OBSH: Një e treta e grave në botë janë viktima të dhunës fizike, pandemia e ka rënduar gjendjen

“Një e treta e grave në botë janë viktima të dhunës fizike, veçanërisht seksuale”, paralajmëroi të martën Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) sipas së cilës pandemia vetëm sa e përkeqëson situatën.

Rreth 736 milionë vajza dhe gra mbi moshën 15-vjeçare janë sulmuar.

“Dhuna ndaj grave është një e keqe endemike në të gjitha vendet dhe të gjitha kulturat dhe dëmton miliona gra dhe familje,” paralajmëroi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Megjithëse nuk ka prova të forta deri më tani, ndikimi negativ i pandemisë që zgjat deri në një vit është i qartë, duke detyruar qindra miliona njerëz të qëndrojnë në shtëpi dhe duke shkaktuar krizën ekonomike globale”, tha Claudia Garcia-Moreno, bashkautore e raportit.

“Ne e dimë se situata e shumë grave është përkeqësuar dhe se 641 milionë gra ose 26 për qind e të gjithë njerëzve mbi moshën 15-vjeç, kanë qenë viktima të dhunës së partnerit”, tha ajo, raporton France Press.

“Kjo situatë ka kapur gratë që janë abuzuar tashmë. Papritmas ato janë akoma më të izoluara dhe në praninë e vazhdueshme të një partneri i cili po i abuzon ato. Përveç kësaj, vështirësitë financiare dhe stresi për shkak të fëmijëve në shtëpi dhe probleme të tjera në lidhje me pandeminë mund të shkaktojnë dhunë të re”, shtoi ajo./ KultPlus.com

Kamera kap burrin duke e goditur gruan teksa e nxirrte me karrocë nga QKUK-ja

Shpërthimi i një bombole gazi brenda një restoranti në Ferizaj ka lënë 42 persona të lënduar, deri më tani. Viktimat kanë pësuar lëndime të ndryshme trupore dhe të paktën 14 nga ta kanë marrë djegie të shkallës së dytë. Në mesin e personave që kërkuan ndihmë mjekësore janë edhe dy fëmijë.

Gazetarët po përcjellin vizitat e zyrtarëve të shtetit, të cilët po vizitojnë të lënduarit.

Burri që po e nxirrte një grua me karrocë nga Emergjenca, kapet nga kamera tek e godet këtë të dytën në kokë.

Nuk kuptohet veprimi i burrit veçse shihet se ai i jep një goditje me dorë prapa kokës. Ndërsa, reagimi i gruas nuk dallohet qartë.

Video është shkëputur nga gazeta online Reporteri./ KultPlus.com

Protestë për dhunën ndaj grave, theksohet dështimi i institucioneve për reagim në kohë

24 vite e gjysmë iu dha dënimi një vrasësi të dyfishtë, i cili ia morri jetën gruas dhe vajzës së tij. Shumë raste për dhunën në familje u raportuan së fundmi, e madje disa përfunduan me fatalitet. Për të protestuar dhunimin dhe vrasjen e grave, organizata “Replikë” ka organizuar një aksion rrugor, shkruan KultPlus.

“Jom njeri, s’jom rob”, “Poshtë patriarkati”, “Personalja është politike”, “Gjyqësor Kanunor”, “Edhe sa thirrje të humbura” ishin disa nga mbishkrimet e pankartave të protestës ndaj padrejtësive që po iu bëhen grave në hallka sociale e institucionale.

Kjo protestë me qëllim të parandalimit të shpërndarjes së virusit u realizua me biçikleta, ndërkaq disa që nuk kishin mundësi t’i siguronin ato, vazhduan brohoritjet në këmbë.

Bjeshka Guri, aktiviste në kuadër të kësaj proteste shprehi pakënaqësinë e saj në emër të protestuesve për dështimin e institucioneve për reagim në kohën e duhur, atëherë kur grave iu nevojitet mbrojtja.

“Institucionet tona promovojnë një kulturë dhune, duke i fajësuar viktimat e duke mos dënuar kriminelët. Jemi lodhur duke pritur në ankth për të dëgjuar për gratë e radhës që vriten e për ato që vazhdojnë të dhunohen”, theksoj Guri.

Pavarësisht lejueshmërisë së limituar të këtyre aksioneve si pasojë e Covidit, ajo tregoj se kjo protestë ka rëndësi për ta sepse jetërat e grave janë duke u rrezikuar.

“Jeta e çdo gruaja vlen dhe ne nuk mund të heshtim kundrejt padrejtësive ndaj grave vetëm pse janë gra”, u shpreh Bjeshka Guri. Në fund të fjalimit të saj, u bë thirrja publike për përgjegjësi të institucioneve të Kosovës për të siguruar drejtësi për gratë.

