Qytetarët drejt Serbisë për vaksina, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se nuk janë përgjegjës

Derisa shumë qytetarë po marrin rrugën drejt Serbisë për t’u vaksinuar kundër COVID-19, për shkak që një gjë të tillë nuk po mund ta bëjnë në vend, nga Ministria e Shëndetësisë thonë se ata nuk janë përgjegjës për vaksinimin e qytetarëve në vendet tjera. Po kjo ministri kritikohet për mossigurimin e vaksinave të mjaftueshme, në mënyrë që të gjithë qytetarët të vaksinohen në vend, përcjell KultPlus.

 “Në mungesë të vaksinave kundër koronavirusit, qytetarët e Kosovës po detyrohen t’i drejtohen institucioneve shëndetësore të shtetit serb për tu vaksinuar. Sot, mora dozën e dytë të vaksinës Pfizer në Preshevë”, kështu është shprehur sot Arta Neziri-Nuhiu, asambliste në Kuvendin Komunal të Gjilanit nga radhët e AAK’së.

Ajo ka deklaruar se përveç se atje është vaksinuar thuajse e tërë popullsia, ata po mund të përzgjedhin edhe cilën vaksinë dëshiron ta marrësh.

Si Neziri-Nuhiu, Express ka mësuar se edhe shumë qytetarë tjerë po marrin rrugën për në Serbi, konkretisht në Rashkë e Novi Pazar, për t’u vaksinuar kundër COVID-19.

Për shkak që Qeveria e Kosovës e as Ministria e Shëndetësisë nuk kanë siguruar mjaftueshëm vaksina që edhe ata të vaksinohen, ata po vaksinohen në Serbi.

E kjo duket se nuk po e shqetëson Ministrinë e Shëndetësisë.

Nga kjo ministri kanë thënë se nuk janë përgjegjës për vaksinimin e qytetarëve në vendet tjera.

“MSh është përgjegjëse për vaksinimin e qytetarëve të saj në territorin e Republikës së Kosovës. MSh nuk është përgjegjëse për vaksinimin në vendet e tjera”, kanë thënë zëdhënës për media në këtë ministri për Express.

Nga MSH kanë deklaruar se fluksi i madh i të interesuarve sot për vaksinim në Prishtinë dhe vaksinimi i të moshuarve mbi 65 vjeç është lajm i mirë për qytetarët.

Sipas kësaj ministri, ky proces do të intensifikohet ditëve në vijim deri në arritjen e vaksinimit të 60 për qind të popullsisë.

“Fluksi i madh i të interesuarve sot për vaksinim në rajonin e Prishtinës dhe fillimi i vaksinimit me moshën 65 vjeç e lart është lajm i mirë për popullatën kosovare dhe në ditët në vijim ky proces do të intensifikohet deri në arritjen e objektivit për vaksinimin e 60% të popullatës”, është thënë nga MSH.

Ndërsa, Gazeta Express ka marrë vesh nga burime të veta se qytetarët po përdorin dokumente të vjetra, ato të Jugosllavisë për t’u vaksinuar kundër COVID-19 në Serbi. E këtë po e bëjnë pa asnjë problem.

Derisa Ministria e Shëndetësisë nuk po siguron vaksina për të gjithë qytetarët, deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë fajësuar atë për vaksinimin e qytetarëve në Serbi.

Kujtojmë që qytetarë të shumtë nga Kosova, që nga fillimi i këtij viti kanë marrë rrugën për në Serbi për t’u vaksinuar kundër virusit COVID-19.

Disa prej tyre tashmë kanë filluar ta marrin edhe dozën e dytë atje./gazetaexpress/ KultPlus.com

Prishtina dyndet nga qytetarët, nuk respektojnë masat Anticovid

Masat e reja të prezantuara nga Qeveria në javën e kaluar ka bërë që të mbyllen kafenetë dhe restorantet.

Në këtë mënyrë qytetarët është dashur të gjejnë një mënyrë tjetër që të pinë kafetë dhe të bisedojnë me njëri tjetrin. Një foto e qytetarëve të shumtë në Lagjen Dardania në Prishtinë ku shihet se qytetarët nuk po respektojnë masat Anticovid, ka filluar të qarkullojë në rrjete sociale.

Siç shihet në këtë foto, qytetarët pinë kafe e bisedojnë në mbrëmje, në pllatonë e kurrizit, lagjja “Dardania” – Prishtinë.

Vërehet grumbull njerëzish të cilët marrin kafetë me vete nga kafenetë. / KultPlus.com

15 vite pas, qytetarët me lot në sy për vdekjen e Rugovës: Rugovën e kemi pas zot shtëpie dhe baba

Më 21 janar të vitit 2006 kishte ndërruar jetë Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, pasi kishte vuajtur për disa muaj nga sëmundja e kancerit që i kishte prekur mushkëritë.

