Pesë vjet pas vdekjes së tij, vjen dokumentari mbi jetën e Paul Walkerit

Aktori i mirënjohur i filmit “Fast & Furious”, Paul Walker, është ndarë nga jeta në vitin 2013 pasi kishte pësuar një aksidenti të rëndë me veturë, shkruan KultPlus.

Ai ndërroi jetë në moshën 40-vjeçare pas një karriere të bujshme në kinematografinë ndërkombëtare. Për të sjellë në kujtesën e publikut karrierën dhe të bëmat e saj, është përgatitur një dokumentar i cili do të shfaqet muajin e ardhshëm.

Dokumentari mban titullin “Unë jam Paul Walker”, ndërsa shtjellon të gjitha ngjarjet në jetën e tij. Dokumentari është prodhuar nga kompania filmike “Network Entertainment”.

Dokumentari do të shfaqet me datë 11 gusht./ KultPlus.com

Komediani britanik viziton Shqipërinë dhe e sjellë përmes një dokumentari

“E zymtë është fjala me të cilën e asocioja unë Shqipërinë. Kam dëgjuar natyrisht për bandat e kriminelëve shqiptarë në Londër. Por kur them Shqipëria, mendoj komunizmin dhe komunizmin e lidh me pamjet që kam parë nga ish Bashkimi Sovjetik”.

Me këtë paragjykim e ka nisur udhëtimin e tij në Shqipëri, komediani i famshëm britanik Romesh Ranganathan i cili shfaqi mbrëmë në BBC 2 episodin e tij të tretë të serialit të tij të përjavshëm ku kësaj herë eksploronte vendin tonë. Vetë komediani thotë se për arsye të panjohura, britanikët mesatarë e konceptojnë Shqipërinë nga klipet e bardh e zi të epokës së komunizmit, pjesa më e madhe e të cilave gabimisht janë xhiruar në Moskë.

Ishte detyra ime që të zbuloja pse Xhejms Belushi është përpjekur të bindë botën se Shqipëria është një alternativë e mundshme.

Me të mbërritur në Shqipëri, Romesh Ranganathan zbulon në fakt se ky nuk është aspak një vend i zymtë dhe i mjerë, megjithëse bie shi dhe moti është gri. I drejtuar përgjatë gjithë udhëtimit të tij nga gazetarja e Erjona Rusi, Romesh nis eksplorimin e tij nëpër Shqipëri por pasi është ftuar në studion e emisionit “Rreze Dielli” ku madje provon jo vetëm rakinë por edhe të gatuajë me Zonjën Tefta.

Udhëtimi i komedianit britanik vijon më pas në fshatin Shën Gjergj ku mikpritet nga banorët e zonës e madje kalon natën në shtëpinë e Fatmirit, një bari i fshatit.

Zbulimi i Shqipërisë vijon me bregdetin, pamjen spektakolare në Kepin e Rodonit ku pavarësisht temperaturave të ulëta Romesh dhe Erjona zhytën në ujin e ftohtë të detit Adriatik. Dokumentari vijon më pas në një prej pikave më të bukura në veri të Shqipërisë, në Theth ku aventura bëhet edhe më e rrezikshme dhe argëtuese pas një udhëtimi rraskapitës prej 7 orësh.
Pavarësisht paragjykimeve të tij përpara se të mbërrinte në Shqipëri, komediani britanik Romesh Ranganathan zbulon në fakt përgjatë këtij udhëtimi se Shqipëria është një destinacion i veçantë pushimesh.

Erdha në Shqipëri me një mendim të caktuar, e lidhja Shqipërinë me komunizmin, dhe me krimin, një vend krejtësisht të zymtë. Kur sheh për mundësinë e vendeve që do të udhëtosh, natyrisht që zymtësia komuniste por edhe kriminaliteti e heqin Shqipërinë nga lista por Shqipëria ka ecur përtej kësaj. Do të jepja të gjithë argumentat që duke ecur këtu ndjehesh i sigurt njësoj si në Londër. ky vend ka gjithçka mund të kërkosh nga një udhëtim në varësi të llojit të pushimeve që dëshiron të bësh. Do të bësh një pushim në qytet, ke Tiranën, do plazhin, Shqipëria e ka. do të shkosh në mal, Shqipëria e ka. I ka pra të gjitha këto. Po, është paksa pas për shkak të komunizmit. Po, është paksa e ashpër around the edges, por nëse nuk e ke problem dhe do të vish në një vend që vuan nga paragjykimet historike, atëherë ky është një vend i mrekullueshëm për ta vizituar.