Protestuesit të cilën nisën aksionin e tyre në Sheshin “Zahir Pajaziti” filluan protestimin duke ecur e duke ngasur biçikletat e tyre nën brohoritjet: “Dhuna nuk ka arsyetim”, “Edhe sa thirrje të humbura”, “Drejtësi për Valbonën, për Klarën, për Antigonën”, “Dhuna po rritet, dënimet po ulen”, “Pa drejtësi nuk ka qetësi”, “Edhe sa herë doni me na vra”, “Shteti po vazhdon me na dhunu”, “Jeta e grave hajgare për shtetin”.

Protestuesit kishin zgjedhur rrugët qendrore të Prishtinës, për t’i vetëdijesuar qytetarët dhe institucionet për pasigurinë që po iu shkaktohen grave. Kështu, ata kaluan përpara Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës, Avokatit të Popullit, mirëpo askush nga institucionet përkatëse nuk reagoj asgjë, përveçse dy policëve të cilët dolën dhe ecën bashkë me protestuesit. Ata vazhduan edhe në rrugët e tjera të kryeqytetit. /KultPlus.com

“Edhe sa herë duhet me na vra?”, RrGK proteston para Prokurorisë speciale për rastet e dhunës ndaj grave

“Dhuna nuk ka arsyetim”, “Edhe sa herë duhet me na vra?”, “Mos i jep zemër dhunuesit”, dëgjoheshin zëra grash duke protestuar para Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shprehën pakënaqësinë e tyre për dënimet e ulëta për vrasësit e grave, shkruan KultPlus.

Ky aksion i RrGK u lejua nga Policia e Kosovës të zhvillohej nga 5 persona dhe të jetë “simbolik”. Organizatoret mbanin pankartat “17 gra të vrame, edhe sa të tjera për me ju çel sytë?”, “Asnjo Mo”, “Nuk ka arsyetim”. Ato kërkuan drejtësi për çdo grua që ka qenë viktimë e dhunës, madje për rastet që kanë përfunduar me vdekje ato mbajtën 5 minuta heshtje.

Përgjatë vitit 2020 kanë vdekur 6 gra dhe ky numër vlerësohet si alarmant për RrGK. Ashtu siç u shpreh koordinatorja kundër Dhunës në Baza Gjinore në kuadër të këtij rrjeti, Erëza Kurti, arsyeja e protestimit përpara Prokurorisë, anipse vendimin e cakton Gjykata, qëndron në faktin se ato kërkojnë që veprat të kualifikohen siç e meritojnë dhe ashtu siç i kanë kryer.

“Kemi pasur raste që ka ndodhur tentim në vrasje dhe janë kualifikuar si dhunë në familje. Jo, ajo nuk është dhunë në familje sepse tentim vrasja është një shkallë para vrasjes dhe ne jemi të shqetësuar deri në këtë pikë që mos të ndodh edhe vrasja”, theksoj koordinatorja Kurti.

Poashtu sipas RrGK rasti i vrasjes së dyfishtë të Petër Ndrecajt do të duhej të ndëshkohej me burgim të përjetshëm dhe jo 24 vite e gjysmë.

 “Ku është drejtësia u themi institucioneve relevante, a është drejtësia vetëm për burrat, a është ky shtet vetëm i burrave? Edhe sa gra duhet me u vra që policia, gjykata, prokuroria, të gjitha këto institucione me i hap sytë”, u prononcua për media Erëza Kurti.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) pati reaguar ditë më parë për dënimin e shqiptuar ndaj Pjetër Ndrecajt për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij./KultPlus.com

“Çikat shqiptare nëse dojnë me shpetu, mos të martohen”

Dhuna ndaj gruas është njëra ndër dukuritë më të pranishme në Kosovë. Rasti i fundit që tronditi vendin tonë, ishte rasti i Qëndresa Baranit, e cila u therr 11 herë me thikë nga bashkëshorti i saj.

Fatmirësisht, Qëndresa është jashtë rrezikur për jetë. Mirëpo, Qëndresa nuk është as e para as e fundit viktimë e dhunës fizike e psiqike. Shumë gra në Kosovë e jo vetëm ballafaqohen çdo ditë me dhunë fizike duke mos pasur mundësi apo mbështetjen e duhur nga institucionet përkatëse, e shpesh herë edhe nga familja.

Lidhur me rastin e Qendresës ka pasur reagime të shumta nga individ të ndryshëm dhe organizata jo qeveritare që merren me të drejtat e grave. Një ndër reagimet e fundit është edhe ai i Zana Avdiut e cila në rrjetin social Facebook ka shkruar se e vemja mënyrë që vajzat shqiptare të shpëtojnë nga dhuna është të mos martohen fare.

