Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon që Arben Ahmeti të mos shfaqet në TV, pasi u arrestua për dhunë ndaj gruas

Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar pas arrestimit të gazetarit Arben Ahmeti pas dyshohet se ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij, përcjell KultPlus.

Në një njoftim për media, Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon nga institucionet që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ndaj Ahmetit, duke i caktuar masë të sigurisë.

“Sot përmes mediave u njoftuam për një rast të dhunës në familje nga një person publik dhe gazetar në mediumet tona. Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes këtij reagimi kërkon që institucionet të ndërmarrin veprimet e nevojshme që dhunuesit të ndalohen dhe ndaj tyre të caktohen masat e sigurisë, me qëllim që të njëjtëve t’iu ndalohet përsëritja e dhunës në familje dhe RrGK kërkon dënim meritor sipas legjislacionit që aktualisht kemi në fuqi”, thuhet në reagimin e tyre.

Gjithashtu nga RrGK kërkojnë që Ahmeti të shkarkohet nga të gjitha pozitat udhëheqëse dhe prezenca e tij në media të penalizohet, duke mos qenë i pranishëm në debate televizive.

“Gjithashtu, përmes këtij reagimi RrGK kërkon që gazetari Arben Ahmeti të shkarkohet nga të gjitha pozitat udhëheqëse dhe prezenca e tij në media të penalizohet dhe të mos jetë i pranishëm në debate televizive. Prezenca e tij në media dhe paraqitja e tij publike janë të rrezikshme pasi që përmes tyre mund të promovojë dhunën dhe potencialisht edhe ta normalizojë atë”, thuhet tutje në njoftim.

“Madje, personat publikë të cilët janë dhunues vetëm se bëjnë thirrje që dhuna të rritet dhe gratë të trajtohen si objekte. RrGK kërkon që rastet e tilla të trajtohen me seriozitetin më të madh nga institucionet tona dhe dhunuesit të vuajnë dënimin meritor. Përmes këtij reagimi, ftojmë mediat që të raportojnë për rastin me saktësi të plotë duke mos e kursyer për hir të “miqësisë” që kanë me gazetarin Arben Ahmeti.”

Po ashtu, bëjnë thirrja që viktima të marrë ndihmën e duhur dhe të nevojshme, dhe se siç thonë “RrGK do të monitorojë reagimin e institucioneve ndaj këtij rasti”. / KultPlus.com

RrGK-ja reagon ashpër: Shqetësuese, aktgjykimi për shfajësim të të akuzuarit për keqpërdorim seksual me persona nën moshën 16 vjeç

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) thonë se me shqetësim kanë pranuar lirimin e të akuzuarve për abuzim seksual të personave nën moshën 16 vjeçare, përcjell KultPlus.

Ata kanë reaguar, duke thënë se në aktgjykimin e pranuar, i akuzuari lirohet nga aktakuza, me arsyetimin që “në mungesë të provave” nuk është provuar fajësia e të pandehurit.

“Me shqetësim të madh, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) së fundmi ka pranuar Aktgjykimin për shfajësim të të akuzuarit për keqpërdorim seksual me persona nën moshën 16 vjeç. Rasti në fjalë, fillon të trajtohet nga organet e drejtësisë pas gjashtë vitesh raportim dhe pas katër vite gjykim. Në aktgjykimin e pranuar, i akuzuari lirohet nga aktakuza, me arsyetimin që ‘në mungesë të provave’ nuk është provuar fajësia e të pandehurit”, thuhet në reagim.

Tutje në reagim thuhet se e mitura, atë kohë 9 vjeçare, në vitin 2012, me ndihmën e nënës së saj, raportoi rastin e abuzimit ndër vite nga njerku i saj.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka pranuar Kallëzimin Penal në 27.07.2012, vetëm për të zhagitur rastin, për të ritraumatizuar të miturën e abuzimit, duke e marrë deklaratën e saj të përsëritur disa herë, deri në vitin 2022 – ku merret vendimi sipas së cilit gjykata dhe prokuroria nuk kanë arritur të vërtetojnë fajësinë e të pandehurit, duke dhënë vazhdimisht arsyetimet, të cilat RrGK për hir të shpalosjes së mendësisë patriarkale të ngujuar thellë në sistemin gjyqësor në Kosovë ka vendosur t’i citojë si në vijim: ‘Konteksti në të cilin është raportuar rasti i abuzimit, nga nëna e së miturës, është i diskutueshëm’ “, thuhet në reagimin e RrGK-së.