Romesh e mbyll udhëtimin e tij në Shqipëri me një kujtim tepër të veçantë, në një bunker në Shkodër ai përjetëson Shqiponjën dy krenare me anë të një tatuazhi në krahun e tij./ KultPlus.com

Vjen çmimi i parë për dokumentarin për kitaristin Petrit Çeku

Filmi dokumentar i cili shtjellon udhëtimin që bëjnë së bashku regjisorja Kaltrina Krasniqi dhe kitaristi Petrit Çeku, ka fituar çmimin e parë, shkruan KultPlus.

“Sarabande” titullohet dokumentari i realizuar për kitaristin kosovar Petrit Çeku, i cili ka fituar çmimin “Dokumentari më i mirë” në festivalin The Monthly Film Festival me bazë në Glasgow.

Për KultPlus, regjisorja Krasniqi është shprehur e lumtur me këtë vlerësim, dhe ka thënë se pas këtij shpërblimi dokumentari bëhet pjesë e koleksionit të festivalit dhe garon për çmim vjetor.

“Ky është festival online dhe shërben si platformë për promovim të filmave të zhanreve të ndryshme në platforma të ndryshme. Pas këtij shpërblimi dokumentari bëhet pjesë e koleksionit të festivalit dhe garon për çmimin vjetor”, është shprehur për KultPlus, Krasniqi.

“Sarabande” ka filluar si një dokumentar personal mbi muzikën klasike të Petrit Çekut i cili në vitin 2014 ishte gati për të regjistruar në Spanjë “Bach: The Cello Suites”. Pikërisht versioni i Petrit Çekut për suitat Bach është konsideruar shumë personale, joshëse, me pasion dhe një zbulesë e mrekullueshme. Mirëpo më vonë këto xhirime gjatë rrugës për në Spanjë u shndërrua në një film mbi kufijtë dhe paligjshmërinë, për t’u përfunduar më vonë në një udhëtim të dy shokëve që udhëtonin midis ideve të shpikura të Lindjes dhe Perëndimit, të së kaluarës dhe të së ardhmes./ KultPlus.com

Bujar Alimani me “Zois”, merr çmimin regjia më e mirë në “Queen’s World Film Festival”

Rrëfimi mbi piktorin shqiptar që u arratis duke kapërcyer edhe rrethojat elektrike është prezantuar në “Queen’s World Film Festival”, shkruan KultPlus.

Dokumentari “Zois” me regji të Bujar Alimanit, në këtë festival i cili është i pari për këtë film, ka marrë çmimi Regjia Më e Mirë e Filmit Dokumentar. Lajmi është bërë i ditur nga regjisori Bujar Alimani, përmes rrjetit social Facebook.

Ky film dokumentar që vjen me regji të Alimanit, i përbërë nga prodecentet Damian Pervizi dhe Dritan Haxhia, edituar nga Sabir Kanaqi, kurse muzika është kompozuar nga Fatrin Krajka dhe zërimi nga Elvis Ikonomi.

Filmi përfshin një rrëfim rreth piktorit shqiptar Zois Shuttie, i cili u arratis nga komunizmi, duke kaluar edhe rrethojat elektrike dhe goditjes së plumbave nga rojet kufitare, ndërsa ky ishte vetëm fillimi i një udhëtimi të gjatë nga Evropa Lindore drejt SHBA-së./ KultPlus.com

Dokumentari për Runikun e Petrit Halilajt shfaqet në Washington (VIDEO)

Kultplus ju sjellë artikull në të cilin artist Petrit Halilaj flet për artefaktet që mungojnë, imigrim, mungesën e lëvizjes së lirë shpendët dhe metaforën e tyre. Artisti mbi këto dhe shumëçka tjerë ka diskutuar nga Washingtoni për Zërin e Amerikës.

Artisti Petrit Halilaj ka filluar që t’i përveshet projektit të tij të radhës. Ai është duke qëndruar në Washington ku në Muzeun e Historisë së Natyrës është shfaqur një dokumentar për Kosovën.

Dokumentari është realizuar nga vetë artisti dhe në të flitet për Runikun, fshatin e Komunës së Skenderaj, nëntoka e të cilit përmban objekte arkeologjike të epokës së neolitit. Diçka që e ka nxitur imagjinatën e artistit Petrit Halitaj i cili është rritu në këtë fshat.

“Është një histori e cila vjen prej kohëve të lashta e që është shumë aktuale në jetën e përditshme edhe në identitetin e ri të shteti të ri tonë, Kosovës”, është shprehur Petrit Halilaj për kronikën e realizuar nga Zëri i Amerikës mbi punën e artistit.