KultPlus ju sjell më poshtë statusin e saj të plotë:

Shqiptari nuk vret gra e femije- u pat kane nje parulle ne nje loje futbolli ne Tirane, me nje ekipe te serbise.

Nuk shkon java, nje grua vritet e nje tjeter therret 11 here, nga burrat e tyne ( shqiptare).

Pak para asaj loje, nje tjeter burre ( shqiptar) e vrau gruan e tij, me shufer metalike, ne Gjilan.

Pak ma heret nje tjeter i vrau gruan dhe rene e tij, ne Prishtine. Nje tjeter gruan e tij ne Prizren me 15 plumba. Nje tjeter ne Gjakove, nenen bashke me vajzen. Nje tjeter e vrare ne Peje, edhe e hedhun ne mal.

Edhe shume e shume gra tjera, te vrame ne menyre mizore.

Cdo dite 5 raste ( gra) e lajmerojne dhunen e burrave te tyne, ne polici.

Pervec te eger e te dhunshem, edhe rrenca bre. Pas shume vrasjeve te grave, dalin rrejne veten edhe boten me aso parulla.

Nashti vrases te tjereve nuk jeni, a te grave te juve, po!

E cikat shqiptare nese dojne me shpetu, mos te martohen!/ KultPlus.com

Burri e goditi gruan 10 herë me thikë, reagon RrGk: Drejtësia në gjumë, gratë po vazhdojnë të përjetojnë dhunë

Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar lidhur me dhunën që po raportohet ndaj vajzave dhe grave në Kosovë.

Nëpërmjet një postimi në Facebook RrGK ka reaguar për rastin e një ditë më parë ku një grua u godit 10 herë me thikë nga burri i saj. Sipas tyre përderisa gratë janë duke përjetuar dhunë, drejtësia është duke fjetur në gjum.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tyre të plotë:

Drejtësia në gjumë, gratë po vazhdojnë të përjetojnë dhunë

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shpreh indinjatë të thellë për këtë rast, duke u zotuar njëherish që do të ngremë zërin për të kërkuar drejtësi për këtë grua, ashtu si për çdo grua tjetër të dhunuar, plagosur e të vrarë.

Dhuna ndaj grave vazhdon të mbetet një prej formave më pak të ndëshkueshme të dhunës

RrGK do të monitorojë reagimin e institucioneve ndaj këtij rasti dhe do t’i shfrytëzojë të githa mundësitë ligjore që dorasi të marrë dënimin më të lartë. RrGK nuk do të ndalet derisa dhuna ndaj grave të mos trajtohet vetëm si lajm apo si diçka e mbyllur dhe private. / KultPlus.com

“Gruaja histerike është i vetmi subjekt që dhuna patriarkale nuk ka arritur ta nënshtrojë, është i vetmi subjekt i lirë”

Nga Sead Zimeri

Histeria është reagimi më normal i subjektit që jeton pa liri dhe që vazhdimisht i nënshtrohet dhunës dhe kërcënimeve për dhunë. Si e tillë histeria është shprehje e një situate të padurueshme dhe e vetmja shprehje emocionale e vërtetë në raste të tilla. Në histeri e gjejmë të vërtetën për situatën e padurueshme të subjektit. Çfarë është befauese prandaj nuk është që subjekti i tillë bëhet histerik por që ai/ajo akoma nuk është bërë histerik. Histeria është shpirti i rrebelimit, tregon që dhuna nuk e ka nënshtruar tërësisht subjektin, që subjekti ka arritur ta ruajë lirinë e saj që e shpreh në formë histerike. Histeria sinjalizon shpirtin rrebelues të subjektit, psherëtimën e të shtypurve, dhe refuzimin e situatës së padrejtë. Histeria është rezistencë.

Kur të shtypurit i merret e drejta e histerisë ajo më ka pushuar së ekzistuari si subjekt lirie, dhe tani vetëm sa i përçon diktatet e sunduesit të saj sikur të ishin të vërteta absolute. Kur subjektit histerik i kërkohet të shprehet me një gjuhë të sjellshme dhe të dialogut, ta respektojë mendimin dhunues (seksist) të bashkëbiseduesit të saj, asaj i kërkohet në fakt që ajo ta pranojë situatën e dhunës si normale, si të domosdoshme, dhe në besim që dhuna është legjitime. Histeria flet pikërisht për një tregim tjetër, atë që dhuna nuk është kurrë legjitime, që ajo është traumatike, që ajo nuk duhet toleruar.