RrGK shtont tutje se gjykata e thotë një gjë të tillë, duke aluduar që nëna e së miturës e ka raportuar rastin e abuzimit të vajzës, vetëm pasi që e ka vërejtur se “bashkëjetesa e saj me të pandehurin po shkon drejt një fundi të pariparueshëm”.

Siç thuhet në reagim, duke ju referuar si fund i pariparueshëm dhunës konstante fizike të cilën e ka ushtruar i pandehuri mbi nënën e së miturës.

“Në këtë mënyrë, përkundër që gjykata pranon se dhuna konstante fizike ka qenë e përsëritur, në të njëjtën kohë, gjykata konstaton se: ‘Gjykata ka parasysh që në raste të tilla kur ndodh sulm apo ngacmim seksual, apo keqpërdorim seksual brenda anëtarëve të familjes, sidomos siç është rasti këtu kur mungon vullneti i njërës palë, është e pritshme që të vërehet ndryshim në sjellje dhe raporte të çrregulluara mes familjarëve të familjes që pretendohet të jenë të përfshirë’ “.

Tutje, sipas RrGK-së përpos që gjykata e konsideron “raport të çrregulluar” dhe “mungesë të vullnetit të njërës palë” abuzimin seksual me të miturën, e njëjta po ashtu ngre pyetjen tendencioze, dhe tejet shqetësuese.

“Nëse raportet mes të dëmtuarës – dëshmitares (nënës së vajzës) dhe të pandehurit, nuk do të ishin përkeqësuar, a do të raportonte e njëjta rastin e keqpërdorimit seksual të vajzës së saj?” Me këtë pyetje, gjykata fajëson dëshmitaren për mos-raportim, dhe njëherit, ngre pyetje të cilat janë komplet subjektive, dhe nuk ndërlidhen me rastin, i cili është, abuzim seksual ndaj të miturës 9 vjeçare, që nga viti 2005 (kur e mitura kishte 8 vjeç) e deri në vitin 2011”.

Lexoni të plotë reagimin e Rrjetit të Grave të Kosovës: 

Me shqetësim të madh, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) së fundmi ka pranuar Aktgjykimin për shfajësim të të akuzuarit për keqpërdorim seksual me persona nën moshën 16 vjeç. Rasti në fjalë, fillon të trajtohet nga organet e drejtësisë pas gjashtë vitesh raportim dhe pas katër vite gjykim. Në aktgjykimin e pranuar, i akuzuari lirohet nga aktakuza, me arsyetimin që “në mungesë të provave” nuk është provuar fajësia e të pandehurit.

E mitura, atë kohë 9 vjeçare, në vitin 2012, me ndihmën e nënës së saj, raporton rastin e abuzimit ndër vite nga njerku i saj. Prokuroria Themelore në Prishtinë, pranon Kallëzimin Penal në 27.07.2012, vetëm për të zhagitur rastin, për të ritraumatizuar të miturën e abuzimit, duke e marrë deklaratën e saj të përsëritur disa herë, deri në vitin 2022 – ku merret vendimi sipas së cilit gjykata dhe prokuroria nuk kanë arritur të vërtetojnë fajësinë e të pandehurit, duke dhënë vazhdimisht arsyetimet, të cilat RrGK për hir të shpalosjes së mendësisë patriarkale të ngujuar thellë në sistemin gjyqësor në Kosovë ka vendosur t’i citojë si në vijim:

“Konteksti në të cilin është raportuar rasti i abuzimit, nga nëna e së miturës, është i diskutueshëm”.

Gjykata e thotë një gjë të tillë, duke aluduar që nëna e së miturës e ka raportuar rastin e abuzimit të vajzës, vetëm pasi që e ka vërejtur se “bashkëjetesa e saj me të pandehurin po shkon drejt një fundi të pariparueshëm” – duke ju referuar si fund i pariparueshëm dhunës konstante fizike të cilën e ka ushtruar i pandehuri mbi nënën e së miturës.

