Poezitë e Angelou-t në COD, përmes interpretimit të Ema Andreas

Një tjetër mbrëmje poetike është zhvilluar në Qendrën për hapje e Dialog (COD). Kësaj here mbrëmja në COD solli të gjithë frymëzimin që i duhet dikujt për të dashur e për të pranuar veten.

Maya Angelou, shkrimtarja ikonë, e njohur për vargjet e saj fuqizuese, veprat autobiografike dhe rolin e saj në mbrojtjen e të drejtave të grave, erdhi në COD nëpërmjet zërit dhe interpretimit të aktores Ema Andrea.

Historia e jetës së jashtëzakonshme të Maya Angelou është rrënjosur në autobiografitë e saj të shumta bestseller. Disa prej tyre u interpretuan nga Ema Andrea, duke e bërë publikun të vlerësojë aftësinë e tij për t’u ngritur dhe për t’u larguar nga e kaluara personale.

Poezitë e Angelou nuk mund të vendosen lehtësisht në kategori tematikash apo teknikash. Ato janë krahasuar shpeshherë me format muzikore, pasi shkrimtarja përdor të qeshurën në vend të lotëve, për të përballuar acarimet e vogla, trishtimin dhe vuajtjet e mëdha. / KultPlus.com

Ema Andrea sjell “Kryeveprat” e Dino Buzzatit, në COD

“Kryeveprat” e Dino Buzzatit, kanë zbritur në COD, në kuadër të ciklit “Lexime të Performuara”.  Aktorja e mirënjohur shqiptare, Ema Andrea performoi  në sallën “Forum” pjesë nga veprat letrare të shkrimtarit italian Dino Buzzati.

Bota që ofron Dino Buzzati, nëpërmjet librit “Kryeveprat”, është një botë magjike, e mistershme, mjaft tërheqëse për lexuesin, i cili mbërrin deri në fund të leximit me frymën pezull, në pritje për të njohur të vërtetën e vetme që kthen në anën tjetër të gjitha ato që deri në ato momente dukeshin të vërteta.

Aktorja përçoi një atmosferë surreale të librit në sallën “Forum”, ku pas dukjes së rrëfimit përrallor shfaqen edhe tematikat e rëndësishme me të cilat autori përballet.

Më herët, Ema Andrea ka sjellë në COD “Tri Gra” nga shkrimtari japonez, me famë botërore, Yasushi Inoue, por gjithashtu edhe copëza nga krijimtaria e shkrimtarëve me peshë si Marquez e Allende, duke e kthyer këtë sallë të Kryeministrisë, në një qendër të rëndësishme takimi letrar. / atsh / KultPlus.com

Ema Andrea u drejtohet artistëve: Ju nuk preferoni të shkoni në evente që nuk i përkasin gjinisë suaj

Tani dy fjalë për te gjithë artistët, e te gjitha gjinive, te cilët ankohen se ky ‘vend nuk e do artin,’ se kane ‘studiuar e nuk i perfill njeri’ etj etj

E vertete mund te jete, po ja ta shohim pak nga ana tjeter kete dramë mbushur me ankime!

Ju nuk preferoni te shkoni ne evente qe nuk i perkasin gjinise suaj dhe nuk kam guxim te them aresyen ndaj po ju pyes- Perse?

Kam pare koncerte te mrekullueshme klasike me 20 spektatore ne salle.

Kam pare shfaqje Opera, Balet, apo Contemporary dance ne te cilat skam mundur te pershendes asnje koleg.

Ne ekspozita, pas dites se hapjes(kur une preferoj te shkoj) sallat jane bosh.

Kur mungojme ne nje event artistik,kemi humbur ne, me shume se artistet performues .

E mbi te gjitha, në se duam qe arti te konsiderohet, duhet te fillojme te mesojme te jemi vet spektatore, jo vetem per qokë kolegesh qe i perkasin zhanrit tone.

Konsiderimi i artit fillon nga ne!

Konsideroni Artin në se nuk doni te keni nje jetë medioker me diplome artisti!./KultPlus.com

Ema Andrea, profili i një artisteje që nuk ndalon kurrë së krijuari

Këto ditë të nxehta vere ku supozohet që duhet të jenë ditë pushimesh sidomos për artistët, në të vërtetë pjesa më e madhe e tyre janë të zënë edhe në këtë kohë me krijimtari individuale, sidomos pas pauzës së gjatë që shkaktoj pandemia.

Një nga këta artist që nuk rrinë dot pa punuar është edhe Ema Andrea. Ajo si përherë u tregua dashamirëse kur biseduam për të bërë këtë intervistë për ATSH, për të ditur edhe më tepër se me çfarë është e angazhuar ajo në këtë moment. Gjithashtu për të folur edhe në lidhje me projektin e saj të fundit që u shfaq në skenën e “Teatrit Metropol” me titullin “Kombinat”.

