Bujar Luca ekspozitë në COD, Rama: Pikturat, mishërim i raportit të tij me jetën

Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri u kthye këtë mbrëmje në hapësirën promovuese për një tjetër artist shqiptar, Bujar Lucën, i cili vjen për herë të parë në këtë hapësirë pas 33 vitesh jetesë në Francë.

Me ekspozitën e tij “Të prekësh të padukshmen”, ku ekspozohen 71 vepra arti, të mediumit pikturë, vizatim dhe grafikë, të përzgjedhura, si një retrospektivë e krijimtarisë së tij artistike.

Në çeljen e ekspozitës përshëndeti edhe Kryeministri Edi Rama, i cili vlerësoi talentin dhe kontributin e artistit në historinë bashkëkohore të arteve pamore shqiptare.

“Ti je një nga ata të cilët i japin historisë bashkëkohore të arteve pamore shqiptare diçka pa të cilën kjo histori do ishte më e varfër”, u shpreh Rama.

“Kjo ekspozitë ishte një ide që lindi kur ishim së bashku në Paris dhe Bujari e priti me kënaqësi ftesën për të konsideruar mundësinë e një ekspozite të tillë. Por unë nuk e kisha menduar që do të sillte këtu punë nga e gjithë trajektorja e tij, dhe faktikisht në sallën e vogël gjenden punët e bëra shumë vite më parë kur Bujari krijonte në shtëpinë tij të vjetër tiranase me pus e carac. Aty ku patëm mundësi të takoheshim përpara rënies së diktaturës gjatë një vizite të parë që një delegacion i huaj bëri në Akademinë e Arteve, pjesë e të cilit ishte edhe kryeredaktori i njohur i revistës së artit “Connaissance des Arts”, i cili i kushtoi një reportazh të tërë krijimeve tona të asaj kohe dhe u bë edhe pika e parë e kontaktit konkret fizik me botën e artit përtej mureve brenda të cilave ne zhvillonim aktivitetin tonë”, tha Rama.

Pastaj, vijoi Kryeministri Rama, Bujari zgjodhi të ikte.

“Mua më kujtohet se qysh përpara se të hapeshin rrugët për t’u larguar Bujari ishte shumë i lidhur dhe pasionuar pas Francës e kulturës franceze, pas impresionistëve, gjë që vihet re në punët që janë në sallën e vogël si një influencë malinje për atë kohë. Gjatë qëndrimit të tij në Francë me natyrën e tij të përmbajtur meditative, pa zhurmë, pa kërkuar asnjëherë asgjë nga askush, hapi dalëngadalë një rrugë te një stacion i të cilës është besoj unë pjesa qendrore e ekspozitës, ku në njëfarë mënyre fillojnë e bëhen bashkë qoftë kujtimet e të shkuarës së largët, qoftë edhe njohjet e reja apo afrimet e reja me eksperienca artistike që në dukje janë dy ekstreme, por në të vërtetë janë pjesë e të njëjtës qasje ndaj sipërfaqes së bardhë”, nënvizoi Rama.

Rama tha se “flas për eksperiencën e artit të vjetër dhe të ri, kinez, japonez, aziatik, që është shumë i lidhur me shenjën edhe me transpozimin e gjuhës së shkruar përmes hieroglifeve, në një ushtrim të menjëhershëm artistik dhe në ekstremin tjetër furia e lëvizjes “action painting”, Jackson Pollock edhe të tjerë, që në njëfarë mënyre në punën e Bujarit fillojnë edhe shkrihen te njëra-tjetra duke krijuar një identitet dhe një origjinalitet të ri. Ajo që më shtyu ta bëj këtë parantezë ndoshta pak të gjatë të natyrës krejt profesionale lidhet me diçka tjetër; lidhet me raportin e Bujarit me pikturën, raportin e Bujarit me telajot, sipërfaqet e letrës apo sipërfaqe të tjera me të cilat ai e ushtron profesionin e tij, që në njëfarë mënyre është mishërim i raportit të tij me jetën dhe me shoqërinë në një kohë, e cila ka shumë tundime, ka shumë zhurmë, ka shumë mundësira, por dhe shumë shtigje dhe rrugë që mund të merren”.

