Projekti, tashmë i përfunduar dhe gati për të nisur nga zbatimi, ofron një godinë të arkitekturës me dizajn modern dhe që krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për zhvillimin e talentit të aktrimit, ashtu edhe për vetë publikun.
Miratohet fondi për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, gjë që i hap rrugën nisjes së punimeve për shtëpinë e re të aktrimit.
Mësohet se me miratimin e fondit, ana procedurale konsiderohet pothuajse e përfunduar, teksa shumë shpejt pritet të nisë puna edhe në terren për ndërtimin e teatrit të ri, ne te njejtin vend ku më parë ka qenë teatri i vjetër.
Sipas asaj që raporton shqiptarja.com, projekti, tashmë i përfunduar dhe gati për të nisur nga zbatimi, ofron një godinë të arkitekturës me dizajn modern dhe që krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për zhvillimin e talentit të aktrimit, ashtu edhe për vetë publikun.
Teatri i ri do të jetë disa herë më i madh se i vjetri dhe do të ofrojë kushte sipas të gjithë standardeve. Ai do të ketë të dedikuar disa ambiente të posaçme për shfaqjet dhe aktorët. Gjithashtu, do të ketë një skenë teatri prej 630 metra katror dhe dy salla Black Box prej 200 metra katror secila. Për artistët do të ketë një hapësirë prej 200 metra katror që do përdoret si sallë ndërrimi, një sallë provash prej 200 metrash katror, tualete dhe dushe si dhe një dhomë të gjelbër. Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj. Gjithashtu, do të ketë sallë kursesh dhe të gjitha facilitetet për publikun.
Po kështu, Teatri i ri Kombëtar, përvec ambienteve të tjera ndihmëse, do të ketë edhe një parkim nëntokësor që do i shërbejë kësaj godine moderne. / dosja.al / KultPlus.com
Bashkia e Tiranës ka hapur konkurs për projektin e Teatrit të ri Kombëtar.
Ky veprim është ndërmarrë pak më shumë pasi është bërë një muaj pas shembjes së ndërtesës së Teatrit.
“Studim-Projektim- Ndërtim i Teatrit Kombëtar”, mban titullin konkursi i administratës së kryeqytetit shqiptar. Pas këtij veprimi janë ngritur zëra se projekti i shumëreklamuar i danezit Bjarke Ingels nuk është opsioni i vetëm për ndërtimin e objektit të ri të Teatrit.
Sipas konkursit, Bashkia ka llogaritur që projektimi të ketë kosto financiare deri në 60 milionë lekë të rinj ose 482 mijë e 951 euro, transmeton KultPlus.
Ofertat nga studiot private pritet të dorëzohen brenda 10 ditëve, deri më datën 14 korrik. Mediat shqiptare kanë raportuar se kompanitë kanë vetëm 10 ditë kohë për të menduar, projektuar, studiuar e mandej propozuar një projekt.
Sipas raportimeve, praktikisht është e pamundur nëse nuk është përgatitur ndonjë projekt më herët. Sipas konkursit, godina e re e Teatrit Kombëtar propozohet ”për ndërtim në truallin ekzistues, sipas të gjitha standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare të projektimit të objekteve të ngjashme”. Bashkia e Tiranës, në dokumentet e tenderit, ka prezantuar detaje mbi mënyrën se si kërkohet të jetë projekti për Teatrin e ri Kombëtar.
Objekti teatror qe shembur në mëngjesin e hershëm të 17 majit. Kjo ka ndodhur pas 2 vjet përplasje midis një pjese të komunitetit artistik dhe autoriteteve lokale e qendrore. / KultPlus.com
Sot, kur kulturës shqiptare i është hequr një monument me vlera të mëdha, i gjithë komuniteti i artistëve dhe jo vetëm, po përjetojnë një dhimbje të madhe, shkruan KultPlus.
KultPlus ju sjell një thënie shumë të njohur të Arthur Miller, që flet për magjinë e pakrahasueshme që ka teatri.
‘Teatri është kaq pafundësisht mahnitës, është kaq shumë i ngjashëm me jetën’ / KultPlus.com
Është bërë publik një “Projektvendim” i Bashkisë së Tiranës, i nënshkruar nga kryetari Erion Veliaj, për “shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar,” si akt i fundit i një drame të fundit që po luhet në truallin e atij Institucioni. Tani që pronësia mbi truallin u transferua, si një letër bixhozi çfarëdo, nga njëra dorë autoritare në tjetrën, me sa duket vullneti i asaj pjese të shoqërisë civile, që kërkonte dhe aq gjatë luftoi për ruajtjen e ndërtesës, do të shpërfillet përfundimisht.
