Sot, protestë në Tiranë në përkrahje të Kosovës: “Dje, sot, nesër, përjetë bashkë”

Sot (e premte) është planifikuar të mbahet një protestë në Tiranë në përkrahje të Kosovës për situatat nëpër të cilat po kalon.

“Dje, sot, nesër, përjetë bashkë”, është thirrja që po bëhet në rrjet drejtuar qytetarëve, për protestën e sotme përpara kryeministrisë në ora 19:00.

Kjo nismë është nxitur për ta mbështetur Kosovën, si dhe nga deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për anulimin e mbledhjes së dy qeverive.

Kujtojmë se qëndrimet e Ramës si për propozimin për Asociacionit, por edhe deklarata e tij ku i bën thirrje kryeministrit Kurti që të tërheqë forcat policore nga veriu, nuk janë pritur mirë nga shumë qytetarë shqiptarë.

Njoftimin e ka shpërndarë edhe aktori i njohur shqiptar, Florjan Binaj.

“Shihemi sot! Mos e lini ngritjen e zërit për kombin shqiptar vetëm për në stadium…”, ka shkruar Binaj në Facebook./ KultPlus.com

Protestohet në Prishtinë për 1 Majin: Ëndrra për shoqëri revolucionare është ende gjallë

Fotot: Lum Hajrullahu

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Kjo ditë iu referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.

Për të shënuar këtë ditë, sot në mbarë botën janë mbajtur protesta, një e tillë është mbajtur edhe në Prishtinë.

Blloku anti-kapitalist, asamble e përkohshme organizative e protestave të 1 Majit, edhe sot kishte mbledhur organizata dhe individë të spektrit të gjerë anti-kapitalist për të protestuar, si: Grupi Anarko-Sindikalist i Prishtinës, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, Komuna – Qendra Sociale, Lëvizja Feministe Studentore dhe Social Space for Deconstruction.

Në këtë protestë u bë thirrje që të kundërshtohet shtypja e klasës punëtore. Sipas tyre, pothuajse secili nga ne është i poshtëruar dhe ky poshtërim vjen kryekëput nga një sistem i cili
na sheh edhe na shfrytëzon si vegla për krijim të kapitalit për klasën sunduese.

KultPlus ju sjell deklaratën e plotë të Bllokut anti-kapitalist.

Shoqe e shokë, punëtorë e punëtore, studentë e studente, të papunë e të
papuna. Jemi mbledhë këtu për ta kundërshtu shtypjen e klasës punëtore,
që na kapë 99% prej neve. Sot është 137 vjetori i protestave të para të
ditura të klasës punëtore që  refuzuan të punojnë më shumë se 8 orë në
ditë. E sot 137 vite pas, ne kumtojmë që për shumicën prej nesh, kjo
thirrje ka ndryshuar fare pak.

Secili nga ne, jemi më se të vetëdijshëm për nënçmimin e përditshëm që
përjetojmë duke kaluar një jetë të tërë të tjetërsuar nga vetëvetja,
familja dhe shoqëria. Ky poshtërim vjen kryekëput nga një sistem i cili
na sheh edhe na shfrytëzon si vegla për krijim të kapitalit për klasën
sunduese. Puna jashtë orarit, puna pa kontrata, rroga minimale 170 euro,
vendet e pasigurta të punës, vdekjet, abuzimet, krimet seksuale nuk janë
simptoma të një sistemi të keqmenaxhuar. Përkundrazi, janë pjesë të një
sistemi të mirëdizajnuar i cili mbahet e rritet përmes pabarazisë,
shtypjes dhe dhunës ndaj klasës punëtore. 110 vdekje dhe qindra lëndime
në vendin e punës, nuk janë thjesht aksidente, ato janë vrasje. 80
përqind e grave jashtë tregut të punës nuk është thjeshtë papunësi,
është pasqyrë e shtypjes sistematike ndaj grave përmes ndarjes gjinore
të punës që feminizon dhe devalvon punën e kujdesit dhe riprodhimit
shoqëror, për të përfituar prej saj pa ndonjë kompensim. Përjashtimi
sistematik i grupeve të racializuara rome, egjiptiane e ashkalike dhe
heteroseksizmi i normalizuar tregon dhunshëm që ky sistem kapitalist e
patriarkal mbijeton veç përmes dhunës. 

Pushtetarët, si ata social-demkorat të tanishëm, po ashtu edhe pushtetet
e kaluara të djathta, së bashku me oligarkët ekonomik, tentojnë të na
reduktojnë në votues  e konsumator, pra në individë pa pushtet, që
jetojmë në qytete të zotuara nga oligarkët mafioz, ku vlera jonë matet
me sasinë që e prodhojmë dhe sasinë e gjërave që blejmë.

Mirëpo ata nuk kanë guxim të na quajnë klasë, se klasa nënkupton që ne
ndajmë një realitet të përbashkët; ne punëtoret e punëtorët na
përbashkon shtypja që e përjetojmë, përderisa pushtetarët i përbashkon
eksploatimi që e bëjnë. E mbi të gjitha se ata janë të vetëdijshëm që
nëse ne organizohemi, mund t’i këpusim zinxhirët e shtypjes e ta
përmbysim këtë rend shtypës.