Bujari, vijoi Rama, ka vazhduar t’i qëndrojë shumë besnik diçkaje që unë në fakt e kisha të vështirë ta formuloja, por e formuloi Bujari në fjalët e tij, kur tha realiteti i idealit tim dhe besoj që në njëfarë mënyre punët e tij janë dhe autoportrete shpirtërore të tijat, të cilat flasin shumë për atë që Bujari është në raport me pasqyrën dhe në raport me mjedisin apo botën.

“Dua të shtoj vetëm një komponent që përsëri lidhet me atë çfarë po them, që ka të bëjë me aktivitetin e Bujarit jashtë studios, i cili është një aktivitet i jashtëzakonshëm në një vend që është shumë i pasur në traditë, por është dhe shumë i pasur në burime njerëzore kur flasim për operan, kur flasim për teatrin. Bujari është vendosur vetvetiu në një pozicion shumë të respektuar dhe është thirrur për të bashkëpunuar dhe për të kontribuar për një numër të madh shfaqjesh në operan Garnier që është një tempull i ri i muzikës operistike në Paris apo në shfaqje që shkojnë nga klasikja deri tek ato më kontemporane, duke bashkëpunuar me regjisorë shumë të njohur, deri tek regjisori, koreografi Angjelin Preljocaj dhe përsëri fakti që në këtë aktivitet jashtë studios Bujari ka shkëlqyer, lidhet me zotërimin e asaj që duket shumë qartë në të gjitha punët e tij, që është gjesti i shenjës, për një gjest shenje që nuk vjen në mënyrë sipërfaqësore, por që vjen nga një formim akademik, nga një formim i thellë, gjë që mund të shihet në hyrje të asaj sallës së vogël që po e përmend për të tetën herë, sepse aty është fillesa dhe tek disa vepra figurative, duke filluar nga një portret, nga një vizatim që në pamje të parë duket që nuk ka asnjë lidhje me çfarë shohim këtu, por në fakt është fillesa e asaj që shohim këtu dhe kjo është diçka që më duket mua është karakteristikë e disa artistëve të mëdhenj shqiptarë sot, ndër të cilët pa diskutim renditet dhe Bujari në skenën ndërkombëtare, të cilët edhe kur shkojnë në rrugë që janë në dukje krejtësisht pa asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me mjeshtërinë dhe gjestin e shenjës, siç është për shembull videoarti, kam parasysh Anri Salën, veprat e tyre bëjnë një diferencë në raport me ato të kolegëve të së njëjtës fushë dhe të njëjtës rëndësi po themi në skenat artistike, sepse tek to, ti sheh se ka brenda diçka që e tejkalon kohën dhe që vjen pikërisht, sipas meje, nga të brumosurit me klasiken për arsye që ne i dimë dhe pastaj të pjekurit të këtij brumi në botën kontemporane”, nënvizoi Rama.

Rama u shpreh se “dua ta falënderoj Bujarin, sepse ka bërë një investim në kohë, ka bërë një investim në energji, ka menduar seriozisht dhe thellësisht për këtë ekspozite dhe ka bërë dhe një investim në hamallëk po themi, sepse ka paketuar dhe transportuar gjithë këto punë, gjë për të cilën nuk e ka paguar qeveria, që të jemi të qartë. Është larg të qenit një artist qeveritar apo i oborrit të pushtetit, siç në fakt janë shumë ose pothuajse të gjithë nga ata që ekspozohen këtu, dhe do doja të shikoja shumë të tjerë që të vinin këtu, mund të vijnë të bëjnë dhe protesta kundër qeverisë këtu dhe sallën e marrin pa qira”.

Por, shtoi Rama, “realisht Bujar, shumë shumë komplimente dhe shumë faleminderit, dhe më beso nuk është një fjalë xhentile për një mik këtu, në këtë hapësirë, që i duhen thënë disa fjalë të mira, por është një fjalë shumë e sinqertë dhe unë i besoj vërtetë të gjitha këto që po them dhe ti je një nga ata të cilët i japin historisë bashkëkohore të arteve pamore shqiptare diçka pa të cilën kjo histori do ishte më e varfër”./atsh/KultPlus.com

Shpallen fituesit e konkursit “Jam libër” në COD

Në Bibliotekën e Kryeministrisë (COD) u përmbyll konkursi “Jam libër” – Përshtypje (Review), për librin që të ka pëlqyer më shumë.

