Gazeta franceze në vitin 1912: Shpallja e menjëhershme e pavarësisë së Shqipërisë, pritet të vijë Isa Boletini

Nga Aurenc Bebja

Gazeta franceze, “Le Gaulois”, ka botuar, të premten e 29 nëntorit 1912, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Shpallja e menjëhershme e pavarësisë së Shqipërisë

Romë, 28 nëntor.

Na shkruajnë nga Vlora, me datë 28, se Ismail Qemal beu, i cili, sapo ka mbërritur në këtë qytet, ka vizituar konsujt e Italisë dhe Austro-Hungarisë.

Njoftojnë se sot kuvendi i delegatëve shqiptarë do të shpallë në Vlorë pavarësinë dhe neutralitetin e Shqipërisë dhe do të formojë një qeveri të përkohshme.

Do të ngrihet flamuri shqiptar. Një komision do t’u dërgohet sa më shpejt të jetë e mundur qeverive evropiane, duke filluar me Italinë, për t’u kërkuar atyre njohjen e Shqipërisë.

Delegatët shqiptarë që kanë mbërritur deri më tani janë gjithsej 80. Priten të vijnë të tjerë, përfshirë Isa Boletinin, me forca të armatosura.

Thuhet se Ismail Qemal beu, në bisedimet e tij me konsujt e Italisë dhe Austro-Hungarisë, ka deklaruar se pavarësia e Shqipërisë bazohet në parimet e integritetit territorial dhe neutralitetit, dhe se Shqipëria ka besim në dashamirësinë e të gjitha fuqive dhe në mbështetjen e Italisë dhe Austro-Hungarisë.

https://www.darsiani.com/la-gazette/le-gaulois-1912-shpallja-e-menjehershme-e-pavaresise-se-shqiperise-pritet-te-vije-isa-boletini/ / KultPlus.com

Telegrami austriak, si u shpall pavarësia në Vlorë

Po ju paraqes origjinalin e një telegrami të shtypur në makinë shkrimi që mendoj se është dokumenti i pakontestueshëm se si u shpall pavarësia në Vlorë në orën 4 pasdite të datës 28 nëntor 1912. E kam nxjerrë nga arkivi i pasur i Vjenës, një thesar për historinë shqiptare.

Telegrami prej 7 faqesh është shkruar nga konsulli austriak në Vlorë, Wenzel Lejhanec, dhe i dërgohet ministrit të jashtëm austriak për t’i dhënë lajmin se Ismail Qemali e ka shpallur Shqipërinë të pavarur.

Është një dokument i njohur nga historianët dhe i përkthyer prej kohësh në shqip, por duke patur parasysh saktësinë me të cilën austriakët regjistronin dhe raportonin gjithçka ndodhte në Shqipëri, mendoj se ky telegram është nënvlerësuar për nga rëndësia. Aq sa vitet e fundit kanë qarkulluar legjenda sikur pavarësia ka qenë shpallur jo në Vlorë.

Në librin e tij me dokumente historike, Lef Nosi regjistron shpalljen e “pavarësive lokale”, duke filluar nga Tirana më 26 nëntor e në disa qytete të tjera, si Elbasani, Durrësi, Berati, Lushnja, Kavaja dhe Peqini, ngjarje që e elektrizuan atmosferën në favor të mëvetësisë.

Do të ishte naive që, nga telegramet në librin e Lef Nosit, të arrihej në përfundimin se pavarësia na qenka shpallur në Tiranë, Lushnje, Peqin, Durrës etj. Për ironi, vetë Lef Nosi, mbledhës i këtyre telegrameve, është njëri ndër ata që firmosën pavarësinë në Vlorë.

Duke lënë mënjanë shakatë, është vërtet për të ardhur keq që nuk kemi fotografi nga shpallja e pavarësisë në Vlorë. As edhe një. Prandaj telegrami që shihni këtu në formën e tij origjinale, na ndihmon të krijojmë një përfytyrim pak a shumë të saktë për këtë ngjarje, e cila padyshim meriton të quhet historike, shkruan Ballkan Web.

Ja disa pjesë nga telegrami:

“Kuvendi Kombëtar i jashtëzakonshëm u mblodh në orën 2 pasdreke, në shtëpinë e ish-kryetarit të bashkisë, Xhemil bej Vlora. Pas shqyrtimit e pranimit të mandateve të delegatëve, Kuvendi dëgjoi Ismail Qemal beun, i cili duke përshkruar shkurt situatën, theksoi nevojën e marrjes së një vendimi të shpejtë për ruajtjen e interesave të vendit.

Kuvendi vendosi njëzëri shpalljen e pavarësisë së të gjithë Shqipërisë dhe njoftimin pa humbur kohë të Fuqive të Mëdha dhe të shteteve ndërluftuese.

Njëkohësisht, Ismail Qemal beu u zgjodh kryetar i qeverisë së përkohshme dhe u ngarkua me formimin e kabinetit, përkatësisht të komitetit ekzekutiv.

Sipas propozimit të Veli Efendiut nga Gjirokastra, imzot Kaçorri, famullitar i Durrësi, i cili kryesonte Asamblenë Kombëtare në krah të Ismail Qemalit, u miratua me brohoritje si zëvendës i tij.

Më pas, aty afër orës 4 pasdreke, tek dera e shtëpisë së Xhemil beut, u ngrit flamuri kombëtar, një shkabë dy krenare e zezë, në një fushë të kuqe. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë iu njoftua popullit që priste jashtë, i cili e priti me gëzim dhe entuziazëm.

Pastaj një turmë njerëzish përshkoi rrugët e qytetit, duke kënduar dhe brohoritur. Njerëzit qëndruan përpara konsullatës sonë dhe shpërthyen në brohoritje të stuhishme duke thirrur “Rroft Shqypënija” “Rroft Austrija”, thirrje që u shoqëruan me duartrokitje.

Unë falënderova kolonën nga dritarja, duke tundur kapelën dhe thirrur “Rroft Shqypënija”.