E kam shkruar më parë (NJË ZGJIDHJE PËR TEATRIN) dhe po e përsërit, se arsyet teknike që janë sjellë për amortizimin e ndërtesës së Teatrit, përligjin ndërhyrjet restauruese nga ana e “pronarëve” të saj, por jo prishjen. Ndërtesa mund të ngrihej nga e para, mbase edhe me teknologji të ngjashme, pa i prekur asgjë formës së saj, strukturës, konfigurimit, manipulimit që ajo i bën hapësirës, raporteve që ka vendosur me publikun në kohë dhe me qytetin; dhe pamjes në kontekstin urban të qendrës së Tiranës. Edhe pse arkitektë dhe historianë të kulturës kanë vënë në dukje vlerat edhe historike të ndërtesës si të tillë, mbase vjetrimi i saj mund ta përligjte restaurimin me themel – por jo prishjen.
Rrafshimi i këtij monumenti kulture dhe simboli për jetën kulturore të Shqipërisë dhe zëvendësimi i tij me një ndërtesë tjetër, si gjest tipik modernist i krahasueshëm me prishjen e Stadiumit Kombëtar dhe të monumenteve të tjera urbane në Tiranë është edhe më fashist, për nga frymëzimi dhe filozofia, se motivet që patën çuar në ngritjen e ndërtesës dikur.
Vlerat dhe magnetizmin selisë së Teatrit Kombëtar nuk ia kanë dhënë materialet e përdorura nga ndërtuesit fillestarë, por ngjarjet kulturore që kanë ndodhur aty, në rrjedhë të viteve dhe që i kanë blatuar një aurë të vyer, e cila nuk do të mund të zëvendësohet dot. Por restaurimi i imtë i ndërtesës, për t’ia ruajtur formën dhe strukturën, do t’i jepte asaj selie një jetë të re, për shekullin XXI dhe më pas.
Përndryshe, “shembja” tani e ndërtesës së Teatrit, kësaj copëze të Tiranës kulturore ku për dhjetëra vjet u ruajt sadopak diçka e mirë dhe e çmuar, në mes të së keqes, vjen edhe si konkluzioni logjik i kitsch-it kulturor të pashembullt, me të cilën u trajtua trashëgimia kulturore në Shqipëri, nga dyshja Rama-Kumbaro.
Që një institucion i pushtetit lokal, si Bashkia, merr tani një vendim për SHEMBJEN e një monumenti kulture, kjo nuk mund veçse të konfirmojë se pushteti i sotëm vazhdon ta adoptojë SHEMBJEN si politikë kulturore dhe urbane të dorës së parë – në bazë të një filozofie të zëvendësimit të vlerave që është pak ta quash të gabuar.
Qendra e Tiranës së sotme është ndarë më dysh mes gërdallave dhe monumenteve të degraduara, nga Pallati i Kulturës te Hotel Dajti dhe Piramida; dhe kontributeve të reja arkitektonike, herë të mbaruara dhe herë të pambaruara, që nuk i thonë asgjë qytetit, sepse nuk arrijnë të hyjnë në lidhje as mes tyre, as me Tiranën ekzistuese. Nuk krijojnë dot as kontekst, as sintaksë. Janë firma e shumicës në pushtet mbi një shgarravinë, që është projekti i tyre për Tiranën nesër. Prandaj te ky obsesion politik nuk mund të mos shohësh dëshpërimin e një projekti, atij të Rilindjes, të dashuruar pas shembjeve dhe tabula rasa-ve; dhe që nuk ka ditur dhe as ka dashur të komunikojë me shoqërinë civile, përveçse me arrogancë.
Këta që do të shembin nesër selinë e Teatrit, nuk e kanë inatin me një ndërtesë historike me gjasë të amortizuar dhe të papërshtatshme për funksionin që duhej të kishte: synimi i tyre është t’i tregojnë publikut të kulturës dhe gjithë qytetarëve se janë gati PËR TA SHEMBUR çdo lloj kundërshtimi sistematik, që u bëhet politikave të tyre, në kulturë dhe gjetiu.
Theksi është pra te SHEMBJA, jo tek Teatri. Prandaj edhe te vendimi bashkiak i tanishëm, sikurse tek i gjithë gjakimi politik që i ka paraprirë, nuk ka asnjë shenjë dashurie për Tiranën, teatrin dhe kulturën bashkëkohore në Shqipëri, madje as edhe të llojit paternalist; por vetëm një vullnet të ftohtë, sadist, për të çuar deri në fund dënimin me vdekje të një monumenti që, të paktën për një pjesë të qytetarëve kulturëdashës, ishte shndërruar në simbol të rezistencës ndaj prishjes dhe harresës.