Prandaj ne të mbledhurit sot këtu, pjesë të klasës punëtore, para së
gjithash i flasim klasës punëtore dhe nuk tentojmë të hyjmë në dialog me
strukturat e tanishme. Ne jemi këtu për të kumtuar se ëndrra për
shoqëri revolucionare është ende gjallë. Ne jemi këtu për t’i bërë
thirrje punëtoreve e punëtorëve brenda shtëpive, fabrikave e punishteve
të ndërtimit, marketeve e zyrave, nga rruga deri tek hapësirat e
pastrimit, studente/ë e pensioniste/ë, të bashkohemi në solidaritet e të
organizohemi në rezistencë të pëbashkët kundër sistemit shtypës e
eksploatues kapitalist; drejt çlirimit dhe drejt një shoqërie të lirë e
të barabartë! / KultPlus.com

‘Qysh po ju nxen gjumi natën?!’

‘Qysh po ju nxen gjumi natën?’ është sllogani i cili po përdoret si shenjë proteste për lirimin e Naser Pajazitajt, vrasësit të Donjeta Pajazitajt. Kjo shenjë proteste vjen e organizuar nga Organizata “Cicat” dhe ju drejtohet pushtetarëve, sistemit të drejtësisë dhe qeverisë me kuptimin që: si fleni natën duke e ditur se e keni dështuar drejtësinë?

Jastëku, është një simbol i rehatisë dhe pushimit, që në këtë rast përdoret si mjet proteste dhe rezistence, duke u bërë thirrje institucioneve që të zgjohen nga gjumi për të sjellur drejtësi ndaj akteve të vrasjeve të grave.

Ky mesazh shërben si një akuzë ndaj një shoqërie që shumë shpesh mbyll dy sytë e flen gjumë përballë dhunës dhe brutalitetit me të cilin përballen gratë.

‘Konteksti i kësaj fotografie është jashtëmase tronditës, pasi i referohet vrasjes tragjike të Donjeta Pajazitaj, i akuzuari për vrajsen e së cilës përfundimisht u lirua pa asnjë pistë të mëtejshme, pas disa vendimeve të disahershme me burgim të përjetshëm. Kjo tragjedi e pakuptimtë shërben si një kujtesë e ashpër e nevojës për ndërgjegjësim dhe veprim më të madh për të luftuar femicidin. Kjo tragjedi mbyt besimin në drejtësi! 8 vite pas vrasjes së saj, gjykata që liron të akuzuarin e vetëm, ku është dështimi?!’,  thuhet në njoftim. /KultPlus.com.

Nesër në Gjakovë protestohet pas rastit në Shtëpinë e të Moshuarve

Nesër do të organizohet një protestë në Gjakovë, pas rastit ku një e moshuar nga kjo komunë u keqtrajtua nga infermieret në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë.

Protesta është thirrur në Gjakovë, ndërsa thuhet se do të mbahet në mbrojtje të së moshuarës, e cila është nëna e dëshmorit Taulant Nura.

“Krejt bashkë të premten në ora 12:00 tek lapidari Shokët e Lirisë. Të parandalojmë torturat në shtëpitë e pleqve, ti gjendemi në krah nënës Minire, nënës së Taulant Nura, i cili humbi jetën në Betejën e Çabratit më 7 Maj 1999. Nënat e dëshmorëve janë nënat tona”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se për rastin tashmë janë arrestuar tri infermiere. / KultPlus.com

“Nxënësit nuk janë vlerë monetare”, Këshilli i Prindërve organizon protestë, kërkojnë rifillimin e procesit mësimorë

Sot bëhen 1 muaj e një ditë që kur nxënësit dhe mësimdhënësit gjenden në grevë.

Shumica e shkollave tashmë veçse kanë filluar me proces mësimorë edhe pse SBASH po vazhdon të këmbëngulin në kërkesën e tyre.

Gjatë ditës së sotme Këshilli i Prindërve i shkollës “Faik Konica” organizoi protestë, përmes të cilës kërkojnë rifillimin e procesit mësimorë.

Në këtë protestë, përveç prindërve u panë edhe shumë nxënës me pankarta në duar duke bërë thirrje për nisjen e procesit mësimor.

“Nxënësit nuk janë vlerë monetare”, “Po dojna me u kthy në shkollë”, janë vetëm disa nga thirrjet që u bënë sot në protestë.

Deri më tani ende nuk ka ndonjë vendim konkret për nisen e shkollave, përderisa disa shkolla në qytete të ndryshme veçse kanë nisur mësimin. / KultPlus.com

Prindërit e fëmijëve të një çerdheje publike protestojnë para Qeverisë

Prindërit e fëmijëve që shkojnë në çerdhen “Gëzimi Ynë” kanë nisur protestën para Qeverisë së Kosovës, si shenjë pakënaqësie për mbylljen e kopshteve/çerdheve.

“Hapni çerdhet”, “Fëmijët po pësojnë” dhe “Ktheni jetën kopshtit”, janë disa nga mbishkrimet që ata kanë vendosur në pankarta.

Protesta e tyre pritet të vazhdojë edhe te selia e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës. / Express / KultPlus.com

Pas kërcënimeve nga i dashuri, Betina Ymeri bëri vetëvrasje, prindërit e saj organizojnë protestën: Mos t’ndodhë ma

Me iniciativë të prindërve të Betina Ymerit e cila për shkak të kërcënimeve nga fejuari i saj përfundoi në vetëvrasje, të premtën organizohet protestë nga ora 12:00 para Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Përmes protestës iu bëhet thirrje institucioneve gjegjëse që ta trajtojnë drejt dhe me prioritet rastin e Betinës dhe t’i jap ndëshkim meritor personit që e shtyri drejt vdekjes atë. Dhuna sistematike të cilën e ka përjetuar Betina është një nga realitetet me të frikshme të cilën e jetojnë shumë vajza e gra në Kosovë, dhunë kjo e cila ushqehet nga të gjitha institucionet publike e private që vazhdojnë ta normalizojnë dhe amnistojnë dhunën me bazë gjinore.

