit të tij, njohja intime me poetin, pra objektin e studimit kur tregon mbi modestinë dhe besimin që reflektonte ai në një takim me të në qytetin e Mitrovicës si dhe qasja sentimentale kur thotë “ua shëroi plagët që ndjenin deri atëherë dhembje.” Aspekt i stilit të studiuesit Berisha është edhe erudicioni që del përmes ndërfutjes së maksimave të Platonit mbi dijen si diçka e shëndoshë për shoqërinë dhe asaj të Horacit që e sheh të vetëidentifikueshme me jetën ideale të Latif Berishës: “Është e ëmbël dhe e nderuar të vdesësh për atdheun. Është ende më e ëmbël të jetosh për të.”

Një qasje të tillë koncize studimore Ibrahim Berisha do ta aplikojë edhe në shkrimin kritik “Publicistika e Azem Shkrelit: Kohë e shekullit të vocërr”, ku veçmas ndalet në dy përmbledhje të kësaj natyre që boton Shkreli nën petkun e intelektualit: “Zoti nuk është shqiptar” dhe “Muri përfundi shqipeve”. Berisha e cilëson publicistikën e Shkrelit të tipit ese, analiza opinione e intervista si vizionare për çështjet që trajton meqë sado aktuale në çështjet që trajton, zgjeron horizontin kohor të vështrimit të tyre. Pseudopatriotizmi, pseudointelektualizmi, monizmi serb, anarkizmi e nepotizmi piketohen nga Berisha si çështje në të cilat ndalet të vrojtojë, kritikojë e ofrojë zgjidhje publicistika e Shkrelit. Nga ajo çka përfshin ky vështrim i studiuesit del se ashtu si Kadare edhe Shkreli e sheh zgjidhjen te marrëveshja e shqiptarëve me vetveten, pra te tejkalimi i barrierave dhe puna në plotësimin e nevojave të tyre. Interesante në këtë pikë është se Berisha e paralelizon kohën e Shkrelit me të tijën dhe vë theksin në faktin se ato çështje që ka trajtuar publicistika e tij janë aktuale edhe për kohën e tij, pra situata kaotike nuk ka divergjuar për të mirë madje është intensifikuar në dëm të konstituimit të mirëqenë të shoqërisë e kulturës shqiptare.

Krahas Berishës që paralelizon kohën e tij më atë të objektit, në studimin e radhës “Azem Shkreli- i lidhur me fatin e njeriut dhe të atdheut” është vetë studiuesi Avni Spahiu që e situon veten si parcialitet të kontekstit kur shkruan Shkreli. Në pjesën e parë të studiuesit Spahiu interferohen biografema të Shkrelit; me të folurit në vetën e parë shumës ai përfshin bashkë me Shkrelin. veten dhe plejadën e disidencës intelektuale të viteve 90′ ta që mbronte dinjitetshëm idealin e lirisë, drejtësisë dhe tolerancës përballë faktorëve të brendshëm si: persekutimi, drama socio-politike, cenzurimi i ndjenjës dhe mendimit.”Azem Shkreli me veprën e tij jetësore e letrare, intelektualisht të angazhuar” bëhet figurë që ilustron idenë e Spahiut mbi utilitarizmin e altruizmin si virtytet më të larta të një shkrimtari dhe opusit të tij krijues.

Ashtu si Platoni, Spahiu e sheh krijimin në art si reflektim apo të lidhur ngushtë me realitetin, për rrjedhojë moralizimin, pra atë çka është e dobishme në art si primare, ndërsa të bukurën/estetikën si diçka krejt dytësore. Në pjesën e fundit të shkrimit ndjehet intimiteti i studiuesit me objektin përmes luciditetit në lavdërimin piedestal të figurës së Azem Shkrelit, madje duke e çuar deri në një shkallë mitizimi stoicizmin, vullnetin dhë këmbënguljen e tij, kur përfundon se “si poet dhe si njeri ishte qenie me fuqi të balancuara, njeri që nuk duronte pengesa përpara vetes, që shihej dhe ballafaqohej me atë që të tjerët e ëndërronin.”

