Gruan refugjate nga Kosova, diplomacia ruse e quan viktimë serbe në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s

Diplomacia ruse ka shpërndarë një lajm të rremë duke propaganduar se njëra nga viktimat shqiptare është viktimë serbe, kjo gjë ka ndodhur në 22 vjetorin e bombardimeve të Aleancës Veri-Atlantike (NATO) kundër ushtrisë serbe në Kosovë.

Lajmin bashkë me fotografinë e kanë shpërndarë në Twitter. Bëhet fjalë për fotografinë e njohur botërisht të Sherife Lutës me fëmijën e saj në krah të cilën  Ambasada ruse në Afrikë të Jugut e quan viktimë serbe.

Këtij postimi i ka reaguar edhe aktivisti Shpend Lila, duke thënë se zonja në këtë foto është arsyeja se pse është bombarduar Serbia.

“Hej Rusi, zonja së bashku me fëmijën në foto është arsyeja pse Serbia u bombardua. Emri i saj është Sherife Luta, “duke vrapuar” për t’i mbijetuar gjenocidit serb në Kosovë”, ka shkruar Lila në Twitter.

Nuk është hera e parë që Rusia propagandon me fotografinë e Sherife Lutës, pasi ka pasur raste që këtë personazh e kanë përdorur edhe gjatë luftës në Ukrainë. / KultPlus.com