Përveç kërkesave drejt institucioneve publike, prindërit e të ndjerës duan ta kthejnë vëmendjen tek nevoja për mbrojtje dhe vëmendje ndaj vajzave të tyre. Përderisa jetojmë në një sistem të dhunshëm si ky i yni, është vendimtare që të angazhohemi më shumë për sigurinë e vajzave, në mënyrë që ato të mos ndihen të vetmuara dhe pa ndihmë kur ato janë viktima të dhunës.

Ky sistem e kjo mendësi duhet të ndryshojë. Andaj, ne ngrihemi në këmbë të premtën për të kërkuar drejtësi për Betinën dhe siguri për të gjitha vajzat dhe gratë në Kosovë.

Mos të ndodhë më edhe një vetëvrasje, mos të tolerojmë më as edhe një kërcënim ndaj vajzave, mos të humbet as edhe një jetë më shumë. / KultPlus.com

Nesër mbahet protestë, kërkohet mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë

Disa organizata joqeveritare kanë bërë të ditur se më 31 gusht do të mbahet një protestë në Prishtinë me fillim nga ora 12:00 dhe vendtakimi do të jetë në sheshin “Zahir Pajaziti”, shkruan KultPlus.

Dje u lajmëruam se 5 djem e burra e kanë dhunuar një të mitur 11 vjeçare në Prishtinë. Përdhunimi i shumëfishtë ndaj të miturës raportohet të jetë bërë për shtatë orë.

Ky rast i përdhunimit është edhe një alarm që tregon për pasigurinë dhe tmerrin të cilin e jetojnë vajzat dhe gratë në Kosovë, në çdo hapësirë ku ato gjenden. Në Kosovë, rrugët, parqet, sheshet, dhomat e shtëpisë, hapësirat e shkollës a punës janë shpesh edhe vende krimi. Aty vajzat e gratë ngacmohen, dhunohen e vriten. E shteti e shoqëria, përtej sensacionit, heshtin. E kjo heshtje po ua merr sigurinë dhe jetën vajzave e grave.

Përkundër dhunës së dukshme e të përditshme, shteti është duke dështuar që ta trajtojë sigurinë e grave si çështje të sigurisë publike. Raporte të ndryshme tregojnë që rastet e dhunës ndaj grave hasin në neglizhencë institucionale, me dënime të cilat shpesh janë nën ndëshkimet e parapara me ligj. Kjo qasje patriarkale është duke i lënë vajzat dhe gratë pa mbrojtje dhe lehtësisht të dhunueshme.

Kësaj gjendjeje terrori duhet t’i vije fundi. Vajzat dhe gratë në Kosovë nuk mund të jetojnë asnjë ditë tjetër me frikë. Djemtë e burrat nuk mund të amnistohen nga shteti dhe shoqëria për dhunën që ushtrojnë ndaj vajzave dhe grave. Përdhunimi i vajzës së mitur dhe i dhjetra grave tjera veç gjatë këtij viti përveç që na indinjon, na revolton dhe na fton në radikalizim të mjeteve tona të protestës e vetëmbrojtjes.

Të mërkurën, ne mblidhemi në protestë dhe kërkojmë:

1. Mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë;
2. Trajtim të drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për dhunuesit;
3. Legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray).

Përderisa dhuna ndaj nesh veç sa është duke u përshkallëzuar, përgjigjet tona në vetëmbrojtje do të radikalizohen. Aty ku shteti dështon të na mbrojë neve, ne do e mbrojmë vetën me çdo mjet në dispozicion. Deri secila nga ne të jetojë e lirë nga frika dhe dhuna! / KultPlus.com

Dhunimi i 11-vjeçares në Prishtinë, nesër protestë edhe në Tiranë

Nesër nga ora 18:30, në sheshin “Nëna Terezë” në Tiranë, do të mbahet protestë lidhur me rastin e 11-vjeçares që u dhunua të shtunën në Prishtinë.

Këtë e ka bërë të ditur këngëtarja kosovare, Filloreta Raçi, e njohur si Fifi.

Ajo në një postim në Instagram ka shkruar: “Nesër ora 18:30 te SHESHI NENA TEREZE. VAJZA/ FEMRA/ GRUAJA është nderi jonë/ jo lodër e juaja”.

Deri tash për dhunimin e 11-vjeçares janë arrestuar katër persona, tre prej tyre të mitur, ndaj të cilëve tashmë është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa i pesti është duke u intervistuar në stacionin policor.

Sot në Prishtinë është mbajtur një protestë, ndërsa pritet të mbahet edhe një nesër.

Çka dihet deri më tani për rastin?

Dhunimi i vajzës, sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, të cilën e posedon Gazeta Express, ka nisur të shtunën në parkun në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, për të vazhduar në një lokacion tjetër të panjohur. Në dosjen e prokurorisë përshkruhen detaje tronditëse.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka dje kërkuar paraburgim ndaj 26 vjeçarit dhe një të mituri, vëllezër mes vete, si të dyshuar për dhunimin e vajzës 11-vjeçare. Dje, Gjykata Themelore e Prishtinës, ua ka caktuar atyre masën e paraburgimit.

Dy të dyshuar tjerë për dhunimin e të miturës janë arrestuar mbrëmë, ka njoftuar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Më vonë, Policia ka dalë me komunikatë, përmes së cilës ka njoftuar se është identifikuar edhe i dyshuari i pestë për rastin, i cili është ende në arrati.

