Ekspozitë e “Arkivave” për Mehdi Frashërin

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, në bashkëpunim me Bashkinë Përmet paraqitën një ekspozitë dokumentare dhe fotografike kushtuar jetës dhe veprës së Mehdi Frashërit.

Ekspozita u paraqit në sheshin e qytetit, ku publiku pati mundësinë të mësonte mbi funksionet e ushtruara prej Frashërit dhe angazhimin e tij.

Ekspozita që rikthen burrështetasin, shkrimtarin e mendimtarin Mehdi Frashërin në qytetin e tij të lindjes, titullohet “Mehdi Frashëri, Sovrani Relativ”.

Në ekspozitën e përgatitur me ateriale të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), qenë të përzgjedhura ndër të tjera materialet e mëposhtme:

∙Njoftim në formë telegrami dërguar Valiut të Manastirit mbi emërimin e Mehdi bej Frashërit si kajmekan i Ohrit;

∙Foto e Mehdi beut më 8 korrik 1912;

∙Mehdi Frashëri miratohet si anëtar i qeverisë pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ;

∙Vendim që lejonte Mehdi Frashërin të përfaqësonte shtetin shqiptar në takimet e zhvilluara në Firence për çështjen e caktimit të kufijve ;

∙Idenë e zhvillimit të tregtisë së duhanit, Mehdi Frashëri e mbron edhe gjatë bisedimeve parlamentare;

∙Mehdi Frashëri zgjidhet kryetar i Komisionit Kombëtar të Turizmit;

∙Ministri i Punëve Botore dhe i Bujqësisë Frashëri kërkon që të mblidhet nga prefekturat taksa e rrugëve, me qëllim nisjen e ndërtimeve të rrugëve lidhëse midis qyteteve ;

∙Pas një krize parlamentare, në tetor 1935 Mbreti jep besimin për një qeveri të re me Mehdi Frashërin kryeministër;

∙Mehdi Frashëri betohet në tetor 1943 si anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës;

∙Fjalimi i mbajtur më 28.11.1943 në Radio Tirana etj.

Kjo ekspozitë është përgatitur dhe prezantuar për herë të parë në Maj të këtij viti, me rastin e 60-vjetorit të ndarjes nga jeta të shtetarit Frashëri. / atsh / KultPlus.com

DPA kujton mbrojtjen e 3000 hebrenjve nga populli shqiptar

Më 10 maj 1933, Kancelari i Gjermanisë, Adolf Hitler, ndërmori djegien masive të librave.

Të parët në radhë të kësaj fushate ishin librat që u përkisnin autorëve me prejardhje hebraike. Mandej, në vitin 1938, nazistët detyruan pronarët e dyqaneve hebraike për të shfaqur fjalët “biznes hebre” në dritaret e tyre.

Pas pushtimit të Polonisë, një zyrtar lokal i zellshëm nazist propozoi mbajtjen e simbolit dallues në formën e 2 trekëndëshave të verdhë me nga 15 cm madhësi, të ndërthurur për të krijuar yllin 6-cepësh të Davidit.

Në këtë ditë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se, gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët mirëpritën mbi 3 000 hebrenj, të cilët arritën t’i shpëtonin vdekjes duke u strehuar në shtëpitë e vendasve.

Në fondet e AQSH-së gjenden materiale që dokumentojnë masat e ndërmarra prej institucioneve shtetërore, për të siguruar mbarëvajtjen e qendrimit të hebrenjve.

DPA sjell foto të listave me emra shtetasish izraelitë që u akomoduan në disa qytete të vendit. Po ashtu, DPA sjell edhe foto të Gavra Mandilit, shtetasit izraelit të strehuar familjarisht në Shqipëri, nga Refik Veseli./atsh/KultPlus.com

Arkivat do të shndërrohen në kompleks të mirëfilltë kulturor

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) nga një institucion veçse arkivor do të transformohet drejt një kompleksi të mirëfilltë kulturor. Projekti u paraqit mbrëmjen e djeshme në një aktivitet ku kishte të ftuar zyrtarë por edhe shumë studentë të rinj, që i sollën gjallëri këtij institucioni që po shkon drejt një qendre shumëfunksionale edukimi, duke i bashkëngjitur asaj një Muze Arkivor, një teatër/kinema të hapur dhe një hapësirë studimi rekreative.

Në këtë aktivitet qenë të pranishëm zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjetikës, Belinda Balluku, kreu i DPA-së, prof. asoc. dr. Ardit Bido, historianet Valentina Duka, Pranvera Dibra, Esmeralda Kolaneci dhe një grup akademikësh.

Drejtori Bido zbuloi idetë thelbësore që qëndrojnë pas ndërmarrjes së këtij projekti, disa prej teknikave interaktive të Muzeut Arkivor, si edhe ridimensionimin e hapësirës së jashtme të godinës së DPA-së me dy shërbime të reja.