Konkursi ishte një bashkëpunim i COD-it me platformën Bukinist, ku morën pjesë nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme nga: Durrësi, Elbasani dhe Tirana.

Mbresat e nxënësve për libra që kanë lexuar, u ndanë edhe gjatë evenimentit, ku ishin të pranishëm edhe mësues e prindër.

Fituesit e këtij konkursi ishin:

Nga shkollat 9-vjeçare: Ares Seiti nga shkolla “Gustav Majer” Tiranë, Aila Budini nga shkolla “Maarif School” Elbasan, Sara Petritaj nga shkolla “7 Marsi” Tiranë dhe Andja Krasniqi nga “Shkolla e Kuqe” Tiranë.

Nga shkollat e mesme: Angeliki Lagji nga gjimnazi “Ibrahim Kodra” Durrës, Sara Mumajesi nga gjimnazi “Sami Frashëri” Tiranë, Eriselda Gryka nga Shkolla e Mesme “Sadi Nuri” Ndroq dhe Fioralba Zika nga shkolla e mesme “Maarif Elbasan”.

Fituesit u shpërblyen me kuponë për blerje librash online në platformën BUKINIST, ndërsa pjesëmarrësit morën kuponë me zbritje. / atsh / KultPlus.com

COD përkujton aktorin Xhevdet Ferri

Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) zhvilloi eventin “In memoriam – Xhevdet Ferri”.

Ky event erdhi në nderim të kujtimit të aktorit të mirënjohur shqiptar, Xhevdet Ferri, i cili u nda nga jeta më 16 janar 2020.

Në ceremoninë përkujtimore u ekspozuan fotografi nga krijimtaria e tij artistike, duke mbledhur familjarë, miq dhe artistë të ndryshëm, nën muzikalitetin e një kuarteti muzikor, në mjedisin e hollit protokollar.

“Xhoda”, sikurse e thërrisnin miqtë dhe kolegët, gjatë karrierës së tij artistike interpretoi rreth 30 role në teatër dhe kinema, por ishte pikërisht kjo e fundit ajo që e konsolidoi figurën e tij në sytë e publikut shqiptar. / KultPlus.com

“Ditët e drejtshkrimit” në COD, për prirjet e shqipes së sotme

“Ditët e drejtshkrimit” nisën sot në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), në Bibliotekën e Kryeministrisë.

Kjo veprimtari, e cila do të zhvillohet deri në 25 nëntor, është organizuar në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në kuadër të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.

“Ditët e drejtshkrimit” që po zhvillohen në COD, janë një sintezë e arritjeve të deritanishme, por edhe një paraqitje e zhvillimeve të reja dhe e prirjeve të shqipes së sotme.

Tema e trajtuar në ditën e parë ishte: “Shqipja standarde në funksionet zyrtare”, për të cilën folën prof. dr. Emil Lafe, akad. emeritus Gjovalin Shkurtaj dhe prof. asoc. dr. Linda Mëniku. Të pranishëm në takim ishin akademikë, studiues, profesorë e studentë.

Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) ishte një tubim shkencor gjithëkombëtar i mbajtur në Tiranë në datat 20-25 nëntor 1972./atsh/ KultPlus.com

Poezitë e Angelou-t në COD, përmes interpretimit të Ema Andreas

Një tjetër mbrëmje poetike është zhvilluar në Qendrën për hapje e Dialog (COD). Kësaj here mbrëmja në COD solli të gjithë frymëzimin që i duhet dikujt për të dashur e për të pranuar veten.

Maya Angelou, shkrimtarja ikonë, e njohur për vargjet e saj fuqizuese, veprat autobiografike dhe rolin e saj në mbrojtjen e të drejtave të grave, erdhi në COD nëpërmjet zërit dhe interpretimit të aktores Ema Andrea.

Historia e jetës së jashtëzakonshme të Maya Angelou është rrënjosur në autobiografitë e saj të shumta bestseller. Disa prej tyre u interpretuan nga Ema Andrea, duke e bërë publikun të vlerësojë aftësinë e tij për t’u ngritur dhe për t’u larguar nga e kaluara personale.