Në këtë mënyrë, përkundër që gjykata pranon se dhuna konstante fizike ka qenë e përsëritur, në të njëjtën kohë, gjykata konstaton se:

“Gjykata ka parasysh që në raste të tilla kur ndodh sulm apo ngacmim seksual, apo keqpërdorim seksual brenda anëtarëve të familjes, sidomos siç është rasti këtu kur mungon vullneti i njërës palë, është e pritshme që të vërehet ndryshim në sjellje dhe raporte të çrregulluara mes familjarëve të familjes që pretendohet të jenë të përfshirë”

Tutje, përpos që në paragrafin më lart, gjykata e konsideron “raport të çrregulluar” dhe “mungesë të vullnetit të njërës palë” abuzimin seksual me të miturën, e njëjta po ashtu ngre pyetjen tendencioze, dhe tejet shqetësuese:

“Nëse raportet mes të dëmtuarës – dëshmitares (nënës së vajzës) dhe të pandehurit, nuk do të ishin përkeqësuar, a do të raportonte e njëjta rastin e keqpërdorimit seksual të vajzës së saj?” Me këtë pyetje, gjykata fajëson dëshmitaren për mos-raportim, dhe njëherit, ngre pyetje të cilat janë komplet subjektive, dhe nuk ndërlidhen me rastin, i cili është, abuzim seksual ndaj të miturës 9 vjeçare, që nga viti 2005 (kur e mitura kishte 8 vjeç) e deri në vitin 2011.

Tutje po i citojmë edhe disa nga arsyetimet tjera skandaloze të gjykatës, përkatësisht, Departamentit për të Mitur, në lidhje me shfajësimin e të pandehurit:

Duke iu referuar faktit që e dëmtuara e mitur, vazhdimisht ka dhënë detaje të reja, dhe data gjatë të cilave është abuzuar, gjykata thekson:

“Ky ndryshim në deklarim me kalimin e kohës, duke përfshirë edhe raste të tjera të cilat nuk ishin treguar më herët, në vlerësimin e gjykatës, shpërfaq një tendencë të dëmtuarës së mitur së pari për DRAMATIZIM të situatës dhe paraqitje të pandehurit si veçanërisht abuzues në raport me fëmijët.”

Gjykata e konsideron se një e mitur, e cila në kohën kur raporton rastin kishte 11 vjeç, është në gjendje të krijojë skenare të abuzimit seksual, madje në detaje, (për arsye se gjykata i liston rastet të cilat i ka shpjeguar e mitura, tejet qartë dhe rrjedhshëm).

Sidoqoftë, e konsideron se fajësia e të pandehurit është e diskutueshme, për arsye se “është krejtësisht e pabesueshme që e dëmtuara e mitur, po qe se të ekzistonte sulmi seksual i cili pretendohet, të mos ta kishte shprehur atë apo të vërehej nga persona të tjerë, përfshirë nga nëna e saj” dhe përkundër faktit që ekzistojnë provat materiale për dhunën konstante fizike të cilën e ka shkaktuar i pandehuri ndaj nënës së të miturës.

Shkeljet ligjore në këtë vendim janë të shumta duke filluar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës e cila nuk e ka kualifikuar veprën penale në pajtim me nenin 198 paragrafin 2, lidhur me paragrafin 5 pikën 7 të Kodit të Përkohshëm Penal, pasi që i dyshuari ishte njerku i saj, por kualifikimi është bërë vetëm me paragrafin 2 të KPK-së, e që ka qenë rrethanë lehtësuese për të akuzuarin.

Tutje, Gjykata Themelore e Prishtinës e liron të dyshuarin, me arsyetimin kinse “në mungesë të provave” kur në të njëjtën gjykatë janë paraqitur prova të shumta dhe gjykata ka refuzuar procedimin dhe ekzaminim të tyre, përfshirë provat si në vijim:

  1. a) Letrën e shkruar nga e dëmtuara, në të cilën e njëjta rrëfen për gjendjen e rëndë emocionale dhe fizike, si pasojë e abuzimit ndër vite, dhe e cila është konfirmuar të jetë e shkruar nga vajza e mitur, nga Agjencioni i Forenzikës;
  2. b) Dëshmitë e përreth katër personave të përfshirë, përfshirë zyrtarë policorë;
  3. c) SMS kërcënues për tërheqjen e raportimit të rastit, i drejtuar ndaj nënës së të dëmtuarës, i dërguar nga i pandehuri;
  4. d) Raportet mjekësore të së dëmtuarës, të cilat kanë vërtetuar gjendjen e rëndë të së miturës;

Gjykata pa treguar arsyet, ka refuzuar nxjerrjen e ekspertizës mjeko ligjore, edhe pse ka ekzistuar një kërkesë nga ana e Prokurorisë dhe nga përfaqësuesi i palës së dëmtuar për nxjerrjen e kësaj ekspertize e cila do të kishte me qenë prova kryesore e rastit.

Sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore, në mbi 70% të rasteve të dhunimeve seksuale viktima janë vajzat e mitura. Përkundër kësaj, ne çdo ditë po dëshmojmë dështimin institucional, dhe tutje, tendencën për fajësimin e viktimave, të cilat nën rrethana tejet të kufizuara, po zgjedhin të raportojnë rastet, pikërisht tek institucionet të cilat po i neglizhojnë ato.

Duke e pasur parasysh këtë, RrGK mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 038 245 850.  /KultPlus.com

Rrjeti i Grave të Kosovës organizon ekspozitën ‘Dhuna nuk fshehet brenda mureve’

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) njofton se nesër, më 24 qershor nga ora 10:00-16:00 te Hekurudha në Fushë Kosovë organizon hapjen e ekspozitës “Dhuna nuk fshehet brenda mureve”.

Kjo ekspozitë ka për qëllim të ngrisë vetëdijen e qytetarëve të Republikës së Kosovës në lidhje me dhunën në familje dhe për t’i njoftuar ata për së afërmi me përgjegjësitë që institucione të ndryshme qeveritare dhe jo-qeveritare kanë ndaj tyre, për mbrojtje nga dhuna në familje.

Dhuna në shumë familje kosovare është përditshmëri tejet e hidhur. Mjerisht, në shoqërinë tonë personat që përjetojnë dhunë në familje akoma fshehen brenda mureve të shtëpisë. Kur njerëzit dëgjojnë dhunën te fqinjët, thonë “Çka bojnë ata mrena shpisë tyne, osht’ punë për ta”. Vetëm gjatë vitit 2021 kemi pasur 2489 raste të dhunës ndaj grave të raportuara në policinë e Kosovës. Gjithashtu që nga viti 2010 deri në vitin 2022 janë 48 gra të vrara nga burrat. Prandaj, është tejet e rëndësishme që kjo ekspozitë të organizohet dhe të njoftohen qytetarët për përgjegjësitë që institucionet kanë ndaj tyre.

Kjo ekspozitë përkrahet nga Bashkimi Evropian (BE) përmes UN Women (Women#EVAW) dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA)./ KultPlus.com

Ngacmimet seksuale në vendin e punës, RrGK inkurajon të gjithë personat e ngacmuar që ti denoncojnë rastet

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) në partneritet me Agjencinë për Barazi Gjinore (ABGj) dhe me Avokatin e Popullit, fillojnë fushatën online kundër ngacmimeve seksuale në vendin e punës. 

Kjo fushatë po bëhet me qëllim të informimit të qytetarëve rreth formave të ngacmimit seksual në vendin e punës, ligjeve që dënojnë atë, si dhe  shembujve të ngacmimit seksual në vendin e punës, të nxjerrë nga hulumtimi i RrGK-së “Diskriminimi me bazë gjinore dhe punësimi në Kosovë”. 

Nga të gjeturat e këtij hulumtimi,  shumica e të anketuarve nuk kishin njohuri nëse ngacmimi seksual në hapësira të punës dënohet me ligj dhe cilat janë format e ngacmimit seksual. 

Kodi Penal i Republikës së Kosovës dënon me burgim deri në tri (3) vite çdo person i cili ngacmon seksualisht personin tjetër apo përdor cilëndo formë të sjelljes së padëshiruar verbale, joverbale ose fizike të natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit apo që cenon dinjitetin e personit, dhe krijon një mjedis i cili është objektivisht frikësues, armiqësor, degradues ose poshtërues. 

Përveç Kosovës, fushata e njejtë do të zhvillohet edhe në pesë vende të tjera të Ballkanit Perëndimor të cilat janë partnere të RrGK-së në këtë nismë: Shqipëri, Mali të Zi, Maqedoni, Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe Serbi si dhe pritet të zgjasë 11 ditë (18-30 tetor). 

