Pianistja Zoya Shuhatovic në përmbylljen e edicionit të 11-të të Chopin Piano Fest: Ishte sikur kur të hapet një dritare dhe të hyn drita brenda në jetë

Era Berisha

Edicionin e tij të 11-të, festivali Chopin Piano Fest e përmbylli mbrëmë me një interpretim nga pianistja amerikane Zoya Shuhatovic, e cila para publikut solli tingujt romantik të kompozitorëve botërorë si: W.A.Mozart, P.I Tchaikovsy dhe F.Chopin. Këto vepra të cilat përmes melodive shpalosën shprehjen thelbësore të artit emocional ku ritmi dhe dinamika e performanacës erdhën si një trokitje në derë të shpirtit të pranishëm që u ndërlidh butësisht me strofullën e zemrës si një gajtan i hollë, shkruan KultPlus.

Dy organizatoret e këtij festivali, drejtoresha organizative e festivalit Besa Luzha dhe drejtoresha artistike Lelja Pula si dhe kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, ishin ata që hapën natën e mbrëmshme me disa fjalë rasti. Kurti përgëzoi festivalin, organizatorët, artisten mysafire dhe ofroi mbështetje më të qëndrueshme në të ardhmen për skenën e pavarur kulturore në Kosovë. Ndërsa, Luzha dhe Pula i uruan të pranishmëve një natë të këndshme.

Po ashtu, një falënderim të posaçëm për realizimin e këtij festivali dhe bashkëpunimin kulturor në mes të dy vendeve shprehu edhe Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly.

Foleja e interpretimeve pianistike të këtij festivali përgjatë një muaji të suksesshëm, ishte hapësira e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare. Andaj, mbrëmë ishin dy reflektorët e bardhë që vunë në pah shpejtësinë e gishtërinjve të pianistes e cila me një pamje që vezullonte nga koka e deri tek këmbët, para publikut doli me një nivel të lartë të besimit në vetvete. E kjo u dëshmua kur qetësia absolute që pasonte në sekondat e para të performimit, tronditi atmosferën papritmas në një dridhje muzikore që depërtoi tek të pranishmit qysh në fillim me veprën e titulluar ”Fantasia C minor K475” nga kompozitori W.A.Mozart.

Hapi ritmik i harmonive, meloditë e lehta e të rënda, tingujt qetësues e të lëmuara si dhe teknika fleksibile e rafinuar dhe e ashpër, ishin këto veçantitë e pianistes e cila mbrëmë me një vendosmëri të dukshme, krijoi një urë lidhëse të tejdukshme mes të pranishmëve, ndjenjat e së cilëve drithëroheshin nën përleshjen e harmonive mahnitshëm të dhuruara nga performanca e Shuhatovic.

Trajtimi i instrumentit bardh e zi nga dy duart e pianistes, erdhi në një mënyrë që së bashku me uljen e saj në buzë të stolit, ngushtica e shpinës, krahët e saj të relaksuar që nganjëherë çlodheshin dhe ngriheshin lart kur përdorte tërë forcën e saj, pianistja solli ledhatinë e egër të tingujve romantik që po pushtonin hapësirën vazhdimisht e që njëkohësisht dhuroi iluzioni se në fakt ishin lëvizjet shpirtërore që vinin nga brendësia e saj, të cilat flakëruan mbi çelësat e pianos.

Shuhatovic përgjatë dy orë interpretimi, me një mirëdashje mbrëmë ka puthur çdo notë deri në një përsosmëri e performuar në një mënyrë që pulsonte gjatë tërë mbrëmjes. Me çdo tundje të lehtë të kokës së saj, shpirti i saj dilte në pah për të luajtur me emocionet e të pranishmëve duke i pushtuar ata me luhatje të melodive dhe copëza talenti që kur bashkoheshin së bashku tejkalonin dhuntinë që veçse ekzistonte brenda saj.

Pas gjithë kësaj performance spektakolare të pianistes, duartrokitjet e brohoritjet kishin zënë vendin e tyre në atmosferë. Ato nuk po pushonin interpretimin e tyre duke vazhduar me minuta të shumtë e duke e rikthyer pianisten në skenë për disa herë radhazi. Ky interpretim ishte më se i duhur e i domosdoshëm për talentin e rrallë që Shuhatovic kishte pritur shumë gjatë që ta sjell tek ne.

