Diana Qerimi sjell “paketën” e fundvitit, statujat si aksesorë, karakteristikë e koleksionit

Jeta Zymberi

Fundviti duket sikur zgjon edhe kreativitetin. Artistë të ndryshëm sjellin “paketën” e fundvitit. Një të tillë e ka shpalosur këto ditë edhe disenjatorja e njohur Diana Qerimi. Një befasi kjo e bukur për të gjithë ata që e donë punën e saj, shkruan KultPlus.

Është një vij që i dallon dizajnerët nga njëri tjetri, kjo vij tek Diana është më e theksuar. Stili i saj por edhe mënyra e veçantë e prezantimit të koleksioneve kanë bërë që Diana të mbetet ndër dizajneret më të preferuara në vendin tonë.

Kësaj radhe, ajo na sjell një koleksion më ndryshe. Dukja për në mbrëmje dallon dukshëm nga ajo ditore. Qerimi kësaj radhe fokusin e ka pasur tek veshjet e mbrëmjes. Plot elegancë e stil këto veshje janë mbërthyer në një koleksion.

“Në këtë fundvit, ndryshe nga herët tjera, kam sjell një koleksion i cili nuk përmban më veshje të përditshme por më shumë për mbrëmje. Në këtë koleksion nuk kanë munguar veshjet si suita, sako me funde por kësaj radhe me një formë më ndryshe së herët tjera, duke i veçuar detajet e statujave që ne i kemi paraqitur në aksesorë e punuar nga Vlera Cocaj”, ka treguar disenjatorja për KultPlus.

Ky koleksion ka shpalosur 12 veshje por kjo  nuk është e gjitha, edhe pesë veshje të tjera do të publikohen në ditët në vijim, por me një formë tjetër të prezantimit.

“Duke ditur sa shumë i kushtoj rëndësi fotosesionit e prezantimit të videove, kësaj radhe kam sjell bagazhin tim të mbledhur për një kohë jam munduar ta prezantoj përmes projekteve të mia. Kam pasur dëshirë ta paraqes njeriun e fortë që edhe në kohët kur ai është keq, atë di ta fsheh dhimbjen me veshje të bukura.

Gjithë kjo punë e ky sukses është i pamundur pa bashkëpunëtorë, e Diana për këtë pjesë kujdeset në mënyrë të veçantë.

“Ne tani jemi një ekip super i madh që bashkëpunojmë vazhdimisht e secili shpalos kreativitetin e dashnin për punën e tyre në mënyrën më të mirë. Por ato që i japin bukuri këtyre prezantimeve janë vajzat. Kësaj radhe kam pasur një llojllojshmëri të fytyrave duke filluar nga Maylinda Kosumovic, një super aktore e gjitha modelet e tjera të cilat i falënderoj tej mase”.

Kur puna vlerësohet gjithçka kthehet në motiv për të vazhduar edhe më tutje.

“Nuk di ku ka më mirë se më qenë krenare me punën që e bën e aq më shumë kur të vlerësohet kaq shumë nga njerëzit. Sigurisht që kjo më bën të kem vullnet për të punuar më shumë e të sjell gjithmonë gjëra të bukura”.

Për Dianën këto tashmë janë kthyer në frymëzim për koleksionin e ardhshëm, të cilin do ta sjell pas një kohë duke i lënë hapësirë që ta zbërthejë në mënyrën më të mirë. / KultPlus.com

Diana Qerimi: Jo të gjithë mund të vishen sipas trendit, fillimisht vjen personaliteti i njeriut


