Ema Andrea sjell “Kryeveprat” e Dino Buzzatit, në COD

“Kryeveprat” e Dino Buzzatit, kanë zbritur në COD, në kuadër të ciklit “Lexime të Performuara”.  Aktorja e mirënjohur shqiptare, Ema Andrea performoi  në sallën “Forum” pjesë nga veprat letrare të shkrimtarit italian Dino Buzzati.

Bota që ofron Dino Buzzati, nëpërmjet librit “Kryeveprat”, është një botë magjike, e mistershme, mjaft tërheqëse për lexuesin, i cili mbërrin deri në fund të leximit me frymën pezull, në pritje për të njohur të vërtetën e vetme që kthen në anën tjetër të gjitha ato që deri në ato momente dukeshin të vërteta.

Aktorja përçoi një atmosferë surreale të librit në sallën “Forum”, ku pas dukjes së rrëfimit përrallor shfaqen edhe tematikat e rëndësishme me të cilat autori përballet.

Më herët, Ema Andrea ka sjellë në COD “Tri Gra” nga shkrimtari japonez, me famë botërore, Yasushi Inoue, por gjithashtu edhe copëza nga krijimtaria e shkrimtarëve me peshë si Marquez e Allende, duke e kthyer këtë sallë të Kryeministrisë, në një qendër të rëndësishme takimi letrar. / atsh / KultPlus.com