QPDG organizon në Drenas sesion informues për kancerin e gjirit

Vazhdës së shënimit të fushatës për ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit iu bashkua edhe Komuna e Drenasit bashkë me Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Gravë në Drenas, nëpërmjet një sesioni informues, shkruan KultPlus.

Ky aktivitet është organizuar për të informuar dhe ngritur ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, ndërkaq folës ishte radiologu Shkëlzen Gashi i cili detajisht shpalosi zbulimin e hershëm dhe trajtimin e sëmundjes.

“Përmes kësaj fushate vjetore ndërkombëtare duam të shtojmë zërin tonë dhe duke drejtuar thirrjen ndaj të gjitha grave dhe vajzave në shpërndarjen e informacioneve për rëndësinë e shëndetit të gjirit”, thuhet në postimin e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave.

Tutje kjo organizatë thekson se ndihma kryesore ndaj grave, respektivisht nënave, motrave dhe shoqeve të prekura është përmes informimit për parandalim dhe vetëdijësim për ato të cilat s’janë prekur nga kjo sëmundje.

Muaji tetor globalisht shënohet për ndërgjegjësim ndaj kancerit të gjirit. / KultPlus.com

Shtatoret e Shaban, Hamëz dhe Adem Jasharit më 28 Nëntor vendosen në Drenas

Komuna e Drenasit në bashkëpunim me Komunën e Skenderajt, nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, të enjten, me 28 Nëntor, do bëjnë zbulimin e shtatoreve të heronjve Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari.

Vendosja e shtatoreve të heronjve Jashari do të bëhet në sheshin “Fehmi Lladrovci” në Drenas, duke filluar nga ora 12:00, me ç’rast do të ketë edhe program artistik.

Po ashtu, për nder të festës së 28 Nëntorit dhe zbulimit të shtatoreve, do të mbahet seancë e përbashkët solmne e Komunës së Drenasit dhe Skënderajt. / KultPlus.com

Fisnikët argëtojnë diasporën në Drenas

Komuna e Drenasit ka nisur aktivitetet për muajin e Mërgatës 2018, dhe sonte në sheshin “Fehmi Lladrovci” duke filluar nga ora 22:00 do të përformojë drejtpërdrejt grupi muzikor Fisnikët.

Komuna e Drenasit ka bërë thirrje për pjesëmarrje të qytetarëve në këtë event.

Ndryshe, ky event mbahet nën patronatin e kryetarit të Komunës, Ramiz Lladrovci dhe do të zgjasë plot 28 ditë me aktivitete të ndryshme në sheshin “Fehmi Lladrovci” për nder të bashkatdhetarëve tanë që do të vijnë gjatë muajve të verës ne vendlindjet e tyre.

Aktivitetet përfshijnë vendosjen e shtëpizave të Drurit në Shesh me pije freskuese gjatë tërë muajit, aktivitete artistike, si: muzikë live, DJ, ekspozita e pikturës dhe fotografisë nga artistë vendor, të diasporës dhe vendeve të ndryshme si Shqipëria, Maqedonia etj.

Eventi Muaji i Mërgatës organizohet nga Komuna e Drenasit në bashkëpunim me OJQ “Panajot Kanaçi”./ kallxo.com