Krijimi i veshjeve është një art në vete, aty bashkohen shumë elemente duke filluar nga prerjet, ngjyrat, materialet e të gjitha këto duke u munduar të kombinohen për trupin dhe karakterin e një personi të caktuar. Por, kur dizajneri arrin në atë pikë sa për të veshja të marrë tjetër kuptim duke u kombinuar kështu edhe me personalitetin e njeriut, atëherë ai dizajner ka hyrë tërësisht në botën e këtij arti krijues shumë të veçantë. Në këtë pikë tashmë ka arritur edhe disenjatorja Diana Qerimi e cila suksesshëm po e vazhdon rrugën në botën e artit të bukur, e nga ku po sjellë veshje të cilat ndonëse konsiderohen si më të thjeshta për nga dukja, ato janë magji në vete. Të thjeshta por të realizuara me shumë detaje e ngjyra të kombinueshme, veshjet e Dianës arrijnë të tërheqin gjithmonë vëmendje. Dizenjatorja Qerimi në një intervistë për KultPlus ka shpalosur më shumë rreth këtij arti, trendeve të fundit, mënyrës së krijimit, por ajo flet edhe për punën e kolegëve të saj dhe konkurrencën.

Jeta Zymberi

KultPlus: Keni arritur të identifikoheni në mesin e shumë dizajnerëve dhe të cilësoheni si më e mira, sa ka qenë e vështirë të arrini në këtë pikë?

Diana Qerimi: Sigurisht që konkurrenca të bën që asnjëherë mos të dorëzohesh dhe gjithmonë të kesh vullnet për të sjellë gjëra të bukura dhe ndryshe prej të tjerëve. Por gjithashtu shkakton edhe lodhje e cila veç kur e shikon suksesin në fund tejkalohet.

KultPlus: Cilat janë pikat tuaja më të forta si dizjanere?

Diana Qerimi: Unë si dizajnere i kushtoj rëndësi të madhe prezantimit të koleksioneve që unë sjell, edhe gjithmonë kujdesem që vajzat që e pëlqejnë punën time të kenë çdo sezonë koleksione të reja nga brendi DQ.

KultPlus: Çka ju diferencon prej kolegëve?

Diana Qerimi: Për momentin e kam përshtypjen që në përgjithësi po i kushtojnë rëndësi shumë fustaneve ekstravagante (me gurë, rruza e pupla), ndërsa unë po mundohem që sa më shumë të ju ikë këtyre kreacioneve, meqë unë edhe njihem pak më shumë me thjeshtësinë e përkushtimin në detaje e ngjyra.

KultPlus: Ju tashmë si një dizajnere me përvojë, a keni arritur në pikën që sapo të shihni klientin për të cilin do të krijoni të ju vijë edhe ideja se çfarë do të krijosh. Sa është e rëndësishme që veshja t’i përshtatet njeriut edhe me personalitet dhe sa e praktikoni ju këtë gjë?

Diana Qerimi: Asnjëherë nuk mundesh që me shikim të parë të dish saktësisht se çka dëshiron klienti sepse jo gjithmonë pamja e jashtme është ajo çka e paraqet dhe prezanton klientin. Sigurisht që diskutojmë rreth personalitetit të asaj se qysh ajo ndihet më mirë e pastaj flasim edhe për detajet se qysh do t’i dalë edhe trupi më shumë në pah. Gjithmonë mundohem që pjesët më të mira të ja vë në pah dhe ato jo të përshtatshmet të fshihen në mënyrë që si përfundim gjithçka të duket perfekte dhe të nxjerrim bashkë më të mirën e mundshme. E kam shumë me rëndësi  që çdo vajze me ju përshtatë veshja me personalitet.

KultPlus: A ndodhë që klienti të ju inspirojë për kreacione?

Diana Qerimi: Po, shumë shpesh kam kliente me energji super pozitive që më japin vullnet dhe kreativitet për të punuar e mandej ato detaje edhe i përsëris e i përpunoj për koleksionet e ardhshme.

KultPlus: A mendoni që njeriu duhet të vishet sipas trendeve të fundit edhe nëse nuk i shkon për stili, apo secili duhet të vishet sipas stilit të tij dhe t’i qëndrojë besnik asaj që i shkon më shumë?

Diana Qerimi: Jo të gjithë njerëzit mund të vishen sipas trendit, fillimisht vjen personaliteti dhe pastaj trendi. Por gjithashtu mund të them që njeriu me karakterin e tij ka aq shumë fuqi, që sjellin risi të vazhdueshme në trendet botërore.

