Iva Lulashi, artistja që prezanton Shqipërinë në Bienalen e Artit në Venecia

Shqipëria prezantohet këtë vit në Bienalen e Artit në Venecia me artisten Iva Lulashi, që është shkolluar në qytetin e ndërtuar mbi ujë. Kjo e bën më të ngushtë lidhjen mes dy kulturave në ekspozitën e këtij edicioni të 60-të që mbahet nën temën “Të huaj kudo”.

“Pavjoni shqiptar këtë vit do të jetë i lidhur ngushtë me Venecian, qytetin e ujit, qelqit e dashurisë” … E përshkruan në këtë formë kritika italiane pjesëmarrjen e Shqipërisë me Iva Lulashin në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, që kurohet nga Adriano Pedrosa.

Artistja u lind në Shqipëri por u shkollua në Venecia dhe vepra e saj “Love as a glass of  Water”, përpos rrugëtimit artistik e jetësor, është në simbiozë me temën  e ekspozitës “Të huaj kudo”.  Të qenit të huaj në një qytet ku kushdo mund të ndihet qytetar apo anasjelltas.

Projekti i artistes shqiptare “Love as a Glass of Water” , që kurohet nga kritiku italian Antonio Grulli merr shkas nga  teoria e “gotës së ujit”,  që i përket periudhës para revolucionit rus dhe lidhet me mendimtaren revolucionare feministe Alexandra Kollontai. Kjo teori lidhet me idenë e revolucionit seksual, ku impulset shihen si një nevojë e thjeshtë njerëzore që duhet përmbushur me lehtësinë e pirjes së një gote uji. Ide që u penguan në atë kohë nga aparati politik revolucionar.

Kuratori Grulli e quan absurd faktin që ende sot “tema si dashuria dhe dëshira seksuale zënë një pjesë shumë të vogël në artin që prodhohet sikur të bëhej fjalë për tabu , apo si çështje të lehta, jo të denja për vëmendje”.

Dashuria, dëshira, sidomos ajo femërore, instinkti janë në qendër të veprës së Lulashit, ku shtron pyetjen: Perse ndjenja kaq thelbësore, që i japin kuptim apo rrënojnë ekzistencën tonë, madje edhe më shumë se çështjet politike, trajtohen kaq pak nga artistët?

Në veprën e saj ndërthuret tradita piktoreske shqiptare, duke i mëshuar figurave të rëndësishme të njohura ndërkombtarisht dhe rrugëtimit të saj artistik në Itali.

“Love as a glass of Water” inaugurohet në 19 prill, ndërsa ekspozita Ndërkombëtare që mbahet në Arsenal, do të jetë e hapur për publikun nga  20 prilli deri në 24 nëntor./Shqiptarja.com/KultPlus.com

Ministrat e Kulturës nga shumë shtete europiane bashkë në Bienalen e Venecias

Kosova ka hapur zyrtarisht Pavijonin në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie, shkruan KultPlus.

Me instalacionin “Monumentaliteti i Përditshmërisë” të artistit Jakup Ferri, Kosova prezantohet sivjet në ngjarjen më të madhe në botë të artit bashkëkohor.

Në edicionin e sivjetmë, të 59-in me radhë, Kosova merr pjesë për herë të pestë në Bienalen Ndërkombëtare të Artit. Pavijoni i shtetit më të ri të Evropës është krahas atij të Ukrainës që paraqitet me ngjyra të zymta.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka ndarë një fotografi ku shihen ministrat e kulturës na shumë shtete europiane që morën pjesë në këtë hapje.

“Me ftesë të ministrit italian të kulturës Dario Franceschini, në solidaritet me popullin ukrainas, dje në pavijonin e Ukrainës në Bienalen e Venecias, bashkë me ministrat e kulturës nga shumë shtete europiane”, ka shkruar Çeku. /KultPlus.com

Artistët ukrainas sfidojnë Rusinë në Bienalen e Venecias

Kur Rusia nisi pushtimin e saj ushtarak në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt, artistja ukrainase Zhanna Kadyrova vuri në dyshim karrierën e saj.

Kjo pasi nuk e dinte nëse karriera e saj 20-vjeçare vlente, tani që familja dhe vendi i saj ishin në rrezik vdekjeprurës, shkruan Aljazeera.

“Në atë moment, mendova se arti nuk ishte asgjë në këtë situatë,” tha ajo, duke folur në ekspozitën e saj në margjinat e festivalit të artit të Bienales së Venecias të këtij viti, i cili hapet për publikun të shtunën.

Ekspozita e saj, Palianytsia, që do të thotë bukë në gjuhën ukrainase, paraqet gurë të mëdhenj të marrë nga Berezovo, të cilët ajo i ka lëmuar në forma si bukë dhe i ka prerë në feta. Që nga pushtimi, kjo fjalë e përditshme, e vështirë për t’u shqiptuar për rusët, ka fituar një valencë të re politike – një term që ndan miqtë nga armiqtë.

“Këtë bukë guri e ndryshova në bukë të vërtetë për njerëzit,” tha ajo për Al Jazeera.

Lufta në Ukrainë ka lënë gjurmë në edicionin e 59 të ngjarjes më prestigjioze të artit në botë, me artistët ukrainas që e përdorin atë si një vitrinë të rezistencës ndaj agresionit të Rusisë kundër popullit dhe kulturës së tyre. /KultPlus.com

Artisti Astrit Ismaili hap bienalen e Athinës, mahnit me performancën artistike të stiluar nga Valdrin Sahiti

Artisti kosovar, Astrit Ismaili e ka përfaqësuar Kosovën duke bërë hapjen në bienalen e Athinës me një performancën interesante artistike, përcjell KultPlus.

“Miss Kosova” titullohet kjo performancë e cila është dhënë në kuadër të nocionit “Creative when Limited”.

Në këtë performancën ai është paraqitur në rolin e MISS-it, duke ju referuar kështu figurave fiktive dhe jo fiktive nga e kaluara, ku me kreativitet ai arrin që të kapërcej kufizimet gjeo-politike dhe sociale.

Për herë të parë, performanca artistike e një kosovari është shfaqur edhe në Televizionin Kombëtar Grek, ku performanca “Miss Kosova” e Astritit është dhënë në një vend që nuk e njeh pavarësinë dhe shtetin e Kosovës.

Performanca është organizuar nga kuratoret e ‘Omsk Social Club’, Larry Ossei-Mensah dhe Poka-Yio.

Kjo paraqitje e tij është bërë në kuadër të edicionit të shtatë të Bienales së Athinës “Eclipse”, e cila mbahet nga 24 shtatori deri më 28 nëntor të këtij viti.

“Një hapje e tillë është një nder i madh ndaj performancës ‘Miss Kosova’. Performanca MISS ndër të tjera merret me nocionin ‘Creative when Limited’ duke iu referuar figurave fiktive dhe jo fiktive nga e kaluara që duhej të ishin krijuese për të kapërcyer kufizimet gjeo-politike dhe sociale. Të qenit në Televizionin kombëtar grek si ‘Miss Kosova’ në një vend që nuk e njeh Kosovën, në një rajon ku jetët e çuditshme janë në rrezik, i shtoi një urgjencë performancës sime që ilustron pse bëj atë që bëj!”, ka shkruar Ismaili në rrjetet sociale.

Gjithashtu, veshja e tij është krijuar nga stilisti Valdrin Sahiti, ndërsa grimi nga Anna Bakatsaki. / KultPlus.com