Vdekja e Rugovës mbetet ndër humbjet më të mëdha që ka përjetuar populli i Kosovës, sepse një personalitet si Rugova vazhdon të jetë i pazëvendësueshëm për shumë njerëz.

Me 23 janar të 2006-tës, funerali me trupin e Presidentit Rugova ishte vendosur në hollin e Kuvendit të Kosovës, ku qytetarë të shumtë kishin mundësinë që t’i bënin nderime e t’i jepnin lamtumirën e fundit Rugovës.

Qindra mijëra qytetarë kanë qëndruar me orë të tëra në radhë për t’i bërë nderime Rugovës në hollin e Kuvendit, kjo edhe përkundër acarit të madh që kishte përfshirë Kosovën ato ditë.

Kamerat kishin intervistuar disa nga qytetarët, ku këta të fundit me lot në sy kanë folur para kamerave duke shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e Ibrahim Rugovës.

Një ndër qytetarët, duke ju dridhur zëri e me lot në sy shprehet: Ky është një moment mjaft i rëndë për qytetarët e Kosovës dhe shqiptarëve në tërësi sepse e humbën arkitektin e Pavarësisë së Kosovës. Ai është i pari që e nisi opsionin e pavarësisë dhe e mbrojti deri në vdekje.”

Një tjetër qytetarë, e shihte ish- presidentin sit ë pazëvendësueshëm: Ndihemi shumë të pikëlluar, është një humbje e madhe për gjithë popullin shqiptar, kudo që është. Vështirë është të zëvendësohet një president si Rugova.

Ndërsa, një i moshuar, teksa flet me plot dhimbje për këtë humbje, ai ndër të tjera shprehet: Rugovën e kemi pas zotë shtëpie dhe e kemi pas baba. Bota na ka njohur me të. Kosovën se ka njoft kush veç Brahimi na ka tfillue. Duhet natë e ditë me kajt për të se ky u konë baba jonë, na e ka dhon drejtësinë, e ka ditë çka kena hjek.

Këto deklarata po i përcjellim edhe përmes një video (nga min. 10:00) ku ndër të tjera shfaqen edhe pamje nga homazhet dhe varrimi i Rugovës.

Ceremonia e varrimit të Presidentit Rugova ishte bërë të enjten e 26 janarit.

Në ceremoninë e varrimit të Rugovës kanë marrë pjesë shumë delegacione botërore si, delegacioni i ShBA-së, delegacioni i Bashkimit Evropian, delegacioni nga zyra e UNOSEK-ut, delegacione nga Austria, Britani, Belgjika, Shqipëria, Gjermani, Spanja, France, Sllovenia, Kroacia, Maqedonia, Greqia dhe disa vende afrikane. / KultPlus.com

Policia kthen qytetarët që mësynë xhamitë për falje të Kurban Bajramit

Me vendim të Qeverisë së Kosovës dhe Bashkësisë Islame të Kosovës, sot nuk është falur Kurban Bajrami.

Vendimi është marrë si masë për mospërhapjen e mëtutjeshme të pandemisë COVID-19.

Por disa qytetarë mësynë xhamitë të premten në mëngjes, ku u pritën nga Policia dhe u kthyen pas. / KultPlus.com

Qytetarët me aksion simbolik shfaqin pakënaqësitë për izolim

‘’Kosova s’mund të marrë frymë’’, ‘’Jo racizmit’’ e ‘’Po Kosovës’’ ishin disa prej thirrjeve që një grup i vogël qytetarësh i shpalosi gjatë të premtes para dyerve të Zyrës së BE-së në Prishtinë.

Përmes simbolikës së gjunjëzimit përfaqësuesi i këtij grupi, Ndriqim Çekaj, tha se qëllimi i kryesor i tyre është që të tregojnë se Kosovës po i bëhet padrejtësi.

Ndërkohë theks të veçantë, sipas tij, duhet t’u vihet premtimeve të shumta që përfaqësues evropianë kanë dhënë për liberalizimin e vizave në takimet me politikanët kosovarë, raporton KOHA.

Ai ka thënë se BE-ja ia ka mbyllur padrejtësisht dyert një vendi si Kosova, derisa shprehet se po bëhet pak edhe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai e ka quajtur racizëm diskriminimin që po u bëhet kosovarëve, por ka shtuar se faj jo të vogël kanë edhe institucionet vendore.

Ky grup nuk e ka përjashtuar mundësinë e aksioneve të ngjashme simbolike para dyerve të ambasadave që veprojnë në Kosovë. Koha.net / KultPlus.com