Sa lagje e sa shtëpi kishte Prishtina para 545 vitesh, sipas një dokumenti Osman

Sipas një dokumenti Osman, Prishtina në vitin 1477 kishte 9 lagje dhe 351 shtëpi, përcjell KultPlus.

Këtë e ka bërë të ditur asistenti i Universitetit të Prishtinës, Durim Abdullahu, i cili ka publikuar këtë dokument të regjistrit së popullsisë para 545 vitesh.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të tij:

9 lagjet e Prishtinës më 1477

Në bazë të një defteri osman (regjistër i popullsisë) të vitit 1477, Prishtina kishte rreth 351 shtëpi, të grumbulluara në gjithsej 9 lagje, pesë më të mëdha dhe katër më të vogla.

Defteri në fjalë (i vitit 1477) sikur edhe shumë defterë të tjerë osmanë, janë botuar dhe ribotuar shumë herë nga historianë dhe veçanërisht osmanologë të cilët kanë shkruar artikuj mbi ta. Andaj për ne historianët, ky defter është i mirënjohur.

Defteri (1477) është transkribuar dhe lexuar nga Kemal Aruçi, arkivist i Arkivit Shtetëror të Shkupit.

Defteri (1477) është transkribuar dhe lexuar po ashtu nga osmanologu i shkëlqyer Selami Pulaha, punonjës shkencor në Instituin e Historisë në Tiranë. Pulaha e ka botuar këtë defter në veprën e tij “Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shek. XV-XVI: (Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 1984).

Defteri (1477) është studiuar nga osmanologu boshnjak Adem Handzic në punimin e tij të vitit 1968: “Nekoliko vijesti o Arbanasima na Kosovu i Metohije sredinom XV”.

Defteri (1477) është studiuar imtësisht nga historiani Muhamet Tërrnava në punimin e tij “Popullsia e Prishtinës në gjysmën e dytë të shekullit të XVI në bazë të dhënave antroponomike të një defteri turk”, në Studime për Mesjetën, (Pejë: Dukagjini, 2000).

Defteri (1477) është subjekt edhe në librin e Muhamet Tërrnavës, Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV – XVI, (Prishtinë: Instituti Albanologjik i Prishtinës, 1995).

Defteri (1477) është tematizuar nga Muhamet Tërnava edhe në librin e tij Qytetet e Kosovës gjatë gjysmës së dytë të shekullit XVI, (Prishtinë: Koha, 2007).

Defteri (1477) është studiuar edhe nga historiani Iljaz Rexha në librin Vendbanimet dhe popullsia albane e Kosovës (sipas defterëve osmanë të shekullit XV), (Prishtinë: Instiuti i Historisë, 2016).

Defteri (1477) është stiduar edhe nga historiani turk Rahman Sahin në punimin

PRİŞTİNE ŞEHRİ MAHALLELERİ (1477-1569)”, ka shkruar Abdullahu në postimin e tij në Facebook.

Lagjet kishin emrat si: Mitropolit e cila kishte 48 shtëpi, Kaqanoviq me 64 shtëpi, Pojasar me 55 shtëpi, Shtitar me 30 shtëpi, Vërlaçka me 56 shtëpi, Kosiriq me 25 shtëpi, Llukar me 28 shtëpi dhe Llatinar me 5 shtëpi. / KultPlus.com

Dokumentet osmane hapen për publikun (VIDEO)

Arkivi i Shtetit hap për publikun arkivat e 500 viteve histori dhe përkatësisht dokumentet osmane nga shekulli i 15-të do të bëhen shumë shpejt të aksesueshme.

Tashmë procesi i digjitalizimit ka nisur dhe sipas specialistëve do të vijojë për së paku 2 vjet. Deri më tani janë kaluar rreth 16 mijë dokumente që përfshijnë sheriate, vendime gjykatash, urdhëresa, tapi, fermane nga Stambolli…

Sipas osmanologut Rezart Mezani, hapja e 500 viteve dokumente ka një rëndësi jetike jo vetëm për historinë por edhe për dokumentimin e pronave dhe regjistrat e tapive nga Vlora, Elbasani, Tirana, Durrësi, Kavaja, Berati dhe krahina të tjera i shërbejnë këtij qëllimi. Momentalisht specialistët po punojnë mbi një urdhëresë të sulltanit mbi një prijës katolik si Bib Dod Pasha, shkruan RTSH.

Dokumentet osmane dhe paraosmane nga shekulli i 15-të pas digjitalizimit, do të jenë të aksesueshme si në Turqi ashtu dhe në Shqipëri duke hedhur dritë mbi 500 vite të gjata pushtimi por dhe të pasura në dokumente./ KultPlus.com