“Unë nuk rri dot pa krijuar dhe ndoshta ky është një motor që më shtyn përpara dhe ndoshta kjo është esenca që më lejon ta quaj veten artiste. Gjatë pandemisë unë nuk kam reshtur së krijuari. Ndoshta mënyra se si e kam krijuar unë raportin me artin më ka bërë që vështirësitë ti kthej në dobi. Në teatër kjo është si moto”, tha Andrea për ATSH-në.

Në fillim të karrierës së saj Ema Andrea është prezantuar nëpërmjet kinemasë dhe u bë një personazh shumë i dashur edhe për vetë karakterin që ajo solli në këtë film. Ema na tregon fillimin e rrugëtimit të saj në art, si hyri në këtë botë që ajo e quan si shumë të dashur, madje fatale.

“Unë kam hyrë nëpërmjet filmit “Një vajzë dhe një djalë”. Kristaqi më ndjek dhe unë i them që më keni ndëshkuar që më futët në kinema sepse është një dashuri fatale. Pastaj historia ime me kinemanë ndërpritet dhe rikthehem nga Bujar Alimani që i jam mirënjohëse për këtë film me titull “Vëthi i munguar””, shprehet Andrea.

Pandemia shkaktoj një shkëputje të madhe të publikut me teatrin si edhe në shumë fusha të tjera. Gjatë kësaj periudhe nuk ofrohej asgjë në skenë për shkak të kushteve, por sapo u mor vendimi për tu hapur institucionet artistike, menjëherë Ema vuri në skenë shfaqjen e saj si regjisore me titullin “Kombinat”.  Kjo shfaqe u vu në skenë në bashkëpunim më “Teatrin Metropol” dhe Ema na tregon se si mori jetë dhe u zhvillua ky projekt.

“Çdo formë eksperimentimi në art bëhet për publikun dhe ne kemi këto koncepte. Për herë të dytë ftohem nga Teatri Metropol dhe ky është pjesë e projektit AIDA.  Është projekt rajonal ku marrin pjesë Mali i Zi, Italia dhe Shqipëri. Unë aplikova dhe fitova për të ripunuar si regjisore. Olsi Lelaj ka bërë një studim antropologjik dhe nuk është thjesht punë teatri mbi Kombinatin dhe jetën e njerëzve që e ndërtuan jetën dhe punën e tyre. Ky vend ka qenë gjithmonë një pjesë e veçantë e qytetit. Këta njerëz e ndërtuan këtë vend. Dikush ka dashur ta prish këtë vend, por dhimbja më e madhe është e njerëzve që kanë punuar dhe jetuar aty. Brezit të ri i bënte çudi ta kuptonte këtë gjë, se si njerëzit vijnë zënë vend dhe bashkë me punën ndërtojnë edhe familjen, anën artistike dhe e mbajnë fortë nga frika se mos i zhbëhet dhe kjo më vlen mua për të bërë një shfaqje. Unë kam punuar në hapësira të braktisura, gjithmonë është tendenca për ti rizgjuar këto hapësira dhe ti jap edhe një funksion jashtë asaj që ka patur dikur”, tregon për ATSH-në Andrea.

Mbi sezonin e ri artistik, i cili pritet të nis në shtator Andrea shprehet se, “jam duke ndërtuar dhe aplikuar për projekte dhe do të vij me produkte të mira dhe për momentin jam në proces personal krijimtarie. Natyrisht që mëndja nuk rri dhe nëse kam kushte të realizoj. Tirana vitin tjetër do jetë edhe kryeqyteti europian i të rinjve, e performancave në hapësirat publike”. /atsh/ KultPlus.com

Ema Andrea merr çmimin aktorja më e mirë në Festivalin e Teatrove në Podgoricë

Ema Andrea është shpallur në mënyrë unanime nga juria e FIAT Festivalit Internacional Alternativ të Teatrove si aktorja më e mirë, me interpretimin e rolit të nënës, tek vepra “Nëna dhe fëmija” nën regjinë e Dino Mustafiq.

Andrea ka shkëlqyer në interpretimin e veprës së Jon Fosse. Kjo vepër në këtë festival është vlerësuar me dy çmime, pasi Dino Mustafiq është vlerësuar me çmimin si regjisori më i mirë. Andrea është vlerësuar për interpretimin e fuqishëm jo vetëm përmes zërit por edhe trupit, duke u mishëruar në rolin tronditës të nenës. Vepra u vu në skenë në Tiranë muaj më parë në Tulla Center.