Pastaj kolona marshoi para konsullatës italiane, ku u bënë manifestime të ngjashme. Edhe konsulli De Facendis u shfaq në dritare dhe falënderoi duke thirrur tri herë “E viva l’Albania”.

Para nënkonsullatës ruse nuk u bë asnjë manifestim. Flitet se u dëgjuan vetëm disa thirrje aty-këtu: “Rroftë drejtësia”./ KultPlus.com

109 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë

Sot mbushen 109 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 në Vlorë.

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë erdhi pas përpjekjeve gati 500 vjeçare të popullit shqiptar nga perandoria osmane, e cila pushtoi trojet shqiptare, 10 vjet pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeu, më 17 janar 1468.

Përpjekja për çlirim e popullit shqiptar dhe popujve të tjerë evropian nga perandoria osmane, nuk janë ndalur asnjëherë deri në dëbimin e saj më 1912-të.

Përveç trojeve shqiptare, Perandoria Osmane për disa shekuj kishte të pushtuara edhe vendet e tjera të Ballkanit, si dhe tentojë të marrë edhe Austrinë, ku pas një lufte dy mujore me Vjenën, më 1683 pëson humbje të mëdha dhe tërhiqet.

Në vitin 1684 u krijua një koalicion kundër osman me emrin “Lidhja e Shenjtë”. Në koalicion merrnin pjesë Austria, Polonia, Venediku, Malta dhe pas dy vjetësh hyri edhe Rusia.

Pas kësaj, ushtria austriake përparoi në Bullgari dhe në tokat e shqiptarëve. Në Prishtinë forcat austriake u pritën nga 5000 kryengritës shqiptarë, kurse në Prizren nga 6000 kryengritës të tjerë shqiptarë.

Shqiptarët luftuan përkrah austriakëve. Këto beteja përfunduan me fitoren e ushtrisë osmane. Pas këtyre disfatave, me austriakët u tërhoqën nga Kosova mjaft kryengritës. Faktin e largimit të mjaft kryengritësve nga Kosova e shfrytëzoi më vonë monarkia serbe e cila krijoi legjendën e së ashtuquajturës “shpërngulja e serbëve” nga Kosova dhe popullimin e saj prej shqiptarëve.

Përpjekje e madhe e popullit shqiptarë ishte edhe pas luftës së re Ruso-Turke (1877-1878). Rusia se bashku me Austro-Hungarinë në Budapest, më 15 janar 1877, nënshkruan një marrëveshje e quajtur si Marrëveshja e Budapestit. Sipas tyre, Austro-Hungaria do të qëndronte asnjanëse në luftën ruso-turke. Si shpërblim ajo fitonte të drejtën të pushtonte ushtarakisht Bosnjën dhe Hercegovinën, kurse fati i sanxhakut të Novi Pazarit (Pazarit të Ri) do të caktohej me një marrëveshje të veçantë që do të lidhnin Peterburgun me Vjenën. Perandoria dualiste zotohej të mos i prekte Rumaninë, Serbinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi, të cilat Rusia i mbante si territore të zonës së saj të ndikimit. Perandoria Ruse do të kënaqej me aneksimin e Besarabisë në Ballkan dhe të Batumit në Kaukaz. Por, në rast se Perandoria Osmane do të shembej krejtësisht, Bullgaria, Rumania dhe Shqipëria do të bëheshin shtete autonome; Kreta, Thesalia dhe Epiri do t ë aneksoheshin nga Greqia, kurse Stambolli me rrethinën e tij do të shpallej qytet i lirë.

Megjithatë, duhet pranuar se marrëveshja e Budapestit, pavarësisht nga këto aspekte negative, ishte akti i parë diplomatik ndërkombëtar që pranoi në parim idenë e krijimit të një shteti shqiptar. Kjo ide ishte e Austro-Hungarisë, e cila u nis nga interesi për të krijuar në Ballkanin Perëndimor një barrierë kundër ekspansionit serb drejt Adriatikut e Maqedonisë.

Më 10 qershor 1878 shqiptarët u mblodhën në Prizren dhe formuan Lidhjen e Prizrenit. Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë. Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të kongresit të Berlinit, i cili më shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, në përpjekje për t’u larguar nga sundimi osman.

Më 10 qershor 1878, në Prizren u bashkuan katër vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës.

Kongresi i Berlinit u hap më 13 qershor 1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në të morën pjesë gjatë fuqitë e mëdha të Evropës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia.

Copëtimi i parë i trojeve shqiptare u realizua pas vendimeve të Kongresit të Berlinit për të shpërblyer Malin e Zi me Plavën e Gucinë. Gjatë kësaj kohe, iu kaluan Serbisë zonat e Toplicës, Prokuples, Kurshumlisë, Nishit, Vranjes dhe Leskovacit. Popullsia shqiptare në këto zona u përzu me dhunë, dhe e gjithë u spastrua etnikisht, duke krijuar 70 000 refugjatë shqiptarë që u vendosën në Kosovë e 60 000 të tjerë që u vendosëm në zonën që sot është në Maqedoni. Kongresi i Berlinit i dha Malit të Zi edhe tokat tjera shqiptare, qytetin e Tivarit dhe Podgoricën.

Përpjekja e popullit shqiptar u shua më pas me mosnjohjen e trojeve nga Kongresi i Berlinit dhe luftën e popullit shqiptar kundër perandorisë osmane, e cila rezultoi me copëtimin e Shqipërisë dhe mbetjen e pjesëve tjera nën perandorinë osmane.

Lufta e popullit shqiptar nuk u ndalë deri më 1912, ku në Vlorë u shpallë pavarësia e Shqipërisë dhe përfundimisht populli shqiptarë dëbon nga trojet e veta perandorinë osmane.

