Gruan refugjate nga Kosova, diplomacia ruse e quan viktimë serbe në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s

Diplomacia ruse ka shpërndarë një lajm të rremë duke propaganduar se njëra nga viktimat shqiptare është viktimë serbe, kjo gjë ka ndodhur në 22 vjetorin e bombardimeve të Aleancës Veri-Atlantike (NATO) kundër ushtrisë serbe në Kosovë.

Lajmin bashkë me fotografinë e kanë shpërndarë në Twitter. Bëhet fjalë për fotografinë e njohur botërisht të Sherife Lutës me fëmijën e saj në krah të cilën  Ambasada ruse në Afrikë të Jugut e quan viktimë serbe.

Këtij postimi i ka reaguar edhe aktivisti Shpend Lila, duke thënë se zonja në këtë foto është arsyeja se pse është bombarduar Serbia.

“Hej Rusi, zonja së bashku me fëmijën në foto është arsyeja pse Serbia u bombardua. Emri i saj është Sherife Luta, “duke vrapuar” për t’i mbijetuar gjenocidit serb në Kosovë”, ka shkruar Lila në Twitter.

Nuk është hera e parë që Rusia propagandon me fotografinë e Sherife Lutës, pasi ka pasur raste që këtë personazh e kanë përdorur edhe gjatë luftës në Ukrainë. / KultPlus.com

https://twitter.com/EmbassyofRussia/status/1374653660240695298?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1374653660240695298%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Ftelegrafi.com%2Fdiplomacia-ruse-gruan-refugjate-nga-kosova-e-quan-viktime-serbe-ne-pervjetorin-e-bombardimeve-te-nato-s%2F

Emocionet e 22 viteve më parë, bombardimet e NATO-s përmes fotografive

Data 24 mars shënon sot 22-të vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s.

Bombardimet zgjatën nga 24 marsi 1999 deri më 10 qershor 1999.

Operacioni kërkonte të ndalojë abuzimet e të drejtave të njeriut në Kosovë, dhe kjo ishte hera e parë që organizata e përdorur forcën ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Gjatë bombardimeve u vranë rreth 528 civilë, u shkatërruan ndërtesa private, biznese private, ura, baraka dhe lokacione ushtarake. Ky ishte misioni i dytë i rëndësishëm i NATO-s, pas bombardimeve në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 1995.

Sipas Human Rights Watch, 60 për qind e rreth 528 të vrarëve ishin nga Kosova, derisa Serbia doli me numra se bëhej fjalë deri në 5700 të vrarë. Tre gazetarë kinezë u vranë në bombardimin e Ambasadës Kineze në Beograd.

Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviç dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.

Fillimi i bombardimeve të NATO-s në Kosovë ishte lajmi më i mirë që qytetarët e këtij vendi morën në atë kohë kur shpresa për liri po ju shuhej. Përmes këtyre fotografive shihet gëzimi i tyre dhe shpresa e rikthyer. / KultPlus.com

22 vite nga bombardimet e NATO-s kundër Serbisë

Nesër do bëhen 22 vite kur NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve kundër forcave serbe, duke shënuar kësisoj fillimin e fundit të luftës gati dyvjeçare në Kosovë.

Fushata pasoi refuzimin e Beogradit për të nënshkruar marrëveshjen e negociuar në Rambouillet të Francës, për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe dështimin e përpjekjeve diplomatike për ta bindur atë.

I dërguari amerikan atëbotë Richard Holebrooke, kishte bërë përpjekje deri në çastet e fundit, para se t’i raportonte sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Javier Solana, se misioni i tij kishte dështuar.

“Procesi tash u kthehet simbolikisht dhe formalisht juve. Tash është çështje e NATO-s. Dua të them se kanalet diplomatike do të mbeten të hapura. Por, misioni ynë, ai që e përmbyllëm disa orë më parë, nuk duket të prodhojë ndonjë lëvizje, prandaj presidenti Bill Clinton dhe sekretarja Albright na kërkuan të kthehemi”, theksonte  Holebrooke.

Presidenti amerikan, Bill Clinton, tha atëbotë se misioni i NATO-s synon të parandalojë sulmet e përgjakshme ndaj civilëve në Kosovë.

“Forcat serbe po shkojnë nga fshati në fshat duke bombarduar civilët dhe duke djegur shtëpitë e tyre. Kemi parë njerëz të pafajshëm që janë nxjerrë nga shtëpitë, janë detyruar të ulen në gjunjë dhe janë qëlluar me breshëri plumbash. Burrat ne Kosovë janë ndarë nga familjet, etër dhe bij janë vënë në radhë dhe janë vrarë me gjakftohtësi. Kjo nuk është luftë në kuptimin tradicional. Ky është një sulm me tanke e artileri mbi njerëzit e pambrojtur udhëheqësit e të cilëve tashmë janë pajtuar për paqen”, tha presidenti Clinton.

Më 10 qershor të vitit 1999, NATO-ja nënshkroi marrëveshjen me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e saj të plotë nga Kosova, ndërsa dy ditë më vonë, trupat paqeruajtëse të KFOR-it hynë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës por edhe sundimit të Beogradit.

Paqeruajtësit e NATO-s dhe të Kombeve të Bashkuara u përballën me pasojat e rënda të luftës, varrezat masive dhe shkatërrimet në shkallë të gjerë.

Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila deri tash është njohur nga mbi 100 vende të botës në mesin e të cilave Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian.

Fushata e bombardimeve nga ajri që zgjati 78 ditë, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Mbi 10 mijë veta u vranë, mbi 800 mijë u ndoqën nga Kosova, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur./ KultPlus.com