Po ashtu, mbrëmë u shpall edhe Çmimi Special i Chopin Piano Fest, çmimi tradicional që iu nda pianistes së re Lisa Sahatqiut ku juria profesionale e përbërë nga pianistja Ardita Statovci dhe Zoya Shuhatovic kishte marrë këtë vendim pas vlerësimit të performancës së tre pianisteve të reja që aplikuan në këtë garë si: Elsa Gashi, Lisa Sahatciu dhe Melisa Ibrahimi.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth performimit të saj, për KultPlus foli pianistja Zoya Shuhatovic.

“Jam e lumtur. Kjo është gjëra më e rëndësishme që mund të them pas më shumë se një viti në qetësi të plotë e ku nuk kam luajtur asgjë. Ishte sikur kur të hapet një dritare dhe të hyn drita brenda në jetë, sikur kam rimarrë fuqinë për jetën time”, ka thënë Shuhatovic.

Sipas saj, ajo ka dëshiruar shumë që të marrë pjesë në këtë koncert por nuk ka funksionuar që dy herë që ajo ka tentuar e tash për herë të tretë ajo po ndjehet shumë e lumtur dhe e entuziazmuar që kjo u bë e mundshme.

“Njerëzit janë shumë të mirë dhe të shoqërueshëm këtu dhe ata gjithmonë duan që të të mbështesin e të të ndihmojnë. Kjo është një ndjesi shumë e mirë”, ka thënë Shuhatovic për KultPlus.

Për Shuhatovic, ‘Dumka’ dhe ‘Sonata’ janë veprat me të dashura të saj por që nuk mund ta definoj arsyen pse.

“Zemra ime është e bashkangjitur me këto vepra dhe i ndjej shumë më shumë se sa pjesët e tjera. Një artist nuk mund të shpjegoj se pse dashuron muzikën”, thekson ajo.

Ndërsa, drejtoresha artistike Lelja Pula, për KultPlus foli rreth emocioneve të cilat ajo po i ndjen pas një përmbyllje kaq të suksesshme të edicionit të 11-të të Chopin Piano Fest.

“Edicionin pas pandemisë e filluam me shumë rezerva pasi që ishte festivali i parë pas kësaj që ngjau për një vit e gjysmë. Kemi përgatitur një program jashtëzakonisht voluminoz me 10 mbrëmje soliste nga artistë ndërkombëtar jashtëzakonisht të mirë dhe të njohur pastaj katër mbrëmje me mbi 50 studentë dhe një ditë të tërë me mbi 60 nxënës nga të gjitha shkollat e muzikës në Kosovës”, thotë Pula.

Sipas saj, për të është jashtëzakonisht me rëndësi që gjithë artdashësit të ndeshen me vlera kulmore artistike e ky është një mision i saj për të cilin ajo mendon se është shumë i rëndësishëm për shpalosjen e vlerave nga të gjitha anët e botës në skenën e Prishtinës, në skenën e ‘Chopin Piano Fest-it’.

“Mendoj se vërtetë duhet të ndihemi që jemi pjesë e botës kulturor-muzikore evropiane dhe botërore dhe që kemi vlera pasi që ne kemi shumë talent, një shkollë pianistike që funksion por edhe jemi një shtet i ri i cili ka shumë sfida dhe ballafaqohet me probleme të jashtëzakonshme. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se në mungesë të sallës koncertale, ne improvizojmë, por besoj që ia dalim falë entuziazmit të madh dhe mirënjohjes së madhe që marrim nga publiku”, përfundon Pula për KultPlus.

Kështu, i erdhi fundi edicionit të 11-të të Chopin Piano Fest, që për një muaj të tërë, suksesshëm na dhuroi muzikë klasike me veprat më të bukura nga kompozitorë të njohur dhe pianistë të talentuar nga e tërë bota që vendosën të shpalosin talentin e tyre pikërisht në qytetin e Prishtinës. / KultPlus.com

Pianistja Tutu Aydınoğlu, me kryevepra virtuoze bëri hapjen e Chopin Piano Fest

Era Berisha

Edicionin e tij 11-të, festivali Chopin Piano Fest e nisi mbrëmë me një interpretim nga pianistja turke Tutu Aydınoglu, e cila solli për publikun vepra që nuk janë luajtur më herët. Këto vepra ngërthyen në vete një gjallërim të elegancës pianistike dhe ekuilibrit performues ku larmia dhe kontrastet e shumta brenda pjesëve të luajtura shpalosën një dinamikë dhe timbër të ngjyrosur në melodi e tinguj, të cilat janë shkrirë tërësisht në kryeveprën e ndjenjave që tempon e tyre nuk arrinin ta definonin për asnjë sekondë të vetme, shkruan KultPlus.