Sipas prokurorisë, i pandehuri E.R, 26-vjeç, ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e të dëmtuarës, “në atë mënyrë që të pandehurin fillimisht e kishte thirrur në telefon vëllai i tij, i mitur., pastaj i pandehuri ka shkuar me “Pickup” tek parku në lagjen “Arbëria” në Prishtinë dhe e ka marrë me veturë vëllain e tij dhe të dyshuarit Xh.S., dhe G.J., të cilët ndodhen në arrati dhe të dëmtuarën. Pastaj rrugës tek varrezat kanë zbritur i mituri dhe, dhe Zh.S., ndërsa i pandehuri së bashku me G.J,.dhe të dëmtuarën janë larguar me veturë, ashtu që pas pak E.R., ka ndaluar veturën në një vend të panjohur dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën. Edhe pse e ka ditë që e dëmtuara është nën 14-vjeç”, përshkruhet në kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

Aty shkruan se nga deklarata e të miturës dhënë në polici me datën 28.08.2022 rezulton se “përderisa e mitura ka qenë në park, i janë afruar tre persona, ku kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë, ku e dëmtuara ka vazhduar të ecë por më pas njëri ka filluar edhe ta prekte”.

“Më pas të njëjtit, sipas viktimës, kanë vazhduar që ta ndiqnin dhe njëri nga ta e ka tërhequr me një qosh dhe të dy kanë filluar t’ia heqnin rrobat. Personi me maicë të bardhë ia ka kapur duart ndërsa perosni tjetër ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. Kur e dëmtuara ka filluar të bërtasë ata ia kanë mbyllur gojën dhe marrëdhënia ka ndodhur në këmbë. E dëmtuara ka deklaruar që pasi ka përfunduar njëri marrëdhënien e ka filluar tjetri” thuhet në përshkrimin e rastit që ka bërë prokuroria, transmeton Gazeta Express.

Më pas sipas saj, ka ardhë një automjet “pickup” ku dy persona janë ulur mbrapa dhe viktima përpara. Ajo ka deklaruar se edhe shoferi i veturës ka kryer marrëdhenie me të. / KultPlus.com

Protestë më 31 gusht, kërkohet mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë

Disa organizata joqeveritare kanë bërë të ditur se më 31 gusht do të mbahet një protestë në Prishtinë me fillim nga ora 12:00 dhe vendtakimi do të jetë në sheshin “Zahir Pajaziti”, shkruan KultPlus.

Sot u lajmëruam se 5 djem e burra e kanë dhunuar një të mitur 11 vjeçare në Prishtinë. Përdhunimi i shumëfishtë ndaj të miturës raportohet të jetë bërë për shtatë orë.

Ky rast i përdhunimit është edhe një alarm që tregon për pasigurinë dhe tmerrin të cilin e jetojnë vajzat dhe gratë në Kosovë, në çdo hapësirë ku ato gjenden. Në Kosovë, rrugët, parqet, sheshet, dhomat e shtëpisë, hapësirat e shkollës a punës janë shpesh edhe vende krimi. Aty vajzat e gratë ngacmohen, dhunohen e vriten. E shteti e shoqëria, përtej sensacionit, heshtin. E kjo heshtje po ua merr sigurinë dhe jetën vajzave e grave.

Përkundër dhunës së dukshme e të përditshme, shteti është duke dështuar që ta trajtojë sigurinë e grave si çështje të sigurisë publike. Raporte të ndryshme tregojnë që rastet e dhunës ndaj grave hasin në neglizhencë institucionale, me dënime të cilat shpesh janë nën ndëshkimet e parapara me ligj. Kjo qasje patriarkale është duke i lënë vajzat dhe gratë pa mbrojtje dhe lehtësisht të dhunueshme.

Kësaj gjendjeje terrori duhet t’i vije fundi. Vajzat dhe gratë në Kosovë nuk mund të jetojnë asnjë ditë tjetër me frikë. Djemtë e burrat nuk mund të amnistohen nga shteti dhe shoqëria për dhunën që ushtrojnë ndaj vajzave dhe grave. Përdhunimi i vajzës së mitur dhe i dhjetra grave tjera veç gjatë këtij viti përveç që na indinjon, na revolton dhe na fton në radikalizim të mjeteve tona të protestës e vetëmbrojtjes.

Të mërkurën, ne mblidhemi në protestë dhe kërkojmë:

1. Mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë;
2. Trajtim të drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për dhunuesit;
3. Legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray).

Përderisa dhuna ndaj nesh veç sa është duke u përshkallëzuar, përgjigjet tona në vetëmbrojtje do të radikalizohen. Aty ku shteti dështon të na mbrojë neve, ne do e mbrojmë vetën me çdo mjet në dispozicion. Deri secila nga ne të jetojë e lirë nga frika dhe dhuna! /KultPlus.com

Mijëra serbë marshuan në Beograd kundër mbajtjes së paradës më të madhe të LGBT në Evropë

Mijëra kundërshtarë fetarë dhe të krahut të djathtë marshuan në Beograd të dielën kundër planeve për të mbajtur festën më të madhe të krenarisë LGBT në Evropë që pritet të mbahet në Beograd.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha në fundjavë se ngjarja e planifikuar për shtator do të “anulohet ose shtyhet”, megjithëse organizatorët janë zotuar se do të vazhdojë.

Protesta e së dielës u drejtua nga klerikët e Kishës Ortodokse Serbe dhe dega serbe e “Ujqërve të natës”, një grup motorik rus që mbështet me vendosmëri Vladimir Putinin.

Ndonëse u mbajt gjatë një kortezhi për të shënuar një festë fetare, demonstrata u paralajmërua si një protestë kundër manifestimit të Krenarisë për të “shpëtuar Serbinë”.

Marshuesit pretenduan se po mbronin vlerat tradicionale të familjes. “Shpëtoni fëmijët dhe familjen tonë”, shkruhej në një nga pankartat, ndërsa disa protestues mbanin kryqe, raporton Euronews, transmeton Express.