“Nuk kemi kohë të ndalojmë dhe po humbasim dashurinë për nënën, miqtë, fëmijën, gruan. Ajo çfarë dua të them me këtë dramë është një temë e madhe, që e gjejmë jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë botën. Pothuajse të gjithë ndjehemi si të burgosur. Me këtë shfaqje ngremë pyetje, shprehim idetë tona, shfaqim emocionin dhe idetë pozitive, sepse teatri nuk është vetëm një akt estetik, por edhe një akt social. Vetmia e njeriut është tema më e afërt e aktualitetit që po jetojmë. Ja, unë kam reflektuar. Sapo të mbarojë shfaqja kam menduar të marr nënën time në telefon”, do të shprehej Andrea për këtë vepër.

Për regjisorin Mustafiq që duket se ka gjetur tek Andrea aktoren e vërtetë për role tronditëse, kjo vepër është një mesazh për shoqërinë bashkëkohore që po ikën gjithnjë nga gjërat thelbësore të raporteve njerëzore. Në krah të Andreas në këtë vepër interpreton aktori Matia Llupa. Historia e një djaloshi që takon nënën pas 20 vitesh, një takim i mbushur me skena të rënduara psikologjike një debat i cili i çon deri në incest, ndërtohen në një atmosferë të jashtëzakonshme nga Andrea dhe Llupa, shkruan GSH./ KultPlus.com

Ema Andrea rikthen në Tepelenë kamionin e tmerrit

Ema Andrea aktorja e njohur, është përfshirë në projektin e njohjes së kujtesës.

Pas memove ku emra të njohur të artit u përfshinë në rrëfime mbi të shkuarën tragjike ajo ka rikthyer në kampin e Tepelenës kamionin që dikur lëvizte të internuarit, duke improvizuar rëndësinë e mos-harresës.

Kamioni i priti të ftuarit 2 kilometra pa arritur në kamp dhe i transportoi deri në hyrje të tij gjatë një ceremonie kujtese organizuar në këtë hapësirë.

Për vite me radhë, të internuarit, gra, fëmijë dhe pleq transportoheshin me kamionë të ngjashëm nga i gjithë vendi, për në kampin me tela me gjemba të Tepelenës. Gjatë rrugës dhe në mbërritje, Mariza Ikonomi interpretoi një këngë të kënduar në kamp asokohe, ardhur deri më sot nga dëshmia e Klora Merlikës, e mbijetuar e pranishme.

Sikur Mama… , projekt i ideuar dhe vënë në zbatim nga Ema Andrea, ilustroi në vetë të parë përvojën dramatike të mijëra familjeve, të jetuar ditë pas dite…/ KultPlus.com

Ema Andrea prezanton nismën kundër harresës të së shkuarës

MEMO një projekt ku janë përfshirë emra të njohur të shoqërisë civile apo kulturës u prezantua mbrëmë në një takim të hapur me intelektualë, artistë, gazetarë, përfaqësues të trupit diplomatik, të rinj dhe mbështetës të saj, në mjediset e Muzeut “Gjethi”. Nisma e ndërmarrë nga MEMO synon ballafaqimin me të shkuarën komuniste, duke vënë në qendër të vërtetën, të rrëfyer në vetë të parë nga personazhe publikë dhe njerëz të zakonshëm.

Historitë kanë ardhur deri në ditët tona përmes dëshmive të të mbijetuarve, të dëshmitarëve okularë të krimeve dhe vullnetit për ta dokumentuar të shkuarën, në respekt të sakrificës dhe triumfit të dinjitetit njerëzor.

Në takimin e parë të hapur të MEMO-s, nisma u prezantua nga z. Gjon Radovani, koordinator dhe Ema Andrea, autore e projektit. Paralelisht me arsyet që shpjeguan videot mbi histori të vërteta, – ku grimca tragjike jetësh të shkallmuara nga dhuna përmblidhen në disa sekonda, – u paraqitën linjat sipas të cilave MEMO synon të zhvillojë veprimtarinë e vet në ditët në vijim. Prej rreth një muaji MEMO-s i janë bashkuar me dhjetëra mijëra mbështetës të cilët, me disa qindra mijëra klikime, kanë reaguar, shkruar e shpërndarë mesazhet që i flasin me zë të lartë shoqërisë së sotme dhe asaj që synojmë të ndërtojmë nesër.

Kjo qasje e drejtpërdrejtë e ka rritur ndjeshëm numrin e ndjekësve dhe bashkëpunëtorëve që i janë shtuar rrjetit të gjerë të intelektualëve, artistëve, shkrimtarëve, gazetarëve, aktivistëve të shoqërisë civile, të rinjve dhe të mbijetuarve të diktaturës apo trashëgimtarëve të tyre. Kësisoj, shqiptarë dhe të huaj brenda e jashtë vendit, të moshave dhe shtresave të ndryshme shoqërore, të prekur apo jo nga sistemi komunist, por të vetëdijshëm për rolin që mund të luajnë në shoqëri me qëndrimin e tyre të qartë, të dukshëm dhe të argumentuar ndaj errësirës, frustrimit apo padrejtësisë, janë treguar të gatshëm t’i bashkohen nismës dhe ta zhvillojnë më tej atë. Mes të ftuarve të pranishëm, znj. Romana Vlahutin u shpreh për nevojën që ka shoqëria shqiptare për t’u shëruar, që të mund të bëjë përpara, duke qenë besnike e së vërtetës. Vdekja e dytë e viktimave është harresa.