3.Drama “Agu” e Din Mehmetit: çështje të zhanrit, mitit dhe karaktereve

Krahas poezisë e cila në shkrimet paraprake të studiuesve u cilësia si zhanër themelor me të cilën operojnë poetët emblematikë: Berisha, Gjerqeku e Shkreli, në studimin e Haqif Mulliqit lexuesi do të ndeshet me një konglemerat pikëpamjesh që flasin më gjerëisht duke pasur për trajtim vetëm një vepër dramatike: “Agun” e Din Mehmetit. Ai e nis shkrimin e tij me një konstatim absolut që shpalos një qëndrim aksiologjik ndaj veprës që trajton duke e cilësuar si vepër të atillë që “nuk bën pjesë në krijimtarinë më të mirë të Din Mehmetit.” Veçori kryesore e stilit të këtij shkrimtari është luciditeti përveçse në konstatime të tilla të prera dhe eksplicite edhe në titujtë sugjestivë e shpjegues të tezave.

Rifunksionalizimin e mitit të urës nga legjendat pagane, i atyre antike e biblike në kuadër të dramës së Din Mehmetit, Mulliqi e sheh në shërbim të idesë së dramës për të moralizuar mbi jetën me kundërthëniet e saj dhe fatin njerëzor në atë mënyrë që “ndjenjat e audiencës t’i shtyjë deri në ndërgjegjësim kolektiv. Pra, miti kthehet në një sistem të veçantë poetik që e ngrit në nivel gjuhën dhe qasjen spekulative të personazheve. Krahas trajtimit të mitit domeni tjetër i shkrimit kritik të Mulliqit merret me natyrën e karakterit që realizojnë personazhet në dramë. Në ndërtimin e tyre ai shquan qasjen subjektive, thënë më drejt shndërrimin e karaktereve në “objekte hetimore” të autorit duke derivuar modele të njeriut që i nënshtrohet në vazhdimësi transformimeve në kontakt me të tjerët dhe pamundësinë e njeriuit që t’i kundërvihet fatit dhe fakticitetit si determinues të ekzistencës së tij.

Mulliqi në një pjesë të mirë merret me realizimin e zhanrit dramatik në veprën e Din Mehmetit, duke e cilësuar si një zhanër të papërfunduar për dy arsye: në rend të parë për përmbajtjen e elementit epik me kanunin si pikëreferim për personazhet çka e rrudh dramatikën brenda veprës dhe e orienton drejt një zhanri jo të pastër, si dhe për faktin se ajo si vepër nuk jeton në kohën zero, pra nuk ka përcjellë evoluimin e teatrit dhe dramaturgjisë, por ka mbetur diku në mes. Krahas që studiuesi Mulliqi shquan një mozaik nëndramash që e ndërtojnë arkitektonikën e dramës “Agu” si pasuri të saj, faktin se Dini nuk e çon veprimin e personazhit deri në fund, nuk e zbërthen ndonjë enigmë, por e përballë lexuesin thjesht me një finale të përgjithësuar e specifikon si të metë të dramës që ndikon në mosrealizimin e mirëfilltë të strukturës së saj zhanrore.

Kjo plejadë e intelektualëve dhe kritikëve të decenieve të fundit bëhet treguese e një shumësie qasjesh vetanake që ngjasojnë në tipin e metodës, por divergjojnë në situimin e saj çka edhe shpalos para lexuesit vështrimin e autorëve nëpër domene të krijimit ku ata janë përfaqësues. Jo një herë është parë lidhja triadike poet-shoqëri-realitet si diçka e patejkalueshme në studimin e veprës letrare të krijuar në kronotopose dinamike. Konteksti determinon figurën e intelektualit të angazhuar për të piketuar e trajtuar çështje të aktualitetit në një anë dhe shkrimtarit që nga lokalja përpiqet të ndërtojë universalen poetike, duke shkruar shpesh poezinë me nentekst që kamuflon përmbajtjen e saj eterike për lirinë dhe humanen si reakson  ndaj një periudhë destruktive që tentoi ta shabllonojë letërsinë e artin.

Qasja me dromca pozitiviste, formaliste e zhanrore , stili që varion nga detajizimi drejt luciditetit, përskaj me vështrimin e utilitares në poezi si dicka a prior të bukurës/estetikës janë dominantat e këtyre shkrimeve kritike që me relevancën qe i japin objektit dhe segmenteve që përftojnë qenësinë e tij i kanë siguruar vetes një vend subtil në kritikën aktuale shqipe e paralelisht kanë ngritur në piedestal vlerat e shkrimtarëve të trajtuar.

Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe”, që ligjërohet nga Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, Dega e Letërsisë shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.

Leonora Hajra KultPlus.com