Duke folur para turmës, peshkopi Nikanor i Kishës Ortodokse Serbe përshëndeti vendimin për të anuluar atë që ai e quajti “një përdhosje e vendit tonë, kishës dhe familjes sonë”.

Njerëzit janë gati të dalin përsëri në rrugë për të kundërshtuar “ata që synojnë të shkatërrojnë vlerat e Serbisë,” tha ai, sipas imazheve të transmetuara në faqen e lajmeve Glas Javnosti.

Të tjerë brohoritën parulla në mbështetje të kauzave të ekstremit të djathtë ose nacionalist. Disa valëvitën flamuj rusë, një shenjë mbështetjeje për Moskën, aleatin tradicional të Serbisë.

EuroPride është ngjarja më e madhe LGBTQ+ që paraqet një paradë të Krenarisë në kontinent, e organizuar nga një qytet tjetër evropian çdo vit. Beogradi do të presë marshimin e EuroPride në 17 shtator, si pjesë e një festimi njëjavor. / KultPlus.com

“Nuk e vrau varka, por shteti!”, protestë në Tiranë për vrasjen e 7-vjeçares në Himarë

Partia Demokratike ka njoftuar mbajtjen e një proteste në ambientet përballë Ministrisë së Brendshme në Tiranë ditën e enjte në ora 19:00.

Në njoftimin publik të selisë blu, theksohet se protesta mbahet në lidhje me përplasjen për vdekje me gomone të 7-vjeçares në plazhin e Potamit në Himarë, nga ana e oficerit të lartë të policisë, Arjan Tase.

PD njofton si kërkesë të protestës dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi dhe ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro. / KultPlus.com

“FreeVisa”, një grup qytetarësh protestojnë te zyra e BE’së në Prishtinë

Mos liberalizimi i vizave nga ana BE-së ka bërë që disa qytetarë të Prishtinës të protestojnë sot para zyrës së BE-së në kryeqytet , shkruan KultPlus.

“Marshojmë për Liri të Lëvizjes” ishte thirrja që mblodhi disa qytetarë të cilët shpalosën një flamur të Kosovës të rrethuar me gjemba ku shkruan “FreeVisa”, kjo erdhi si thirrje për diskriminimin që po i bëhet Kosovës nga BE-ja.

Dje është mbajtur Samiti BE-Ballkani Perëndimor, ku mbështetjet për liberalizmin e vizave nuk munguan por nuk kishte diçka konkrete. / KultPlus.com

“Marshojmë për liri të lëvizjes”, sot protestohet në Prishtinë

 

Deri më tani nga takimi në Samitin BE-Balkani Perëndimor nuk ka asgjë konkrete për sa i përket liberalizimit të vizave dhe sipas zhvillimeve, shpresat kanë filluar t’i lëshojnë qytetarët, shkruan KultPlus.

Për këtë mosveprim nga ana e BE-së, sot në Prishtinë do të protestohet.

“Marshojmë për Liri të Lëvizjes” është thirrja që po ju drejtohet qytetarëve që t’i bashkohen këtij mardhi sot nga ora 12:00. Takimi do të bëhet te sheshi “Zahir Pajaziti”.

“Nese keni kohe e mundesi ejani sot ne 12:00 ne shesh – Marshojmë per Liri te Levizjes #FreeVisa. Takimi te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti”, ka shkruar Shpend Lila në facebook.

Ndërsa sot në Bruksel potencialisht mund të diskutohet për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kosova është vendi i vetëm në rajon që ka mbetur në regjim vizash për të udhëtuar në një nga vendet e BE-së. / KultPlus.com

Nis greva më e madhe në 30 vite në Angli, pezullohet shërbimi i trenave

Me mijëra punonjës të sistemit hekurudhor  kanë mbushur  sot rrugët e Londrës , duke bojkotuar punën për të kërkua një pagë më të lartë dhe siguri për vendet e punës. Kjo është greva më e madhe që Londra ka parë ndonjëherë në 30 vitet e fundit.

Si asnjëherë më parë stacionet kryesore hekurudhore në Londër që zakonisht gumëzhijnë nga njerëzit, sot ishin thuajse bosh.

Gati 50 mijë punonjës do të ndërpresin punën për tre ditë  në shenjë protestë. Familjet britanike tashmë po përjetojnë shtrëngimin më të madh ekonomik në dekada, me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve duke e çuar inflacionin drejt shifrave dyshifrore, ndërkohë që pagat mesatare bazë nuk janë më të larta se sa ishin në vitin 2006 kur u rregulluan për inflacionin.

Ndërkohë duket se që tani qeveria britanike ka filluar të marrë masa për të paraprirë përsëritjen e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Ministrat do të ndryshojnë ligjin për të siguruar që ndikimi i protestave  të sindikatave të jetë më pak i dëmshëm në të ardhmen,  për pasagjerët.

Sekretari i Transportit, Grant Shapp tha se qeveria tani nuk mund të bëjë asgjë për të ndaluar grevën aktuale tre ditore, por ne tha ai,  ne do të sigurojmë që ligji të jetë fort në anën e pasagjerëve, në anën e konsumatorëve, nga këtej e tutje. /Top Channel / KultPlus.com

Punëtorët e shtetit në protestë, nuk mbahet as mësim

Të punësuarit në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës në nivel vendi, nën ombrellën e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), do të protestojnë në kërkim të realizimit të disa kërkesave të tyre.

