Në Londër protestohet kundër dhunës ndaj grave

Pavarësisht kufizimeve për shkak të pandemisë së Coronavirusit të ri (COVID-19), në Londër u organizuan protesta kundër dhunës ndaj grave, transmeton KultPlus.

Rreth 200 protestues, kryesisht gra, u mblodhën në Sheshin “Trafalgar” dhe kërkuan ndëshkime më të rrepta nga autoritetet për dhunën ndaj grave, raporton Anadolu Agency (AA).

U organizua një marsh protestues ku pjesëmarrësit mbanin pankarta me mbishkrime të ndryshme.

Megjithëse në Britani është ndaluar tubimi i më shumë se 6 personave, policia nuk ndërhyri ndaj protestës. / KultPlus.com

Reklama e kompanisë ‘Candeo’ konsiderohet si nxitëse e dhunës ndaj gruas, kërkohet raportimi i saj

“Disa sende zgjasin më shumë se lidhja jote”…. është fraza më të cilën përmbyllet video reklama e kompanisë së mobileve “Candeo” e cila shfaq edhe skena dhune, shkruan KultPlus.

Një grua e cila goditet nga burri me mjete të forta, këputja e kokës së gruas dhe gjuajtja e saj afër derës, janë skenat që e përbëjnë këtë reklamë e cila ka nxitur reagime të shumta të qytetarëve të cilët e kanë konsideruar përmbajtjen e kësaj reklame si nxitëse të dhunës ndaj gruas.

Madje është kërkuar edhe raportimi i kësaj reklame.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Merita Salihu ka thënë se reklama është e dëmshme për shoqërinë, kurse paraqitjen e kësaj reklame në Radio Televizionin e Kosovës e ka konsideruar jo profesionale.

“Kjo reklamë prezanton dhunë të skajshme. D.m.th., biznesi e zhvillon reklamën me skenarë të dëmshme për shoqërinë; Radio Televizioni i Kosovës ua servon taksapaguesve të vet po atë reklamë të dëmshme, pa kurrfarë filtri, analize, kontrolli e profesionalizmi”, ka shkruar ajo në Facebook.

Mirëpo Salihu nuk është e vetmja që përmbajtjen e kësaj reklame e ka konsideruar të dëmshme dhe jo profesionale. Shqetësimet e saja i ka shprehur edhe Donika Emini ku pamjet që sipas saj tregojnë që pas tradhtisë burri ia heq gruas kokën vetëm sa nxisin dhe shfaqin mendësinë “e prishtë” në vendin tonë. / KultPlus.com

Për më tepër vlerësojeni vetë reklamën:

https://www.facebook.com/watch/?v=1663947803752632

Dhuna ndaj gruas shfaqja e radhës e Trupës së Baletit të Kosovës

Në Ditën Ndërkombëtare të Dhunës ndaj Gruas, Baleti Kombëtar i Kosovës në bashkëpunim me UN Women do të sjellë premierën e shfaqjes “Një ditë”, nën koreografinë e koreografes Christie Coleman.

Kjo shfaqje paraqet ngjarjet e përditshmërisë kosovare në raport me trajtimin ndaj gruas. Ahmet Brahimaj, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës ka thënë për KultPlus, se projekti është ofruar nga UN Women.

“Edhe pse kemi dhënë gjashtë premiera për këtë vit, e kemi pranuar këtë projekt për shkak se kemi dashur edhe ne të japim kontributin tonë kur bëhet fjalë për dhunën në familje”, tha Brahimaj.

Premiera do të shfaqet në Teatrin Kombëtar të Kosovës më 25 nëntor ndërsa në këtë shfaqje do të luajnë gjithsej tetë balerinë, në përbërje të katër çifteve.

Pas prezantimit se kësaj shfaqje në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ajo do të vazhdoj të shfaqet edhe në pesë qytete të tjera të Kosovës duke përfshirë Pejën, Gjakovën dhe Gjilanin./ KultPlus.com