Ajo se çka dallohej në hyrje të Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare, ishin fytyrat e shumta e të rinjve të cilët prisnin me padurim daljen në skenë të pianistes së njohur turke, Tutu Aydınoglu. E ky padurim që ndërlidhej ëmbëlsisht me inkuadrimin e reflektorëve me ngjyrë të vjollcë që njëkohësisht portretizonin ngjyrën e dizajnit së fletushkave të këtij festivali, dritave të ngrohta të vendosura gjithandej dhe drita natyrale e cila vinte pingul nga qielli mbi kokën tonë si një ndërhyrje rasti, e rritnin emancipimin e të pranishmëve në nivel më të lartë, duke luajtur kështu me fluturat që tashmë kishin nisur një interpretim të veçantë në stomakun tonë.

Hapjen e festivalit Chopin Piano Fest e nisi drejtoresha organizative e festivalit Besa Luzha dhe drejtoresha artistike Lelja Pula, të cilat janë shprehur se ndjehen mjaft të lumtura që pavarësisht sfidave të shumta, mbrëmë nisi një rrugëtim i gjatë një mujor. Ato kryesisht u shprehen falënderuese ndaj të pranishmëve duke i uruar atyre një natë të këndshme.

Pas këtyre fjalimeve, në sallë mbizotëroi heshtja për 2 minuta, për të sjellë në skenë pianisten e njohur Tutu Aydınoglu. Interpretimi i veprës ‘Sonata no 2 OP.23’ nga F.Chopin, solli një fillim që nuk la vend e as kohë për një parashikim se si do të përfundonte. Lëvizjet e mprehta të gishtërinjve, fuqia dhe përqendrimi preciz që ajo posedonte, ritmi dinamik i trupit të saj që shndërrohej në një ekzistencë të vetme dhe kërcimet e lehta të tërë qenies së saj që vinin papritmas dhe pa menduar, krijuan përshtypjen se pianistja dhe kjo vepër ishin në një kozmos unik të vetmuar ku meloditë e vrazhda e të rënduara ndëshkonin atmosferën me një hungërimë që dëgjohej nga performimi i saj.

Këto emocione herë luhatnin në një frymë të tragjedisë duke na rikujtuar kështu instinktin primal për të dëgjuar këto vepra, e herë në një frymë melankolike që përçonte ndjenja të ta pakrahasueshme për çdo kë që e çmon instrumentin bardh e zi. Pianistja mbrëmë dhuroi një performancë frymëzuese me vështrimin e saj, luhatjet e tërë trupit, qetësinë filluese që mashtronte publikun, shtypjen e petaleve me këmbë me një pasion që vështirë gjendet sot, ajo ende vazhdonte të sillte tingujt duke rrëmbyer vëmendjen e fijeve të zemrës së njeriut me një shpejtësi e cila depërtonte vrullshëm në damarin e dorezës të shpirtit tonë.

Aydınoglu përgjatë një orë interpretimi të veprave të njohura të kompozitorëve botërorë si: Frédéric Chopin dhe Franz Liszt, shpalosi një talent të rrallë jo vetëm me interpretimin nga dy duar por edhe njërës, duke krijuar kështu një muzikë që rrotullohej në vorbullën e prekjeve të çelësave bardh e zi, të cilat përjetuan një gërshetim të prekjeve të lehta dhe të çmendura, aty ku pothuajse gishtërinjtë puthnin çelësin me një butësi të tërbuar dhe aty ku gishtërinjtë ndëshkonin çelësat në një eufori ngjyrimi, për të përfunduar kështu në një ekstazë të papërmbajtur melodish.

Madhështia dhe bukuria unike e mjeshtërisë së interpretimit pianistik do të mbetet gjithmonë njëra ndër mrekullitë e botës. Kjo mrekulli më së miri përjetohet edhe atëherë kur dëgjuesi mbyll sytë dhe futet në botën e errësirës duke u përhumbur pas melodive dhe tingujve të cilat gjendjen shpirtërore të njeriut e tërheqin pas vetes sikur një magnet i inatosur që vendos të të shqetësoj me talentin që rrjedhshëm shkrihet tërësisht nga personi që performon.

Po njëlloj, ishte edhe pianistja që mbrëmë solli një magji të vërtetë me interpretimin e saj që ngjasonte me atë të Lee Ru-ma, i njohur me emrin ‘Yiruma’, duke kapur vëmendjen e të pranishmëve me performimin e linjave melodike që buronin vazhdimisht e sidomos nga vepra ‘Le festin d’Ésope (Aesop’s Feast), Op. 39 No. 12’, që shënoi fundin e kësaj nate duke lënë pas momente të bukura të cilat do të na përcjellin si një hije që asnjëherë nuk të lë të harrosh ekzistencën e saj.

