BBC-ja sjell dokumentarin për Kurt Cobainin në 30-vjetorin e vdekjes së tij

BBC do ta publikojë muajin e ardhshëm një dokumentar kushtuar ikonës së rokut, Kurt Cobain.

Ky program njëorësh e nderon artistin amerikan në 30-vjetorin e vdekjes së tij.

“Momentet që drodhën muzikën: Kurt Cobain” do të emetohet pikërisht në prill, në muajin kur ai i kishte marrë vetes jetën.

Sipas një njoftimi për shtyp, dokumnetari do të “rrëfehet përmes pamjeve të rralla arkivore”, dhe ofron një “llogari viskerale të ditëve që i prinë atij momenti tragjik”.

‘Sytë e Shpirtit’, dokumentari për Osman Kazazin e miqësinë me holandezin Paul Luijf

Paul Luijf, një okulist holandez, po lexonte gazetën në shtëpinë e tij,  kur u njoh me historinë e Osman Kazazit, i quajtur “Nelson Mandela” i Shqipërisë, që sapo kishte shembur murin e diktaturës komuniste.

Vendi ynë sapo kishte shembur murin e diktaturës komuniste dhe gazetarët nga gjithë bota kishin zbarkuar këtu për të kuptuar çfarë kishte ndodhur me izolimin gatë gjysmëshekullor.

Paul, në atë kohë 34 vjeç kishte hapur dyqanin e tij të syzeve.

“Të burgosurit e harruar” titullohej shkrimi ku flitej për Kazazin. Kjo histori e preku aq thellë sa i tha gruas së tij Elian: Dua të iki në Shqipëri, dua të dëgjoj nga ky njeri që ka vuajtur kaq shumë se çfarë ka për t’i thënë botës.

Takimi i tyre i parë ishte dhe lindja e një miqësie speciale mes tyre, që tejkalonte diferencën në moshë, kombësitë e tyre dhe historitë aq të ndryshme të jetës.

Osmani do të bëhej një  “baba shpirtëror” për Paulin dhe Paul do të bëhej për Osmanin “djali që nuk pati kurrë”.

Historia erdhi e ekranizuar të premten në Kinema Millenium në dokumentarin “Sytë e Shpirtit”, me skenar të gazetares Blerina Gjoka nga fondacioni Kujto, një nismë që përkujton viktimat e regjimit komunist 45-vjeçar në Shqipëri.

“Osman Kazazi është heroi që unë e zbulova sot, 24 vite nga ikja e tij fizike nga kjo bote. Ai ishte një intelektual, një luftëtar për lirinë, një humanist.  Ai është një prej figurave emblematike të qëndresës antikomuniste”- tha Gjoka para të pranishmëve.

Ndërsa ambasadori holandez në Tiranë, Reinot Vous e përshkroi Kazazin si një njeri të vendosur, i cili, – ”ruajti idealet dhe ëndrrat e tij, ishte si një baba dhe shembull për të rinjtë e burgosur dhe kur më në fund u lirua, vitet e tij të mbetura i kaloi duke promovuar kauzën e të përndjekurve politikë në Shqipëri”.

Humanizmi i Osmanit e frymëzoi Paulin që të qëndronte në Shqipëri gjatë, deri në vitet 2000 duke ndihmuar sa më shumë njerëz të mundej, fillimisht duke vizituar ish-të përndjekurit politikë për shikimin, duke dhuruar syze për ta.

Shtëpia e Osmanit u kthye në një klinikë ku priste pacientët e tij, por më vonë nisi udhëtimet nëpër fshatra, në shkolla, në jetimore në gjithë vendin.

Luijf financoi vendosjen në një shesh të Tiranës të një busti (të punuar nga artisti Niko Thana), për të nderuar vuajtjet dhe qëndresën për të gjithë njerëzit që ashtu si Kazazi ëndërruan për lirinë dhe demokracinë.

Kazazi konsiderohet një prej figurave emblematike të qëndresës antikomuniste, jo vetëm në Shqipëri, po i pazakontë në gjithë Lindjen komuniste. Regjimi e dënoi tri herë, duke i rrëmbyer lirinë plot 33 vjet, 6 muaj, 4 ditë. Nëse kësaj mungese lirie do i shtojmë edhe 5 vitet e internimit, shifra del edhe më e frikshme. Osmani u arrestua kur ishte i ri 28 vjeç dhe doli prej andej 69 vjeç, pa shijuar pjesën më të bukur të jetës. Dhe e gjitha pa bërë asgjë.

Pasi në vitin 1940 mbaroi studimet në gjimnazin e Shkodrës, nisi studimet e larta në Itali për farmaceutikë. Në vitin 1942 u bë anëtar i Ballit Kombëtar. Në qershor 1943, pas 3 vjetësh studime u kthye në Shqipëri duke zhvilluar një aktivitet politik që konsistonte vetëm në propagandë, veprimtari e cila pushoi në qershor 1944. Osmani ishte kryetar i parë i Shoqatës së ish të Dënuarve Politikë në vitet 1991-1993. Vdiq më 3.3.1999 në Tiranë.

Në dokumentar vijnë dëshmitë e gazetarit holandez Joop Holthausen, i cili shkroi për herë të parë historinë e Kazazit për mediet e vendit të tij dhe e këngëtarit të njohur Stef Bos, i cili i frymëzuar nga historia vjen në Tiranë në ceremoninë e vendosjes së bustit dhe kompozon këngën “Liria”, si homazh për jetën e këtij njeriu.

Disa prej vargjeve te kenges:

“Unë pashë sytë e njeriut,

të cilin e varrosën për së gjalli,

Njeriu që për 42 vite

jetoi në errësirë.

Dhe në fund të shekullit

dhe në fund të ditëve të jetës

pa me sytë e tij dritën

dhe blatoi dashurinë,

të cilën nuk ia kthyen kurrë të tjerët.

Unë qëndroj në krahë të së vërtetës,

që detyrohet të heshtë

kur askush nuk e dëgjon

dhe asnjëherë s’merr të drejtën e saj.

Dhe unë thërras me zë të lartë:

Liria…Liria..Liria/atsh/KultPlus.com

‘Dita Botërore e Popullsisë’, lansohet dokumentari që trajton barazinë gjinore dhe ndërtimin e paqes

Arlinda Hajdaraj

Lansimi i dokumentarit dhjetë minutësh “Dita Botërore e Popullsisë” dhe diskutimi publik mes katër panelistësh, u mbajt sot në ‘KinoArmata’  në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Dokumentari i shfaqur sot me rastin e 11 Korrikut, Ditës Botërore të Popullsisë, pati një qëllim, të trajtojë me përpikshmëri të lartë temën e barazisë gjinore dhe ndërtimin e paqes, tema këto, të cilat jo shumë shpesh diskutohen mes nesh.

Në panelin e diskutimit morën pjesë, Edi Gusia, Visare Mujko-Nimani, Majlindë Sinani-Lulaj dhe Erlinë Koca.

Fjalën hyrëse të këtij diskutimi, e mori Edi Gusia, Kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, e cila tha se stereotipet gjinore po afektojnë kualitetin e jetes së grave shqipëtare dhe se ato po gjykohen më shumë se burrat në sfera të ndryshme jetësore.