RrGK inkurajon të gjithë personat e ngacmuar seksualisht në vendet e tyre të punës që të raportojnë ngacmimin seksual në Inspektoriatin e Punës (0800 7 75 77) dhe në Policinë e Kosovës (0800 1999). 

Strategjia e RrGK-së për Fuqizimin Ekonomik të Grave e hartuar për vitet 2019-2022, bën thirrje për përmirësimin e kushteve për pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore. Gjithashtu, RrGK beson në krijimin e mjediseve të dinjitetshme të punës dhe mjediseve pranuese për të gjitha grupet e shoqërisë. 

Kjo fushatë realizohet si pjesë e nismës “Luftimi i diskriminimit, përmirësimi i të drejtave të grave në punë”, si dhe mbështetet nga Komisioni Evropian dhe bashkëfinancohet nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (Sida)./ KultPlus.com

RrGK reagon për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, kërkohet dënimi maksimal i fajtorëve

Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar në lidhje me vrasjen e vajzës 18-vjeçare në Ferizaj, duke kërkuar kështu dënimin maksimal të fajtorëve.

Nga ky rrjet thanë se ky rast tregon mangësitë institucionale në trajtimin me seriozitet të vrasjeve ndaj grave.

“Ky rast, na shpërfaq edhe një herë mangësitë institucionale në trajtimin me seriozitet të vrasjeve ndaj grave dhe të femicidit. Vrasja e kësaj vajze assesi nuk është rast i izoluar e as ndodhi rastësore – kjo vajzë vdiq në një vend në të cilin çdo vrasje e grave shoqërohet me heshtje institucionale, me zvarritje të hetimeve, dhe me dënime të ulëta për vrasësit e grave.Si për secilën vrasje të grave nga burrat këtu kemi një zinxhir fajtorësh brenda institucioneve.Si ka mundësi që në një institucion shëndetësor të lihet trupi i pa jetë i një gruaje, pa kurfar llogaridhënie?”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje në këtë reagim thuhet se spitalet e kanë obligim që në të gjitha rastet ku ka shenja të dhunës të lajmërojnë institucionet e sigurisë, e të sigurohen që ushtruesit e dhunës të mos ikin.

Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon që hetimi i vrasjes së 18-vjeçares të jetë prioritet për organet e hetuesisë, si dhe fajtorët të marrin dënimin maksimal

“RrGK do ta përcjell rastin nga afër dhe do të kërkojë vënien e drejtësisë në vend.RrGK nuk do të ndalet derisa vrasjet e vajzave dhe grave të mos trajtohet vetëm si lajm ditor apo si çështje private”, thuhet në reagim.

Tutje, nga ky rrjet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë në gjetjen e të dyshuarit të dytë./KultPlus.com

Rrjeti i Grave të Kosovës: 80% e viktimave të ngacmimeve seskuale janë gra, 70% të kryersve janë burra

Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka publikuar raportin ‘Ngacmimet seksuale në administratën publike në Kosovë: Porblem i dukshëm për viktimat, i padukshëm për sistemin’, shkruan KultPlus.

Sipas të gjeturave në këtë hulumtim nga përgjigjiet e respodentëve tregohet një tendencë e fajësimit të viktimave për ngacmime seksuale.

“Vetë femra me veshjen e saj apo me mënyrën e sjelljes provokuese e provokon mashkullin. Shumica e mashkujve pa shkas nuk i hyjnë ngacmimit. Një numër i femrave janë vetë fajtore, apo e kanë një pjesë të fajita”, është një nga përgjigjet e bëra nga një shërbyes civili, burrë i moshës 64 vjeçare, në hulumtimin e QKSGJ-së.

Por, përgjigje të tilla nuk kanë dhënë vetëm burrat, një deklarim po kaq i njejtë është dhënë edhe nga disa gra.

 “Starti janë veshjet provokative, si sociologe po them”, është përgjigjia e një gruaje 34 vjeçare, shërbyese civile e cila ka qenë pjesë e hulumimit.

Tutje të dhënat në këtë hulumtim tregojnë se 9% e personave të përfshirë në hulumtim kanë përjetuar ngacmim seksual më shumë se tre herë, kurse 7.6% e pjesmarrësve të këtij hulumtimi kanë deklaruar se vetëm një herë kanë qenë pre e ngacimeve seksuale.

