Protestë për dhunën ndaj grave, theksohet dështimi i institucioneve për reagim në kohë

24 vite e gjysmë iu dha dënimi një vrasësi të dyfishtë, i cili ia morri jetën gruas dhe vajzës së tij. Shumë raste për dhunën në familje u raportuan së fundmi, e madje disa përfunduan me fatalitet. Për të protestuar dhunimin dhe vrasjen e grave, organizata “Replikë” ka organizuar një aksion rrugor, shkruan KultPlus.

“Jom njeri, s’jom rob”, “Poshtë patriarkati”, “Personalja është politike”, “Gjyqësor Kanunor”, “Edhe sa thirrje të humbura” ishin disa nga mbishkrimet e pankartave të protestës ndaj padrejtësive që po iu bëhen grave në hallka sociale e institucionale.

Kjo protestë me qëllim të parandalimit të shpërndarjes së virusit u realizua me biçikleta, ndërkaq disa që nuk kishin mundësi t’i siguronin ato, vazhduan brohoritjet në këmbë.

Bjeshka Guri, aktiviste në kuadër të kësaj proteste shprehi pakënaqësinë e saj në emër të protestuesve për dështimin e institucioneve për reagim në kohën e duhur, atëherë kur grave iu nevojitet mbrojtja.

“Institucionet tona promovojnë një kulturë dhune, duke i fajësuar viktimat e duke mos dënuar kriminelët. Jemi lodhur duke pritur në ankth për të dëgjuar për gratë e radhës që vriten e për ato që vazhdojnë të dhunohen”, theksoj Guri.

Pavarësisht lejueshmërisë së limituar të këtyre aksioneve si pasojë e Covidit, ajo tregoj se kjo protestë ka rëndësi për ta sepse jetërat e grave janë duke u rrezikuar.

“Jeta e çdo gruaja vlen dhe ne nuk mund të heshtim kundrejt padrejtësive ndaj grave vetëm pse janë gra”, u shpreh Bjeshka Guri. Në fund të fjalimit të saj, u bë thirrja publike për përgjegjësi të institucioneve të Kosovës për të siguruar drejtësi për gratë.

Protestuesit të cilën nisën aksionin e tyre në Sheshin “Zahir Pajaziti” filluan protestimin duke ecur e duke ngasur biçikletat e tyre nën brohoritjet: “Dhuna nuk ka arsyetim”, “Edhe sa thirrje të humbura”, “Drejtësi për Valbonën, për Klarën, për Antigonën”, “Dhuna po rritet, dënimet po ulen”, “Pa drejtësi nuk ka qetësi”, “Edhe sa herë doni me na vra”, “Shteti po vazhdon me na dhunu”, “Jeta e grave hajgare për shtetin”.

Protestuesit kishin zgjedhur rrugët qendrore të Prishtinës, për t’i vetëdijesuar qytetarët dhe institucionet për pasigurinë që po iu shkaktohen grave. Kështu, ata kaluan përpara Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës, Avokatit të Popullit, mirëpo askush nga institucionet përkatëse nuk reagoj asgjë, përveçse dy policëve të cilët dolën dhe ecën bashkë me protestuesit. Ata vazhduan edhe në rrugët e tjera të kryeqytetit. /KultPlus.com