“Stereotipet gjinore fatkeqësisht janë bërë shumë prezente në jetën tonë të përditshme dhe përshkak të këtyre stereotipeve, kur një grua  deklarohet, ckado qoftë ajo, politikane, sportiste apo edhe gazetare, ka tendenca të gjykohet shumë më ashpër se sa një burrë që merret me profesionin e njëjtë.”, u shpreh Gusia.

Gusia shpalosi edhe një problem tjetër, kurën e të cilit e tha përpara njerëzve të pranishëm aty.

“Pjesa e edukimit për barazi gjinore duhet të jetë prezente që nga mosha e hershme, duke u ofruar  vajzave mundësi për të marrë pjesë në jetën publike apo politike, dhe për ti shprehur apo prezentuar ëndërrat e tyre.”, u shpreh Gusia.

Ndërkaq, për çështjen e ëmësisë, Kryeshefja Ekzekutive, Edi Gusia, tha që duhet të bëhet hapja e kopshteve publike apo atyre me partneritet publiko-privat, për shkak që nëse ato hapen, e mira e tyre do të jetë e dyfishtë.

“Është e domosdoshme që të investojmë më tepër në hapjen e kopshteve publike ose atyre me partneritet publiko-privat. Kjo përpos që i shërben kualitetit të edukimit të fëmijëve, u mundëson edhe grave qasje në tregun e punës dhe balancimit të jetës profesionale me atë familjare”, përfundoi Gusia.

Sipas Gusisë,  vetëm 19% të grave janë aktive ose që kërkojnë punë, e kjo për shkak të obligimeve familjare të cilat janë shkaktare të mbajtjes së tyre larg tregut të punës.

Ndërkaq, Majlindë Sinani-Lulaj, nga Zyra e Avokatit të Popullit, fillimisht foli për rolin e Avokatit të Popullit e dikur për të dalë edhe tek mospërfillja e rekomandimeve dhe mosvënia në dukje e “mundit” të tij.

“Avokati i Popullit ka një mandat të gjerë, përvec si mekanizem për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut është edhe adresë që shërben si mekanizëm për parandalimin e torturës.”, u shpreh Sinani-Lulaj.

Përgjatë këtij tranzicioni, për shkak të shumë problemeve minore dhe madhore që na rrethojnë, nuk po kemi vëmendje të mjaftueshme për të parë se çfarë përgjegjësish ka dikush, dhe çfarë bënë për to.”

“ Avokati i Popullit, mbetet më i paheshtur dhe me i padukshëm në veprimet e veta  sepse s’ka fuqi ekzekutive të dukshme, por ka rekomandime që u shërbejnë autoriteteve të maturohen e të piqen brenda nje sistemi demokratik. Përderisa nuk ekziston një përgjegjshmëri për të respektuar ato rekomandime që vijne nga avokati i popullit, ajo demokraci është shumë e brishtë”, u shpreh Sinani-Lulaj.

Ndërsa, sa i përket Ligjit për Barazinë Gjinore, Sinani-Lulaj tha që ky ligj ka për detyrë të trajtojë njerëzit në mënyrë të barabartë dhe t’iu japë atyre hapësirën e duhur, por që fatkeqësisht nuk po zbatohet si duhet.

Gjatë diskutimit foli edhe Visare Mujko-Nimani nga Organizata UNFPA, e cila tha që edhe pse bota po shumohet dhe problemet po janë gjithëherë më sfiduese, prapë se prapë barrën më të madhe po e bartin gratë.

 “Kemi mbërri ne 8 miliard banorë dhe sfidat që po i con krejt bota në drejtime të ndryshme, si nga varfëria apo zhvillimi, janë më tepër sfiduese gratë. Në aspektin e shendetit seksual dhe riprodhues barrierat fillojnë shumë herët, qysh prej shtatëzanisë së gruas, me pyetjen e parë që i’u bëhet, a e ke vajzë apo djalë?, me dëshirë që fëmija me qenë djalë.”, theksoi Mujko-Nimani.

Mujko-Nimani tha se për fat të keq ende po përdoren mjetet e ndryshme duke u bërë një diskriminim ndaj vajzave, e cila po shkon edhe deri tek aborti i vajzave.

“Duke e nisë  me moton e këtij viti për Ditën Botërore të Popullsisë, po i mohohet një e drejtë elementare një fëmije por edhe potencialin që ndoshta kurrë nuk mund ta realizojë ai fëmijë.”

“Unë u nisa nga fillimi, por edhe pas lindjes së vajzës, ajo ka shumë barriera për shkollë e sidomos nëse vjen nga viset rurale, duke u mendu se a mundet me zgjedh atë që don me studiu. Pastaj, vijmë edhe tek faza e martesës, ku gruaja duhet të zgjedh se a don të ketë familje apo të përfundojë punë.”, përfundoi Mujko-Nimani.

Mujko-Nimani tha se sakrifica më e madhe po i bie gruas e cila në të shumtën e rasteve po heq dorë edhe nga punësimi.

E fundit në këtë diskutim, por jo më pak e rëndësishmja ishte edhe gazetarja,  Erlinë Koca, e cila foli për median, gazetarët dhe ndikimin e tyre në popullatë, që në fund gjithçka të përmbyllet me ndryshime pozitive.

“Gazetaria cilësohet si pushtet i katërt sepse përnjëmend ka një ndikim në problemet sociale. Ajo se çka mund të bëjnë gazetarët për të dhënë kontributin e tyre në këtë aspekt është krijimi i storieve të ndryshme, historite e suksesit të minoriteteve dhe kontributin e tyre ndaj shoqerisë. Kjo ndihmon bindshëm edhe në ndryshimin e mendësisë së njerëzve dhe popullatës tonë.”, theksoi Koca.

Gazetarja, Erlinë Koca, tha se e tërë kjo mund të niset nga një person, për të vazhduar kështu edhe me të tjerë dhe se të gjithë gazetarët duhet të kontribojnë në këtë aspekt që të bëhet ndryshimi i mundshëm.

Katër panelistët e këtij diskutimi të hapur për nder të “Ditës Botërore të Popullsisë”  ishin : Edi Gusia-Kryeshefe Ekzekutive nga Agjencia për Barazi Gjinore, Visare Mujko Nimani nga UNFPA, Majlindë Sinani-Lulaj nga Zyra e Avokatit të Popullit dhe gazetarja Erlinë Koca.

Kujtojmë që ky dokumentar është zhvilluar në kuadër të projektit “Të Rinjtë për Përfshirje, Barazi dhe Besim” me financim nga UN Peace Building Fund dhe zbatuar nga UNFPA”./KultPlus.com

Dokumentari i ri për jetën e Aviciit publikohet më 2023

Një dokumentar i ri që fokusohet në jetën dhe muzikën e producentit të ndjerë suedez, Avicii, do të publikohet dhe detaje të reja janë dhënë mbi të.

Siç raportohet nga Billboard, filmi, që publikohet më 2023, do të shfaqë “material të ri”, si dhe pamje nga prapaskenat, intervista me familjen, miqtë dhe kolegët, klipe arkivore dhe intervista me Aviciin

Ndërsa titulli i filmit ende nuk është zbuluar, një deklaratë për Billboard e përshkruan atë si një pasqyrë në “muzikën dhe artistin që përcaktoi një epokë dhe ndryshoi botën e muzikës përgjithmonë, dhe është një histori nga afër, intime dhe epike për sukseset e tij të pashembullta dhe përpjekjet e tij për të përballuar presionin”.

Dokumentari do të prodhohet nga regjisori dhe kinematografi Björn Tjärnberg dhe Candamo Film, në bashkëpunim me Televizionin Kombëtar Suedez. / KultPlus.com

‘Britney vs Speras’, dokumentari më i ri nga Netflix

Platforma e famshme ”Netflix” ka paralajmëruar një dokumentar, fokusi i të cilit do të jetë mbi jetën e këngëtares së famshme amerikane, Britney Spears, përcjell KultPlus.

Dokumentari mban titullin “Britney vs Spears” kryesisht do të trajtojë bujën e madhe të këngëtares në lidhje me kujdestarinë ligjore nga i ati i saj.

”Netflix” publikoi disa sekonda nga projekti në fjalë i cili është nën regjinë e Erin Lee Carri, ndërkaq traileri i plotë i dokumentarit pritet të publikohet gjatë mbrëmjes së sotme.

Dokumentarit “Britney vs Spears” i është dashtur një vit deri në realizimin final, ndërkaq akoma nuk është bërë e ditur data e premierës së tij. / KultPlus.com

Ermonela Jaho pjesë e filmit dokumentar ‘Zjarri i shenjtë’ (VIDEO)

Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare Ermonela Jaho, do të jetë pjesë e filmit të zhanrit dokumentar me titull “Zjarri i shenjtë”.

Ky realizim, i cili do të shfaqet në kinema në muajin tetor 2021, paraqet tre artiste të operës: Ermonela Jaho, Barbara Hanigan dhe Asmik Grigorian.

Dokumentari, eksploron si e kalojnë ato kohën para një nate hapjeje, si duken dhomat e tyre të zhveshjes dhe çfarë ndodh para një shfaqjeje, transmeton KultPlus.

“E përulur që të jem pjesë e filmit të fundit të Jan Schmidt-Garre, Fuoco Sacro, i cili del ne kinema këtë Tetor. Filmimi ishte një eksperiencë katarktike dhe besoj se e ruan atë fuqi edhe sot. Ja kalove vetes Jan, urime për këtë kryevepër të ndjerë”, – citon Jaho. / KultPlus.com

Dokumentari për aktorin Val Kilmeri po mahnit Kanën

Magjepsës si Jim Morrisoni i grupit “The Doors”, një maço tipik përkrah Tom Cruiset në filmin “Top Gun” dhe pak i vlerësuar në rolin e ngurtë të Batmanit – të cilin edhe vetë e urreu – pak aktor janë intrigues sa Val Kilmeri.

Sjelljet dhe karakteri i tij vazhdimisht kanë pasur ngritjet dhe uljet e veta.

Joel Schumacher, i cili ishte në rolin e regjisorit për filmin “Batman Forever”, e cilësoi aktorin Kilmer si psikopat dhe më shqetësuesin që ka njohur ndonjëherë. Krejt problemet e karrierës janë bërë troç në dokumentarin “Val” për jetën e aktorit që po mahnit pjesëmarrësit në Festivalin e Filmit në Kanë.

Aktori besohet se ka pasur probleme me menaxhimin e zemërimit kur ia dorëzuan dokumentet e shkurorëzimit gjatë xhirimeve të filmit “The Island of Dr.Moreau”. Filmi, përveç problemeve me motin dhe buxhetin e lartë, e kishte lodhur regjisorin John Frankenheimer.

“Kurrë nuk do të ngjitem në Malin Everest dhe kurrë më nuk do të punoj me Val Kilmerin”, kishte thënë regjisori.

Dokumentet e shkurorëzimit erdhën nga Joanne Whalley, bashkëshortja britanike, e cila dy herë e çoi në gjykatë.

Gjatë shkurorëzimit të tyre – i realizuar derisa Klimer ishte në lidhje me modelisten Cindy Crawford – aktori u akuzua për lidhje me një kameriere dhe për dështim që të sigurojë shtëpi për fëmijët e tyre.

Të mërkurën, fëmijët e tij, Mercedes dhe Jack, ishin të pranishëm në Kanë për ta promovuar dokumentarin e babait të tyre, i cili u realizua nga “Amazon Prime”.

Pjesë e dokumentarit janë incizimet e shumta të cilat i ka realizuar aktori 61-vjeçar gjatë katër dekadave. Kilmeri në këtë dokumentar flet sinqerisht për jetën dhe karrierën e tij.

Në këtë dokumentar ai duket sikur po flet nëpërmjet laringut, për shkak të pasojave të kancerit në fyt, me të cilën sëmundje u diagnostikua në vitin 2015.

Sëmundjen e tij e ka mbajtur private dhe është larguar nga jeta e Hollywoodit. I plakur dhe me një zë të cilin gazeta “New York Times” e përshkroi diçka si ulërimë e shterur, ai i ngushëllon demonët e tij të brendshëm. Ndërkaq revista e njohur “Variety” shkroi për portretin që bën bashkë talentin, inteligjencën dhe dhuntinë për ta sabotuar veten”.

I biri i një pasaniku të Arizonas, aktori ka pasur gjithmonë standarde të larta. Një aktor aq i përpiktë dhe i prirë të mishërohet me rolet e tij saqë në moshën 12-vjeçare braktisi xhirimet e reklamës për hamburger, me arsyetimin se nuk mund të gjente motivimin për rolin që kishte marrë.

Val Kilmer shpesh duket larg personit të përulur dhe spiritual që shfaqet në filmin e ri në të cilin fshin lotët sa herë flet për jetën dhe sëmundjen.

Sëmundja e kancerit e ka lodhur. Në dokumentar, në të shumtën e rasteve, rrëfimi është i titëruar për shkak se aktori mezi dëgjohet duke folur. Shpesh i biri i tij përsërit fjalët e babait. “Kam jetuar një jetë magjike dhe jam kënaqur të shumtën e kohës”, thotë ai. / Koha.net / KultPlus.com

Dokumentari ‘Hope’ shpërblehet me dy çmime në Festivalin e Filmit në Indi

Dokumentari ”Hope” i realizuar nga Vjosa Abazi, është shpërblyer me dy çmime mujore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit ”Tagore” që mbahet në Indi, përcjell KultPlus.

Filmi është shpallur fitues i çmimeve Documentary film dhe Film On Woman.

Dokumentari i cili premierën e kishte në DokuFest-in e viti të kaluar, shpalos historinë e katër grave që i lidhin histori të ndryshme por një fat i përbashkët. Heroina që ndonëse të goditura si mos më keq nga fatkeqësia, mbajnë të freskëta rrëfimet e tyre. Nuk është historia e njëjtë ajo që i bashkon, por është shpresa që i mban të gjalla, ju jep kurajo dhe forcë për të vazhduar më tutje.

Dokumentari “Hope” sjellë rrëfimet dhe përditshmërinë e këtyre katër grave, Hajries, Ferdonijes, Valintinës e Makfiretes, i bënë të gjalla dhe njëherë historitë që nuk duhet të kalohen në heshtje. / KultPlus.com

Dokumentari i ri për ‘The Beatles’ tregon dashurinë e tyre të gjatë me Indinë

Një dokumentar i ri për kohën e The Beatles në Indi do të lansohet në Mbretërinë e Bashkuar në qershor.

“The Beatles dhe India” do të lansohet në një kohë me një album të tyre i cili do të interpretohet nga artistë indianë.

Ajo është një kronikë historike e grupit mbi marrëdhënien e tyre të thellë dhe me ndikim në Indi, shkruan NME, transmeton KultPlus.

Publikimi i tij përkon me “The Beatles and India: Songs Inspired by the Film”, një bashkim këngësh i grupit të cilat do të interpretohen nga artistë bashkëkohorë indianë. Këngët e kënduara nga ta do të jenë ato që janë inspiruar nga koha kur ishin në Indi. / KultPlus.com

J. Cole lanson dokumentarin pak para albumit të ri

Reperi dhe producenti i njohur, J. Cole, do ta lansojë një dokumentar të ri të titulluar, “Applying Pressure: The Off-Season Documentary”. Lajmin e ka bërë të ditur vet artisti përmes rrjeteve sociale.

J. Cole po ashtu pritet ta publikojë albumin e ri muzikor, “The Off-Season”, të premten më 14 maj. Ky incizim i shumëpritur nga fansat, vjen pas albumit të vitit 2018, “KOD”.

Cole e bëri të ditur lajmin e lansimit të shpejtë të dokumentarit përmes rrjeteve sociale.

“Applying Pressure: The Off-Season Documentary, lansohet të hënën më 10 maj”, ka shkruar reperi në postimin e tij.

Dhe siç nënkupton titulli i tij, ky projekt do të sjellë pamje nga prapaskenat e realizimit të albumit të ri të reperit.

Javën e kaluar, J. Cole e lansoi këngën e re të titulluar “Interlude”. Në kohën e publikimit të këtij projekti, reperi u tha fansave se fillimisht kishte planifikuar ta ndajë me ta komplet albumin në të njëjtën kohë.

Por siç duket reperi, emri i vërtetë i së cili është Jermaine Lamarr Cole, ka ndërruar mendje dhe ka vendosur ta shënojë këtë incizim të ri, me lansimin e një kënge dhe një dokumentari. /koha/ KultPlus.com

Dokumentari i Britney Spears lansohet në Maj

Pritjes së gjatë për dokumentarit e këngëtares së famshme amerikane Britney Spears, po i vjen fundit. BBC ka njoftuar se në fillim të majit të këtij viti do të lansohet dokumentari mbi jetën e këngëtares së Pop-it, përcjell KultPlus.

Dokumentari i ri, i titulluar The Battle for Britney: Fans, Cash and Conservatorship, do të dalë në BBC iPlayer të shtunën më 1 maj.

Gazetari i BBC, Mobeen Azhar ka qenë në vendlindjen e Spears për të takuar njerëz që janë të përfshirë në betejat e gjata gjyqësore përreth Britney. Azhar gjithashtu ka intervistuar edhe njerëz të afërm të Spears, përfshirë ish-koreografin e saj dhe bashkë-yllin e “X Factor”, Brian Friedman, grimeren e saj, Billy Brasfield, avokaten Lisa MacCarley dhe blogerin e famshëm Perez Hilton.

Vetë këngëtarja iu përgjigj një pjese që u lansua në shkurt duket thënë: Unë nuk e shikova dokumentarin, por nga ajo që pashë kam qarë për dy javë. Unë ende qaj ndonjëherë. / KultPlus.com

Pesë minuta nga dokumentari për ‘The Beatles’, dhuratë në kohë të vështira

Filmbërësi me nam, Peter Jackson, ka ndarë një dromcë ekskluzive të dokumentarit në përgatitje e sipër “The Beatles: Get Back”.

Klipi pesëminutësh i filmit të shumëpritur është tashmë i qasshëm për adhuruesit kudo në botë te faqja “TheBeatles.com”.

“Ne deshëm t’iu japim adhuruesve të ‘Beatles’ kudo në botë një dhuratë për pushime”, ka thënë regjisori i njohur për trilogjinë “The Lord of the Rings”. “Ndaj bëmë bashkë këtë dromcë pesëminutëshe të filmit të ardhshëm. Shpresojmë që do të sjellë buzëqeshje në fytyrën e secilit dhe gëzimin aq shumë të nevojshëm në kohëra të vështira”.

Sipas Paul McCartneyt, ky klip nuk është triler për dokumentarin, por më shumë si shembull i xhirimeve 56-orëshe që nuk janë parë asnjëherë. / KultPlus.com

Historia e parrëfyer e John Belushit vjen në një dokumentar (VIDEO)

Historia e parrëfyer e aktorit me origjinë shqiptare John Belushit do të vijë nëpërmjet një dokumetari i cili do të shfaqet premierë  më 22 nëntor 2020 në Chicago International Film Festival.

Ky dokumentar sjell materiale audio të padëgjuara më parë të cilat hedhin dritë mbi shumë aspekte të yllit shqiptar të  komedisë  amerikane.

Dokumentari i regjisorit R.J. Cutler përshkruan jetën shumë të shkurtër të një talenti të madh, i cili rrëmbeu zemrat e audiencës duke i dhuruar emocione dhe të qeshura pafund.

Duke përdorur kaseta audio të regjistruara, të padëgjuara më parë, historia e parrëfyer e John Belushit aktorit dhe këngëtarit nga SHBA-ja me prejardhje shqiptare, vjen në një format të ri.

Edhe pse u nda nga jeta në moshë fare të re ai la pas një punë të shkëlqyer që shikohet me adhurim dhe sot. Dokumentari i regjisorit dhe shkrimtarit R.J. Cutler, sjellë rrëfime nga familjarë  dhe njerëz të afërt të yllit si vëllai i tij Jim Belushi si dhe aktorët Carrie Fisher, Chevy Chase, etj.

Më poshtë gjeni trailerin e dokumentarit. / KultPlus.com

“Tupac është gjallë”, del dokumentari që hedh poshtë vrasjen e tij

Të gjithë sytë do të kthehen nga New Mexico pas dokumentarit të ri që pretendon se Tupac Shakur është shëndoshë e mirë dhe fshihet në këtë qytet, përkundër raporteve të vrasjes së tij gati 25 vjet më parë.

Në dokumentarin “2Pac: Great Escape From UMC”, regjisori Rick Boss pohon se Shakur u arratis nga Qendra Mjekësore Universitare në Las Vegas ku makina e tij u bë shoshë nga plumbat në 1996-tën. Prej andej, siç pretendon dokumentari, arriti të largohej drejt New Mexicos.

Boss thotë se ishte informuar për goditjen e planifikuar ndaj tij pasi mbërriti në hotelin MGM Grand për të parë një ndeshje në “qytetin e mëkatit”. Dhe këtu autori hedh idenë se këngëtari kishte nisur të thurte planin e shpëtimit: përdori dublant dhe një helikopter privat, sepse dihej që autoritetet do të bllokonin aeroportin. Boss shpjegon se në Meksikë, Tupacun po e mbron fisi Navajo.

Mund të duket e gjitha si një trillim, por regjizori thekson se informacionet konfidenciale i ka marrë nga miq të besuar të reperit, por edhe familjarë të tij. Ndërkohë, aktori Richard Garcia, i cili portretizon Tupacun në film, beson se këngëtari legjendar vdiq vërtetë atë natë, por shton se trashëgimia e tij vazhdon të jetë gjallë. Filmi dokumentar pritet të shfaqet në vitin 2021. /KultPlus.com

Dokumentari “Prokurorët” me guximin në betejën kundër dhunës seksuale

“Prokurorët”, dokumentari i fitueses së çmimit “Emmy”, Leslie Thomas, ka bërë bashkë të mërkurën në “Kino Armata”, në Prishtinë, ambasadorë e aktivistë në thirrjen e përbashkët kundër dhunës seksuale dhe fuqizimin e zërit të të mbijetuarave.

Kjo ka qenë njëra prej formave për ta shënuar Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, shkruan sot Koha Ditore.

Shfaqja e dokumentarit ka kthyer vëmendjen jo vetëm tek viktimat e dhunës seksuale në Kosovë, mirëpo edhe tek ajo se çfarë duhet bërë më shumë si shoqëri, e veçanërisht çfarë mund të bëjë sistemi gjyqësor dhe prokurorët.

Që të bëhet më shumë në këtë drejtim edhe në Kosovë, në evenimentin e organizuar nga Zyra në Kosovë e “UN Women” dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë janë ftuar edhe prokurorë, anëtarë të shoqërisë civile, drejtues të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësues të ndërkombëtarëve.

“Prokurorët” shpalos historinë e tre juristëve të përkushtuar, të cilët luftojnë për të siguruar që dhuna seksuale në konflikt të mos mbetet e pandëshkuar. I xhiruar në tri kontinente, i merr shikuesit në një udhëtim në Republikën Demokratike të Kongos në Bosnjë-Hercegovinë, si dhe në Kolumbi. Rrëfimi sjell historitë e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftërave apo konflikteve, guximin e tyre për të raportuar dhe dëshmuar. Një luftë e përbashkët për drejtësi e viktimave, por edhe e prokurorëve.

Vlora Nushi, udhëheqëse e Zyrës së “UN Women” në Kosovë, ka thënë se dokumentari është tregim dhe kërkim për drejtësi.

“Pro-Rrymës” dhe në mbrojtje të natyrës erdhi mbrëmë në DokuFest

Alberina Haxhijaj – Prizren

Mbrëmë në kuadër të DokuFest-it erdhi dokumentari “Pro Rrymës” realizuar nga Elton Baxhaku, shkruan KultPlus.

“Pro Rrymës” është një dokumentim i përpjekjeve të komuniteteve lokale, organizatave mjedisore dhe aktivistëve të shoqërisë civile për t’u përfshirë në vendimmarrjen për fatet e lumenjve Valbonës dhe Vjosës, si dhe të zonave të mbrojtura përballë lejeve për projekte hidroenergjetike të qeverisë shqiptare.

Dokumentari sjellë sfidën e shekullit për mjedisin në Shqipëri, ku 526 hidrocentrale kanë marrë dritën e gjelbër nga autoritetet qendrore. Kjo është historia e rezistencës së banorëve dhe të aktivistëve mjedisor, kundër valës shkatërruese të HEC-eve në Shqipëri përgjatë dekadës së fundit.

“Në kohën kur po bënim xhirimet u premtua se do të hapej një mundësi e re drejt energjisë diellore, energjisë së erës dhe burimeve të tjera. Pasi që ekosistemi po dëmtohej rënd por kjo ishte një gënjeshtër e radhës. Projektet që ishin planifikuar për tu bërë pra me burime alternative të energjisë u anuluan dhe u ndryshuan. Për aq sa nuk u bë asnjë projekt përveç HEC-eve”, tregoi për publikun e pranishëm në platonë e DokuKino-së, Elton Baxhaku-regjisor.

Tutje ai tregoi se punimet e HEC-eve po vazhdonin që të realizoheshin dhe e vetmja pengesë që kishin, ishin banorët të cilët kundërshtoni. Pikërisht ky dokumentar paraqet edhe këmbënguljen e tyre për të shpëtuar natyrën në ‘luftë’ me shtetin e tyre i cili ka plane të kundërta.

Diçka tjetër që do mund të shihni në këtë dokumentar janë aktivitet e shumta kulturore dhe sportive të cilat janë mbajtur për të shpëtuar natyrën duke përfshirë koncertin e madh i cili mori shumë jehonë “Mos ma prek Valbonën”, apo marshimin me Kayak që u bë nëpër lumenjtë në gjithë Ballkanin pasi që një situatë të ngjashme po hasin shumë vende në këtë pjesë.

“Nuk është rasti i parë që hasim në Shqipëri, kur një i huaj vjen dhe bënë roli e ‘reflektuesit’ ai që na i hapë sytë duke na treguar se gjërat nuk janë mirë. Këtë e kemi parë edhe në rastin e Vjosës e sidomos në rastin e Valbonës ku shumë të rinj nga vendet e tjera kanë ardhur për të ndihmuar në mbrojtjen e ambientit. Por këta të rinj, nuk kanë dashur që të lidhen me asnjë parti, organizatë apo diçka të tillë ata thjeshtë kanë dashur që të na ndihmojnë pasi që e kanë vënë re se çfarë po humbim”, ka treguar ai.

Ajo që ky dokumentar vë në pah është edhe puna që kanë bërë pikërisht këta të ri duke përfshirë këtu edhe shkencëtarët të cilët kanë dokumentuar gjallesat të cilat ekzistojnë në këto pjesë të Shqipërisë e që më parë nuk janë ditur duke përfshirë këtu edhe “Puqemi”, një specie e re e cila është zbuluar.

Dokumentari “Pro Rrymës” dhe rezistencën për të mbrojtur ambientin do mund ta shikoni edhe sonte në Kino n’lum duke filluar nga ora 22:00, në kuadër të DokuFest-it në Prizren. /KultPlus.com

Dokumentari për Paul Walker, zbulon lidhjen e veçantë me të bijën

Të afërmit dhe njerëzit më të dashur të Paul Walker flasin për aktorin që humbi jetën në mënyrë tragjike nga një aksident në 2013, në një dokumentar për jetën e tij.

Ata tonë se 40-vjeçari e adhuronte vajzën e tij Meadow, e cila ishte vetëm 15 vjeç kur i ati ndërroi jetë, transmeton tch.

“Ai e adhuronte të ishte baba. Ishte mjaft krenar për të”, ka rrëfyer i vëllai, Cody në një intervistë për “People”.

Vajza e tij adoleshente shkoi në Kaliforni për të qenë me të atin një vit para tragjedisë, pasi u rrit me të ëmën në Hawaii pasi ata të dy ishin shumë të lidhur. E ëma e Paul, Cheryl, flet për gëzimin që ndjente duke ndihmuar çdo ditë të mbesën në shkollën e kërcimit.

Paul e shoqëronte gjithmonë të bijën dhe ajo ishte shumë e ëmbël, thotë Cody, dhe mëngjesin e vdekjes së tij më 30 nëntor 2013 ata kishin ngrënë mëngjes bashkë, dhe e kishin lënë që do dilnin më vonë për dekorimet e pemës së Krishtlindjeve./ KultPlus.com

Pesë vjet pas vdekjes së tij, vjen dokumentari mbi jetën e Paul Walkerit

Aktori i mirënjohur i filmit “Fast & Furious”, Paul Walker, është ndarë nga jeta në vitin 2013 pasi kishte pësuar një aksidenti të rëndë me veturë, shkruan KultPlus.

Ai ndërroi jetë në moshën 40-vjeçare pas një karriere të bujshme në kinematografinë ndërkombëtare. Për të sjellë në kujtesën e publikut karrierën dhe të bëmat e saj, është përgatitur një dokumentar i cili do të shfaqet muajin e ardhshëm.

Dokumentari mban titullin “Unë jam Paul Walker”, ndërsa shtjellon të gjitha ngjarjet në jetën e tij. Dokumentari është prodhuar nga kompania filmike “Network Entertainment”.

Dokumentari do të shfaqet me datë 11 gusht./ KultPlus.com

Komediani britanik viziton Shqipërinë dhe e sjellë përmes një dokumentari

“E zymtë është fjala me të cilën e asocioja unë Shqipërinë. Kam dëgjuar natyrisht për bandat e kriminelëve shqiptarë në Londër. Por kur them Shqipëria, mendoj komunizmin dhe komunizmin e lidh me pamjet që kam parë nga ish Bashkimi Sovjetik”.

Me këtë paragjykim e ka nisur udhëtimin e tij në Shqipëri, komediani i famshëm britanik Romesh Ranganathan i cili shfaqi mbrëmë në BBC 2 episodin e tij të tretë të serialit të tij të përjavshëm ku kësaj herë eksploronte vendin tonë. Vetë komediani thotë se për arsye të panjohura, britanikët mesatarë e konceptojnë Shqipërinë nga klipet e bardh e zi të epokës së komunizmit, pjesa më e madhe e të cilave gabimisht janë xhiruar në Moskë.

Ishte detyra ime që të zbuloja pse Xhejms Belushi është përpjekur të bindë botën se Shqipëria është një alternativë e mundshme.

Me të mbërritur në Shqipëri, Romesh Ranganathan zbulon në fakt se ky nuk është aspak një vend i zymtë dhe i mjerë, megjithëse bie shi dhe moti është gri. I drejtuar përgjatë gjithë udhëtimit të tij nga gazetarja e Erjona Rusi, Romesh nis eksplorimin e tij nëpër Shqipëri por pasi është ftuar në studion e emisionit “Rreze Dielli” ku madje provon jo vetëm rakinë por edhe të gatuajë me Zonjën Tefta.

Udhëtimi i komedianit britanik vijon më pas në fshatin Shën Gjergj ku mikpritet nga banorët e zonës e madje kalon natën në shtëpinë e Fatmirit, një bari i fshatit.

Zbulimi i Shqipërisë vijon me bregdetin, pamjen spektakolare në Kepin e Rodonit ku pavarësisht temperaturave të ulëta Romesh dhe Erjona zhytën në ujin e ftohtë të detit Adriatik. Dokumentari vijon më pas në një prej pikave më të bukura në veri të Shqipërisë, në Theth ku aventura bëhet edhe më e rrezikshme dhe argëtuese pas një udhëtimi rraskapitës prej 7 orësh.
Pavarësisht paragjykimeve të tij përpara se të mbërrinte në Shqipëri, komediani britanik Romesh Ranganathan zbulon në fakt përgjatë këtij udhëtimi se Shqipëria është një destinacion i veçantë pushimesh.

Erdha në Shqipëri me një mendim të caktuar, e lidhja Shqipërinë me komunizmin, dhe me krimin, një vend krejtësisht të zymtë. Kur sheh për mundësinë e vendeve që do të udhëtosh, natyrisht që zymtësia komuniste por edhe kriminaliteti e heqin Shqipërinë nga lista por Shqipëria ka ecur përtej kësaj. Do të jepja të gjithë argumentat që duke ecur këtu ndjehesh i sigurt njësoj si në Londër. ky vend ka gjithçka mund të kërkosh nga një udhëtim në varësi të llojit të pushimeve që dëshiron të bësh. Do të bësh një pushim në qytet, ke Tiranën, do plazhin, Shqipëria e ka. do të shkosh në mal, Shqipëria e ka. I ka pra të gjitha këto. Po, është paksa pas për shkak të komunizmit. Po, është paksa e ashpër around the edges, por nëse nuk e ke problem dhe do të vish në një vend që vuan nga paragjykimet historike, atëherë ky është një vend i mrekullueshëm për ta vizituar.

Romesh e mbyll udhëtimin e tij në Shqipëri me një kujtim tepër të veçantë, në një bunker në Shkodër ai përjetëson Shqiponjën dy krenare me anë të një tatuazhi në krahun e tij./ KultPlus.com

Vjen çmimi i parë për dokumentarin për kitaristin Petrit Çeku

Filmi dokumentar i cili shtjellon udhëtimin që bëjnë së bashku regjisorja Kaltrina Krasniqi dhe kitaristi Petrit Çeku, ka fituar çmimin e parë, shkruan KultPlus.

“Sarabande” titullohet dokumentari i realizuar për kitaristin kosovar Petrit Çeku, i cili ka fituar çmimin “Dokumentari më i mirë” në festivalin The Monthly Film Festival me bazë në Glasgow.

Për KultPlus, regjisorja Krasniqi është shprehur e lumtur me këtë vlerësim, dhe ka thënë se pas këtij shpërblimi dokumentari bëhet pjesë e koleksionit të festivalit dhe garon për çmim vjetor.

“Ky është festival online dhe shërben si platformë për promovim të filmave të zhanreve të ndryshme në platforma të ndryshme. Pas këtij shpërblimi dokumentari bëhet pjesë e koleksionit të festivalit dhe garon për çmimin vjetor”, është shprehur për KultPlus, Krasniqi.

“Sarabande” ka filluar si një dokumentar personal mbi muzikën klasike të Petrit Çekut i cili në vitin 2014 ishte gati për të regjistruar në Spanjë “Bach: The Cello Suites”. Pikërisht versioni i Petrit Çekut për suitat Bach është konsideruar shumë personale, joshëse, me pasion dhe një zbulesë e mrekullueshme. Mirëpo më vonë këto xhirime gjatë rrugës për në Spanjë u shndërrua në një film mbi kufijtë dhe paligjshmërinë, për t’u përfunduar më vonë në një udhëtim të dy shokëve që udhëtonin midis ideve të shpikura të Lindjes dhe Perëndimit, të së kaluarës dhe të së ardhmes./ KultPlus.com

Bujar Alimani me “Zois”, merr çmimin regjia më e mirë në “Queen’s World Film Festival”

Rrëfimi mbi piktorin shqiptar që u arratis duke kapërcyer edhe rrethojat elektrike është prezantuar në “Queen’s World Film Festival”, shkruan KultPlus.

Dokumentari “Zois” me regji të Bujar Alimanit, në këtë festival i cili është i pari për këtë film, ka marrë çmimi Regjia Më e Mirë e Filmit Dokumentar. Lajmi është bërë i ditur nga regjisori Bujar Alimani, përmes rrjetit social Facebook.

Ky film dokumentar që vjen me regji të Alimanit, i përbërë nga prodecentet Damian Pervizi dhe Dritan Haxhia, edituar nga Sabir Kanaqi, kurse muzika është kompozuar nga Fatrin Krajka dhe zërimi nga Elvis Ikonomi.

Filmi përfshin një rrëfim rreth piktorit shqiptar Zois Shuttie, i cili u arratis nga komunizmi, duke kaluar edhe rrethojat elektrike dhe goditjes së plumbave nga rojet kufitare, ndërsa ky ishte vetëm fillimi i një udhëtimi të gjatë nga Evropa Lindore drejt SHBA-së./ KultPlus.com

Dokumentari për Runikun e Petrit Halilajt shfaqet në Washington (VIDEO)

Kultplus ju sjellë artikull në të cilin artist Petrit Halilaj flet për artefaktet që mungojnë, imigrim, mungesën e lëvizjes së lirë shpendët dhe metaforën e tyre. Artisti mbi këto dhe shumëçka tjerë ka diskutuar nga Washingtoni për Zërin e Amerikës.

Artisti Petrit Halilaj ka filluar që t’i përveshet projektit të tij të radhës. Ai është duke qëndruar në Washington ku në Muzeun e Historisë së Natyrës është shfaqur një dokumentar për Kosovën.

Dokumentari është realizuar nga vetë artisti dhe në të flitet për Runikun, fshatin e Komunës së Skenderaj, nëntoka e të cilit përmban objekte arkeologjike të epokës së neolitit. Diçka që e ka nxitur imagjinatën e artistit Petrit Halitaj i cili është rritu në këtë fshat.

“Është një histori e cila vjen prej kohëve të lashta e që është shumë aktuale në jetën e përditshme edhe në identitetin e ri të shteti të ri tonë, Kosovës”, është shprehur Petrit Halilaj për kronikën e realizuar nga Zëri i Amerikës mbi punën e artistit.

Dy koleksione me 1 mijë e 248 njësi nga fond i Muzeut të Kosovës janë zhvendosur në vitin 1999 prej Muzeut të Kosovës në Serbi. Arsyetimi i organizmave udhëheqëse të asaj kohe ka qenë se do të organizohen disa ekspozita. Një bashkëpunim ky në mes të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe Muzeut të Kosovës ose Autoriteteve të Muzeut të Kosovës të asaj kohe. Disa nga këto artefakte kanë qenë pikërisht nga Runiku të cilat qytetarët edhe sot i kujtojnë.

Kuratori nga Firenca Leonardo Bigazza ai i cili ka qenë në Runik me Petritin është shprehur se ajo që e ka çuditur ka qenë marrëdhënia që banorët kanë me objektet të cilat ata i gjejnë rastësisht.

“Mungesa e institucioneve dhe e muzeut dhe ndjesia se objektet ashtu si shpendët fluturojnë dhe nuk kthehen më kanë lënë një hapësirë për imagjinatë. Prandaj njerëzit spekulojnë dhe krijojnë lloj-lloj mitesh diçka që është po ashtu e veçantë”, është shprehur kuratori.

Artisti Petrit Halilaj ka riprodhuar disa prej objekteve të humbura dhe i ka paraqitur ato në një formë artistike duke i bërë të ngjashme me shpendët që lëvizin apo takohen dhe dashurohen. Një mënyrë kjo e tij për të shprehur nostalgjinë për artefaktet të cilat nuk janë më në Runik.

Institutin Smithsonian sjellë njerëz nga gjithë bota për tu marrë më hulumtime mbi temat të cilat ndërthurin natyrën dhe trashëgimin kulturore. Një mundësi kjo të cilën ky institut ia ka dhënë edhe artistit nga Kosova.

“Ajo që është interesantë për dokumentarin e Petrit është se ai na jep historitë dhe rrëfimet që kanë mbet të varrosura nën këmbët e njerëzve dhe që shfaqën në kopshtet e tyre”, është shprehu antropologu Joshua A. Bell, drejtor i programit në Institutin Smithsonian.

Më e vështirë sipas artistit Petrit Halilaj është krijimi i një identiteti të ri ku të gjithë do të kenë vend. “Kultura për mua është një prej instrumenteve që mundemi me e kuptu se sa është e rëndësishme që të gjithë të jemi pjesë e një shoqërie. Jo vetëm një etni, një gjini apo një fe. Për fat të keq në historinë e kaluar institucionet jo gjithmonë kanë ditë më e përdorë potencialin që kultura ju jep njerëzve për me kuptu”, është shprehur ai.

“Në botë kam udhëtuar me qejf dhe më zor. Më zor janë kujtimet e viti 1998-1999 kur kam migruar si refugjatë në Shqipëri diçka që është pjesë e kujtimeve të mia. Si artist që kur kam filluar të studioj në këto 10-të vitet e fundit, migrimi dhe udhëtimi nëpër botë është esenciale dhe inspirim për mua për me e zhvillu aktivitetin tim dhe jetën time”, ka thënë Halilaj, duke theksuar se ajo që po kërkon në institutin Smithsonia është relacioni në mes zogjve emigrues dhe njerëzve. Tregimin sesi zogjtë nuk kanë vetëm një vend po ekzistojnë duke ju falënderuar mundësisë me fluturu edhe me kalu kontinente, dete e oqeane.

“Unë vijë prej Kosovës, një shtet që është akoma një prej shteteve të fundit në Evropë qytetarët e të cilit pa viza nuk mundëm me udhëtu në Evropë edhe liria për një jetë më të mirë, apo liria e lëvizjes është diçka që më preokupon jo vetëm mua por edhe krejt qytetarët e Kosovës”, përfundon Petrit Halilaj. /KultPlus.com

Shfaqet dokumentari me histori personale të familjes shqiptare dhe izrealite

Gili Hoxhaj

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit më 27 janar, sot në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë u shfaq dokumentari “Trashëgimtarët e një historie shpëtimi” i cili tregon se si familja Rezniqi ka kontribuar në shpëtimin e një familje izraelite, shkruan KultPlus.

Derisa në Ditën Ndërkombëtare të Holokastit në mbarë botën kujtohet e kaluara, vuajtjet dhe mizoritë në të cilat kanë kaluar populli hebre.

“Kjo ditë ka një dimension tjetër edhe për shqiptarët, është dita kur ne ndihemi krenar për veprën më njerëzore që njeh historia ngaqë kombi ynë ka ndihmuar ata që të përndiqeshin nga nazistët”, kështu u tha sot para shfaqjes së dokumentarit.

Lekë Rezniqi përfaqësues i familjes Rezniqi tregoi se hulumtime të shumta kanë treguar se numri më i madh i hebrenjve ka kaluar nëpër Kosovë, nëpër shtëpitë e shumë familjeve shqiptare, siç janë familja Rezniqi, familja Behluli, familja e Halim Spahiut, Hasan Mulla Shabanit, Ramadan Nuzës, Mon Belegut, familja Aliçkaj e shumë të tjera. Ky dokumentar vjen pikërisht për të nxjerrë në pah këto marrëdhënie, të cilat përballën me mungesë të fakteve.

“Siç e do tradita shqiptare kur një mik gjendet në vështirësi dhe ndihmohet, atij zakonisht nuk i kërkohet që në letër të shkruhet se kush ia shpëtoi jetën, e lerë më t’i kërkohet kompensim material. Sot historia pas më shumë se 70 vitesh i kërkon këto fakte e ne po mundohemi t’ua ofrojmë ato”, u shpreh Rezniqi para fillimit të dokumentarit.

Dy familje, njëra shqiptare e tjetra izraelite kanë trashëguar marrëdhëniet e të paraardhësve të tyre. Përmes kujtimeve personale, vizitave e miqësisë, ata edhe vazhdojnë ta kultivojnë këtë miqësi. E kaluara e tyre sot erdhi përmes një dokumentari autori i të cilit ishte Lekë Rezniqi, e producent Dardan Selimaj. Ky dokumentar u dedikohet të gjitha familjeve që kanë ndihmuar hebrenjtë, kontributi i të cilave ende nuk është njohur.

Lekë Rezniqi (stërnipi i Arsllan Mustafa Rezniqi dhe Rachel-Shelly Levi Drammer (mbesa e Dr. Haim Abravanel) takohen në Manastir, në vendbanimin e fundit ku kanë jetuar familja e doktorit Haim Abravanel. Derisa familja Rezniqi kishte strehuar familjet hebrenje në shtëpinë e tyre në Deçan, ata ishin bërë edhe një urë për ta sjellë doktorin Haim Abravanelin nga Shkupi në Kosovë për t’i ndihmuar banorët në tejkalimin e epidemisë tifoide. Për ta shpëtuar doktorin izraelit nga forcat naziste gjermane, familja Rezniqi ishte bërë strehë e tij dhe e kishte shpëtuar atë duke e veshur me veshje myslimane.

Rezniqi dhe Shelly ishin rritur me kujtimet e të bëmat e familjeve të njëri-tjetrit. Ata të ulur shumë pranë njëri-tjetrit sot kujtojnë disa momentet më të rëndësishme të familjeve të tyre deri në largimin e familjes izraelite nga Shqipëria. Mes kujtimeve të tyre personale mësohet se prindërit e Rachel-Shelly-it humbën jetën në tërmetin që goditi Shkupin në vitin 1963, në këtë rast familja e Arsllan Rezniqit shkojnë në Shkup për të ndarë dhimbjen me familjen e doktorit Haim, e për t’u mos u takuar me vite të tëra. Derisa në kohë lufte në Kosovë, Rachel-Shelly përpiqet në çdo mënyrë që të gjetur familjen Rezniqi dhe për ta strehuar atë në Izreal. Ajo përmes këtij dokumentari tregon për lidhjen e ngushtë që ndjejnë me familjen kosovare Rezniqi, sipas saj kjo marrëdhënie është përtej miqësore, është si një marrëdhënie familjare.

Lekë Rezniqi tha gjatë këtij takimi se kombi shqiptar është i vetmi në botë i cili ka mundësuar shpëtimin e popullit hebre.

“Kombi shqiptar është i vetmi në botë i cili në mënyrë të organizuar ka mundësuar dhe siguruar shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit dhe për këtë humanizëm të dimensioneve botërore, bota di shumë pak. Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që nuk e ka njohur antisemitizmin dhe është vendi i vetëm në botë që pas Luftës së Dytë Botërore ka pasur numrin më të madh të hebrenjve se sa para luftës”, tha sot Rezniqi. Familja Rezniqi, është dekoruar me mirënjohjen “Fisnik mes kombeve”, në vitin 2008, nga Yad Vashem, ambasadori i Izraelit. /KultPlus.com

Lorik Cana e DeBiasi, në dokumentarin për dronin dhe ndeshjen Serbi-Shqipëri (VIDEO)

Me regji të Kreshnik Jonuzi dhe Luftar Von Rama ‘Triumph’, do të sjellë histori të ndryshme, histori këto që me KultPlus, i ka shpalosur njëri ndër regjisorët, Kreshnik Jonuzi.

Sarandë Selimi

Edhe katër ditë mbushen plotë tri vite nga ndeshja e parë e mbajtur mes Shqipërisë dhe Serbisë, në kryeqytetin serb Beograd. Nuk ka shqiptarë që atë ditë nuk ndjeu veten krenarë me atë që ndodhi midis fushës së madhe të futbollit në Beograd. Aty u lëshua droni me flamurin ‘Autokton’, ku ishte harta e Shqipërisë së Madhe bashkë me dy figura të shquara të kombit shqiptarë si Isa Boletini e Ismail Qemaili.

Çka ndodhi në Beograd nuk ishte aspak e hijshme, duke pas parasysh sjelljet e vrazhda të tifozëve serbë të cilët edhe eskaluan duke u futur në fushë e duke sulmuar lojtarët e kombëtares shqiptare. Por ajo që ndodhi skaliti një histori të re midis këtyre dy kombeve. E krejt kjo histori erdhi si inspirim për shumë artisë. Disa bënë këngë e tashmë disa kanë bërë edhe film dokumentar. Një film i cili nuk pretendon të mbetet brenda kufijve shqipfolës. Një film i cili do të shfaqet në Festivalin e Filmit në Varshavë, festival ky i cili mbahet në datat 19-20 dhe 21 tetor. Është ‘Triumph’ apo ‘Triumf’.

Me regji të Kreshnik Jonuzi dhe Luftar Von Rama ‘Triumph’, do të sjellë histori të ndryshme, histori këto që me KultPlus, i ka shpalosur njëri ndër regjisorët, Kreshnik Jonuzi.

“Projekti nisi me ndeshjen kundër Portugalisë. Bashkë regjisori Luftar Von Rama dhe unë pamë një mundësi të mirë për të treguar historinë e lojtarëve shqiptarë që u kthyen dhe donin të paraqitnin diçka të bashkuar. Kur incidenti i dronit ndodhi në Beograd, me të vërtetë e ktheu këtë në një histori globale do thosha, e pikërisht kjo na e dha mundësinë që të kishim një kulm dramatik në film”, tha fillimisht për KultPlus, Kreshnik Jonuzi, duke vazhduar të trego historitë që ngërthen në vete ky dokumentar.

“Filmi përmban elemente të ndryshme. Me ekipin tonë kemi qenë disa ditë para ndeshjes së Serbisë dhe Shqipërisë në Elbasan, kështu që, ka shumë momente personale para ndeshjes dhe para kualifikimit. Ekziston gjithashtu një kthim në storie siç janë historia shqiptare, lufta e Kosovës e poashtu ka pjesë edhe të lojtarëve që jetojnë me familjet e tyre”, pohoi Jonuzi.

Ky projekt fillimisht u titullua ‘Beteja në Ballkan’, por pas kualifikimit, historia e rriti këtë parashikim. Kësisoj ‘ Triumph’ ishte ajo që sipas Kreshnik Jonuzit, e përfaqësonte më së miri këtë dokumentarë, pasi që, këtë e ndjeu secili lojtarë dhe pikërisht ky ishte drejtimi i tyre kryesor, pra për të triumfuar.

Në ‘Triumph’, bëjnë pjesë personazhe si Lorik Cana, Gianni DeBiasi, Paolo Tramezzanni, Shkëlzen Gashi, Blendi Fevziu, Dritan Shakohoxha, e disa të tjerë.

Krejt ky projekt sipas Kreshnik Jonuzit ishte një rrugë e gjatë dhe ende nuk është përfunduar e tëra.

“Ende nuk e kemi përfunduar. E kemi nisë procesin ditën kur droni ka parakaluar në Beograd. Kemi xhiruar përgjatë 2015-2016 dhe më pas e kemi editu filmin deri këtë vit. Tash jemi në fazën kur po angazhohemi për të drejtat e autorit dhe po e qojmë dokumentarin në festivale. Shkuarja në Varshave shpresoj që do të na ndihmojë”, theksoi për KultPlus Kreshnik Jonuzi, duke vazhduar të tregoj se për në Festivalin e Filmit në Varshavë, fillimisht kanë aplikuar dhe para disa muajsh janë pyetur nëse duan ta kishin premierën botërore atje.

Kreshnik Jonuzi, tha për KultPlus, se kjo ftesë i ka nderuara dhe se mezi presin që ta shfaqin filmin e tyre premierë botërore në Varshavë.

Krejt në fund të këtij rrëfimi, Kreshniku tregoi se këtë film dokumentar e kanë bërë me buxhet shumë të ulët dhe kanë pasur ndihmë nga donacionet e komuniteteve në Amerikë. Ai tha se Lorik Cana ka qenë një ndihmë shumë e madhe për filmin që nga dita e parë e deri më sot./ KultPlus.com