Për shoqërinë civile, përpjekjet e përditshme, disavjeçare, në mbrojtje të selisë së Teatrit Kombëtar shërbyen edhe si shkollë e shkëlqyer për konstituimin e një lëvizjeje qytetare me frymëmarrje të gjerë. Nëse pushteti synon që me prishjen e godinës së Teatrit, ta shembë edhe gjithë ç’ka arritur të ndërtojë kjo lëvizje, si pjesë e trashëgimisë kulturore dhe sidomos politike në Shqipëri, atëherë shoqërisë civile nuk i mbetet veç të provojë të kundërtën.
Ky nuk është fundi i teatrit si art; teatri tek e fundit mund të luhet edhe në rrugë, edhe në shtëpi, edhe në park, edhe në një fabrikë a magazinë të braktisur, edhe online (në Facebook). Por mbase do të jetë fundi i një konceptimi specifik të marrëdhënieve mes shtetit dhe kulturës, mes shtetit dhe artistëve, mes shtetit dhe kujtesës historike – ose kur do të kuptohet, në masë, se artistët dhe të gjithë operatorët e kulturës duhet ta marrin vetë në dorë atë që u takon, përfshi këtu edhe administrimin e fondeve publike përkatëse. Për të ardhur keq, megjithatë, që një ballafaqim i tillë erdhi si epilog i një programi kulturor të mbrapshtë, të çuar përpara nga një klasë pushtetarësh tek e cila artistët, krijuesit dhe kulturëdashësit patën shpresuar aq shumë në krye.
Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nga Tirana, do të mbaj një diskutim të hapur me komunitetin teatror, publikun dhe mediat e Kosovës.
Në diskutim do të marrin pjesë: Edmond Budina, Gent Gaba, Neritan Licaj, Adriana Tolka dhe Juli Emiri.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit do të prezantoj nesër para
komunitetit teatror të Kosovës qëndrimet, sfidat dhe përpjekjet për ruajtjen
nga shembja të godinës aktuale të Teatrit Kombëtar në Tiranë.
Debati pro dhe kundër shembjes së ndërtesës aktuale të Teatrit
Kombëtar në Tiranë dhe ndërtimit ose jo në të njëjtin vend të një teatri të ri,
është duke vazhduar qe gati dy vite në Shqipëri. Planit të Qeverisë Rama për
shembjen e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një teatri të
ri në të njëjtin vend, i u është kundërvënë një numër i madh artistësh e
intelektualësh. Ata synojnë ruajtjen e objektit aktual dhe ruajtjen e pronës
rreth këtij objekti, duke u thirrur në vlerat arkitektonike, mbamendjen
kolektive dhe në nevojën për ruajtjen e hapësirave publike.
Diskutimi mbahet nesër nga ora 12:00 dhe është i hapur për publikun dhe mediat. / KultPlus.com
Që nga mesnata e deri në mëngjes, para Teatrit Kombëtar kanë qendruar me dhjetëra qytetarë, duke iu përgjigjur thirrjes së Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit për të mos lejuar zbrasjen fshehurazi të tij.
Aleanca kishte marrë informacione se qeveria do të vepronte gjatë natës për të hequr nga Teatri çdo gjë që mundëson vënien në skenë të pjesëve të shfaqjeve. Boshatisja e ngadaltë, pa rënë në sy dhe pa bërë zhurmë e Teatrit Kombëtar, do ta bëntë më të thjeshtë prishjen e tij.
Por përfaqësues të Aleancës dhe të opozitës, si Albana Vokshi dhe Gent Strazimiri, e kanë prishur këtë plan, të paktën mbrëmë. Ata kanë qendruar gjatë gjithë natës te Teatri, ku qytetarë të tjerë janë solidarizuar me ta. #MosGuxoMeTeatrin. /KultPlus.com
Me 75 vota pro u miratua në parim ligji për Teatrin Kombëtar, pavarësisht protestave të shumta të opozitës në sallë dhe artistëve e shoqërisë civile jashtë parlamentit.
Nga foltorja e Kuvendit nuk munguan replikat mes deputetëve të të dy palëve, ku ata të mazhorancës mbrojtën ligjin e sjellë në parlament, ndërsa opozita kërkoi me forcë tërheqjen e këtij ligji.