Aktiviteti vijoi me fjalën e rastit të zëvendëskryeministres Balluku, e cila nënvizoi se Arkivat janë thelbësore për një shtet serioz, i cili duke iu referuar dhe mësuar nga e shkuara, do të bënte në të ardhmen atë që duhet.  “Digjitalizmi është një kërkesë e përditshme, të cilës i jemi përgjigjur. Të mos harrojmë se të rinjtë janë ata që sjellin inovacionin. Mënyra se si ju jetoni, na detyron ne më të rriturve që t’ju përgjigjemi, duke sjellë modernizimin në disa sektorë”, u shpreh Balluku.

Në ambientet e Muzeut Arkivor, që pritet të hapë dyert së afërmi, vizitorët jo vetëm do të mund të mësojnë mbi të kaluarën e vendit, por do të arrijnë të vihen në kontakt me të. Muzeu do të ketë ekzibitorë elektronikë dhe joelektronike, të cilët do të tregojnë të kaluarën historike përmes një komponenti arkivor. Ndërsa, në formën e një ombrelle elektronike, do të shfaqen në pjesën e sipërme të dhëna mbi veprimtarinë e institucionit. Krahas kësaj ekspozite të përhershme, i është kushtuar një hapësirë e caktuar edhe ekspozitave të përkohshme, të cilat do të trajtojnë fenomene shoqërore, periudha dhe figura historike.

I njëjti temp novator ka prirë edhe idenë për krijimin e hapësirës së studimit në natyrë dhe teatrit/kinemasë së hapur prej 150 vendesh. /atsh /KultPlus.com

‘Nxjerrja e dokumenteve historike nga arkivat dhe bibliotekat e shteteve europiane’

Nga Gjon Keka

Do të ishte tepër e dobishme për kombin tonë, nëse institucionet tona akademike, ato të arkivave, bibliotekave instituteve të historisë e albanologjisë dhe fushave tjera kërkimore të ishin të interesuara të nxirrnin dokumentet arkivore e bibliotekare mbi historinë e kombit tonë arbëror europian nga arkivat dhe bibliotekat e shteteve europiane që ruhen aty.

Një kordinim i mirë me këto institucione dhe formimi i një grupi studiuesish e historian të fushave të ndryshme e periudhave të ndryshme historike, pastaj lidhja apo bashkëpunimi me arkivat dhe bibliotekat e shteteve europiane do të kishte një dobi të madhe në përmbushjen e misionit të madh të gjetjes dhe mbledhjes së dokumenteve të historisë së kombit tonë e cila është mbuluar nga pluhuri i harresës dhe do t’i shërbente të vërtetës dhe forcimit të themeleve të autoktonisë ,gjuhës dhe identitetit tonë kombëtar arbëror europian.

Prandaj nisur nga kjo, i ftoj institucionet, si ato akademike, të arkivave e bibliotekave dhe instituteve që të bëjnë të mundur me anë të mbështetjes së shtetit tonë dhe ambasadave në vendet ku ka dokumente historike të kombit tonë që të krijohet një grup studiuesish, specialistësh e historianësh dhe të nxjerrin si bletat mjaltën për historinë e kombit tonë, ashtu që brezat ta mësojnë të vërtetën dhe bota të njohë edhe më mirë të kaluarën dhe kontributin e iliro-arbërorëve në historinë e njerëzimit.

Nëse kjo iniciativë e imja dëgjohet do të ishte në dobi të kombit tonë dhe historisë së saj, unë këtu ku jam do të jem i gatshëm që së bashku të nxjerrim dokumentet historike që ruhen në arkivat dhe bibliotekat e shteteve europiane e në këtë rast në bibliotekat dhe arkivat e Austrisë.

Por, nëse kjo iniciativë nuk dëgjohet atëherë, nuk kam se çfarë të bëjë, duhet që me forcat vetanake dhe mundësit t’i qasem e të vazhdojë hulumtimet në arkiva dhe biblioteka që deri sa të jem gjallë të nxjerrë dokumentet historike që janë mbuluar nga pluhuri i harresës e që janë të shumëta dhe me shumë vlerë e interes për zbardhjen e plotë të së vërtetës së historisë së kombit tonë arbëror europian. / KultPlus.com

Publikohen dokumente dhe fotografi nga Arkivat e krijimit të TKOB

Pas një mungese për shkak të rikonstruksionit total, dje erdhi mbrëmja gala e hapjes së Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, përcjell KultPlus.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli me këtë rast të dhëna dhe dokumente interesante nga historiku i këtij institucioni unik në vend.TKOB është vendosur në ndërtesën e Pallatit të Kulturës në vitin 1966, ku vazhdon të jetë edhe sot.

Mbetet tempull i muzikës së kultivuar shqiptare dhe ndërkombëtare. Ka prodhuar breza artistësh, të cilët kanë bërë epokë në skenën tonë.Por historia e TKOB fillon në vitin 1950, vit në të cilin u krijua Filarmonia shqiptare.