Kërkesat e tyre janë vazhdimi i pagesës prej 100 eurosh për çdo muaj deri sa të fillojë zbatimi i Ligjit të Pagave në të cilin ligj kërkohet të merren parasysh propozimet e Federatave Sindikale anëtare të BSPK-së; Fillimi i zbatimit të Ligji për Sigurimin Shëndetësor dhe; Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

Duke qenë se pjesë e BSPK është edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK) dhe do të jenë pjesë e protestës, mësimi në të gjithë vendin nga arsimi fillor deri në universitete nuk do të mbahet.

SBASHK ka thënë se kjo pasi të gjithë mësimdhënësit do të nisen drejt Prishtinës në mënyrë të organizuar. Çerdhet do të jenë të vetmet institucione edukativo-arsimore të cilave nuk do t’ju ndërpritet puna.

Ministria e Arsimit ka paralajmëruar të gjithë mësimdhënësit se çdo orë e humbur mësimore do të zëvendësohet, por SBASHK-u ka thënë se asnjë orë nuk do të kompensohet dhe për dëmin e shkaktuar nxënësve përgjegjëse është ekzekutivi.

Protestuesit do të grumbullohen në sheshin “Zahir Pajaziti” në ora 13:00. Masa për në vendgrumbullim do të lëvizë rrugës “Garibaldi” prej Bankës Qendrore në drejtim të sheshit “Zahir Pajaziti” dhe prej Katedrales Shën Nënë Tereza nëpër rrugën “Xhorxh Bush” në drejtim të sheshit “Zahir Pajaziti”.

Në ora 13:30 nis ecja nga vendgrumbullimi prej sheshit “Zahir Pajaziti” nëpër sheshin “Nëna Terezë” për tu ndalur në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Për dy orë, nga ora 14:00 deri në ora 16:00 janë paraparë fjalime para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Më 12 maj është mbajtur grevë njëorëshe paralajmëruese por Qeveria e Kosovës nuk bëri asnjë lëvizje për të ndryshuar mendjen e sindikalistëve dhe kështu protesta është një tjetër veprim për kërkesat e tyre. Veprime të tjera sindikale janë paralajmëruar nëse Qeveria nuk fton të dialogojë përfaqësuesit e BSPK-së. / KultPlus.com

Ministrja Nagavci: I gëzohem aktivizmit të të rinjve dhe mendimit të njëjtë se cilësia në arsim kërkon angazhim të përbashkët

Këshilli i Nxënësve të Kosovës (KNK) mbajtën sot protestë me moton “S’po shkohet n’shkollë”.

Përmes kësaj protesë në të gjitha qytetet e Kosovës, KNK synon të fuqizojë zërin e të gjithë nxënësve të shkollave të mesme të Republikës së Kosovës duke e paraqitur realitetin shqetësues me të cilën nxënësit tonë ballafaqohen në baza ditore.

Cilësia e arsimit, përmbajtjet mësimore, sjelljet e profesorëve, infrastruktura e institucioneve shkollore si dhe fenomenet negative prezente me të cilat përballen nxënësit e shkollave, janë vetëm disa prej pikave të cilat i kanë shtyrë nxënësit të marrin një hap të tillë.

Menjëherë pas kësaj protestë ka reaguar edhe Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë.

Nagavci është shprehur e lumtur për aktivizmin e të rinjëve për përmirësimin e cilësisë në arsim. Sipas saj, angazhimi ditor në Ministrinë e Arsimit ka në qendër të vëmendjes përmirësimin e cilësisë, që përpos angazhimit kërkon edhe kohë dhe durim.

Ky është reagimi i plotë i Nagavcit:

I gëzohem aktivizmit të të rinjve dhe mendimit të njëjtë se cilësia në arsim kërkon angazhim të përbashkët,

Të dashur nxënës, mësimdhënës, prindër e qytetarë të Republikës së Kosovës,

Ndajmë shqetësimin plotësisht legjitim të shprehur nga nxënësit për gjendjen në sistemin e arsimit! Prandaj, angazhimi ditor në Ministrinë tonë ka në qendër të vëmendjes përmirësimin e cilësisë, që përpos angazhimit kërkon edhe kohë dhe durim.

MASHTI veçse ka dëshmuar, me një numër të madh takimesh e marrëveshjesh bashkëpunimi të nënshkruara, që është i hapur për bashkëbisedim e bashkëpunim me të gjitha palët me interes për ndërmarrjen e hapave konkret për ndryshimin e gjendjes në arsim.

Për një vit sa jemi në qeverisje kemi punuar në përmirësimin e infrastrukturën ligjore, kushteve në shkolla dhe procesit mësimor. Po ndajmë me juve disa nga vendimet dhe punët konkrete tona, që janë edhe në linjë me hulumtimin e prezantuar nga studentët:

• Rritja e buxhetit për arsim për 12%, për vitin 2022;

• Ndarja e 3,500.000€ për institucionet e arsimit dhe aftësimit profesional për përmirësimin e praktikës profesionale dhe sigurimin aksidental të nxënësve gjatë punës praktike;

• Themelimi i pesë Qendra të Karrierës; tre të tjera janë në proces;

• Hartimi i PSAK 2022-2026 si dokument orientues për zhvillimin e arsimit në proces të finalizimit (që përfshin investime domethënëse në infrastrukturë, digjitalizim dhe në cilësinë e arsimit);

• Ndryshimi i formulës së financimit për arsimin parauniversitar duke mundësuar ri-organizimin e rrjetit të shkollave, duke ofruar kushte më cilësore për punë;

• Planifikimi që secila klasë në Kosovë të ketë së paku një kompjuter dhe projektor, brenda pesë vitesh;

• Mbështetja e më shumë se 3,000 mësimdhënësve në zhvillim profesional;