MEMO synon të krijojë hapësirat e nevojshme për dialog të thelluar mbi të shkuarën duke hedhur dritë në të, për ta njohur historinë dhe për të mësuar prej saj. Njohja, pranimi dhe dënimi pa kushte, pa hezitim, pa rezerva i së keqes që vret, çnjerëzon dhe shkatërron lirinë e dinjitetin e çdo qenieje njerëzore, pavarësisht bindjes politike, gjinisë, shtresës shoqërore, cilësive fizike, etj., është shansi që i jepet shoqërisë së sotme shqiptare për të reflektuar, reaguar dhe hedhur hapa të sigurt drejt së ardhmes europiane. Për këtë, MEMO është e hapur të bashkëpunojë me të gjithë aktorët që veprojnë në këtë fushë. /KultPlus.com

Drama fituese e Pulitzer inskenohet në Teatrin Metropol

Kanë mbetur edhe tri ditë nga premiera e shfaqjes “Natën, Má”, në Teatrin Metropol në Tiranë.

Shfaqje sjellë dramën fituese të çmimit Pulitzer dhe të çmimit të Teatrit Botëror nga autorja Marsha Norman. Drama “Natën, Má”, vjen si produksion ekskluziv dhe premierë absolute e teatrit Metropol, me regji të Ema Andreas dhe interpretimin e shkëlqyer të Ilire Vincës dhe Egla Cenos, shkruan KultPlus.

Telma, një grua në të 50-at jeton me të bijën 30-vjeçare, Xhesin në një të njëjtën shtëpi. Në një mbrëmje në dukje të zakontë, midis bisedës për manikyrin dhe pazarin e javës, papritur Xhesi zbret nga papafingoja me pistoletën e babait të saj. Ajo me qetësi i komunikon të ëmës një vendim të rëndësishëm që do të ndryshojë jetët e të dyjave. Në orën në vijim zbulohet e jashtëzakonshmja brenda jetës rutinë, urgjentja brenda normalitetit, dëshpërimi brenda dashurisë.

Muzikën për këtë shfaqje e ka bërë Bojken Lako, muzikantë do jenë Endi Aron Cekani, Rei Kondakçiu, skenografina e shfaqjes është realizuar nga Enjo Shehi kurse identiteti vizual Vincenzo Giannattasio.

Shfaqja do të ngjitet në skenë në datat 20 prill – 6 maj, në ora 19:00 në Teatrin Metropol./ KultPlus.com

“Bon Appetit”, filmi më i mirë ndërkombëtar në Icelandic Horror Film Festival

Filmi me regji të Erenik Beqirit është shpërblyer me çmimin si filmi më i mirë i metrazhit të shkurtë në Icelandic Horror Film Festival, shkruan KultPlus.

Ky film që prezantohet nëpërmjet lojës së aktorëve: Romir Zalla, Arben Bajraktaraj e Ema Andrea qysh prej premierës e deri më tashti numëron një numër të madh të çmimeve nga festival të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare.

‘Bon Appétit’ flet për një burrë i cili bredh nëpër tunelet e errëta të një ndërtese të braktisur derisa e gjen një tryezë që po e priste dhe kamerierin e gatshëm për ta shërbyer me darkën speciale të bërë vetëm me mish njeriu. Një sfidë për oreksin e tij./KultPlus.com

‘Bon Appétit’ shfaqet në ‘Fantastic Film Festival’ në Suedi

Filmi i metrazhit të shkurtër ‘Bon Appétit’, me regji të Erenik Beqirit do të shfaqet në Lund International Fantastic Film Festival në Suedi, shkruan KultPlus.

Festivali mbahet nga data 28 shtator e deri më 7 tetor.

‘Bon Appétit’ flet për një burrë i cili bredh nëpër tunelet e errëta të një ndërtese të braktisur derisa e gjen një tryezë që po e priste dhe kamerierin e gatshëm për ta shërbyer me darkën speciale të bërë vetëm me mish njeriu. Një sfidë për oreksin e tij.

Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Arben Bajraktaraj, Romir Zalla dhe Ema Andrea.

Rikujtojmë se ky filmi premierën botërore e pati në edicionin e 35-të të Brussels International Fantastic Film Festival ndërsa premierë kombëtare u dha në edicionin e 16-të të Festivalit DokuFest./ KultPlus.com