Pas kësaj u mbajt Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 1912-1913 e njohur ndryshe edhe si “Konferenca e Paqes në Londër”, i cili ishte një takim ndërkombëtar i gjashtë Fuqive të Mëdha të asaj kohe (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia). Këto fuqi u mblodhën në dhjetor 1912. Pas shumë diskutimesh, më 29 korrik 1913, ambasadorët morën një vendim formal për të njohur Principatën e Shqipërisë si shtet sovran të pavarur nga Perandoria Osmane, duke e copëtuar edhe njëherë dhe duke marrë dy të tretat e trojeve shqiptare.

Më poshtë shihni hartën e propozimit të qeverisë shqiptare, propozimit të Francës, Rusisë dhe Ligës së krijuar Ballkanike ( Bullgaria, Greqia , Serbia dhe Mali i Zi), si dhe vendimin e marrë nga konferenca e ambasadorëve.

Harta me propozimet e Qeverisë së përkohshme të Vlorës për hartën e Shqipërisë, propozimet e Francës, Rusisë dhe ligës së Ballkanit ( Serbia, Bullgaria dhe Greqia) si dhe kufinjt e tanishëm të propozuar dhe miratuar nga konferenca e Londrës ( ky territor tani quhet Shqipëri). / KultPlus.com

New Yorku stoliset me flamuj kuq e zi

28 nëntori edhe këtë vit, në Shtetet e Bashkuara e Kanada erdhi me një serë aktivitetesh për nder të Ditës së Flamurit – 109 Vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë .   

Shqiptarët në zonën e Nju Jorkut,  sipas një tradite e nderojnë këtë ngjarje historike me ngritjen flamurit kuq e zi në qytetin e Nju Jorkut, dhe qyteteve të tjera, Çikago, Detroit, Boston, Filadelfia, Stanford dhe Toronto – Kanada, gjatë ceremonive qendrojn dy  flamur ai shqiptar dhe amerikan për t’u valëvitur krah njëri tjetrit.

Shqiptarët i konsiderojnë Shtetet e Bashkuara aleatin e tyre më të ngushtë – që nga mbështetja e Presidentit Woodrow Wilson për pavarësinë e Shqipërisë një shekull më parë, deri tek mbështetja më e fundit amerikane për pavarësinë e Kosovës. 

Ngritja e flamurit kuq e zi – krah atij amerikanë në shtyllat e ndriçimit të buluverdave të këtyre qyteteve është për të kremtuar edhe një marrëdhënie të veçantë, si dhe idealet tona të përbashkëta për lirinë dhe demokracinë.

Me këtë rast në rrugët e New Yorkut në qender të qytet-lagjeve (Borough) në Bronx, Brooklyn dhe Staten Island –  ku edhe mësë shumti jetojn shqiptarët, zbukurohen për disa ditë me flamurin kuq e zi dhe atë amerikanë.

Brooklyn: 

Edhe sivjet Brooklyni – New York , u gdhi me atmosferën e festës së flamurit kuq e zi ku shqiptarët nisën të festojnë Ditën e Flamurit. 

Dy bulevardet në qytetin e Brooklynit Bay Parkway dhe Cropsey Ave., deri në zgjatjen e 60th St. u stolisën përsëri nga  Shkumbin Hasangjekaj dhe Shkumbin Balidemaj me ndihmën e kompanisë « ABC Builders » me pronar Blendi Bekteshi, të financuara nga Fondacioni Plavë e Guci. 

Shkumbin Hasangjekaj, një shqiptar që jeton në New York, ka publikuar fotografi duke e mbushur një hapësirë me flamuj kombëtar.

“Tradita në Brooklyn vazhdon”, ka shkruar ai.

Staten Island: 

Edhe në këtë qytet nisën si çdo vjet kremtimet për 28 Nëntorin . Rrugët qytetit ku mendohet se jetojnë 20 mijë shqiptar në Staten Island – New York, janë veshur me flamujt kuq e zi.

“Edhe këtë vit është familja Çoku (Belul Çoku) nga Dibra e Madhe, e cila po sponsorizon flamujt në Staten Island, së bashku me organizatën  “Albanian Roots” që të mbushin këto rrugë me krenari shqiptare”, shkruhet në një informacion të publikuar nga “Albanian Roots”.

Bronx:

Edhe,  këtë 109 vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë vendosja e flamujve kuq e zi  është bërë i mundëshëme nga inisiativa disa vjeçare e zotit Mark Gjonaj, kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës, dhe njëkohësisht këshilltar i Bashkisë së New York-ut, i cili është dhe sponsorizuesi kryesorë me kontributin financiar edhe me atë të disa veprimtarëve të tjerë të komunitetit.

“Kjo i jep bashkësisë shqiptare, këto ditë feste edhe një ndjenjë tjetër të krenarisë sonë kombëtare, kur këto ditë në prag të festës së madhe Ditës së Flamurit, kemi për të parë këto flamuj kuq e zi – duke u valëvitur, përkrah flamurit amerikan si një faleminderim për atë çkan bërë për ne Shtetet e Bashkuara”, thotë Mark Gjonaj . 

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme për shqiptarët që të vazhdojnë për të festuar kulturën dhe trashëgiminë e tyre,” ka deklaruar Gjonaj. / KultPlus.com

Fjalimi origjinal i Ismail Qemalit më 28 Nëntor 1912

Me rastin e ditës së Pavarësisë, e risjellim sot të plotë fjalimin e Ismail Qemalit të mbajtur më 28 Nëntor 1912 në ngjarjen e madhe të ngritjes së flamurit dhe shpalljes së Pavarësisë në Vlorë.

Nga Ismail Qemali

Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur. Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveris së përkohshme të Shqipërisë së lirë.

Porsi ëndër më duket ky ndryshim i madh i vendit t’onë, që hoqi e voi të zezat e të lirit pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithënjë, të shuhej e të çfarrosej krejtësisht nga faqia e dheut, këjo Shqipëri, që, dikur, shkëlqente nga trimërija e pashoqe e bijve të saj; kjo Shqipëri, që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pas Turqija.

Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj: qeshni e gëzoni!