“Tërhiqeni këtë ligj. Këtë palaçollëk që dëshironi t’i bëni Tiranës dhe Shqipërisë”, tha deputeti Edmond Spaho, para se deputetët e opozitës të bllokonin foltoren e kuvendit.
Foltorja u bllokua në momentin para se të kalohej në votimin e projektligjeve, pasi opozita vijoi me kërkesën për të tërhequr ligjin e shembjes së Teatrit, por hasi në refuzimin e qeverisë.
Projekt ligji për Teatrin kaloi si nen për nen, ashtu edhe në tërësi, me 75 vota pro, të gjitha nga mazhoranca, ndërsa opozita qëlloi me kartonë kryeministrin Rama dhe la sallën e Kuvendit. / KultPlus.com
Bujar Kapexhiu, regjisor e karikaturist i njohur, solli një projekt të vetin për Teatrin Kombëtar. Sipas tij, dy ndërtesat ekzistuese nuk duhet të prishen, të rikonstruktohen dhe mes tyre të ngrihet një e tretë, për t’i lidhur ato dhe për t’i kthyer në një ansambël.
Projekti i paraqitur nga Bujar Kapexhiu
“Sot, nga eksperienca botërore, kudo që të shkoni do të shikoni se si godinat e vjetra nuk shemben, por u qëndron komplet e gjithë fasada anësore dhe ndoshta gërryhen nga brenda edhe bëhet një riksontruskion i brendshëm, por anësoret qëndrojnë gjithmonë. Ju këtu keni një shembull shumë të bukur, që ishte Banka Kombëtare, përse nuk u shemb? Por, për kërkesat që kishte u shtua, po në atë stil. Edhe është shumë bukur! Unë kam menduar, bashkë me artistë të tjerë, që këta dy teatro të mos shemben. Por, themi që këto të dyja janë vlera historike, të qëndrojnë dhe mund të rikonstruktohen fare mirë. Midis tyre do të ndërtohet një godinë e këtij stili apo një stil modern, klasik apo neoklasik, këtë do ta zgjidhin arkitektët, që t’i lidhë këto të dyja së bashku”, tha Kapexhiu.
Sipas tij, aty duhet që të ndërtohen mjediset, që u mungojnë këtyre dy teatrove, si zyrat, sallat e grimit, sallat e provave, arkivi, biblioteka etj., pse jo edhe një kafene, ku të ç’lodhen artistët.
“Por, ne nuk duhet që të prishim! Por, të rikonstruktojmë të vjetrat edhe midis tyre të ndërtojmë një të re. Edhe kështu bëhet një kompleks teatror”, tha ai. Kapexhiu shprehu pëlqimin për projektin e ri të arkitektit Bjarke Ingels, por sipas tij, ai nuk shkon për vendin ku është projektuar, por ndoshta për në Bulevardin e ri, shkruan panorama. Sipas tij, godinat duhet të rrinë në harmoni me njëra-tjetrën, duke përmendur hotel “Dajtin”, Galerinë e Arteve, ministritë etj./ KultPlus.com
Në Teatrin Kombëtar të Tiranës kanë nisë provat për përgatitjen e komedisë “Çifti i çuditshëm”, shkruan KultPlus.
Kjo shfaqje me tekst të Neil Simon dhe regji të Inis Gjonit, e që teksti është përkthyer nga Artur Lena, do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Tiranës.
Në këtë shfaqje me rolet e tyre luajnë aktorët: Romir Zalla, Gentian Zenelaj, Mehmet Xhelili, Ervin Bejleri, Besmir Bitraku, Rozana Radi e Annais Lika. Kurse KultPlus merr vesh se premiera e kësaj shfaqje do të jetë në gjysmë të muajit tetor./KultPlus.com
Foto: Edvina Meta Më 21 shtator është premiera e shfaqjes “Vdes siç vdes një vend”, me tekst të Dimitris Dimitriadis e me regji të Rozi Kostanit, në Teatrin Kombëtar të Tiranës, shkruan KultPlus.
Por jo vetëm regjinë do ta bëjë Rozi Kostani, pasi që e njëjta do të paraqitet edhe me rolin kryesor në këtë shfaqje, ku për partner ka aktorin e njohur Alfred Trebicka.
Kjo shfaqje është paralajmëruar që do të ketë reprizat e para më 22, 23 dhe 24 shtator, kurse shfaqjet me tekst të Dimitris Dimitriadis, tashmë kanë shënuar një sukses të paparë në teatro të ndryshme të Evropës. /KultPlus.com