Dhimbja është mësuesja më e mirë në jetë

Kur humbasim një person të dashur; kur i japim fund një lidhjeje në të cilën jemi përfshirë maksimalisht, arrijmë ta kuptojmë vërtet se fundi i diçkaje na ofron mundësi të pafundme për ta njohur, vlerësuar dhe respektuar veten tonë.

E keni dëgjuar ndonjëherë fjalinë: “Dhimbja është mësuesja më e mirë e jetës”? Sepse është plotësisht e vërtetë. Kur jemi në prani të dhimbjes së humbjes, të ndarjes, apo të fundit të diçkaje, jemi të detyruar të kërkojmë alternativa të reja në jetë për të mbijetuar.

Sipas studimeve, shumica e pacientëve kur kuptojnë se janë në prag të vdekjes, apo në fund të jetës së tyre, arrijnë të pendohen realisht se pse nuk kanë dashuruar më tepër, se pse nuk kanë kaluar më tepër kohë me të dashurit e tyre, apo se pse nuk kanë dhënë puthjet që duhet të jepnin; gjëra këto që lekët nuk i blejnë dot. Gjithë këto, përbëjnë atë që quhet Jetë!

Jetojmë duke mos e kuptuar se sa kohë kalon, sepse shqetësohemi shumë në kënaqjen e dëshirave tonë ekonomike, më tepër se në mbushjen e boshllëqeve shpirtërore që mund të kemi. Pëlqejmë diçka materiale, punojmë fort, bëjmë çdo punë të mundshme për të siguruar të ardhurat e nevojshme për ta blerë atë gjë.

Kur arrijmë ta blejmë, na mërzitet dhe kërkojmë diçka tjetër, shpesh herë akoma më të shtrenjtë. Kështu dëshirat zëvendësojnë njëra tjetrën, derisa një ditë kuptojmë se nuk janë dëshirat apo gjërat materiale që kërkojmë, ato që na bëjnë të lumtur.

Mirëpo në momentin që e kuptojmë këtë të vërtetë të madhe, shpesh të nxitur nga dhimbja që mund të ndiejmë prej ndonjë zhgënjimi, mund të jetë tepër vonë.

Dhimbja vërtet na jep mësimet më të mëdha, por ndonjëherë ato mësime na i jep me vonesë dhe pendesa nuk ka asnjë vlerë. Asgjë nuk mund të kthehet dot ashtu siç ishte më parë.

Por të paktën, ngushëllohemi me faktin se dhimbja na bën të kuptojmë shumë e të mësojmë shumë mbi jetën. Përmes saj ne mund ta shohim jetën me fytyrën e saj të vërtetë, edhe kur mund të jetë vonë.

Një shprehje tjetër popullore thotë se, më mirë është vonë, sesa kurrë. Ndaj, më mirë ta kuptojmë vlerën e gjërave vonë, se sa të mos e kuptojmë kurrë përgjatë jetës sonë. Dhe pavarësisht gjithçkaje që mund të kuptosh, unë të këshilloj të ecësh përpara në jetë. Gjithmonë!/bota.al / KultPlus.com

15 vite pas, qytetarët me lot në sy për vdekjen e Rugovës: Rugovën e kemi pas zot shtëpie dhe baba

Më 21 janar të vitit 2006 kishte ndërruar jetë Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, pasi kishte vuajtur për disa muaj nga sëmundja e kancerit që i kishte prekur mushkëritë.

Vdekja e Rugovës mbetet ndër humbjet më të mëdha që ka përjetuar populli i Kosovës, sepse një personalitet si Rugova vazhdon të jetë i pazëvendësueshëm për shumë njerëz.

Me 23 janar të 2006-tës, funerali me trupin e Presidentit Rugova ishte vendosur në hollin e Kuvendit të Kosovës, ku qytetarë të shumtë kishin mundësinë që t’i bënin nderime e t’i jepnin lamtumirën e fundit Rugovës.

Qindra mijëra qytetarë kanë qëndruar me orë të tëra në radhë për t’i bërë nderime Rugovës në hollin e Kuvendit, kjo edhe përkundër acarit të madh që kishte përfshirë Kosovën ato ditë.

Kamerat kishin intervistuar disa nga qytetarët, ku këta të fundit me lot në sy kanë folur para kamerave duke shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e Ibrahim Rugovës.

Një ndër qytetarët, duke ju dridhur zëri e me lot në sy shprehet: Ky është një moment mjaft i rëndë për qytetarët e Kosovës dhe shqiptarëve në tërësi sepse e humbën arkitektin e Pavarësisë së Kosovës. Ai është i pari që e nisi opsionin e pavarësisë dhe e mbrojti deri në vdekje.”

Një tjetër qytetarë, e shihte ish- presidentin sit ë pazëvendësueshëm: Ndihemi shumë të pikëlluar, është një humbje e madhe për gjithë popullin shqiptar, kudo që është. Vështirë është të zëvendësohet një president si Rugova.

Ndërsa, një i moshuar, teksa flet me plot dhimbje për këtë humbje, ai ndër të tjera shprehet: Rugovën e kemi pas zotë shtëpie dhe e kemi pas baba. Bota na ka njohur me të. Kosovën se ka njoft kush veç Brahimi na ka tfillue. Duhet natë e ditë me kajt për të se ky u konë baba jonë, na e ka dhon drejtësinë, e ka ditë çka kena hjek.

Këto deklarata po i përcjellim edhe përmes një video (nga min. 10:00) ku ndër të tjera shfaqen edhe pamje nga homazhet dhe varrimi i Rugovës.

Ceremonia e varrimit të Presidentit Rugova ishte bërë të enjten e 26 janarit.

Në ceremoninë e varrimit të Rugovës kanë marrë pjesë shumë delegacione botërore si, delegacioni i ShBA-së, delegacioni i Bashkimit Evropian, delegacioni nga zyra e UNOSEK-ut, delegacione nga Austria, Britani, Belgjika, Shqipëria, Gjermani, Spanja, France, Sllovenia, Kroacia, Maqedonia, Greqia dhe disa vende afrikane. / KultPlus.com