Për t’ia arrijtur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe e të gjithë shokëve që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemëra nga gazi i madh që ndieni; mirëpo mbledhja si më plak që jam, m’a ngarkoi mua Ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare, të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur (nxjerr Flamurin, të cilin e ka të vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël, dhe të pshehur nën pallto dhe passi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit. Shqiptarët, posa e shohin Flamurin thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipërija e Lirë).

Ja, pra, ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest.

Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.

Tuke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë.

Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë.

Rroftë Flamuri!

Rroftë Shqipërija! /dp/ KultPlus.com

28 Nëntori, shënuesi i ngjarjeve të mëdha përgjatë epokave të ndryshme

Nëntori ka hyrë në historinë e popullit shqiptar, duke u bërë një muaj i tërë me përplotë ngjarje që na fisnikrojnë e krenojnë ndër vite, shkruan KultPlus.

Figura të shquara kombëtare përgjatë datave të nëntorit kanë arritur të shënojnë të arritura të mëdha për vendit, të lindin dhe të na bëjnë neve këtë muaj si të veçantë.

Patjetër që e tillë është edhe data 28 Nëntor.

KultPlus ka përmbledhur ngjarjet më të veçanta të historisë përgjatë kësaj date:

1443 – Gjergj Kastriot Skënderbeu, e ngriti flamurin kombëtar mbi kalanë e Krujës.

1793 – Në Shkodër, Lezhë dhe në rrethinat e tyre nisi kryengritja kundër ushtrive osmane. Me humbje të mëdha pashai turk mundi të çante rrethimin, por në Lezhë pësoi goditje dhe humbje të reja, që e detyruan te tërhiqet për në Manastir.

1912 – Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë.

1955 – Ditëlindja e Adem Shaban Jasharit.

1997 – Paraqitja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

1998 – përmes referendumit mbarëpopullor u adoptua Kushtetuta e Shqipërisë. / KultPlus.com

Violinisti shqiptar Florian Vlashi performon në Spanjë për ditën e Flamurit

Violinisti i njohur shqiptar Florian Vlashi do të performoj në një koncert me grupin instrumental “Siglo XX” në Coruña (Korunja) të Spanjës, e që përkon me festën e Flamurit.

Grupi instrumental është krijuar që në vitin 1996 me iniciativën e vetë Vlashit si një nderim për “Shekullin e madh”. Qëllim i këtij grupi është të interpretojë veprat më të mira të muzikës së dhomës që nga fillimi i shekullit të 20-të deri në ditët e sotme.

Më 28 nëntor 2002, në orën 19.30 grupi do të ketë një koncert mjaft të veçantë me pjesë të autorëve të shquar e të përzgjedhur përmes tre shekujsh, IXX, XX dhe XXI i cili mund të ndiqet live në rrjetet sociale.

Florian Vlashi është violinist, kompozitor, muzikant dhe drejtues i njohur i muzikës klasike i lindur në Durrës (Shqipëri) më 8 nëntor 1963 i cili e zhvillon aktivitetin artistik dhe profesional në Spanjë. Studimet e violinës i filloi në moshën 6 vjeç. Babai i tij, shkrimtari dhe regjisori i njohur i teatrit, Gjergj Vlashi ishte i rëndësishëm në të ardhmen e të birit. Studimi me V. Papën, R. Stefi, I. Madhi e shënoi nga Akademia e Arteve të Bukura në vendin e parë në mënyrë unanime. Në vitin 1989 ai fitoi çmimin e parë në konkursin e orkestrës simfonike “Solistët e Shqipërisë”. Në të njëjtin vit ai ishte drejtor dhe solist me Orkestrën “Jan Kukuzeli”, me të cilën ai ka kryer shumë koncerte dhe regjistrime për RTVA, dhe udhëtimin në koncertin e parë në Itali

Që nga viti 1992 ai është anëtar i Orkestrës Simfonike të Galicia, i rafinuar me G. Egger (Bachakademi Stuttgart) dhe L. Muller (concertmaster i Orkestrës së Vjenës Kamera). Veprimtaria e tij shtrihet në pedagogji, publikime në aktivitetet estetike dhe interpretuese si pedagog (Superior Konservatorin, Universiteti i La Coruña, Universiteti i Santiago, Universiteti i Rioja – Logroño etj). /dp/ KultPlus.com

Ekspozita “Etërit e Pavarësisë” rikujtoi figurat e shquara të 28 Nëntorit

40 nënshkruesë të aktit të Pavarësisë së Shqipërisë erdhën nëpërmjet punimeve artistike të Arben Morinës në ekspozitën “Etërit e Pavarësisë” në Muzeun Hitsorik Kombëtar, shkruan KultPlus.

Ekspozita e cila solli 40 figura të rëndësishme të historisë shqiptare nëpërmjet pikturave të piktorit Arben Morina, u shoqëruan me artefaktet e këtyre nënshkruesve në ekspozitën “Etërit e Pavarësisë”.

Në fjalën e tij përshëndetëse Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh se kjo ekspozitë është një kombinim i përkryer i portreteve në pikturë të etërve tanë të 40 firmëtarëve të pavarësisë dhe objekteve të tyre personale që ndodhen në Muzeun Historik Kombëtar. Tutje ai përmendi se të ekspozuara janë edhe një kopje të aktit të shpalljes së pavarësisë dhe disa objekte të Luigj Gurakuqit, Kristo Floqit, për të bërë të mundur këtë lloj harmonie në pasqyrimin e kësaj ekspozite në kombinim me veprat e prezantuara në pikturë të shumë të talentuarit Arben Morina.

Në anën tjetër, protagonisti kryesor i cili rikujtoi nëpërmjet artit rëndësinë e këtyre personaliteteve, Arben Morina falenderoi Muzeun Historik Kombëtar për këtë ekspozitë.

“Për mua kjo ekspozitë ka një rëndësi të veçantë dhe kam ndjerë gjithçka që kam bërë pasi vet gjyshi im Zihni Abas Kanina Hamzaraj ishte një nga nismëtarët e shpalljes së pavarësisë”, tha artisti Morina.