KultPlus: Cili është trendi i këtij viti?

Diana Qerimi: Këtë vit kemi me u kënaq tu shiku ngjyra të shumta duke e veçuar ngjyrën portokalli të ndezur, materialet me print dhe kombinimin e shumë materialeve në një veshje.

KultPlus: Cilin kreacion tuajin do ta veçonit dhe pse?

Diana Qerimi: Nga të gjitha kreacionet do të veçoja koleksionin “INSECT COLLECTION“, kjo për arsye se gjithçka ka filluar aty.

KultPlus: Për cilin artist botëror do të dëshironit të krijoni veshje?

Diana Qerimi: Do të doja shumë të krijoja veshje për artisten Rihanna sepse gjithçka që ajo vesh e bën të duket edhe më unike me prezantimin e saj. Kjo do të ishte një dëshirë e madhe e imja.

KultPlus: Puna juaj është shumë inspiruese për të tjerët, po ju nga inspiroheni?

Diana Qerimi: Inspirimin shumicën e kohës e marr kur udhëtoj, në gjërat e bukura që i shoh e i prek, po gjithashtu edhe në trendet e fundit.

KultPlus: Nuk jeni e fokusuar vetëm në një linjë të rrobave, kreacionet tuaja janë pothuajse gjithëpërfshirëse, po ku e gjeni ju veten më shumë?

Diana Qerimi: Mundohem që secila vajzë të gjej pak a shumë veten në veshjet e mia, qoftë ato të përditshme ose ato solemne. Unë shpeshherë kam vullnet më të madh për të krijuar sende të përsëritshme ndoshta që e kam vetëm një periudhë të caktuar e të shkurtër që mundem me i kriju ato.

KultPlus: Cili është mendimi juaj për kolegët, sa e vlerësoni punën e tyre?

Diana Qerimi: Jam shumë e lumtur që vendi jonë ka krijuar kaq shumë artistë e dizajnerë, sigurisht që e mira e kësaj është që secila vajzë e gjen veten te njëri prej neve.

KultPlus: Cili prej dizajnerëve shqiptarë vlen sipas jush?

Diana Qerimi: E vlerësoj artin e secilit që mundohet me paraqit në mënyrën e vet.

KultPlus: Cila është arritja jote më e madhe deri më tani?

Diana Qerimi: Arritja më e madhe është kur shoh kaq shumë vajza që e adhurojnë punën që unë bëj.

KultPlus: Cila është ëndrra jote më e madhe?

Diana Qerimi: Ëndrra ime është që brendi DQ të ketë depërtimin ndërkombëtar e të sjellë çdo vit sfilata të përmasave ndërkombëtare.

KultPlus: Me pak fjalë, si do ta përshkruani vitin që po e lëmë pas?

Diana Qerimi: Viti 2018 ka qenë një vit me shumë punë e përkushtim, shpresoj edhe viti 2019 të vijë me shumë punë e suksese të reja. / KultPlus.com

Diana Qerimi sjellë koleksionin e veçantë “Morph” (FOTO)

Jeta Zymberi

Disa gjëra nganjëherë nuk donë koment, e të tilla janë kreacionet e fundit të disenjatores Diana Qerimi, shkruan KultPlus.

Një frymë ndryshe ka arritur ta sjellë në vendin tonë Diana, me kreacionet e saj që sigurisht janë ndryshe. Ndryshimi qëndron pikërisht në mënyrën e dizajnit, në përshtatjen e ngjyrave dhe materialeve, në përshtatjen e kompletit e në prerjen e tyre.

Disenjatorja Qerimi ka arritur të ngjitet në shkallët më të larta të botës së modës në vendin tonë, edhe atë më hapa të shpejtë. Secila shkallë ishte ndoshta më e vështirë se tjetra por ajo arriti t’i kapërcejë sigurt dhe të qëndrojë lart me synimin që e mira nuk ka fund.