• Rishikimi i sistemit të vlerësimit të performancës, trajnimit dhe licencimit të mësimdhënësve, si dhe i organizimit të brendshëm të shkollës, me qëllim të sigurimit të mësimit cilësor në shkolla;

• Bashkëpunimi me të gjitha palët për shtimin e sigurisë në shkolla dhe krijimin e mjedist miqësor për të gjithë fëmijët;

• Ofrimi i mbështetjes për organizatat e shoqërisë civile që punojnë me fëmijë me talente të veçanta, me fëmijë me aftësi të kufizuara, si dhe me qendrat mësimore për fëmijët rom, ashkali dhe egjiptian;

• Vërja në fokus ndaj rritjes së besueshmërisë së testeve kombëtare, në mënyrë që të shtohet përgjegjësia dhe llogaridhënia në shkolla;

• Ndarja e mbi 3000 bursa për të rejat e të rinjtë tanë që studiojnë brenda dhe jashtë vendit;

• Nëshkrimi i marrëveshjeve me BE dhe anëtarësimi në HORIZON;

• Nënshkruami i programit ,,Fulbright” me Ambasadën Amerikane për hulumtime akademike;

• Ndarja e 30 mijë euro për projekte shkencore;

• 100 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta;

• 500 bursa për nxënës nga grupet e margjinalizuara;

• Funksionalizimi i Këshillit Kombëtar të Shkencës;

• Rifunksionalizimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Po përmirësojmë infrastrukturën fizike e ligjore. Rezultatet në arsim duhet dhe do të përmirësohen. Si ministre e pranoj seriozisht çdo shqetësim të nxënësve për cilësinë në arsim, për vendimet e tanishme të MASHTI-t, por edhe për simptomat që përjetojmë tani e që kanë burim një kohë e situatë tjetër.

Të ardhmen e sigurojmë me angazhim të përbashkët, me dije dhe arsim. / KultPlus.com

Gratë afgane protestojnë në Kabul, kërkojnë të drejta për studim dhe punësim

Disa gra afgane kanë mbajtur të dielën protesta në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, për të kërkuar të drejta për punë dhe studim.

Video-materialet e shpërndara në rrjetet sociale kanë shfaqur një grup të grave të mbledhura para asaj që deri vonë ka qenë Ministri për Çështje të Grave, duke bërtitur “të drejta të grave dhe të drejta të njeriut”, transmeton KultPlus.

Disa kanë mbajtur pankarta duke kërkuar pjesëmarrje të grave në jetën publike.

“Një shoqëri në të cilën gratë nuk janë aktive, është shoqëri e vdekur”, është parë të jetë shkruar në një pankartë.

Protesta ka zgjatur rreth 10 minuta. Gratë janë larguar pas një përballjeje verbale me një burrë të paidentifikuar.

Në ditët e fundit, Qeveria e udhëhequr nga talibanët, ka lëshuar një mori dekretesh, përmes së cilave ka kthyer mbrapsht të drejtat e vajzave dhe grave.

Vajzave afgane u është pamundësuar kthimi në shkolla të mesme më 18 shtator, pasi Qeveria e udhëhequr nga talibanët, ka urdhëruar që vetëm djemtë dhe mësuesit burra të kthehen nëpër klasa.

Shkollat fillore tashmë janë rihapur dhe djemtë e vajzat janë ndara nëpër klasa dhe disa mësuese janë kthyer në punë.

Më 19 shtator, kryetari i përkohshëm i Kabulit, u ka thënë punëtoreve në Qeverinë e qytetit që të rrinë nëpër shtëpi, pasi puna do t’iu lejohet vetëm atyre që nuk mund të zëvendësohen nga burrat.

Javën e kaluar, talibanët kanë mbyllur Ministrinë për Çështje të Grave, duke e zëvendësuar me Ministrinë për “përhapje të virtytit dhe parandalimit të imoralitetit” dhe i është dhënë detyrë që të zbatojë ligjin islamik.

Prej kur talibanët kanë marrë pushtetin në Kabul, gratë afgane kanë mbajtur disa protesta në Kabul dhe qytete tjera, duke kërkuar që islamistët e linjës së ashpër të respektojnë të drejtat e njeriut.

Protestat janë shpërndarë dhunshëm nga luftëtarët talibanë. / KultPlus.com

“Rrugët natën nuk janë veç për burra”, protestohet në Deçan kundër dhunës seksuale

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka protestuar sot rrugëve të qytetit të Deçanit për të kundërshtuar dhunën seksuale ndaj vajzave dhe grave, shkruan KultPlus.

Në një postim të bërë në Facebook nga ky kolektiv theksohet se përmes thirrjeve të ndryshme qytetarët kanë denoncuar patriarkalizmin e institucionalizuar i cili po i dhunon vajzat e gratë në çdo hapësirë.

‘Rrugët natën nuk janë veç për burra’, ‘Mos ngacmo o tigër!’, ‘Donjeta ishte rrugës për në punë’, ‘Du me msu, jo m’u gacmu’, ‘Ngacmuesit seksual janë kriminel’, ishin vetëm disa nga thirrje të cilat u përdorën në këtë protestë.

Më poshtë gjeni njoftimin e tyre të plotë:

Sot, protestuam rrugëve të qytetit të Deçanit në kundërshtim të dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave.

Përmes thirrjeve të ndryshme, aktivste e aktivistë, nxënëse e nxënës. studente e studentë. qytetare e qytetarë denoncuan partriakalizmin e institucionalizuar i cili po i dhunon vajzat e gratë në çdo hapësirë.