Ekspozita “Etërit e Pavarësisë” u organizua në kuadër të manifestimeve të nëntorit. / KultPlus.com

40 figurat e Pavarësisë së Shqipërisë do të shfaqen artistikisht nëpërmjet një ekspozite

Në vigjilje të Pavarësisë së Shqipërisë, Muzeu Historik Kombëtar ka vendosur t’i nderoj figurat e këtij akti nëpërmjet një ekspozite, shkruan KultPlus.

Nesër më 27 nëntor duke filluar nga ora 11:00, dyert e Muzeut Historik Kombëtar do të hapen për sytë e audiencës.

40 portrete të nënshkruesve të Pavarësisë do të shfaqen nëpërmjet artit të piktorit Arben Morina nën titullin “Etërit e Pavarësisë”.

Poashtu do të shfaqen edhe artifakte të Muzeut Historik Kombëtar.

Kjo ekspozitë do të jetë një vlerësim artistik i punës së këtyre figurave të shquara shqipe. / KultPlus.com

BE: Në Ditën e Pavarësisë, mendimet tona janë për popullin shqiptar

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, është shprehur se do të qëndrojë pranë popullit shqiptar.

Përmes një postimi në rrjetet sociale ndër të tjera delegacioni i BE-së është shprehur se vëmendja më e madhe në ditë të tilla do të fokusohet tek ata që janë goditur nga fatkeqësia dhe familjet e tyre.

“Sot, në Ditën e Pavarësisë, mendimet tona janë për popullin shqiptar, dhe në veçanti për ata që janë goditur nga fatkeqësia dhe familjet e tyre. Bashkimi Evropian, më shumë së kurrë, i qëndron pranë popullit shqiptar”, thuhet në shkrimin e tyre. / KultPlus.com

Emrat dhe si u shkoi jeta: Këta ishin 40 firmëtarët e Aktit të Pavarësisë

Shqipëria u vetëshpall e pavarur në Vlorë më 28 Nëntor 1912.

Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare dhe 40 prej tyre nënshkruan Aktin e Pavarësisë.

Ismail Qemal bej Vlora (1844-1919)

Firmosi i pari Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Ismail Kemal”. Në deklaratë shkruhej ; “Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/ 1912. Pas fjalëve që tha z.Kryetari Ismail Kemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një za venduan që Shqipëria më sot të bahet në vehte, e lirë e mosvarme”.

Ismail Qemal bej Vlora u zgjodh kryeministër Qeverisë së Përkohshme. Më 22 janar 1914 jep dorëheqjen dhe pushtetin ja dorëzoi Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Largohet nga Shqipëria për në Itali ku edhe vdes në rrethana të dyshimta më 24 janar 1919.

Dom Nikollë Kaçorri (1862-1917)

Gjatë kryengritjes së Kurbinit 1905-1907, hyri si ndërmjetës midis popullsisë dhe administratës osmane. Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit (1908) dhe në Kongresin e Elbasanit (1909). Përfaqësues i krahinës së Durrësit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës ku u zgjodh nënkryetar i qeverisë së përkohshme. Firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Kaçorri”.

Vehbi Dibra Agolli (1867-1937)

Mori pjesë në vitin 1909 në Kongresin e Dibrës, mbështeti alfabetin me shkronja latine të Kongresit të Manastirit. Më 28 nëntor 1912 në krye të delegatëve të Dibrës, merr pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës ku u zgjodh kryetar i Pleqësisë. Ka luajtur rol të rëndësishëm në organizmin e kryengritjes shqiptare të vitit 1913 kundër pushtimit serb në zonën e Dibrës.

Jorgji Karbunara – Bab Dud Karbunara (1842-1917)

Jorgji Karbunara ishte përfaqësues i Beratit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “J. Karbunara”. Në këtë Kuvend, ai u zgjodh anëtar i Pleqësisë. Njihej për hapjen e shkollave shqipe në Berat.

Elmas Boce (1850-1925)

Mori pjesë në organizimin e degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1880. Ndihmoi hapjen e shkollës shqipe të Gjirokastrës “Lirija”. Në nëntor të vitit 1912 u zgjodh delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Elmas Boce”

Qazim Kokoshi (1882-1945)

Zgjidhet delegat i Vlorës në Kuvendin e Gërçes në vitin 1911. Merr pjesë në kuvendin e Vlorës në nëntor 1912, ku firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Qazim Kokoshi”. Në vitin 1921, zgjidhet deputet i qarkut të Vlorës në Këshillin Kombëtar. U arrestua dhe vdiq në burg pas 1944-s.

Jani Minga (1872-1947)

Ishte ndër nismëtarët e hapjes së klubit patriotik “Labëria” dhe të shkollës së parë shqipe në Vlorë (1908). Në nëntor të vitit 1912 u zgjodh delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “J. Minga”.

Rexhep Mitrovica (1888-1960)

Mori pjesë si delegat i Pejës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës dhe ishte njeri nga nënshkruesit e deklaratës së Pavarësisë. Një nga themeluesit e Partisë Kombëtare (1914), anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. U zgjodh senator i Kosovës në Këshillin Kombëtar të Lushnjes.

Dhimitër Tutulani (1875-1937)

Në nëntor të vitit 1912, zgjidhet delegat i Beratit në Kuvendin historik të Vlorës, ku nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë, me siglën “Dh. Tout.”. Në vitin 1918 ishte delegat në Kongresin e Durrësit dhe në vitin 1920 në Kongresin e Lushnjes. Në vitin 1925 ishte kryetar i Bashkisë së Beratit.

Abas Dilaveri (Çelkupa) (1850 – 1926)

Gjatë viteve 1905-1907 u lidh dhe bashkëpunoi me Dom Nikoll Kaçorrin. Priti në Durrës Ismail Qemalin e më pas, bashkë me delegatët që e shoqëronin atë, mori pjesë në mbledhjen e parë Kuvendit të Vlorës. Delegat i Durrësit, Deklaratën e Pavarësisë, e firmosi me siglën “Abas Dilaver”.