Poezitë e Angelou nuk mund të vendosen lehtësisht në kategori tematikash apo teknikash. Ato janë krahasuar shpeshherë me format muzikore, pasi shkrimtarja përdor të qeshurën në vend të lotëve, për të përballuar acarimet e vogla, trishtimin dhe vuajtjet e mëdha. / KultPlus.com

“777 Portretet” e David Cukës ekspozohen në COD

“Kilometri i fundit, 777 portrete” është ekspozita më e re në COD, e hapur ditën e djeshme nga fotografi i ri David Cuka.

Të ftuar në çeljen e kësaj ekspozite ishin të miq të COD-it e të fotografit, dashamirës të artit, fotografë, media dhe gazetarë.

Davidi është një fotograf i ri shqiptar, i cili ka zgjedhur mediumin e fotografisë për të dokumentuar aspekte që lidhen me të drejtat e njeriut. Në këtë rast ai e ka përqendruar objektivin e aparatit para personazheve duke i ftuar të jenë vetvetja, pa bërë kurrfarë diferencimi artistik apo profesional.

Kjo ekspozitë është pjesë e projektit #999 Portretizime Shqiptare dhe do të qëndrojë e hapur në COD në datat 19-25 gusht 2022.

Me anë të fotografisë, artisti rrit promovon dhe ndërgjegjësimin mbi barazinë sociale, të drejtat e grave, avokon kundër diskriminismit të komunitetit LGBTI+, në vend e rajon, komunitet të cilit ai vetë i përket, si person transgjinor. /atsh / KultPlus.com

Ekspozita “On reading” e fotografit Steve McCurry në COD

Ekspozita “On reading” e fotografit me famë botërore Steve McCurry e hapur në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministri do të mund të vizitohet deri më 31 korrik.

“Kjo ekspozitë sjell për herë të parë në Shqipëri, shkrepjet më shprehëse të fotografit me famë botërore Steve McCurry dhe këto janë ditët e fundit kur mund të shohim, ndjejmë magjinë dhe kolorin e fotove të tij”, thotë pedagogu I fotografisë Albes Fusha.

Në hyrjen e albumit “On reading” fotografi Steve McCurry përmend faktin që inspirimi i erdhi nga vepra e fotografit të madh hungarez André Kertész duke pohuar që disa nga fotot më intriguese të mjeshtrit hungarez ishin pikërisht imazhet e njerëzve që lexonin.

Nga një punë kolosale anembanë botës McCurry arriti që për gjatë 40 viteve të fundit, t’i japë jetë një koleksioni imazhesh, që tregojnë njerëz të zhytur në magjinë e leximit.

Kjo ekspozitë ka ardhur në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, që së bashku me sponsorë të tjerë, mbështetën ardhjen e saj në Shqipëri, në kuadër të Tirana European Youth Capital./ atsh / KultPlus.com

Ema Andrea sjell “Kryeveprat” e Dino Buzzatit, në COD

“Kryeveprat” e Dino Buzzatit, kanë zbritur në COD, në kuadër të ciklit “Lexime të Performuara”.  Aktorja e mirënjohur shqiptare, Ema Andrea performoi  në sallën “Forum” pjesë nga veprat letrare të shkrimtarit italian Dino Buzzati.

Bota që ofron Dino Buzzati, nëpërmjet librit “Kryeveprat”, është një botë magjike, e mistershme, mjaft tërheqëse për lexuesin, i cili mbërrin deri në fund të leximit me frymën pezull, në pritje për të njohur të vërtetën e vetme që kthen në anën tjetër të gjitha ato që deri në ato momente dukeshin të vërteta.

Aktorja përçoi një atmosferë surreale të librit në sallën “Forum”, ku pas dukjes së rrëfimit përrallor shfaqen edhe tematikat e rëndësishme me të cilat autori përballet.

Më herët, Ema Andrea ka sjellë në COD “Tri Gra” nga shkrimtari japonez, me famë botërore, Yasushi Inoue, por gjithashtu edhe copëza nga krijimtaria e shkrimtarëve me peshë si Marquez e Allende, duke e kthyer këtë sallë të Kryeministrisë, në një qendër të rëndësishme takimi letrar. / atsh / KultPlus.com

Me filmin “Apples” nisi Java e filmit grek në COD

Filmi “Apples” nisi “Javën e filmit grek” në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), organizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Greqisë në Shqipëri.

Kjo nismë vjen në përputhje të misionit të COD-it për shkëmbim kulturor dhe bashkëpunim me institucionet e vendeve fqinje.