Kërkesa për t’i respektuar të gjitha opinionet, pavarësisht që njëra palë ushtron dhunën dhe tjetra është viktimë e saj është në thelb kërkesë e dhunshme, kërkesë për ta shtypur edhe më tepër subjektin histerik. Në këtë rast, nuk ka barazi të vërtetë, prandaj kërkesa për barazi në mirësjellje, kërkesa për dialog është kërkesë hipokrite, kërkesë për ta mbuluar një situatë të dhunshme që shkakton trauma nga më të ndryshmet. Kërkesa për mirësjellje, në këtë rast i kërkon viktimës që ajo të mos mirret me situatën, me trishtimin që ajo i ka shkaktuar asaj por të ngrihet mbi të dhe të pretendojë që asaj nuk i pengon, nuk i shkakton traumë një situatë e dhunës. Kërkesa për mirësjellje është kërkesë që subjekti i traumatizuar, që subjekti histerik, të krijojë një imazh të rremë të vetes, që të mos i qëndroj besnike vetes por diskursit që ia normalizon dhunën./KultPlus.com

Një ekspozitë e veçantë lidhur me dhunën ndaj grave do të hapet në Uashington

Mbi të gjitha akuzat e ngacmimit seksual dhe sulmeve që vijnë nga të gjitha anët e artit dhe botës argëtuese, një muze i Uashingtonit ka hapur një ekspozitë që fokusohet në shkaqet dhe zgjidhjet e epidemisë së dhunës ndaj grave, shkruan The Washington Post, përcjellë KultPlus.

Projekti “El Tendeero” vazhdon deri më 5 janar në Muzeun Kombëtar të Grave në Art. Puna e artistes feministe nga Meksika, Monica Mayer përmes instalacionit të saj kërkon një seri pyetjesh rreth ngacmimit dhe dhunës duke ftuar pjesëmarrësit që të përgjigjen me përvojat e tyre.

Punimet do të bazohen në përgjigjet e shkruara në letrat rozë./ KultPlus.com

Garueset në Miss Peru tregojnë statistika për dhunën gjinore, në vend të përmasave të tyre (VIDEO)

Në vend që të ofrojnë buzëqeshjet e zakonshme me rroba banje, garueset e këtij viti në paraqitjen e Miss Peru përdorën një platformë që detyroi jurinë dhe anëtarët e publikut të përballen me dhunën gjinore.

Në mes të një numri të dyshimeve të ngacmimeve seksuale ndaj njerëzve të shquar në Shtetet e Bashkuara (që arritën një rritje të madhe me ngritjen e fushatës #MeToo), kjo paraqitje e tyre ishte një rikujtim se gratë në mbarë botën po luftojnë çdo ditë për të përmirësuar cilësinë të jetës së tyre, shkruan Vogue, përcjellë KultPlus.

Gjatë pjesës së paraqitjes së Miss Peru, kur nga garueset pritej që të tregonin përmasat e belit dhe të shpatullave, ato ofruan statistika për dhunën gjinore në vendin e tyre. BuzzFeed News raportoi mbi të dhënat e tmerrshme nga një vend ku gratë janë viktima të abuzimit në numra tronditës.

Disa nga prezantimet e këtyre garueseve ishin:

“Emri im është Camila Canicoba dhe unë përfaqësoj departamentin e Lima. Përmasat e mia janë: 2,202 raste të vrasjeve të grave të raportuara në nëntë vitet e fundit në vendin tim”.

“Emri im është Juana Acevedo dhe përmasat e mia janë: Më shumë se 70 për qind e grave në vendin tonë janë viktima të ngacmimeve në rrugë”.

“Almendra Marroquín këtu. Unë përfaqësoj Caete-n dhe përmasat e mia janë: Më shumë se 25 për qind e vajzave dhe adoleshentëve abuzohen në shkollat e tyre”.

“Emri im është Bélgica Guerra dhe unë përfaqësoj Chincha-n. Përmasat e mia janë: 65 për qind e grave universitare që sulmohen nga partnerët e tyre”.

Organizatorët gjithashtu shfaqën copëzat e gazetave prapa garueseve gjatë paraqitjes me rroba banje, me tituj që përshkruanin vrasjen dhe sulmin e grave. Organizatori, Jessica Neeton gjithashtu mbrojti daljen me rroba banje kundër akuzave për objektivizëm, duke thënë se “gratë mund të dalin lakuriq nëse duan”.

Në raundin e fundit, garueset u pyetën se cila do të ishte ndihma më e mirë për t’i dhënë fund vrasjeve të grave në Peru. Iniciativa është pjesë e një lëvizjeje më të madhe në Amerikën Latine, #NiUnaMenos, “Jo më pak,” e cila filloi nga feministet argjentinase. Më shumë se 50,000 peruane u bashkuan në protesta #NiUnaMenos në gusht. Çështja është bërë edhe më shumë pikëlluese kohëve të fundit, pasi që Maritza García, presidente e komisionit të grave të Perusë, tha se gratë ishin më fajtore për rritjen e numrit të vrasjeve te grave./ KultPlus.com