Shefqet Dajiu (1882-1946)

Në nëntor të vitit 1912, zgjidhet si përfaqësues i Elbasanit në Kuvendin historik të Vlorës për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. Firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Shefqet Daji”. Në vitet 1920-1923 është deputet i Elbasanit në parlamentin shqiptar. U arrestua dhe vdiq në burg në vitin 1946.

Xhelal Koprencka (1876-1919)

Nismëtar për hapjen e shkollave shqipe në vitin 1908 në Skrapar. Zgjidhet delegat i Skraparit në Kuvendin e Vlorës dhe ishte një nga 40 firmëtarët. E firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Xhelal Ko.”. Zgjidhet anëtar i Pleqësisë.

Hajredin Cakrani (1860-1940)

Në vitet 1908-1909, bashkëpunoi ngushtë me klubet atdhetare “Labëria” të Vlorës dhe të Filatit. U zgjodh delegat i Mallakastrës në Kuvendin historik të Vlorës në nëntor të vitit 1912, ku firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Hajredin Cakrani”. Pjesëmarrës në luftën e Vlorës kundër pushtuesve italianë.

Iljaz Vrioni (1882-1932)

Në nëntor të vitit 1912 zgjidhet delegat i Beratit në Kuvendin historik të Vlorës, ku nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë, me siglën “Iljas Vrijon”. Në vitin 1920, zgjidhet delegat i Beratit në punimet e Kongresit të Lushnjës. Katër herë Kryeministër i Shqipërisë dhe disa herë Ministër i Jashtëm dhe si Ministër i Plotfuqishëm i Shtetit Shqiptar në Paris.

Murad Toptani (1867-1918)

Poet, publicist. Mori pjesë në Kuvendin historik të Vlorës në nëntor 1912 si delegat i Tiranës dhe firmosi Deklaratën e Pavarësisë me siglën “Murad Toptani”. Pas rënies së qeverisë së Vlorës, Esat Pashë Toptani (kushëri i tij), i dogji shtëpinë dhe një pjesë të madhe të pasurisë së tij që ndodhej brenda saj si: libra, korrespondencën, antikuarë.

Luigj Gurakuqi (1879-1925)

Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit (1908), ku u zgjodh edhe anëtar komisioni për njehsimin e alfabetit. Pjesëmarrës në kryengritjen e malësorëve të Mbi Shkodrës dhe bashkë hartues me I. Qemalin i Memorandumit të Greçës. Gjatë vitit 1912, ishte ndër organizatorët e kryengritjes së përgjithshme. Në Kuvendin e Vlorës për shpalljen e pavarësisë, si përfaqësues i Shkodrës, firmosi Deklaratën e Pavarësisë nën siglën “Luz Gurakuqi”. Ministër i Arsimit në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës. Anëtar i delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris. Deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar dhe përsëri përfaqësues i Shkodrës në Kuvendin Kushtetues në vitin 1924. Ministër i Financave në qeverinë e Nolit. U vra në Bari në 2 mars 1925.

Spiridon Ilo (1876-1950)

Shoqëroi Ismail Qemalin në udhëtimin Trieste-Durrës-Vlorë. Merr pjesë në Kuvendin historik të Vlorës në nëntor 1912, ku firmosi firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Spiro T. Ilo”. Në vitin 1914, përfshihet në çetën e Themistokli Gërmenjit në luftimet kundër shovinistëve grekë.

Thanas Floqi (1884-1945)

Jurist, gjuhëtar, botues, kompozitor. Mori pjesë në Kuvendin historik të Vlorës në nëntor 1912, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Thanas V. Floqi”. Më pas punoi si jurist në administratën shtetërore në Vlorë.

Lef Nosi (1873-1946)

Në nëntor 1912 ishte delegat i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Lef Nosi”. Në qeverinë e Ismail Qemalit, Lef Nosi caktohet në detyrën e ministrit. Anëtar i delegacionit shqiptar pranë Konferencës së Paqes në Paris. Në vitin 1945 u burgos dhe dënua me vdekje. U pushkatua në vitin 1946.

Nuri Sojliu (1870-1940)

Mbështeti Kongresin e Elbasanit dhe atë Manastirit, ku mbështeti alfabetin latin të gjuhës shqipe. Në nëntor të vitit 1912, u zgjodh delegat i Strugës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Nuri”.

Ferit Vokopola (1887-1967)

Teolog dhe ekonomist. Në nëntor të vitit 1912, u zgjodh delegat i Lushnjes në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “M. Ferit Vokopola”. Ferid Vokopola ishte përfaqësues i Beratit, në Parlamentin shqiptar nga viti 1923-1939. Ministër i Bujqësisë në kabinetin e Iljaz Vrionit (1927-1928).

Ymer Deliallisi (1873-1944)

Në nëntor të vitit 1912, u zgjodh delegat i Shijakut në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Ymer”. Në vitin 1920, përfaqëson nënprefekturën e Shijakut në Kongresin e Lushnjes, ku edhe zgjidhet senator.

Xhemal Deliallisi (1880-1941)

Në nëntor të vitit 1912, u zgjodh delegat i Shijakut në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Xhemmalyyddin bej”. Ngarkohet me detyra në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës dhe më pas në administratën e Princ Vidit.

Mustafa Merlika Kruja (1887-1958)

Si delegat i Krujës në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912, firmosi Aktin e Pavarësisë kombëtare, me siglën “Mustafa Asim Kruja” ku u zgjodh dhe anëtar i Pleqësisë. U caktua nënprefekt në Vlorë dhe më pas sekretar i parë i Qeverisë së I. Qemalit. Më 1919 ishte sekretar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Ishte deputet i Kosovës në zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1921. Pas ardhjes së komunizmit u detyrua të arratisej. Mustafa Kruja vdiq në SHBA më 27 dhjetor 1958, në moshën 71-vjeçare.

Abdi Toptani (1864-1942)

Në vitin 1902 organizoi kryengritjen e armatosur të malësorëve të Shëngjergjit e të Shupalit kundër administratës osmane. Në Kuvendin e Vlorës ai firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Abdi”. U zgjodh ministër i Financave në Qeverinë e parë shqiptare.

Veli Harçi (1850-1914)

Veli Harçi ishte veprimtar i klubit patriotik të qytetit, ai përfaqësoi Gjirokastrën në Kuvendin e Vlorës dhe firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Veli Harçi”.

Nebi Sefa (1861-1942)

Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1911 dhe 1912. Në nëntor të atij viti u zgjodh delegat i Lushnjes për në Kuvendin e Vlorës ku nënshkroi Aktin e Pavarësisë me siglën “Nebi Sefa Lushja”. Në vitet `20 përkrahu kursin politik të ndjekur prej forcave fanoliane.

Mit’hat Frashëri (1880-1949)

Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, më 1908 ku u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit të hartimit të alfabetit. Në Kuvendin e Vlorës, Frashëri ishte delegat i Elbasanit dhe firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Mid’hat Frashëri”. Në qeverinë e Ismail Qemalit zgjidhet ministër i Punëve të Përgjithshme. Në janar 1923 fillon detyrën e ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë, deri në dhjetor 1925. Më 1941 është një nga themeluesit e Organizatës Nacionaliste – Balli Kombëtar. U detyrua në nëntor 1944 të largohet nga Shqipëria bashkë me gjermanët. Vdiq në New York, SHBA, më 3 tetor 1949.

Zihni Abas Kanina Hamzaraj (1885-1957)

Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1911. Në Kuvendin e Vlorës, si delegat i Vlorës, firmosi në Aktin e Pavarësisë me siglën “Zihni Abbas Kanina”. U zgjodh drejtor i përgjithshëm në ministrinë e Punëve të Jashtme. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, Kanina u bë pjesë e Ballit Kombëtar, përkrah Mit’hat Frashërit. Në vitin 1951 u arrestua dhe u burgos. Vdiq, më 1957.

Qemal Karaosmani Elbasani (1875-1949)

Në nëntor 1912 u zgjodh delegat i Elbasanit në kuvendin e Vlorës dhe u caktua të shoqëronte Ismail Qemalin nga Durrësi për në Vlorë. Firmosi Aktin e Pavarësisë kombëtare, me siglën “Qemal Elbasani”. Mbështeti qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjes dhe për disa vite ishte asamblist.

Sali Gjuka (1876-1925)

Mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të viteve 1910-1912. Si përfaqësues nga Kosova dhe delegat i Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, mori pjesë në shpalljen e pavarësisë kombëtare dhe firmosi Aktin me siglën “Salih Gjuka”. U zgjodh këshilltar i Pleqësisë. Në janar 1913 filloi punën si drejtor i arsimit për qarkun e Beratit.

Dhimitër Berati (1888-1970)

Firmosi Aktin e Pavarësisë së 28 nëntorit 1912, nën siglën “D. Beratti”, si delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Berati u emërua sekretar i kryetarit të Qeverisë, anëtar i Pleqësisë si dhe u caktua drejtor i përgjithshëm në gazetën e qeverisë së Vlorës. Në Konferencën e Paqes më 1919 ishte delegat i shqiptarëve të Bukureshtit.

Dhimitër Mborja Emanoil (1884-1945)

Më 28 nëntor 1912, firmos Aktin e Pavarësisë me siglën “Dh Emmanuel” në emër të kolonisë së Bukureshtit. Në shkurt 1915 zgjidhet këshilltar pranë shoqërisë së “Komunitetit Ortodoks Shqiptar të Bukureshtit”. Më 1924 mbështet qeverinë e Nolit. Ishte kundër rregjimit komunist.

Dimitër Zografi (1878-1945)

U zgjodh delegat i kolonisë shqiptare të Bukureshtit për të marrë pjesë në Shpalljen e Pavarësisë. Më 28 nëntor 1912 firmosi vendimin e Pavarësisë me siglën “Dimitri Zografi”. Anëtar i Pleqësisë. Kundërshtoi vendimet e padrejta të Konferencës së Parisit në kurriz të popullit shqiptar dhe firmosi protesta drejtuar kryesisë së saj në qershor 1919.

Pandeli Cale (1879-1923)

Në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1910 – 1912 drejtoi çetat e zonës së Korçës. Merr pjesë në mbledhjen e Bukureshtit të 5 nëntorit 1912 dhe shoqëron Ismail Qemalin për në Shqipëri. Më 28 nëntor 1912, si delegat i Korçës, firmos Aktin e Pavarësisë me siglën “Pandeli Cale”. Zgjidhet anëtar i qeverisë së parë shqiptare. Merr pjesë aktive në lëvizjen patriotike që çoi në Kongresin e Lushnjes më 1920. Po atë vit ishte Prefekt i Korçës, ndërsa në shkurt 1921 deputet në të parin parlament shqiptar.

Bedri Pejani (1885-1946)

Delegat në Kongresin e Dytë të Manastirit (1910) dhe sekretar i Komitetit të Kosovës (1918-1924). Në nëntor 1912, mori pjesë si përfaqësues i Plavës, Gucisë, Gjakovës dhe Pejës në mbledhjen e Vlorës dhe firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Bedri Pejan”. Në vitin 1943 ishte nga nismëtarët për krijimin e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit” dhe deri në vitin 1944 kryetar i saj. Pas luftës u arrestua dhe vdiq sapo doli nga burgu, në 1946.

Qemal Mullaj (1881-1966)

Në nëntor 1912 mori pjesë në Kuvendin historik të Vlorës dhe firmosi Aktin e shpalljes së Pavarësisë me siglën “Qem. Mullaj”. Pas rënies së qeverisë së Vlorës dhe me nisjen e Luftës i Botërore u largua nga Shqipëria. U kthye në atdhe rreth vitit 1920, për t’u rimarrë përsëri me politikë. Deputet në parlamentin e parë shqiptar.