“Sigurisht që kur punon shumë dhe me shumë përkushtim puna gjithmonë të shpërblehet, jam e lumtur që në rrethin e shumë dizajnerëve vendas të veçohem për stile unike”, ka pohuar Qerimi për KultPlus.

Në koleksionin e fundit të cilin Diana e solli këto ditë, ka shumë elemente që të bëjnë për vete, por ngjyrat vjeshtore e ato verore të sjella në kombinim, bashkë me aksesorët shumë të veçantë, bëjnë që të dashurohesh në secilën veshje.

“Gjithmonë frymëzimin e gjej në trendet e fundit, nga vendet që vizitoj dhe njerëzit që takoj dhe gjanat e bukura që rrethohem. Koleksionin e vjeshtës dhe dimrit kësaj here e veçojnë ngjyrat pak më të ndezura se herëve tjera , logo DQ e vendosur në pah ndryshe nga herët tjera që vendoset gjithmonë në brendi, kombinimi i materialeve me katrore , pika dhe printa po gjithashtu edhe aksesorët e bukur të dizajnuar me Vlera Cocaj”, ka treguar rreth veçantisë së këtij koleksioni disenjatorja.

Ky koleksion titullohet ”MORPH“ që sipas disenajtores nga gjuha angleze d.m.th sistem revolucionar që të bën të ndihesh më bukur, e sigurisht që është ndërlidh me krejt synimin e saj që e ka kur e prezanton koleksionin e ri.

Koleksioni përfshin 14 veshje gjithsej, përderisa rreth ngjyrave të përdorura Qerimi thotë: “ngjyrat më dominante kësaj radhe janë: ngjyra neon, të cilën jemi mësuar ta shohim në sezonin e verës më shumë, po kësaj radhe ka qenë super trendi, gjithashtu ngjyra vjollce (orchid) dhe ngjyrat e tjera vjeshtore . Ndërsa materialet janë të leshta, pambuku dhe gjithashtu me fije sintetike ( që është bunda )”, ka pohuar disenjatorja Qerimi për KultPlus.

Fotografitë e koleksionit janë realizuar nga fotografi Andi Deqani. /KultPlus.com



‘No Rules’ thotë disenjatorja Diana Qerimi përmes koleksionit të ri (VIDEO)

Diana Qerimi, disenjatorja e cila gjithmonë befason me prurjet e saj, tashmë ka sjellë edhe koleksionin e ri, shkruan KultPlus.

Në një mënyrë ndryshe dhe gjithmonë unike, ajo këtë koleksion e ka prezantuar përmes një fotosesioni të cilit ja ka bashkangjitur edhe në video shumë të bukur.

Koleksioni prezanton veshjet për stinën vjeshtë/dimër dhe ndryshe nga koleksionet tjera të cilat i ka sjellë Diana, ky koleksion ka edhe detaje të cilat janë të gjitha punë dore. Ndërsa sa i përket materialeve dhe ngjyrave, Diana ka treguar për KultPlus më shumë rreth kësaj pjese.

“Ngjyrat e përdorura kësaj radhe janë kryesisht ato të trendit të fundit, ndërsa materialet janë shtofa të trashë me përmbajtje të leshit deri te ato më të hollat të pambukut, ka thënë Qerimi për KultPlus.

Koleksioni titullohet “NO RULES” kjo sipas disenjatores pasi që në mode nuk ka asnjë rregull për të krijuar stilin e çdo njërit prej neve.

“Koleksioni përfshinë gjithsej 18 veshje të cilat ka kohë që unë i sjellë përmes fotosesionit dhe një videos e cila është një mënyrë më e veçantë ku veshjet duken në një formë më ndryshe”, ka thënë tutje ajo.

Krejt për fund Qerimi tha që sfilata është dëshirë e çdo dizajneri , kështu që shpreson që shumë shpejt do të prezantohet edhe me një sfilatë. / KultPlus.com