Arkivat sjellin me rastin e inaugurimit të sotëm, vendimin e Këshillit të Ministrave, mbi ngritjen e filarmonisë së shtetit, ku mes rreshtave thuhet se “Filarmonija Shqiptare” do të përmbledhë: Korin e Shtetit, orkestrën nacionale, baletin e shtetit, artistët lirik, këngëtorët popullor, sazet popullore, të cilat deri tani janë të atashuara Theatrit Popullor”, si dhe disa fotografi të ruajtura në fototekën e AQSH-së të disa shfaqeve të ndryshme të luajtura në skenën e TKOB. / KultPlus.com

Në prag të 28 nëntorit “bashkohen” arkivat, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave hap sallë studimi në Kosovë

Në prag të Ditës së Flamurit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave bëhet institucioni i parë i Shqipërisë që ka prani fizike në Kosovë, duke çelur dyert e Këndit Arkivor Prishtinë, si sallë studimi në mjediset e Arkivit të Kosovës.

Çdo studiues dhe qytetar që është i interesuar për të konsultuar dhe shfrytëzuar dokumente që ruhen në Arkivin Qendor Shtetëror, prej kësaj fillimjave, do të ketë mundësi të aksesojë dokumentet prej Prishtinës, njësoj sikur të ishte në Tiranë.

Ardit Bido, Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, theksoi rëndësinë e unifikimit kulturor të shqiptarëve, larg folklorizmave e përmes integrimit institucional.

“Çdo studiues shqiptar nëse do të studiojë historinë e Shqipërisë nuk mund ta studiojë nëse nuk akseson arkivat e Republikës së Shqipërisë dhe arkivat e Republikës së Kosovës, sepse kur vjen fjala për historinë ne jemi një, një histori kemi të përbashkët, aq më tepër që dokumentacioni deri në vitin 45 nuk gjendet në arkivë ne Kosovës, mbi Kosovën, gjendet në arkivin shtetëror në Shqipëri. Në këtë kuptim mesazhi i parë që dua të jap është ky, ne kemi mundësinë që të unikojmë, larg nacionalizmave dhe folklorizmave dhe larg gjithë formave të tjera ashtu siç duhet të bëjnë institucionet serioze, duke hapur një kënd arkivor në rastin konkret të Arkivit Shqiptar në Republikën e Kosovës” – tha Bido.

 Bedri Zyberaj, Kryeshefi i Agjencisë së Arkivave të Kosovës theksoi se duke e hapur këndin shqiptar në arkivin e Kosovës, po arrihet njësimi i shërbimeve që arkivat u ofrojnë në këtë rast hulumtuesve dhe studiuesve.

 “Ne po u krijojmë mundësi që ata të kursejnë kohë, të kursejnë mjete dhe për shkak se dy arkivat tona ua kanë sjellë studiuesve, e sidomos hulumtuesve nga Kosova, më afër shërbimin për gjithë dokumentacionin e shumtë që gjendet në arkivin e shtetit shqiptar. Hulumtuesit nga sot e tutje nga Kosova do ta kenë të njëjtën mundësi për të bërë hulumtim, për të marrë dokumentet që ju duhen, që konsiderojnë se janë në interes, taman si të ishin në mjediset e arkivit të Tiranës” – nënvizoi Zyberaj.

 Procedura e regjistrimit në sallën e studimit në ato qytete ku janë hapur, mund të kryhet edhe nga kompjuteri personal, jashtë sallës në adresën: katalogu.arkivat.gov.al.

Pas aprovimit që kryhet brenda 1 dite pune, aplikanti përmes postës elektornike do të pajiset me një fjalëkalim për të hyrë në Këndin Arkivor në qytetin e tij.

Pas kryerjes së regjistrimit, studiuesi apo qytetari mund të porosisë nga kompjuterat e sallës dosjet apo dokumentet që i nevojiten. Dosjet e porositura do t’i shërbehen në ditën e përzgjedhur prej tij në system dhe do t’i ketë në dispozicion për 5 ditë pune, ditë gjatë të cilave mund të punojë me to.

Këndi Arkivor Prishtinë hapet pas këndeve në Gjirokastër dhe në Shkup. DPA-ja synon të çelë salla studimi në 100 qytete, kudo ku frymon shqiptaria./atsh/ KultPlus.com

Java e Arkivave të Hapura tërheq vizitorë të shumtë

“Java e Arkivave të Hapura” po tërheq çdo ditë vizitorë të shumtë në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Studentë të shumtë dhe nxënës gjatë këtyre ditëve kanë parë nga afër disa nga proceset e punëve në DPA si dhe disa nga dokumentet më me vlerë që ruhen në këtë ambient.

Gjithashtu gjatë vizitës së tyre ata provuan se si është të restaurosh një dokument të vjetër dhe po ashtu vizituan edhe vendin e ruajtjes së materialeve arkivore.

“Java e Arkivave të Hapura” iu mundëson vizitorëve të shohin nga afër Kodikët dhe fermanët, mes të cilëve edhe Kodikët e Beratit, që përbëjnë trashëgiminë kulturore kombëtare.

Vizitorët do kenë mundësi t’i shohin këto materiale deri më 7 qershor 2019 në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. /atsh / KultPlus.com