Dr. Myrteza Ali Struga (Dibra) (1876-1937)

Në nëntor të vitit 1912, Dr. Myrteza Ali Struga, së bashku me Zyhdi Ohrin dhe Nuri Sojliun u zgjodhën delegatë të Ohrit e Strugës për në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Dr. H. Myrteza Aliu”. Përsëri si përfaqësues i Ohrit e Strugës ishte delegat në Kongresin e Lushnjës më 1920.

Aristidh Ruci (1875-1950)

Merr pjesë në kryengritjen e përgjithshme më 1911. Ishte delegat i Vlorës në Kuvendin që shpalli pavarësinë dhe firmosi Aktin me siglën “A. Ruci”. U zgjodh anëtar i kryesisë së Bankës Kombëtare Shqiptare më 1937.

Zyhdi Ohri (1872-1938)

Në vitet 1898-1900 u përfshi në veprimtarinë e Lidhjes Shqiptare të Pejës. Në nëntor 1912, i zgjedhur nga Ohri si delegat, mori pjesë në Kuvendin e Vlorës dhe firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “Zuhdi Ohri”. Ishte pjesë e Senatit të dalë nga qeveria e Ismail Qemalit. Në janar 1920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës./ dita

Telegrami austriak, si u shpall pavarësia në Vlorë

Po ju paraqes origjinalin e një telegrami të shtypur në makinë shkrimi që mendoj se është dokumenti i pakontestueshëm se si u shpall pavarësia në Vlorë në orën 4 pasdite të datës 28 nëntor 1912. E kam nxjerrë nga arkivi i pasur i Vjenës, një thesar për historinë shqiptare.

Telegrami prej 7 faqesh është shkruar nga konsulli austriak në Vlorë, Wenzel Lejhanec, dhe i dërgohet ministrit të jashtëm austriak për t’i dhënë lajmin se Ismail Qemali e ka shpallur Shqipërinë të pavarur.

Është një dokument i njohur nga historianët dhe i përkthyer prej kohësh në shqip, por duke patur parasysh saktësinë me të cilën austriakët regjistronin dhe raportonin gjithçka ndodhte në Shqipëri, mendoj se ky telegram është nënvlerësuar për nga rëndësia. Aq sa vitet e fundit kanë qarkulluar legjenda sikur pavarësia ka qenë shpallur jo në Vlorë.

Në librin e tij me dokumente historike, Lef Nosi regjistron shpalljen e “pavarësive lokale”, duke filluar nga Tirana më 26 nëntor e në disa qytete të tjera, si Elbasani, Durrësi, Berati, Lushnja, Kavaja dhe Peqini, ngjarje që e elektrizuan atmosferën në favor të mëvetësisë.

Do të ishte naive që, nga telegramet në librin e Lef Nosit, të arrihej në përfundimin se pavarësia na qenka shpallur në Tiranë, Lushnje, Peqin, Durrës etj. Për ironi, vetë Lef Nosi, mbledhës i këtyre telegrameve, është njëri ndër ata që firmosën pavarësinë në Vlorë.

Duke lënë mënjanë shakatë, është vërtet për të ardhur keq që nuk kemi fotografi nga shpallja e pavarësisë në Vlorë. As edhe një. Prandaj telegrami që shihni këtu në formën e tij origjinale, na ndihmon të krijojmë një përfytyrim pak a shumë të saktë për këtë ngjarje, e cila padyshim meriton të quhet historike, shkruan Ballkan Web.

Ja disa pjesë nga telegrami:

“Kuvendi Kombëtar i jashtëzakonshëm u mblodh në orën 2 pasdreke, në shtëpinë e ish-kryetarit të bashkisë, Xhemil bej Vlora. Pas shqyrtimit e pranimit të mandateve të delegatëve, Kuvendi dëgjoi Ismail Qemal beun, i cili duke përshkruar shkurt situatën, theksoi nevojën e marrjes së një vendimi të shpejtë për ruajtjen e interesave të vendit.

Kuvendi vendosi njëzëri shpalljen e pavarësisë së të gjithë Shqipërisë dhe njoftimin pa humbur kohë të Fuqive të Mëdha dhe të shteteve ndërluftuese.

Njëkohësisht, Ismail Qemal beu u zgjodh kryetar i qeverisë së përkohshme dhe u ngarkua me formimin e kabinetit, përkatësisht të komitetit ekzekutiv.

Sipas propozimit të Veli Efendiut nga Gjirokastra, imzot Kaçorri, famullitar i Durrësi, i cili kryesonte Asamblenë Kombëtare në krah të Ismail Qemalit, u miratua me brohoritje si zëvendës i tij.

Më pas, aty afër orës 4 pasdreke, tek dera e shtëpisë së Xhemil beut, u ngrit flamuri kombëtar, një shkabë dy krenare e zezë, në një fushë të kuqe. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë iu njoftua popullit që priste jashtë, i cili e priti me gëzim dhe entuziazëm.

Pastaj një turmë njerëzish përshkoi rrugët e qytetit, duke kënduar dhe brohoritur. Njerëzit qëndruan përpara konsullatës sonë dhe shpërthyen në brohoritje të stuhishme duke thirrur “Rroft Shqypënija” “Rroft Austrija”, thirrje që u shoqëruan me duartrokitje.

Unë falënderova kolonën nga dritarja, duke tundur kapelën dhe thirrur “Rroft Shqypënija”.

Pastaj kolona marshoi para konsullatës italiane, ku u bënë manifestime të ngjashme. Edhe konsulli De Facendis u shfaq në dritare dhe falënderoi duke thirrur tri herë “E viva l’Albania”.

Para nënkonsullatës ruse nuk u bë asnjë manifestim. Flitet se u dëgjuan vetëm disa thirrje aty-këtu: “Rroftë drejtësia”.