Dy koleksione me 1 mijë e 248 njësi nga fond i Muzeut të Kosovës janë zhvendosur në vitin 1999 prej Muzeut të Kosovës në Serbi. Arsyetimi i organizmave udhëheqëse të asaj kohe ka qenë se do të organizohen disa ekspozita. Një bashkëpunim ky në mes të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe Muzeut të Kosovës ose Autoriteteve të Muzeut të Kosovës të asaj kohe. Disa nga këto artefakte kanë qenë pikërisht nga Runiku të cilat qytetarët edhe sot i kujtojnë.

Kuratori nga Firenca Leonardo Bigazza ai i cili ka qenë në Runik me Petritin është shprehur se ajo që e ka çuditur ka qenë marrëdhënia që banorët kanë me objektet të cilat ata i gjejnë rastësisht.

“Mungesa e institucioneve dhe e muzeut dhe ndjesia se objektet ashtu si shpendët fluturojnë dhe nuk kthehen më kanë lënë një hapësirë për imagjinatë. Prandaj njerëzit spekulojnë dhe krijojnë lloj-lloj mitesh diçka që është po ashtu e veçantë”, është shprehur kuratori.

Artisti Petrit Halilaj ka riprodhuar disa prej objekteve të humbura dhe i ka paraqitur ato në një formë artistike duke i bërë të ngjashme me shpendët që lëvizin apo takohen dhe dashurohen. Një mënyrë kjo e tij për të shprehur nostalgjinë për artefaktet të cilat nuk janë më në Runik.

Institutin Smithsonian sjellë njerëz nga gjithë bota për tu marrë më hulumtime mbi temat të cilat ndërthurin natyrën dhe trashëgimin kulturore. Një mundësi kjo të cilën ky institut ia ka dhënë edhe artistit nga Kosova.

“Ajo që është interesantë për dokumentarin e Petrit është se ai na jep historitë dhe rrëfimet që kanë mbet të varrosura nën këmbët e njerëzve dhe që shfaqën në kopshtet e tyre”, është shprehu antropologu Joshua A. Bell, drejtor i programit në Institutin Smithsonian.

Më e vështirë sipas artistit Petrit Halilaj është krijimi i një identiteti të ri ku të gjithë do të kenë vend. “Kultura për mua është një prej instrumenteve që mundemi me e kuptu se sa është e rëndësishme që të gjithë të jemi pjesë e një shoqërie. Jo vetëm një etni, një gjini apo një fe. Për fat të keq në historinë e kaluar institucionet jo gjithmonë kanë ditë më e përdorë potencialin që kultura ju jep njerëzve për me kuptu”, është shprehur ai.

“Në botë kam udhëtuar me qejf dhe më zor. Më zor janë kujtimet e viti 1998-1999 kur kam migruar si refugjatë në Shqipëri diçka që është pjesë e kujtimeve të mia. Si artist që kur kam filluar të studioj në këto 10-të vitet e fundit, migrimi dhe udhëtimi nëpër botë është esenciale dhe inspirim për mua për me e zhvillu aktivitetin tim dhe jetën time”, ka thënë Halilaj, duke theksuar se ajo që po kërkon në institutin Smithsonia është relacioni në mes zogjve emigrues dhe njerëzve. Tregimin sesi zogjtë nuk kanë vetëm një vend po ekzistojnë duke ju falënderuar mundësisë me fluturu edhe me kalu kontinente, dete e oqeane.

“Unë vijë prej Kosovës, një shtet që është akoma një prej shteteve të fundit në Evropë qytetarët e të cilit pa viza nuk mundëm me udhëtu në Evropë edhe liria për një jetë më të mirë, apo liria e lëvizjes është diçka që më preokupon jo vetëm mua por edhe krejt qytetarët e Kosovës”, përfundon Petrit Halilaj. /KultPlus.com

Shfaqet dokumentari me histori personale të familjes shqiptare dhe izrealite

Gili Hoxhaj

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit më 27 janar, sot në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë u shfaq dokumentari “Trashëgimtarët e një historie shpëtimi” i cili tregon se si familja Rezniqi ka kontribuar në shpëtimin e një familje izraelite, shkruan KultPlus.

Derisa në Ditën Ndërkombëtare të Holokastit në mbarë botën kujtohet e kaluara, vuajtjet dhe mizoritë në të cilat kanë kaluar populli hebre.

“Kjo ditë ka një dimension tjetër edhe për shqiptarët, është dita kur ne ndihemi krenar për veprën më njerëzore që njeh historia ngaqë kombi ynë ka ndihmuar ata që të përndiqeshin nga nazistët”, kështu u tha sot para shfaqjes së dokumentarit.

Lekë Rezniqi përfaqësues i familjes Rezniqi tregoi se hulumtime të shumta kanë treguar se numri më i madh i hebrenjve ka kaluar nëpër Kosovë, nëpër shtëpitë e shumë familjeve shqiptare, siç janë familja Rezniqi, familja Behluli, familja e Halim Spahiut, Hasan Mulla Shabanit, Ramadan Nuzës, Mon Belegut, familja Aliçkaj e shumë të tjera. Ky dokumentar vjen pikërisht për të nxjerrë në pah këto marrëdhënie, të cilat përballën me mungesë të fakteve.

“Siç e do tradita shqiptare kur një mik gjendet në vështirësi dhe ndihmohet, atij zakonisht nuk i kërkohet që në letër të shkruhet se kush ia shpëtoi jetën, e lerë më t’i kërkohet kompensim material. Sot historia pas më shumë se 70 vitesh i kërkon këto fakte e ne po mundohemi t’ua ofrojmë ato”, u shpreh Rezniqi para fillimit të dokumentarit.

Dy familje, njëra shqiptare e tjetra izraelite kanë trashëguar marrëdhëniet e të paraardhësve të tyre. Përmes kujtimeve personale, vizitave e miqësisë, ata edhe vazhdojnë ta kultivojnë këtë miqësi. E kaluara e tyre sot erdhi përmes një dokumentari autori i të cilit ishte Lekë Rezniqi, e producent Dardan Selimaj. Ky dokumentar u dedikohet të gjitha familjeve që kanë ndihmuar hebrenjtë, kontributi i të cilave ende nuk është njohur.

Lekë Rezniqi (stërnipi i Arsllan Mustafa Rezniqi dhe Rachel-Shelly Levi Drammer (mbesa e Dr. Haim Abravanel) takohen në Manastir, në vendbanimin e fundit ku kanë jetuar familja e doktorit Haim Abravanel. Derisa familja Rezniqi kishte strehuar familjet hebrenje në shtëpinë e tyre në Deçan, ata ishin bërë edhe një urë për ta sjellë doktorin Haim Abravanelin nga Shkupi në Kosovë për t’i ndihmuar banorët në tejkalimin e epidemisë tifoide. Për ta shpëtuar doktorin izraelit nga forcat naziste gjermane, familja Rezniqi ishte bërë strehë e tij dhe e kishte shpëtuar atë duke e veshur me veshje myslimane.

Rezniqi dhe Shelly ishin rritur me kujtimet e të bëmat e familjeve të njëri-tjetrit. Ata të ulur shumë pranë njëri-tjetrit sot kujtojnë disa momentet më të rëndësishme të familjeve të tyre deri në largimin e familjes izraelite nga Shqipëria. Mes kujtimeve të tyre personale mësohet se prindërit e Rachel-Shelly-it humbën jetën në tërmetin që goditi Shkupin në vitin 1963, në këtë rast familja e Arsllan Rezniqit shkojnë në Shkup për të ndarë dhimbjen me familjen e doktorit Haim, e për t’u mos u takuar me vite të tëra. Derisa në kohë lufte në Kosovë, Rachel-Shelly përpiqet në çdo mënyrë që të gjetur familjen Rezniqi dhe për ta strehuar atë në Izreal. Ajo përmes këtij dokumentari tregon për lidhjen e ngushtë që ndjejnë me familjen kosovare Rezniqi, sipas saj kjo marrëdhënie është përtej miqësore, është si një marrëdhënie familjare.

Lekë Rezniqi tha gjatë këtij takimi se kombi shqiptar është i vetmi në botë i cili ka mundësuar shpëtimin e popullit hebre.

“Kombi shqiptar është i vetmi në botë i cili në mënyrë të organizuar ka mundësuar dhe siguruar shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit dhe për këtë humanizëm të dimensioneve botërore, bota di shumë pak. Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që nuk e ka njohur antisemitizmin dhe është vendi i vetëm në botë që pas Luftës së Dytë Botërore ka pasur numrin më të madh të hebrenjve se sa para luftës”, tha sot Rezniqi. Familja Rezniqi, është dekoruar me mirënjohjen “Fisnik mes kombeve”, në vitin 2008, nga Yad Vashem, ambasadori i Izraelit. /KultPlus.com