Pas gjithë kësaj performance të mrekullueshme të pianistes, duartrokitjet e brohoritjet kishin zënë vendin e tingujve. Ato nuk po pushonin interpretimin e tyre duke vazhduar me minuta të shumtë, intepretim ky më se i duhur e i domosdoshëm për talentin e rrallë që Aydınoglu zgjodhi ta sjell tek ne.

Pianistja turke Tutu Aydınoglu, për KultPlus foli rreth natës së mbrëmshme që ishte frymëzuese për shumë kë.

“Ky është koncerti im i parë pas pandemisë dhe ndjehem shumë e lumtur sepse njëkohësisht është edhe recitali im i parë pas një muaj e gjysmë me situatën pandemike. Wshtë e mrekullueshme për ti ndjerë njerëzit në skenë”, thotë Aydınoglu.

Sipas saj, ky është qëndrimi i dytë i saj në Prishtinë dhe ajo po ndjehet shumë e lumtur sepse performimi në skenë është një ndjenjë e mrekullueshme, e pikërisht kur kalohet nga koncerti online në atë fizik.

“Është diçka spektakolare. Je duke luajtur dhe përnjëherë të vjen instikti. Pastaj ka duartrokitje dhe kjo është shumë e rëndësishme për një artist sepse është një lumturi shumë e madhe”, përfundon Aydınoglu për KultPlus.

Ndërsa, drejtoresha artistike, Lejla Pula tregoi se ajo është shumë e lumtur që pak a shumë janë kthyer në ndjenjën e normalitetit.

“Akti i interpretimit është vërtetë diçka unike sepse në artin interpretativ të muzikës, pa interaksion mes interpretuesit dhe dëgjuesve, nuk mund të ringjallet ajo çka shkruhet në një vepër muzikore”, thotë Pula.

Ajo tutje ka falënderuar pianisten që solli një program ku pjesa e dytë u interpretua për herë të parë.

“Tutu është një pianiste e mrekullueshme nga Turqia që erdhi me një program ku pjesa e dytë është interpretuar për herë të parë. Janë vepra shumë interesante të cilat interpretohen shumë rrallë dhe nuk dëgjohen shpesh në Prishtinë duke sjell kështu një virtuozitet të lartë pianistik dhe instrumental”, thotë Pula.

Sipas saj, pianistja ka pasur shumë dëshirë që të performojë dhe tashmë pas 2 vite pritje, ajo erdhi duke realizuar një koncert të mrekullueshëm dhe prandaj Pula ndjehet mirënjohëse ndaj saj dhe bashkëpunimit me Ambasadën Turke dhe Ministrinë e Kulturës.

“Shpresoj që të gjitha mbrëmjet do të shkojnë mbarë. Kurse, sonte vepra që më la përshtypje më së shumti ishte Sonata e Chopen e cila është vërtetë një kryevepër por interesante për mua ishte edhe vepra e Alkanit që ishte një zbulim për publikun tonë dhe bravo për pianisten që solli veprën me një virtuozitet të spikatur”, përfundon Pula për KultPlus.

Gjithashtu, i pranishëm në këtë mbrëmje ishte edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Adrian Berisha i cili për KultPlus foli rreth kësaj nate, të cilën ai e cilësoi si tejet interesante.

“Është shumë interesant për të përshkruar këtë natë. Gjatë natës i mbylla sytë dhe performanca e pianistes në njëfarë mënyre më morri me vete dhe sapo isha lart e dalloja vetën se isha poshtë. Performanca e saj ishte tepër ritmike dhe shumë e shpejt”, thotë Berisha.

Sipas tij, brenda performancës ekzistonte një tragjedi që ndoshta portretizoi mllefin e muzikantëve nga mos performimi në skenë në vitin paraprak, andaj edhe është shprehur përmes kësaj performance.

“Përveç performancës së pianistes, më la përshtypje mikpritja e publikut sepse u dallua edhe gjatë pauzave por edhe në fund se sa performanca është pëlqyer. Sidomos, duartrokitjet e pa ndalura në fund për 2 minuta, ishte diçka që tregoi shumë që njerëzve i mungojnë performancat e tilla artistike”, përfundon Berisha për KultPlus.

Chopin Piano Fest gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 15 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e dytë e këtij festivali, vjen më datë 07 qershor ku do të interpretojë pianisti austriak Stephan Möller në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. / KultPlus.com