Gjithashtu të gjeturat e këtij hulumtimi theksojnë se 80% e viktimave të ngacmimeve seksuale janë gra, kurse 70% të kryersve janë burra.

Në hulumtimin ‘Ngacmimet seksuale në administratën publike në Kosovë: Porblem i dukshëm për viktimat, i padukshëm për sistemin’, theksohet se punëtorët në administratën publike në Kosovë nuk kanë njohuri rreth ligjeve dhe rregulloreve ekzistuese në vend që adresojnë ngacmimin seksual, se punëtorët publik nuk kanë njohuri rreth rregulloreve në fuqi që adresojnë dhe trajtojnë ngacmimin seksual.

Gjithashtu një nga të gjeturat e këtij hulumtimi është edhe fakti se zyrtarët publik edhe pse pajtohen se ngacmimi seksual është fenomen mjaft i shprehur në shoqëri, një problem të tillë nuk mendojnë se reflekohet edhe në administratën publike. Shumica e zyrtarëve publik të intervistuar deklaruan se nuk kanë përjetuar dhe nuk kanë parë apo dëgjuar për raste të ngacmimit seksual në institucionet gjegjëse ku ata punojnë./ KultPlus.com

http://kgscenter.net/site/assets/files/1778/ngacmimet_seksuale_ne_administrate_n_publike.pdf?fbclid=IwAR0-MrZPIc7QXXzERXV9jkvO6bPQ5CBsZXJkDSfBA8Xzn75ktsyhA_KKnv4

RrGK i bashkohet thirrjes për tërheqjen e Çmimit Nobel për Handke

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes kësaj letre u bashkohet zërave vendorë dhe atyre ndërkombëtarë duke dënuar ashpër ndarjen e Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2019 për shkrimtarin austriak, Peter Handke.

Handke, i njohur si përkrahës i regjimit të Sllobodan Millosheviqit, haptasi mohoi masakrat që ndodhën ne Ballkan, duke u deklaruar edhe kundër bombardimeve të NATO-s në Kosovë. Ai publikisht sygjeroi se myslimanët e Sarajevës masakruan vetveten, si dhe mori pjesë në varrimin e kriminelit të luftës, Millosheviq.

RrGK sjell ndër mend se gjatë regjimit të Millosheviqit në Kosovë janë dhunuar seksualisht 20 mijë persona, si dhe sot 20 vjet pas përfundimit të luftës, mbi 1600 persona janë akoma të zhdukur. Duke kujtuar aktivizmin dhe përpjekjet që RrGK ka bërë për më shumë se dy dekada në emër të kërkimit të barazisë, lirisë dhe vlerave demokratike, RrGK konsideron se ndarja e këtij çmimi për Handke është fyerje e madhe për secilën viktimë të shovinizmit serb.

Kritika ndaj këtij vendimi të Akademisë Suedeze merr fuqi edhe më të madhe kur kujtojmë skandalin me abuzime seksuale që ndodhi vitin e kaluar në këtë institucion, si dhe kur përmendim se në 120 vite punë laureate të çmimit Nobel janë vetëm 15 gra.

Në shenjë solidariteti me të gjithë botën që lufton për liri dhe barazi si vlera thelbësore demokratike, RrGK kërkon tërheqjen e këtij vendimi të Akademisë Suedeze.

Gjithashtu, KultPlus dje ka organizuar peticion për tërheqjen e çmimit “Nobel” për Peter Handke. Të gjithë ata që dëshirojnë t’i bashkohen kësaj thirrje më poshtë po ju sjellim vegëza (linku) i këtij peticioni: https://www.change.org/p/akademis%C3%AB-suedeze-t%C3%AB-komitetit-nobel-peticion-p%C3%ABr-t%C3%ABrheqjen-e-%C3%A7mimit-nobel-p%C3%ABr-peter-handke-shkrimtarit-q%C3%AB-p%C3%ABrkrahte-hapur-i?recruiter=1008841095&utm_source=share_petition&utm_medium=copylink&utm_campaign=share_petition&fbclid=IwAR13FEA5YshIgn3EFI0fZi4_1OgJGl_NsQBJNTQ33qbpnoRnI4AzrWbmcuY&use_react=false