Brilant Milazimi përfaqësues i Kosovës në Ekspozitën e 61-të Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venecias, 2026

Komisioni i jurisë, i përbërë nga kuratorë të shquar, duke përfshirë Inke Arns, Erëmirë Krasniqi, Christine Macel, Valentine Umansky dhe Rein Wolfs, ka shqyrtuar me kujdes shtatë aplikacionet e pranuara në thirrjen e hapur për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bienalen e Venecias në vitin 2026. Juria unanimisht ka përzgjedhur artistin Brilant Milazimi me projekt propozimin e titulluar “Dhëmbë të Fortë” të kuruar nga José Esparza Chong Cuy.

Juria e ka përzgjedhur propozimin e Milazimit pasi vlerësoi qartësinë e vizionit, gjuhën e fuqishme vizuale dhe angazhimin e tij me mediumin e pikturës. Në një ambient zhytës, të zymtë dhe të çuditshëm, vizitorët do të përballen me figura të pezulluara në një tension të qetë, që mishërojnë gjendje të pazgjidhura pritjeje, qëndrueshmërie dhe përmbajtjeje. Këto përvoja pasqyrojnë gjendje të paqarta politike, siç është edhe vetë njohja e pjesshme e Kosovës në skenën ndërkombëtare, ndërsa rezonojnë edhe globalisht në epokën e krizave të migrimit, ngërçit burokratik dhe pasigurisë kolektive.

Juria thekson se gatishmëria e artistit për bashkëpunim, së bashku me kuptimin e thellë të kuratorit për praktikën e tij, i japin mbështetje të mëtejshme realizimit të suksesshëm të këtij projekti në Ekspozitën e 61-të Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venecias në vitin 2026.

Pavijoni i Republikës së Kosovës komisionohet nga Galeria Kombëtare e Kosovës, e përfaqësuar nga kuratorja Hana Halilaj, dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com

Interpretimi brilant i Kapllan Nikçit që shpërfaq karakteristikat e banorëve të Grykës së Rugovës (VIDEO)

Sot ka vdekur veterani i Ansamblit Folklorik “Rugova”, Kapllan Nikçi.

Duke qenë anëtar i Ansamblit Folklorik Autokton ”Rugova”, ai për vite me radhë ka kultivuar dhe bartur kulturën dhe traditën rugovase.

Me pamje dhe zë jashtëzakonisht të veçantë, Nikçi në mënyrë autentike ka shpërfaqur rolin e malësorit dhe karakteristikat e banorëve të Grykës së Rugovës.

KultPlus ju sjell një nga interpretimet brilante të Nikçit: