Ja si duhet të aplikoni për të marrë shtesat për lehona

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se cilat gra kanë të drejtë të aplikojnë për të marrë shtesat për lehona.

Në një postim të publikuar në rrjetin social Facebook thuhet se për mbështetjen e lehonave mund të aplikojnë të gjitha lehonat që:

– Kanë lindur fëmijën pas datës 1 gusht 2021 e tutje;

– Janë të moshës mbi 18 vjeç;

– Janë shtetase të Kosovës.

Lehonat që kanë qenë të papuna në 12 muajt e fundit do të mbështeten me 170 euro në muaj për gjashtë muaj radhazi, ndërsa lehonat që figurojnë të punësuara në ndonjërin prej muajve në 12 muajt e fundit, do të mbështeten me 170 euro në muaj për tre muaj radhazi

Ju lutemi ndiqni videon më poshtë me udhëzimet se si të aplikoni për të marrë shtesa: / KultPlus.com

Qeveria reagon ndaj dokumentarit të Serbisë kundër Kosovës në UNESCO

Qeveria e Republikës së Kosovës e vlerëson të ulët, racist dhe të paprecedent filmin dokumentar të qeverisë së Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Shfaqja e filmit dokumentar përpara ambasadorëve të vendeve anëtare të UNESCO-s, me përmbajtje fyese për Kosovën, në kuadër të fushatës kundërshtuese ndaj anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, është përpjekje në vazhdimësi për ta denigruar shtetin e Kosovës.
“Prezantimi i trashëgimisë kulturore në Kosovë si pjesë të trashëgimisë së Serbisë është synim për të përvetësuar pasurinë kulturore e fetare të Kosovës dhe për ta transformuar atë. Objektet fetare e kulturore në Kosovë janë pjesë e trashëgimisë së vendit dhe ato nuk mund të tjetërsohen. Ato i takojnë shtetit të Kosovës, qytetarëve të tij pa dallim, janë të ruajtura dhe të mbrojtura me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Për pasurinë e Kosovës përgjigjen qytetarët dhe institucionet e saj”, thuhet në reagim.

Përpjekjet e Kosovës për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare përfshirë edhe UNESCO-n janë legjitime dhe shteti i Kosovës do të vazhdojë t’i përmbushë kërkesat e saj, në pajtim me legjitimitetin ndërkombëtar të pranuar nga më shumë se 110 shtete të botës dhe në përputhje edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë.

Pengesat e rrugës së Kosovës për pranim ndërkombëtar dhe anëtarësim në organizmat ndërkombëtar, që vazhdojnë t’i bëhen nga Serbia, janë në kundërshtim me parimet e politikave të fqinjësisë së mirë, në shpërputhje me procesin e normalizimit të marrëdhënieve në kuadër të dialogut që lehtësohet nga BE-ja dhe kundër procesit të pajtimit të popujve pas një periudhe të rëndë të historisë./ KultPlus.com