Përderisa vajzat e gratë ndihen të pasigurta dhe vazhdojnë të dhunohen nga të gjitha institucionet, qofshin ato publike e private, nuk mund të ketë paqe e drejtësi shoqërore. Andaj dhe rezistenca jonë e përbashkët do të vazhdojë, deri në arritjen e drejtësisë për të gjitha vajzat e gratë e sigurimin e ambienteve të sigurta për to./ KultPlus.com

Në Tiranë, protestë kundër abuzimit seksual, një vajzë proteston nudo

Abuzimi seksual me një 15-vjeçare i zbuluar në Mirditë para disa ditësh ka ngjallur reagime të forta në shoqërinë shqiptare. Pas Mirditës dhe Peshkopisë, edhe qytetarët e Tiranës, kryesish të rinj protestuan këtë të diel në kryeqytet kundër abuzimit seksual me të mitur.

Me sloganin “Mos ma vrit fëmijërinë” ata u mblodhën fillimisht në sheshin “Skëndërbej” dhe më pas marshuan drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Me thirrjet “Ne jemi me ty”, “Ti s’je vetëm” ata kërkuan reagimin e institucioneve shtetërore për t’i dhënë dënimin më të madh abuzimit seksual.

Protesta kulmoi kur një nga vajzat pjesëmarrëse në këtë tubim u zhvesh nudo në sheshin “Skënderbej” për të sensibilizuar shoqërinë kundër këtij fenomeni.

Për ngjarjen e Mirditës, policia ka vënë në pranga 5 persona të cilët akuzohen se përdhunuan 15-vjeçaren./tvklan/KultPlus.com

Nesër në Pejë protestohet kundër dhunës seksuale ndaj grave

Të hënën, duke filluar nga ora 12:00 në korzonë e qytetit të Pejës, do të mbahet një protestë kundër dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave, si dhe kundër heshtjes institucionale ndaj kësaj dukurie negative.

Organizatorët e protestës “Aktivistët e Pejës” në Facebook kanë bërë të ditur se vetëm gjatë javës së kaluar 18 vajza e gra raportuan se kanë përjetuar ndonjë formë të dhunës seksuale e ngacmimeve në Kosovë.

“Ne e dimë shumë mirë që ngacmimi seksual, sulmet seksuale e përdhunimet janë duke iu ndodhur vajzave e grave çdo kund, qoftë në shkolla, institucione publike e private. Andaj dhe do të ngrihemi në protestë, për t’i bërë ballë këtij fenomeni shqetësues dhe për të kërkuar përgjegjësi institucionale e siguri për vajzat dhe gratë. Të protestojmë dhe të rezistojmë derisa drejtësia për vajzat dhe gratë të vihet në vend dhe ato të jetojnë pa frikë”, thuhet në postim./ KultPlus.com

Protestë kundër dhunës seksuale edhe në Mitrovicë

Sot u protestua në sheshet e qytetit të Mitrovicës kundër dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave.

Me brohoritje dhe parulla në duar, shumë qytetarë marshuan në rrugë nën thirrjet për siguri për vajzat dhe gratë dhe barazi gjinore, si parakushte të drejtësisë shoqërore.  

Grupi organizativ “Unë jam zani yt” në komunikatën për media thanë se kjo protestë është kritikë ndaj institucioneve të vendit të cilat nuk po punojnë për të krijuar siguri për vajzat dhe gratë.

“Vajzave dhe grave, iu tha edhe një herë publikisht se ato nuk janë vetë dhe që lufta jonë e përbashkët nuk do të ndalet derisa të ketë drejtësi dhe barazi për të gjitha/ë”, thuhet në njoftim.

Të paktën tre raste dhunimi e ngacmimi seksual janë raportuar të kenë ndodhur në dy muajt e fundit në Mitrovicë./ KultPlus.com

“Thuani emrat e përdhunuesve dhe ngacmuesve seksualë”, protestë në Mitrovicë

Ngacmimet seksuale dhe përdhunimet po raportohen çdo ditë e më shumë.

Sot u raportua se dy burra kanë përdhunuar një vajzë të mitur në Mitrovicë.

Ky rast veç̧ sa është duke e treguar natyrën epidemike të përdhunimeve e abuzimeve ndaj vajzave e grave, për çka edhe do të kundërshtohet përmes një proteste në Mitrovicë.

Organizatorët e protestës janë shprehur se kjo është duke dhënë alarm mbi rrezikun dhe ankthin e vazhdueshëm në të cilin rriten dhe jetojnë vajzat dhe gratë në Kosovë. Burrat po vazhdojnë t’i dhunojnë dhe ngacmojnë vajzat kudo, duke na treguar fare mirë se për vajzat e gratë asnjë vend nuk është i sigurtë.

“Në gjithë këtë situatë, institucionet private e publike, thellësisht patriarkale, janë bashkëfajtore. Praktika e amnistimit të ngacmuesve dhe përdhunuesve duhet të ndalet dhe emrat e përdhunuesve e ngacmuesve duhet të thuhen nga policia. Ne kemi të drejtë të dijmë kush janë përdhunuesit.

Rastet e përdhunimit e ngacmimit seksual të vajzave dhe grave në çdo hapësirë janë rrezik për shoqërinë tonë dhe sigurinë publike”, thuhet në njoftim.

Andaj, të shtunën, duke filluar nga ora 12:00 në sheshin “Isa Boletini” në Mitrovicë do të protestohet për ta kundërshtuar dhe dërguar mesazhe revolte kundrejt shtypjes e abuzimit të grave.

Protestueset/it duhet t’i respektojnë udhëzimet e IKShPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për frenimin e përhapjes së COVID – 19 duke u pajisur me maska dhe mbajtur distancimin fizik. / KultPlus.com