Bujar Kapexhiu prezanton projekt të ri për teatrin në Tiranë

Bujar Kapexhiu, regjisor e karikaturist i njohur, solli një projekt të vetin për Teatrin Kombëtar. Sipas tij, dy ndërtesat ekzistuese nuk duhet të prishen, të rikonstruktohen dhe mes tyre të ngrihet një e tretë, për t’i lidhur ato dhe për t’i kthyer në një ansambël.

Projekti i paraqitur nga Bujar Kapexhiu

“Sot, nga eksperienca botërore, kudo që të shkoni do të shikoni se si godinat e vjetra nuk shemben, por u qëndron komplet e gjithë fasada anësore dhe ndoshta gërryhen nga brenda edhe bëhet një riksontruskion i brendshëm, por anësoret qëndrojnë gjithmonë. Ju këtu keni një shembull shumë të bukur, që ishte Banka Kombëtare, përse nuk u shemb? Por, për kërkesat që kishte u shtua, po në atë stil. Edhe është shumë bukur! Unë kam menduar, bashkë me artistë të tjerë, që këta dy teatro të mos shemben. Por, themi që këto të dyja janë vlera historike, të qëndrojnë dhe mund të rikonstruktohen fare mirë. Midis tyre do të ndërtohet një godinë e këtij stili apo një stil modern, klasik apo neoklasik, këtë do ta zgjidhin arkitektët, që t’i lidhë këto të dyja së bashku”, tha Kapexhiu.

Sipas tij, aty duhet që të ndërtohen mjediset, që u mungojnë këtyre dy teatrove, si zyrat, sallat e grimit, sallat e provave, arkivi, biblioteka etj., pse jo edhe një kafene, ku të ç’lodhen artistët.

“Por, ne nuk duhet që të prishim! Por, të rikonstruktojmë të vjetrat edhe midis tyre të ndërtojmë një të re. Edhe kështu bëhet një kompleks teatror”, tha ai. Kapexhiu shprehu pëlqimin për projektin e ri të arkitektit Bjarke Ingels, por sipas tij, ai nuk shkon për vendin ku është projektuar, por ndoshta për në Bulevardin e ri, shkruan panorama. Sipas tij, godinat duhet të rrinë në harmoni me njëra-tjetrën, duke përmendur hotel “Dajtin”, Galerinë e Arteve, ministritë etj./ KultPlus.com