Filmi “Apples”, me regji të Christos Nikou, trajton një temë sa bashkëkohore, po aq edhe shqetësuese për kohët që jetojmë. Sa përzgjedhëse është kujtesa jonë? Kjo është pyetja që çdokush do ia bënte vetes pasi të shihte këtë film.

Filmi trajton dramën e Aris, në mes të një pandemie mbarëbotërore që shkakton amnezi. Ky mesoburrë papritur e gjen veten të regjistruar në një program rikuperimi të krijuar për të ndihmuar pacientët e padeklaruar të ndërtojnë identitete të reja”.

Filmat e përzgjedhur nga ambasada greke kanë qenë pjesë e Festivalit të Filmit Grek dhe shumë festivaleve ndërkombëtare gjatë viteve 2021-2022.

Filmat pasues janë “Tailor” dhe “The Enigma of Keros”, të cilët do të shfaqen në datat 12-13 korrik, ora 20:00, në lulishten e Kryeministrisë dhe hyrja do të jetë e lirë për të gjithë të apasionuarit pas kinematografisë./atsh/ KultPlus.com

Fëmijët sjellin veprat e Kolë Idromenos sipas perceptimit të tyre

Qendra për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë, COD ka mirëpritur sot fëmijë për nisjen e ciklit “Edukim Arti për Fëmijët” me studiuesen e apasionuar, Zana Kuka Varvarica.

Në serinë e parë të ciklit, fëmijët u njohën me jetën dhe veprën e Kolë Idromenos dhe patën mundësinë të punonin vepra të ndryshme të këtij artisti sipas perceptimit të tyre.

Kështu, takimi i parë i projektit “Edukim arti për fëmijët” nisi me artistin Kolë Idromeno, ku fëmijët u njohën me veprat e tij nëpërmjet prezantimeve dhe formave kreative e artistike, të përshtatura për ta.

Në fund të takimit fëmijët vizituan Galerinë Kombëtare të Arteve, ku prekën më nga afër artin e Kolë Idromenos.

Qendra për Hapje dhe Dialog (COD), në mjediset e Kryeministrisë tashmë është kthyer në një vendtakim mes artdashësve me artin dhe kulturën. /atsh / KultPlus.com

Ekspozitë e rrallë hartash të vjetra nga koleksioni i Afrim Ethemit

Një ekspozitë me harta që datojnë nga shekulli XV deri në shekullin XVIII është hapur në COD, nga një koleksion i Afrim Ethemit, me titull “Hartografia europiane dhe territoret shqipfolëse”.

Në sallën “Tako Artistin”, gjenden 36 harta si dhe 5 atlase. Hartat datojnë që nga vitet 1500 e më pas dhe paraqesin kryesisht harta të Europës, Europës Juglindore e sidomos Ballkanit, gjë që i jep kësaj ekspozite dhe koleksioni një karakter të posaçëm.

Kryeministri Edi Rama uron mirëmëngjesi ndjekësit në facbook e pamje nga këto harta të rralla të ekspozuara në mjediset e COD.

“MIRËMËNGJES , dhe me këtë ftesë për të vizituar një ekspozitë të rrallë hartash të vjetra në Kryeministri (COD – hyrja qendrore) ju uroj një ditë të mbarë “, shkruan Rama.

Hartat, si një formë e komunikimit vizual, janë sa një disiplinë akademike aq edhe art. Vizitorët do të kenë mundësinë të shikojnë lëvizjet e shpeshta të kufijve, perceptimet nga këndvështrime të ndryshme historike dhe detajet gjeografike e topografike të pasqyruara në to.

Ekspozita “Hartografia europiane dhe territoret shqipfolëse” me koleksionin e hartave të vjetra të Afrim Ethemit tërheq vëmendjen ndaj kohës dhe ndryshimeve gjeografike. Afrim Ethemi ka realizuar disa ekspozita personale të pikturave, grafikave dhe vizatimeve.

Përveç koleksionit të hartave të vjetra, i posedon edhe disa koleksione të tjera antike. Koleksioni i hartave të vjetra, është ekspozuar në Muzeun Kombëtar, në Prishtinë dhe në Galerinë Kombëtare në Shkup. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 2 shtator 2018. /ata